E hene, 29.04.2024, 04:04 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ismet Krosi: Atdhetari Ejup Mahmuti

E diele, 15.07.2012, 01:15 PM


ORGANIZATA KOMBËTARE ” F L A M U R I “ 1963 T E T O V Ë

ATDHETARI, QË KURRË NUK U PAJTUA ME SISTEMIN SLLAVOKOMUNIST

Nga Ismet Krosi

DËSHMITË E EJUP MAHMUTIT

Ishte kohë tepër e ligë. Shqiptarëve kudo në Jugosllavi u ishte kënduar kënga e hutinit si që i këndohet pulës kur ia shtimë kokën nën flatrat e saja…”Hesht shqiptar se, të hëngri Rankoviqi, se të hëngri shkjau…”. Çdo bisedë që bëhej,po edhe me shokë gjithmonë shikohej në katër anët se mos po të dëgjon ndokush. Gjithmonë më kujtohen fjalët e gjyshit “…biro kij kujdes se edhe muri në këtë kohë ka vesh”. Ai ishte vetëm një bujk që kurrë nuk turbulloj ujë, por frika nga shkau ekzistonte pasi ai tashmë kishte hedhur edhe farën e përçarjes në mes shqiptarëve. Kjo fare e bëri që shqiptari të jetë tepër I kujdesshëm, gjithmonë të ecë si nëpër ferra e mllefin për të keqin mos mundë ta shpreh edhe para shokut t’vet. Këto ishin momentet e të së kaluarës, kur duhej të formohem si njeri, në këtë rini të hershme timen, në kushte normale dhe i barabartë me palën tjetër sllavo-maqedone.

Me shpërnguljen në Tetovë me 1957, pata fat që, që nga klasa e gjashtë të jetë kujdestari im Gani Jahja (emigrant shqiptar), i cili hetonte nënçmimin që ishte si pasoj e xhelozisë, duke mu drejtuar (shokët e klasës) me “bytha e këtij jarëmçarakut (fjalë nënçmuese për fshatarin), të jetë më i mirë në klasë”.

Në këtë vit nga Bogovina, unë mbarova klasën e pestë erdhi edhe arsimtari i gjuhës shqipe Salajdin Hyseini në shkollën “Liria” i punësuar në bibliotekën e kësaj shkolle. Iu kujtova dhe duke më përkëdhelë filloi të më nxitë për të lexuar, gjë që me kaloi në shprehi. Më kujtohet shumë mirë në atë kohë ishte i ndaluar romani i Adem Demaçit “Gjarpijt e gjakut”, i cili edhe pse i ndaluar ai ma dha ta lexoj.

FETAH ZYBERI

Fillova të ndihem i madh, por asnjëherë nuk eksponohesha si i tillë. Kjo më përcolli deri më tash. Kam raste kur ndonjëherë ndokush më prezanton librin e lexuar me një entuziazëm, e mua më vjen shumë rënd ti them se më parë e kam lexuar. Por, kjo ndoshta nuk ka të bën me atë që duhet të shkruaj edhe pse këto ishin momente që ndikuan shumë në jetën time.

Isha në vitin e tretë në Gjimnaz viti 1962 muaji nëntor. Isha në oborrin e shkollës kur mu afrua Fetah Zyberi, ishte shumë më në moshë se unë, por ishte në vitin e parë. Ky do të mbetet gjithmonë në vetëdijen time si një i ri që bindjet e veta i përcillte me kokëfortësi, ai mu drejtua me fjalë sikur i drejtohet më i moshuari më të riut.

- “Ejup, kam shumë besim tek ti dhe këtë që do ta them dua të mbetet vetëm mes meje e teje. Nëse e kupton ndokush mund të na shkon koka të dyve”.

- “Nëse bëhet fjalë për punë të mirë, atëherë nuk ka pse të na shkon koka”.

Vazhdoi të flasë për politikë, për gjëra që ishin tepër të tejdukshme e pak ishin ata shqiptarë që nuk e ndjenin në shpirtin e tyre.

“Mirë çka duhet të bëjmë, ne jemi të ri dhe jemi pakë, nuk mund të ndryshojmë asgjë”, i thash, por nuk i thash se nuk isha për një angazhim të atij lloji edhe pse nuk e dija se çka duhej bërë.

Pas disa ditësh u takuam përsëri e mu drejtua “çka mendon, a do t’i bashkëngjitësh grupit, jemi bërë shumë”. E shikova dhe me një kureshtje naive i thash se pajtohem, por dua të di se po çka punohet. Ai atëherë filloi të flet haptas.

