E shtune, 27.04.2024, 04:48 AM (GMT+1)

Faleminderit

Baxhul Merkaj: Margarita Xhepa, Nderi i Kombit

E merkure, 18.07.2012, 08:42 PM


Portret

Margarita Xhepa, Nderi i Kombit, Mjeshtre e madhe e artit

Nga Baxhul Merkaj

Sa herë kërkon të shkruash rreth ndjesive që të krijojnë artistët e mëdhenj shqiptarë, për momentin ndjen pak frenim në vetvete, sepse tek ata s’ bashku me madhështinë e roleve të interpretuara, ngjizet thjeshtësia e tejskajshme e tyre. Pothuajse në të njëjtën situatë ndodhesh kur përpara ke një artiste të përmasave të tilla sikurse është Nderi i Kombit, Mjeshtrja e Madhe e Artit Margarita Xhepa. Në pamjen e parë ajo të krijon përshtypjen e një engjëlli që ndonëse i ka  kaluar të 70 vitet, por bukuria e saj e praruar të kujton “Ofelin” e interpretuar prej saj në vitet e rinisë. Tepër impulsive në bashkëbisedim, fjalë të përzemërta dhe plot konsideratë, për shokët, kolegët e saj aktorë, për interpretimet e tyre skenike, marrëdhëniet mes njëri –tjetrit. Ka luajtur me Mihal Popin, Naim Frashërin, Prokp Mimën. Sandër Prosin, Kujtim Spahivoglin, Pjetër Gjokën të cilët me interpretimet mbeten majat e artit shqiptar. Por është për të thënë se edhe mjeshtërit e artit teatror e filmik si Kadri Roshi e Sulejman Pitarka ku dhe kanë luajtur në skenë të cilët kanë qenë dhe mbeten në krye të artit skenik. “E kam për nder që kam qenë partnerja e këtyre artistëve të mëdhenj”. Kështu është shprehur ajo nga bashkëbisedimi që kemi zhvilluar me të... Margarita Xhepa lindi në qytetin e Lushnjes, qytet ky i cili ka nxjerr artistë në të gjitha fushat e artit si Vaçe Zela, Vath Koreshi, Ilia Shyti, Kristaq Dhamo, Ferial Alibali, Visar Zhiti dhe të tjerë. Ka qenë një vajzë e vogël kur plejada e artistëve dhe të skenës si Kujtim Spahivogli, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka, Loro Kovaçi ishin ata që ngacmuan ëndrrat e Margarita Xhepës vite më parë... Dhe kjo bëri që ajo të mos ndahej nga arti. Artistja e Popullit Margarita Xhepa ka një hapësirë të gjerë rolës në skenën e Teatrit Kombëtar dhe në kinematografinë shqiptare si: “Majlinda” tek Majlinda, “Zonja” tek Kush e solli Doruntinën,  “Dafina” tek Përballë vetes, “ Vajza e dytë” tek mbreti lirë, “Dado” tek Romeo e Zhuljeta etj... Ka interpretuar në shumë filma ku midis të cilave “Vitet e para”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Koncert në vitin 1936”, “Pylli i lirisë”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i Kujtesës” , “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë” e shumë të tjerë...

Margarita Xhepa  “Ofelia” tek “Hamleti” i Shekspirit

Teatri Popullor i asaj kohe i viteve 60’ merrte një përgjegjësi për të inskenuar tragjedinë e Hamletit, këtë kryevepër të dramaturgjisë botërore. Ekzistonte një farë skepticizmi te një pjesë aktorësh dhe me të drejtë, se nuk është e lehtë të depërtosh e të bësh tëndin një rol të kryeveprës së Shekspirit. Margarita Xhepa me eksperiencën e roleve të interpretuara prej saj nga dramaturgjia shqiptare nuk u tremb nga dyshimi i ndonjë aktori, por ju përvesh punës me pasion.

Në dhomën e të çmendurës

Margarita ka treguar vetë me pasion se si e kishte përgatitur rolin nga më të arriturin të karrierës së saj. “Bleva fruta dhe shkova në spital, në pavijonin e psikiatrisë”. U takova me mjekun e pavijonit dhe i tregova arsyen e kësaj vizite. Më lejoi të vizitoja një të sëmurë ku më shoqëroi dhe vetë. Kur ecja midis të sëmurëve doja të gjeja një paciente të re që ti përshtatej rolit tim. Dhe sa më të re. Pasi e gjeta e falënderova mjekun dhe ju drejtova të sëmurës e cila nuk më përfilli fare. Pas disa pyetjesh ajo filloi të më përgjigjej. Kështu që unë vija re me syrin e aktorit reagimet e saj në të gjitha lëvizjet më të imta si të fytyrës të gjymtyrëve se ashtu dhe të trupit. Vija re kur qante dhe qeshte. Mënyrën e të folurit, zërin e saj dhe kohën që harxhonte për këto veprime. Vëreja se si kalonte nga një gjendje tek tjetra dhe të gjitha këto i përvetësova në provat e mija në skenë.

Margarita Xhepa tek Hekuba e Trojanëve!

Kjo nënë ballkanase, nënë shqiptare nënë me përmasa botërore që provon të lindë fëmijë, të gëzojë e të vajtojë. Mes heshtjes rënqethëse të kësaj humbje të madhe, Margarita si rreze drite mes kësaj tragjedie të pa masë turret të kapë kohën e humbur. Kohën e vrarë. Lotin e nënës derdhur brigjeve të pikëllimit. Brigjeve të Otrantos, brigjeve të atlantikut. Majë maleve të hekurave në Qafë Botë, kampet shfarosëse të Mathuazenit. Në shtëpinë e bardhë ku një njeri me ngjyrë, rreh të shërojë plagët e botës. Në Kalkuta ku një nënë trupvogël i tregoi botës se ekziston një dimension. Një botë më e mirë. Bota e dashurisë për të pamundurën. Ajo lëviz në skenë si një gurë i rëndë Trojë që nuk vdes kurrë. Artdashësit të tronditur të gozhduar në karriget e tyre mbeten pa frymë, rendin pas saj. Kur vrojtojnë këtë interpretim sa virgjëror e profesional, duartrokitjet frenetike thyejnë konturet e zakonshme të kohës. Muret e heshtjes rrënohen. Hekuba-Margaritë, simbol i dhimbjes dhe i mbidhimbjes njerëzore.. Hekuba Margaritë rrethuar nga kori si buçim deti, mali, lumi tërësia njerëzore, kërcet.. Trojë moj e zeza Trojë!.... Margarita Ofeli, Hekub, Ajkunë, artiste virtuoze nuk ka kohë në konceptin e zakonshëm të kohës. Duartrokitjet vazhdojnë për Ofelinë shqiptare..Busti i saj i gjallë shndrit si një premtim për dashurinë njerëzore.

Ajo në çdo ditë përcillet nga mijëra e mijëra përqafime, urime  të pambarimta nga artdashësit shqiptarë.

Mjeshtëria e timbreve shpërthyese

Margarita Xhepa është mjeshtre e rrallë interpretimeve në poezi. Aktorja ka një diksion të qartë e timbër harmonik, zë kumbues e plotë tonalitete dhe këtë e shohim në interpretimet e përkryera të poezive të saj. Arti i Margarita Xhepës është vënë re në emisionet e radios e televizioneve qoftë dhe koncertet e posaçme të fjalës artistike. Aktorja nuk e improvizon recitimin por ajo e deklamon me veten deri sa recitimi të përsoset dhe vetëm atëherë ajo e interpreton poezinë në publik. Pak ditë më parë e pashë atë duke interpretuar në sallën e Metropolit vargje poetike që ngriti peshë artdashësit shqiptarë. Për artisten nuk ka moshë. Mosha e saj është interpretimi i përkryer skenik. Po kështu  para pak javësh isha me të në Kosovë ku shëtitëm në disa qytete  e skena të Pejës, Prishtinës, Gjakovës ku ajo me zërin e saj brilant mrekulloi artdashësit  Kosovarë.

Ajo çdo ditë përcillet nga mijëra e mijëra përqafime, urime të pambarimta nga artdashësit shqiptarë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora