Faleminderit
Pjetër Logoreci: Dom Nikollë Kaçorri, nje gur themeli për shtetin shqyptar
E shtune, 23.06.2012, 03:53 PM
Në 100
vjetorin e pamvarsisë
Dom Nikollë Kaçorri, nje gur themeli për shtetin shqyptar.
Nga Pjetër Logoreci
Sejcili prej nesh e ka për detyrë me punue e me djersitë për vendin e vet, por Ata që ja kushtojnë jeten, plot me sakrifica e mundime të njëmbasnjishme vendit, janë heroj e i prijnë me shembujt që japin, ndjenjës kombëtare e atdhedashtunisë.
Një shembull i pakrahasueshëm heroizmit e ksisoj atdhedashtunie asht Atdhetari shumëplanesh i Don Nikollë Kaçorri. Lindë e burrnue me pastertinë e karakterin kryenaltë të bjeshkve të Krejës, patrioti Kaçorri j´u kushtue i tani atdheut e fesë. Tue kenë se gjendja në kohën e fminisë tij, në atë malci për sa i perket besimeve dhe formimit shpirtnor ishte e shumëllojshme, Don Kaçorrit ju krijue rasti me vendosë kontakte shoqnore e me kenë i mirëpritun në çdo familje të katundit, e ma vonë, gjatë jetës baritore, në gjithë krahinen.
Në karakter i drejtë, trim, i ndershëm, i paperkulun, e i mbushun me besim te vedja, ai filloi me kenë aktiv në perpjekjet për çlirim kombtar prej qindvjetëve të errsinës aziatike të pushtimit turk. Megjithëse pushtuesit e huej, e ma vonë edhe fara e keqe antishqiptare e komunizmit, u mundue me krijue hije e portret të padishrueshëm për Atdhetarin Kaçorri, vepra e perpjekjet e tij në të mírë të atdheut ishin kaq të mëdha, sa propaganda kundër tij u shue. Tue pasë parasysh eksperiencen historike të Europës, ku çdo komb personalizon e nalton demokracinë tue vue në themel të tij herojtë e personazhet ma të spikatuna të historisë së vet, mendoj qi edhe na si shqiptarë, duhet të vendosim si gur themeli e të marrim për shembull, figura si Atdhetari Kaçorri, për të ndertue nji frymë atdhedashtunie e demokracie të shndetshme.
Edhe pse doli në dritë libri shumë i vlefshem biografik “FEJA DHE FLAMURI, Dom Nikollë Kaçorri”, i zotni Hajredin Isufit, figura e Kaçorrit asht jo shumë e njoftun për shqyptarët. Kto ditë gjatë kerkimeve të mija nëper arkivat e ndryshme (në ketë rast ÖSTA), ndesha në dy letra qi Kaçorri i drejtonte personaliteteve ma të nalta të diplomacisë austriake për të protestue mbi veprimet e egra qi pushtuesit turq kishin ba kundër tij dhe bashkëpuntorëve të tij, e mendova ti baj të njoftuna për lexuesit.
Letra e parë e shkrueme në gjuhen italiane mbanë daten: Durrazo, 20 giugno 1910 dhe i drejtohet titullarit të konsullatës austriake në Durrës, tue i pershkrue sulmin qi autoritetet turke, binbashët e gjendarmerisë, komisari i policisë Hamet Toska nën drejtimin e prokurorit Madey në Durrës, bane mbi famullinë e tij. Këtu po mundohem të baj disa pershtatje në gjuhen shqype të disa pasazheve të kësaj letre:
“I perndritshmi Zotni,
Sot rreth ores 9.00 alla turka u paraqiten te porta e oborrit të ksaj famullie Bimbashët e gjandarmerisë dhe Mydei (prokurori i shtetit) me perkthyesin Mikel Rama, e më thane qi kishin ardhë zyrtarisht me ba kontroll në famulli, unë kundershtova me force tuj i diftu qi nuk do ta lejojshe këtë pa lejen e Arqipeshkvit tem. Ato ngulen kambë, e unë gjithashtu kundërshtova me të njejtin arsyetim (per mungese urdhnit nga ana e autoritetit superior kishtar)
Jashta portes, në rrugë qindrojshin komisari i policisë me të gjithë trupat e gjandarmerisë të Durrësit, të cilët kishin ardhë me ba kontrollin. Megjithë kundërshtimet e mija, komisari i policisë Hamet Toska, mendoj qi me urdhen të superiorve, tentoj me hy me force me nji komision qi e ndiqte atë, une i dola te dera për mos me i lejue hymjen, por për force madhore nuk muejta me i pengue...jashtë ishte mbledhë nji turmë e madhe njerzish....deshta me u largue nga pamja dhe me shku te autoritetet lokale me u ankue për këtë dhunim, por gjandarët e policia jo vetëm me mbajtën me forcë, por më goditshin me shqelma e me kondakët e pushkve, nji nder të cilet më goditi në krye...ndërsa, kontrolli i famullisë vazhdoj për rreth 15-20 minuta.”
Kjo leter të len mbresa për nga mënyra e të shkruemit e po ashtu edhe nga përmbajtja.
Ajo asht e shkrueme në katër faqe dhe e firmosun prej tij.
Megjithatë ankesat e Imzot Kaçorrit pranë autoriteteve turke në vend ranë në vesh të shurdhët e nuk pat asnji reagim për këtë. Për këtë arsye Kaçorri kërkon ti bajë me dije autoriteteve europiane, fuqive të mëdha, në ketë rast protektoratit austriak, situaten e trazueme politike nëpermes diplomatëve mbrenda vendit.
Mbas përshkrimit të ngjarjes në letren protestë të Imzot Kaçorrit drejtue Konsullit austriak, ky i fundit i drejtohet ministrisë së jashtme të Austrisë me nji telegram sekret me datën 21 qershor 1910, tue i raportue mbi incidentin e tuj përshkrue ngjarjen në kandveshtrimin e tij.
Konsulli Halla përshkruen kundërshtimin e famullitarit Kaçorri që të bahej kontrolli në famulli e tregon se si ai (Imzot Kaçorri) u mbajt me forcë dhe u godit me armë nga gjendarët. Simbas konsullit: kontrolli zgjati 15 minuta, ishte thjeshtë nji formalitet dhe bani nji përshtypje të keqe. Si Famullitari e po ashtu edhe Arqipeshkvi duhet të paraqiten pranë hetuesve sa herë të thirren, përndryshe do të merren me forcë. Ai kërkon mendim nga zyra qëndrore në Vjenë për mënyren e reagimit e tij ndaj autoriteteve turke në të ardhmen.
Lidhun me ktë ngjarje të shemtueme, që ishte e paramendueme prej autoriteteve turke, pat një reagim të ashpër edhe në shtypin vendas. Shumë gazeta shqyptare njoftuen për incidentin dhe bane komentet e tyne për situaten e ndezun të atyne ditëve që bashkë me revoltat e malsorve të Kurbinit shkaktuen carjen e pushtetit otoman dhe sollen pamvarsinë e dishrueme aq fort prej shqyptarve. Ma poshtë po sjell nji artikull të botuem në gazeten Korça, e cila i rreferohet nji njoftimit te gazetes “Zghimi i Shkipërisë” të Janinës me 15 korrik 1910, që të përkthyer në gjermanisht, konsullata austriake në Durrës, per ta informue për situaten e krijueme në Durrës, ja dergonte ministrisë së jashtme në Vjenë:
Artikulli
përshkruen dhunen qi ju ba institucionit fetar e po ashtu edhe famullitarit, Imzot Kaçorrit, i cili u godit me shqelma e kondakët e pushkve në koke e trup nga gjendarët turq. Ma poshtë autori tregon për kontrollin e famullisë i cili nuk solli asgja komprometuese qi autoritetet turke mendojshin se do të gjejnë.
Letra e dytë, edhe ajo e shkrueme në gjuhen italiane i drejtohet Ministrisë së Jashtme të Austrisë e mban daten: Durazzo, 10 Aprile 1911.
Imzot
Kaçorri i cili në kte kohë ishte i denuem në arrest shpie, pershkruen keqtrajtimin, arrestimin e tij nga gjendarët turq dhe denimin e tij me katër vjet burg. Ai tregon për apelimin në gjykaten e kasacjonit në Konstantinopol e cila anulloj vendimin e gjykatës së Durrësit dhe e kthej atë për rigjykim. Kjo gjykatë pa zhvillue nji proces të rregullt gjyqsor e denoj Imzot Kaçorrin me dy vjet burg dhe nji gjobë prej 25 lirash turke. Letra asht e shkrueme në tri faqe dhe përfundon me kerkesen për anullimin e denimit me ndërhymjen e Austrisë te Porta e Naltë. Mbas shumë perpjekjesh diplomatike të Vjenës zyrtare, u arrit që Kaçorri të lirohet me amnesti.
Interesant e për tu tregue asht edhe fakti që Imzot Kaçorri, i cili shquhej për aftësi administruese, devotshmeni e perkushtim, trimni dhe kambëngulje, u propuzue nga Ipeshkvi Lazer Mjeda për postin vakant (mbas largimit në pension të Mgr. Gurinit) të Arqipeshkvit të Shkodrës. Bashkë me kandidaturen e Kaçorrit figurojshin edhe emna të njoftun si Mgr. Mjedes, Mgr. Serreqit, Mgr Bumcit, Don Mark Shllakut. Ma vonë me emnimin e Mgr. Serreqit në Shkodër, Imzot Lazer Mjeda shpreh keqardhjen e tij qi kandidatura e Imzot Kaçorrit nuk pat miratimin e të huejve me arsyetimin si “gjaknxehtë e i ngutshem në karakter” (Das k.und k.Kulturprotektorat, faqe 434).
Personalisht, qysh se fillova me kerkue e me bashkue dokumentacionin arkivor, pothuejse nji shekullor për riatdhesimin e eshtnave të tij nga Vjena, rasti e pruni që të lidhem shpirtnisht me figuren e ktij atdhetarit të pashoq, shembulli i të cilit më udhëheqë në jetën e përditshme.
Ditëve në vazhdim do perpiqem me sjellë për lexuesit, argumenta e dokumenta të tjerë të panjoftun për Imzot Kaçorrin. Shpresoj se 100 vjetori i pamvarsisë, do të jetë nji rast i mirë për shtetin e historianët, për të ba rishikimin e ktij momenti historik dhe ngritjen e shumë figurave të lanuna me qellim në harresë, në vendin qi i takon në altarin e atdheut. Figura e Imzot Nikollë Kaçorrit si e pandashme nga Ismail Qemali, i takon të jetë prezent kudo pranë tij, në cdo monument a statuje, në cdo stendë muzeumi apo poster propogande, në cdo kumtesë e jubileum....dhe në kujtesen shqiptarve.
Shenim:
Shkrimi i
referohet dokumentave origjinal te cilet ndodhen ne ÖSTA, fondi PA.
Pjeter
Logoreci
Wien, 26.05.2012