“Ne duhet të shkruajmë parulla si përshembull “Rroftë Shqipëria”, “Rroftë shoku Enver”, “Poshtë Jugosllavia”, “Poshtë shoku Tito” dhe atë natë do të vendojmë flamurin në mes të qytetit. Këto do të jenë për fillim e pastaj mund të ndërmerren edhe aksione tjera, të cilat bartin me vete rrezik më të madh si organizimi i ndonjë atentati ndaj zullumqarëve, në fillim ata mund të jenë edhe shqiptarë që ishin tepër të lidhur me pushtetin.

Në një takim pas disa ditësh, me Fetahun ishte Isniqemal Sherifi, që ishte në një klasë me Fetahun dhe të një moshe, po ashtu ishte edhe Rami Veliu dhe Ilmihasan Ademi. Biseduam gjatë për organizimin e grupit dhe secili prej nesh duhej të angazhojë shokë në të cilët ka besim, e që ata të rinjë nuk do të dinë për asnjë tjetër përveç Fetahut. Kjo do të ishte një formë si që i thonë grupi i tresheve. Në këtë takim u vendos që takimet të mos jenë të shpeshta pasi ashtu mund t’i biena në sy policisë.

HISNIQEMAL SHERIFI

Ne nuk kishim ndonjë përvojë organizimi. Në takimet tona flitej më shumë për shqiptarët e dënuar e që vuanin burg ose ata që tash më e kanë vuajtur. Për të vrarë gjatë kohës së luftës që në numër ishin shumë. Nga çdo fshatë në fushën e Pollogut që janë më shumë se njëqind fshatra e që çdo fshat kishte deri më dhjetë të vrarë. Këto ishin takime që zgjatën deri ka muaji prill i 1963-shit, kur u vendos që për 1 Maj, të jenë gati parullat dhe flamuri që për detyrë për ta qëndisur e mori Fetahu e parullat do t’i shkruaja unë.

Më 30 Prill parullat ishin gati si dhe flamuri. Në mbrëmje pas orës dhjetë u takuam. Duhej të ishim më shumë, por në takimin që e caktuam pas varrezave afër “Arabati Baba Teqesë” ishim vetëm unë, Fetahu dhe Hisniqemali. E shikuam flamurin si dhe parullat, të cilët ishin krejt në rregull.

Këta duhej të ngjiteshin në rrugët e qytetit, posaçërisht në qendër e, flamuri të vendohej para gjyqit. Këto veprime duhej bërë pas orës njëzetë e katër.

Puna shkoi në rregull, pas ngjitjes së parullave duhej të takoheshim para gjyqit ku do të vendohej në një shtyllë. Në orën 0, 30 min. ishim para gjyqit dhe pasi unë isha më i vogël më i lehtë më ngrejtën lartë dhe flamurin e vendosëm në shtizë e gozhdova për shtylle. Menjëherë u larguam nëpër shtëpitë tona.

Nesër ka ora tetë, dola dhe ke shtylla ku valonte flamuri ishin mbledhur një mori policësh, të cilët e ruanin dhe me siguri pritnin që të bëhet ndonjë procedurë e paraparë për këto raste.

E larguan flamurin e ne pritnim që të nesërmen të shkruajnë gazetat, sa dokudo të bëjë bujë, por për çudi u shkruajt vetëm në një skaj të gazetës, vetëm disa rreshta se në Tetovë paskan gjetë do parulla armiqësore dhe flamurin e ngjitur në një shtyllë para gjyqit.

Pas disa ditësh u burgosën dy të rinjë, Ibrahim Veliu dhe Hajredin Kamberi. Në fillim ne menduam se për burgosjen e tyre jemi ne shkaktarë, e më vonë kuptuam se ata ishin të denoncuar nga shoku i tyre për disa libra që në atë kohë i kishin marrë nga Ibrahim Rrugova. Pamarrë parasysh ne shkruajtëm edhe do parulla tjera që të mos dyshohen dy të burgosurit.

Takimet me Fetahun u rralluan. Takimi me të ishte në fund të vitit shkollor e përsëri më befasoi me një propozim me të cilin unë nuk u pajtova.

“Ejup, tash ne duhet të ikim në Shqipëri, pasi këtu mund të na kapin dhe të na burgosin”.

Unë, me këtë siç thashë, nuk u pajtova, e duke pasur frikë se ndoshta më bindin, pa lejen e prindërve shkova të punoj në Nova Gradishkë, ke Shefket Demiri nga fshati Dëbërcë, të cilit i duhej një punëtor si shitës limonade nga një aparat lëvizës e që ishte i vendosur në qendër të atij qyteti.

Shkova dhe fillova të punoj. Ishte punë e rëndë. Ujë për të bërë limonadën duhej të sillej te aparati prej një largësie më se dyqind metra. Punën e bënja vetë. Ai shumë rrallë vinte në Nova Gradishkë. Flenja në një mansardë të një shtëpie afër kishës.

Pas shtatëmbëdhjetë ditë pune, më njëmbëdhjetë korrik fryni një erë e madhe dhe aparatin e rrokullisi. Shishet ku mbahej ekstrakti i limonadës u thyen. Me ndihmën e një jevgu pastrues këpucësh e ngrejta aparatin dhe e vendosa në oborrin e kishës, ku e mbanim natën. I mërzitur shkova në mansardë dhe nga lodhja më zuri gjumi. Në mëngjes ka ora gjashtë u zgjova dhe ashtu i shtrimun fillova të lexoj “Zherminal” roman i Emil Zolës. Në orën shtatë dera u hapë me force dhe tre policë u rrasën brenda me revole në dorë duke bërtitur “Duarët lartë”. U ngrejta e ata filluan të kontrollojnë nëpër dhomë. Gjetën edhe 2 a 3 romane tjera që i kisha marrë për ti lexuar. Më venduan prangat dhe më dërguan në polici. Unë e dinja pse, por ata nuk më bën asnjë pyetje për punën që kisha bërë. Thua se ishin të interesuar më tepër për punën e pronarit – Shefket Demirit duke supozuar se merret me tregti e me punë që janë në kundërshtim me ligjin.

Më njëzetekatër korrik m’i venduan prangat dhe më nxorën nga qelia e u drejtuam nga stacioni trenit. Policin në tren për në Beograd pas disa lutjeve për të m’i heqë prangat, fitova vetëm një shuplakë të fortë katili. Mua më vinte turp nga njerëzit që më shikonin, të cilët mendonin me siguri se jam ndonjë hajnë.

Në Beograd më dorëzoi në burgun qendror i njohur si C-Z. Më mbyllën në një qeli ku aty e gjeta një burrë plak, i cili që me hyrjen time filloi të më shikon me urrejtje. Pas një kohe filloj të ulurin duke bërtitur me një zë trishtues.. “Unë kam vrarë djalin tim, djalin tim kam vra… “. Dhe i binte murit me kokë. Unë fillova të dridhem e me grushta i binja derës. Dritarja e vogël u hapë dhe pashë fytyrën e policit duke qeshur. Aty i kalova dy net. Në mëngjesin e njëzetë e gjashtë korrikut u nisëm për në Shkup. Përcjellësi, polici ishte një i moshuar. Mundohej të ketë sjellje të mire duke më thënë se, nuk m’i vendon prangat, por nëse tentoj të ikë do të më vret. E shikova me të mirë.

“Nuk do të iki, unë nuk e di ç’është kjo që ndodhën me mua. Në Beograd nuk më pyetën asgjë...”.

Në mbrëmje në orën njëzetedy ishim në stacionin e Shkupit e më vendosën në një dhomë të vogël në stacion që i ngjante qelisë. Në orën pesë të mëngjesit (27 korrik) u nisëm për në Tetovë. Për njëzetë e shtatë minuta shpëtova nga vdekja që do të ma dhuronte tërmeti.

Në policinë e Tetovës ishte kaos, pasi kishte vdekur kryeshefi që paska jetuar në Shkup. Një ditë pas më morën lartë për bisedime. Pyetja e parë ishte, se cilët i kamë shokë. U përgjigja se unë nuk kam shokë. Qytetarët nuk më pranuan asnjëherë si shokë të tyre. Unë për ta jam vetëm një “gjysmë opinge” ata qeshën. Kur emrin e Fetahut, unë u thashë se me të nuk më lidh asgjë. “Ai është një nxënës i dobët dhe më i moshuar se unë”. Ata përsëri qeshën. Sllobodan Matevski ma rrasi një shuplakë të fortë, më rrëzoi nga karrikja, e cila ishte pa mbështetëse. “Po Isniqemali ?”. “Jo nuk e njoh.” tash shuplakës që më rrëzoi ju bashkangjitën edhe shqelmat. “I njohësh shumë mire! Përcjelle në qeli!” E urdhëroi policin që në atë moment hyri brenda. Në burgun e vjetër, në bodrumet e thella duke kaluar përreth qelive për tek qelia ime, që ishte në skaj dëgjova zërin e Fetahut, i cili më tha : “Ejup, prano se ne të gjithë e kemi pranuar”.Unë dyshova, por të nesërmen u bë edhe ballafaqimi. Kështu që u desh të pranoj edhe unë.

Në burgun hetues kalova dyzetë e tri ditë. Ata nuk besonin se një organizim të tillë e kemi bërë ne vetë, kërkonim “organizatorin”. Në çdo bisedë kërkonin emrin e tij duke përmendur disa emra siç ishin; Xhevahir Shaqiri, Salajdin Hyseini, Abdylaziz Islami sa që supozonin edhe për ndonjë lidhje me Adem Demaçin.

Deri sa flitej për këta mundoheshin me çdo kusht duke përdorur shqelmat, shkopitë e gomës, fyerjet… për të pranuar si organizator njërin nga emrat e lartpërmendur. Pas kësaj na dërgonin në qeli, të cilat ishin tepër të vështira. Në muret e tyre gjithmonë kullonte ujë. Bisedat bëheshin vetëm natën dhe nuk dinim kur është ditë e kur është natë. Qelia ishte e ndriçuar me një llambë elektrike e venduar mbi derë në një dritare shumë të vogël dhe e mbrojtur me thupra hekuri. Ajo rrinte gjithmonë e ndezur. Pastrimin e këntës ku e kryenim nevojën bëhej në mëngjesin e hershëm. Një javë para se të lëshohena, në qeli më futën një burrë me kokën pas të përgjakur e fytyra nuk i diktohej as pak pasi ishte shumë e ënjtur dhe katrën e zezë. Ashtu vetëm e hodhën brenda dhe u larguan. Në qeli kishte vetëm një krevat. Ai vetëm rënkonte. Pas dy ditësh nisi të flet. Tha se kishte tentuar te ikë në Shqipëri, por disa barinj afër kufirit e kishin tradhtuar dhe e dorëzojnë në karaullën policore maqedone. Pas rrahjes e sjellin në “Kodër të Diellit” e prej aty me kamion të shtrirë e të lidhur për dërrasat e rimorkios deri në burgun e Tetovës. Ky ishte nga Kosova, nga Shtimja. Në ditën e tretë në mëngjes kur na nxorën për në nevojtore, policit nuk i pëlqente ecja jonë dhe filloi të na sjellë ku të mbërrijnë me shkop gome. Te shkallët për në bodrumin e qelive na dha të shtyme duke u rrokullisur mbërritëm në fund. Polici i “zemëruar” erdhi na ra edhe disa herë me shqelma, duke na thënë se do të thejmë qafën ngase edhe shkallëve nuk dimë të ecim.

Atë ditë na sollën mjekun Ismail Ismaili, i cili na qortoi se duhet patur kujdes kur ecim shkallëve. Ai vinte për çdo ditë deri sa mu shëruan plagët e marra nga rrahja dhe rrëzimi nëpër shkallë. Kështu që unë mbeta disa ditë më vonë deri sa shokët më ishin lëshuar (përveç Fetah Zyberit).

Largimi im ishte i papritur kështu që nuk munda të marrë ndonjë adresë të ti për veç se emrin dhe mbiemrin. Ai quhej Shefki Berisha. Këtë njeri e kam kërkuar më vonë në Shtimje, duke pyetur qytetarët dhe dy herë kam shkuar në polici duke i pyetur se nëse një i burgosur i këtij qyteti bëhet në një vend tjetër a duhet ata të kenë informata. Ata ishin policë serbë, më shajtën dhe më hodhën jashtë, kjo ka qenë pas viteve të shtatëdhjeta. Kam biseduar edhe me gjykatësin në Ferizaj që ishte nga Tetova Shefitin, por edhe ai nuk u angazhua për ndonjë sqarim të mirëfilltë. Jam i bindur se ky njeri është i vrarë pasi edhe disa informatave dokumentacioni i 1963-shit është i djegur në polici.

Pengesa për vazhdimin e shkollës nuk patëm. Isha i lumtur për këtë dhe më tepër për shokët që më nderonin më tepër se sa më parë. Simpatia e tyre ndaj meje më gëzonte pasi edhe ata ushqenin ndjenjat e njëjta. Kjo u duk edhe më tepër kur me këmbëngulje më zgjodhën kryetar klase për kundër sugjerimeve të profesorëve dhe drejtorit që nuk donte të dëgjon për mua.

Në fund të shtatorit u mbajt gjykimi edhe pse të gjithë pranuam për punët që i kishim bërë. U dënua vetëm Fetah Zyberi edhe atë me dy vjet e gjysmë burg. Për mua arsyetimi ishte se veprimi im ka qenë i bërë në kohën kur kam qenë i mitur, ndërsa për tjerët nuk e di se ç’ishte shkaku që nuk u dënuan. Kjo më vonë do të shihet për disa veprime të tyre. Ata nuk patën kurrë probleme për punësim.

Në këtë vit profesor Mujdin Hadri, përgatiste shfaqjen ”Rrëmuja” e autorit Jusuf Kelmendi, dhe pasi më njihte (që nga klasa e tetë kur na jepte gjuhën shqipe) më thirri që të më jep një rol.

U pajtova dhe me të vërtetë bëra një interpterim shumë të mire dhe mora vend të parë në festivalin republikan për rol të dytë që u mbajt në Shtip. Këtë po e përmendi vetëm për një gjë se profesor Mujdin Hadri, tri ditë para se të nisemi më tha se e paskan detyruar që me trupën të merr edhe një person, vetëm si statist, qëllimi i të cilit ka qenë që të më përcjellë mua dhe me siguri edhe vetë atë.

MËSUESI EJUP MAHMUTI ME GRUPIN E AKTORËVE AMATORË DHE NXËNËSVE TË GJIMNAZIT TË TETOVËS, DUKE PËRGATITUR DRAMË

Atje atë nuk e afruam, gjë që kur u kthyem më morën disa herë në polici me pretekst “pse nuk e keni afruar, dhe çka ka qenë ajo bisedë e fshehtë në mes meje dhe profesorit, që nuk ka mund ta dëgjon edhe ai”. Unë iu përgjigja se biseda jonë ka qenë vetëm në lidhje për artin dhe për realizimin shumë të suksesshëm të rolit tim. Atëherë shuplakat vringëllonin nga Sllobodan Matevski.

Pas maturës kalova dy vjet në Novi Sad, ku studiova drejtësinë dhe mbarova vetëm vitin e parë, edhe pse provimet e vitit të parë i mbarova në afatin qershor-shtator. Isha i martuar dhe ç’u për atë u ktheva në Tetovë. Konkurrova në shumë shkolla për gjuhën frënge, të cilën e zotëroja shumë mirë dhe për fat u pranova në shkollën e fshatit Pirok.

Puna ime atje nuk ishte vetëm në shkollë, por u mundova që të angazhoj rininë në jetën kulturore. Ajo ishte e gatshme dhe menjëherë fillova të përgatisë një komedi të Kristo Floqit (Akraballëqet). Në Qershor më detyruan të jap deklaratë se kam qenë në burg dhe menjëherë më larguan nga puna. Komedia mbeti pa u realizuar. Përsëri ndiqesha. Ishte jetë tepër e bezdisur. Në pranverë të 1968-ës isha duke shëtitur nëpër qytet, mu para ëmbëltores “Beograd” mu afrua Vebi Luma, me të cilin nuk njiheshim, por kisha kuptuar se ishte një ndër studentët më të mire në Beograd. Më shikoi dhe më pyeti duke qeshur : “Ty je Ejup Mahmuti, kam, dëgjuar për ty, vetëm fjalë të mira. T’u afrova vetëm se kam një bindje se je patriot i mirë dhe besnik, për atë të them për se drejti se pas disa ditësh do të kemi një takim ku dua të jesh edhe ty prezent. Takimi do të mbahet në shtëpinë time. Aty janë edhe shumë shokë tu”. E shikova me habi dhe e pyeta, cilët ishin ata shokë të mi. Përmendi Faik Mustafën, Hyseinxhevat Kalishtin dhe shumë të tjerë që me të vërtetë kishim shumë marrëdhënie të mira me ta.

Atë natë shkuam në shtëpinë e tij, ku me të vërtetë ishin të gjithë ata shokë që i përmendi në takimin që e patëm në rrugë. Aty u bisedua për shqiptarët, për padrejtësitë që na bëhen. Kishte biseda ndër më të ndryshmet. Kur mbaruan bisedat u larguam dhe, unë nuk kisha fort besim tek disa për atë dhe u largohesha takimeve të ardhshme.

Pasi isha papunë, e babai im kishte hapë një ëmbëltore në Shkup në “Maxhar maalla”. Aty punova tërë vitin dhe në kohën e demonstratave të gjashtëdhjetë e tetës kam qenë atje.

Kur kuptova për këta dhe se është bërë tollovi e madhe nuk mundesha të vij edhe në Tetovë. Pas disa ditësh në Shkup, në tregun e Bit Pazarit, e takoj Vebi Lumën, i cili më tha se ka ndodhë një punë shumë e keqe në Tetovë dhe se ai duhet të ikë në Beograd. Unë kisha dal të blej material për punën e të gjitha ata para që kisha me vete ia dhashë që ti gjenden për rrugë. Ai shkoi. Kur kuptova se janë burgosur të gjithë shokët e mi, pritsha çdo ditë që të vinë e të më marrin edhe mua.

Pasi kaluan dy javë, e takoj një djalë të rij (më duket se e quanin Nimet Nesimi ), të cilin e kisha në një dramë “Plaku i maleve”, dhe ai më tha se mu atë ditë e paskan lëshuar nga burgu dhe se denoncuesi kryesor është Vebi Luma me dhëndrin e tij. Kjo ishte një e mirë për mua, pasi do të më shërbente në marrjen në pyetje që shumë shpejt filluan të më marrin me polic gati për çdo natë.

Në çdo takim mundohesha se organizatori i takimit në shtëpinë e Vebi Lumës ka qenë vetë ai dhe se na kishim shumë besim në të. Egërsia e tyre nuk ishte aspak e vogël, mundoheshin në forma të ndryshme, me rrahje, me lidhje duarsh në radiatorët e zyrës e në mëngjes më përcjellin në shtëpi. Për mua më mire do të ishte sikur të isha edhe unë në burg.

Kaluan muajt dhe erdhi dita e gjykimit. Unë nuk isha në bankën e të akuzuarve. E kisha shumë rënd. Dëshmitari i hatashëm që edhe vetë i organizoi këto takime ishte Vebi Luma. E kërkova avokatin e Faik Mustafës, Baroviqin dhe i thash që dëshiroj të jem dëshmitar nga mbrojtja. Ai u gëzua dhe menjëherë e pranoi këtë propozim.

Atë ditë kur duhej të paraqitem para gjyqit tërë natën më mbajtën në polici më udhëzuan me kërcënime se në të ardhmen do ta kem shumë keq nëse them diçka për në të mirë të të akuzuarave.

U paraqita para gjyqit dhe nuk pranova kurrgjë se atë natë ishte biseduar diçka për shqiptarët apo kundër shtetit. Organizimin e ka bërë vetë Vebi Luma dhe se atë natë disa nga këta persona, këta që i shoh këtu nuk kanë qenë. Atë natë unë kam biseduar me Fehmiun dhe Hyseinxhevatin për gjuhën frënge, bisedat ishin krejt të rastit dhe me humor.

Pas daljes, menjëherë më pritën në dalje të gjyqit dhe më thanë se për ty do të ketë gjykim të veçantë që nuk u mbajt asnjëherë. Ata u dënuan, më së shumti Memet Gega (shtatë-vjet heqje lirie), Faik Mustafa (pesë vjet e gjysmë) të tjerët nga dy vjet dhe një numër i vogël u lëshuan si të pafajshëm.

Nga ky grup dënimin e caktuar nga gjykata deri në fund e mbajti vetëm Mehmet Gega dhe Fehmiu, ndërsa të tjerët u lëshuan para kohe, në afatin e përgjysmuar të dënimit. Dalja e tyre nga burgu na gëzoi të gjithëve, bile edhe më tepër u gëzuam kur kuptuam se fituan të drejtën për vazhdimin e studimeve dhe u pajisën me kredi ose me bursa nga komuna.

Edhe në grupet tjera pati falje dënimi përveç Salajdin Hyseinit, i cili mbeti në Idrizovë taman katër vite aq sa ishte i dënuar nga gjyqi.

Shokët që u regjistruan në fakultete, disa mbaruan dhe u punësuan në Prishtinë e disa u punësuan edhe pa fakultet. Gjetën punë të mira duke shfrytëzuar shpirtmadhësinë e kosovarëve. Disa e keqpërdornin këtë shpirtmadhësi, edhe kur nuk shkonin në punë rrogën ua sjellnin në shtëpi. Ishim të lumtur për këtë veprim, pasi, thuajse veprimi i serbit në Kosovë ishte pezulluar.

Në Maqedoni vazhdonte avazi i vjetër. Shpifjet kishin arritur kulminaconin. Siç thash më lartë, fara e përçarjes ishte hedhë, e na kërkonim me çdo kusht që ta pjellim një të keqe ke shoku, atë ta avancojmë dhe ta bëjmë të vërtetë, vetëm për një arsye, që në fund të themi se ne nuk jemi si ai.

Në vitin 1970/71, u pranova përsëri në punë në fshatin Pirok, kuptohet si arsimtar i gjuhës frënge, por përsëri angazhimi im me rininë e fshatit e bëri që të më largojnë nga puna.

Në vitin 1972, dy muaj pasi kishte filluar viti shkollor e takoj Sadri Saliun, i cili punonte në Zhelinë dhe kur i tregova se jam pa punë u habitë dhe menjëherë më propozoi që të shkoj në shkollën e Zhelinës, pasi atje paska një vend të shprazët lënda e BAT-it. Shkova atje dhe pasi ai kishte autoritet më pranuan pa fjalë. Në fund të vitit arrita që të regjistroj tetë vajza në shkollë të mesme, por pas pesëmbëdhjetë ditësh ata u larguan pas një afere që ndodhi me një vajzë që tashmë ishte në vitin e katër të medicinës.

Në këtë fshatë punova katër vite, dy vitet e para lëndën e BAT-it, kurse dy vitet e fundit gjuhën shqipe. Me angazhimin e madh timin në lëmin e kulturës, përgatitje recitalesh, drama, skeçe, përsëri rashë në sy dhe më 1977, më larguan nga puna. Shkova në Beograd në punë ke Vebiu i Sellcës, si “Kubikash”. Atje kalova tre vite. Më 1980-ën, pasi unë për çdo vit konkurroja në çdo fshat ku ishte vendi i lirë për gjuhën frënge, e në këtë vit më pranuan përsëri në Pirok. Kisha bindje se këtu do të mbetem më përgjithmonë. Planifikova që në këtë fshat ku ekzistonte shoqëria kulturo–artistike “Qahil Osmani”, të përgatis disa shfaqe. E para “Besa” e Sami Frashërit pastaj “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit, të cilën e dramatizova vetë dhe së fundi “Kurbeti” baladën e Çajupit, të cilën edhe këtë vetë e dramatizova.

Dramën “Besa” e përgatita dhe u shfaqë në Gostivar dy herë, si dhe në Tetovë. Me këtë u kualifikuam për në festival, por pas një jave kur u kuptua se kush është regjisori u eliminua. Kjo dramë duhej të shfaqej edhe në Prishtinë, bile do të ishte shfaqja e parë amatore që do të prezantohej në skenën e teatrit të Prishtinës. Ditën që duhej bërë kontrata ishte 24 Prilli, dita e demonstratave. Kur na kapën me pllakatet na mbyllën në burg. Deri sa u sqaruam kaluan nëntë orë, dhe na lëshuan.

Realizimi na shkoj huq. Në qershor shkolla vendosi të më përjashton nga puna gjë që edhe e bëri. Pas kësaj mu paraqit Salajdin Hyseini, dhe më ngushëlloi, duke më thënë, se nuk duhet të mërzitem, pasi do të punojmë bashkë duke lyer shtëpi, pasi ai e paska zanat.

Kishte bërë pazar shumë shtëpi në Malësinë e Sharit, në disa fshatra tjerë si dhe në Gostivar. Këtë vit e kalova me të, duke fituar mirë. Pas një viti pune u detyrova të shkoj përsëri në Beograd te Vehbiu i Sellcës. Atje punova tre vite. Më 1985-ën, konkurrova në Suharekë, Podujevë si dhe në disa fshatra në rrethinën e Prishtinës. Në Beograd më erdhi lajmi se jam pranuar gati në të gjitha vendet ku kisha konkurruar. Në këtë kohë njëri që nuk e di se kush ka qenë i merr dokumentet nga shtëpia dhe i dërgon në Grupçin, ku edhe më pranojnë.

