Faleminderit
Milazim Kadriu: Përkujtohet Dëshmori i Kombit Agron Rrahmani
E hene, 14.05.2012, 11:14 PM
PËRKUJTOHET
DËSHMORI I KOMBIT AGRON RRAHMANI
Nga Milazim KADRIU
Në përvjetorin
e rënies
së dëshmorit të kombit Agron Rrahmani i cili ra 14 vite më parë në Prishtinë
u përkujtua nga familjarët, bashkëveprimtarët, përfaqësuesit e shoqatave të dala
nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të tjerë nga
Llapi dhe vise të tjera të Kosovës . Në nderim të jetës dhe veprës heroike të dëshmorit
të kombit, Agron Rrahmani, në këtë përvjetor janë bërë homazhe dhe janë vendosur
kurora me lule tek vendi i rënies në Prishtinë dhe te varri i dëshmorit në vendlindjen
e tij në Ballofc të Podujevës. Agroni ishte pjesëtarë i gueriles së UÇK-së që vepronte
në Llap, Prishtinë e gjetiu. Duke i vlerësuar aftësitë e tij organizative dhe
interesimin e tij në fushën ushtarake, Agroni u emërua komandant i njësitit
gueril, “Rexhep Mala”. Përveç kësaj, ai u ngarkua me detyrë që ta realizojë edhe
qendrën stërvitore dhe t`i përgatitë liridashësit për t’u përballur me sukses nëpër
betejat që i prisnin. Nga kjo qendër e stërvitjes hynë e dolën qindra luftëtarë,
të cilët më pas ata u dalluan nëpër beteja në luftën tonë çlirimtare. Kjo qendër
pas rënies heroike të tij, do të merr emrin “Agron Rrahmani”, në shenjë respekti
dhe mirënjohjeje për kontributin e madh që dha komandanti. Ai u vra në dyluftim me forcat e okupatorit
serb të cilët kishte kohë që i kishin rënë në gjurmë veprimtarisë atdhetare të tij
dhe e përcillnin në çdo hap. Edhe pse Agroni ishte i vetëdijshëm për këtë për
asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e tij atdhetare deri në ditën e rënies
heroike të tij. Po ashtu pak ditë më parë bashkëveprimtari i tij Bahri Fazliu
ra heroikisht në tre kufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Agroni me shokë, me jetën
e tyre na hapën rrugën për të ecur më lehtë tani ne drejt bashkimit kombëtar. Andaj
ne duhet të korrim dhe mbledhim djersën e veprës së tyre, në mënyrë që ta
nderojmë me punën tonë gjakun e dëshmorëve.