Kur erdha në shtëpi në bisedë me disa, se ku të shkoj, ata më thanë se Kosovës unë nuk i duhem, Dërvenit për ty ka nevojë. Shkova në Grupçin ku që në fillim i vura detyrë vetes për organizimin e rinisë, jetën kulturore të tyre. Nga nëntë fshatrat pas dy muaj punë mblodha tërë rininë në shkollë një ditë të shtune, gjë që zgjoi interesim edhe te policia stacioni, i së cilës gjendet mu afër shkollës. Fillova të përgatisë një dramë “Cuca e maleve” e Loni Papës. Edhe pse leja u mor nga organet adekuate, ajo kur u bë gati për prezantim, u ndalua pasi autori qenka nga Shqipëria. Menjëherë pas kësaj nisa ta përgatisë dramën “Hakmarrja” nga Jusuf Kelmendi. Premiera e kësaj u mbajt në qershor të 1986-ës, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Për dy prezantime pati më tepër se 1200 shikues. Me këtë dramë u prezantuam edhe në fshatin Negotinë, ku u pritëm shumë mirë. Më 1987-ën, përgatita dramën “Ferexheja e zezë” të Kalosh Çelikut. Premiera duhej të mbahej në muajin maj të vitit e 1988. Të gjitha biletat ishin të shitura, por në orën 14, para sportelit shkruante se shfaqja nuk mund të mbahet. Arsyeja; “nuk punon rrotativa”. Unë nuk kisha nevojë për rrotativën e kur ua thashë këtë, ata më drejtuan në komitet e, atje nuk kishte asnjë mundësi për mirëkuptim.

Në muajin tetor të vitit 1988, më larguan nga puna e, kjo zgjati deri më 1990.

MËSUESI EJUP MAHMUTI ME GRUPIN E AKTORËVE AMATORË

Me ndryshimet që ndodhën më kthyen përsëri në punë dhe tash me bindje se u fitua liria e fjalës dhe punës. U angazhova edhe më tepër. Për një organizim të koncertit në fshatin Çiflik, më dënuan 30 burg si i akuzuari i dytë, kurse i akuzuari i parë 15 ditë. Arrestimi ishte i turpshëm. Në klasë para nxënësve mu drejtuan tre policë me automatikë në dorë, më venduan prangat dhe më përcollën në stacionin policor.

Pas nëntëdhjetave për një poezi që lexova në manifestimin e themelimit të BKSH-ës në Shipkovicë u dënova edhe 60 ditë burg.

Grupi “Flamuri” i 1963-it, ishte i formuar nga pesë të rinjë me bindje të sinqertë, se me atë forcë të vogël do të kontribuojnë me atë që do ti japin në dije shtetit që vepronte gjithmonë për të keqen e shqiptarëve, se qetësia në mesin e tyre është vetëm aktrim. Se në këtë grup nuk kishte dorë shteti dhe as ishte ndonjë inskenim i UDB-ës, vërtetohet edhe nga ajo se ky veprim me parulla tepër armiqësore dhe flamuri i ngjitur në mes të qytetit u hesht apo siç u tha më lartë u shkruajt vetëm në skaj të gazetës.

Tash për herë të parë po e përmendim se grupin e ushqeu me ide dhe e nxiti për veprim koloneli korçar Niko Hito, i cili në ilegalitet veproi në Tetovë dhe në vende ku frymon shqiptari. Kthimi i tij në Shqipëri pas disa vitesh përfundon tragjikisht. Ai kapet nga spiunët rusë, dhe me tre shokë të tij me duar të lidhura pushkatohen në rrethinën e Elbasanit. Pas 1990-ës, varrezat zbulohen dhe trupi i dërgohet në vendlindje. Këta pesë të rinjë, ndoshta jo aq të përgatitur dhe me një naivitet u munduan të bëjnë një përpjekje për të dhënë kontributin që i takon çdo shqiptari në jetën politike në atë Jugosllavi si dhe tash. Nga këta pesë, tre gjithmonë u ndoqën nga pushteti Fetah Zyberi para dhjetë vitesh si arsimtar i gjuhës shqipe hynë në punë në fshatin Gurgunicë. Isniqemal Sherifi, është i larguar nga puna si arsimtar i gjuhës shqipe dhe, punon si tregtar në Tregun e Gjelbër të Tetovës, ndërsa unë pesë herë jam larguar nga puna me pushim dy herë nga katër vite e tre here nga dy vite. Tash në këtë moshë para pensionit jam i larguar nga puna.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora