E premte, 02.05.2025, 04:55 AM (GMT+1)

Faleminderit

Meri Lalaj: Gjyslyme Dervishi (Leka)

E merkure, 09.05.2012, 08:05 PM


Gjyslyme Dervishi (Leka)

Nga Meri Lalaj

Gjyslymja së pari ndoqi mësimet në Shkollën Amerikane të Vajzave në Kavajë, ndërsa me mbarimin e kësaj shkolle vijoi të studionte në institutin femnor “Nana Mbretneshë”. Ajo ishte një nxënëse shumë e mirë në mësime, gjithashtu merrte pjesë në të gjitha veprimtaritë artistike të Institutit. Gjyslymja i përfundoi mësimet e kësaj shkolle në verën e vitit 1936. Punoi për një vit mësuese në Shkollën Tregtare të Vlorës, pastaj shkoi për studime në Romë për të studiuar Gjuhë dhe Letërsi, por i la studimet përgjysmë pasi u njoh dhe u martua me Hilmi Lekën.

Sapo u vendos pushteti komunist, bashkëshortin e saj e nxorën në gjyqin e parë special më 14 prill 1945, gjyq të cilin e organizoi ai regjim për të shfarosur mendjet më të ndritura intelektuale të kombit. Hilmi Leka ishte vetëm 31 vjeç kur e vranë. Ai pat studiuar në Padova të Italisë për literaturë, ishte akademik, gjithashtu pat kryer Fakultetin e Jurisprudencës në Vjenë. Ai ka qenë drejtor i gazetës “Tomorri” dhe ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës. Pas vrasjes mizore të të shoqit, Gjyslymja mbeti fill e vetme me tre fëmijë jetimë: Elvira, Naxhi dhe Skënder. Menjëherë e hoqën nga Tirana dhe tërë jetën, tok me fëmijët, shkelën nëpër shumë fshatra e qytete të Shqipërisë pa iu zënë këmbët dhe. Por komunistët nuk u mjaftuan me kaq, në vitin 1956 e arrestuan dhe Gjyslymen, nënën e fëmijëve. Në gjyq atë e akuzuan si agjente të imperializmit amerikan dhe si gruan e ish-ministrit të dënuar si armik i popullit. E dënuan me 23 vite burg, kreu vetëm shtatë vite nëpër burgjet e Shkodrës, Vlorës, Tiranës. Gjyslymja u lirua në vitin 1962. Gjatë kohës që ajo ishte në burg, fëmijët e saj mbetën vetëm si zogjtë e qyqes, duke u endur andej-këtej pa asnjë mbështetje, duke u përpjekur të ushqenin njëri-tjetrin duke bërë punë të ndryshme në ngarkim-shkarkim, në ndërmarrjen e ndërtimit e të tjera. Fëmijët nuk u lejuan të shkollohen përveç arsimit të detyruar. Gjyslymja kurrë më nuk punoi në profesionin e mësuesisë për të cilin pat kryer studimet, ajo gjatë gjithë jetës u përpoq të mbante gjallë shpirtin e saj dhe të fëmijëve duke vërtitur rrotën e një makine qepëse. Përkundrazi, për të dhe fëmijët e saj vijonin përndjekjet, kështu e internuan në Kosovën e Dumresë, ku ndodheshin edhe dhjetëra gra të huaja, të cilat ishin martuar me burra shqiptarë dhe burrat e tyre regjimi i Enverit i pat futur në burg. Ato gra të gjora që mbanin nga një shami të bardhë në kokë ndërsa punonin në fushë, të internuarit e tjerë i quanin “pulëbardha”.

Vuajtjet e Gjyslymes nuk mjaftuan me kaq, sepse në vitin 1980 i arrestuan djalin, Skënderin, i cili pat qenë vetëm katërmuajsh kur i vranë të atin. E arrestuan me akuzën e rëndomtë “agjitacion e propagandë” dhe akuzat gjatë gjyqit ishin qesharake, sikur ai pat thënë se “futbolli gjerman ishte më i miri nga të gjithë, se pat kënduar një këngë të Fausto Lealit, se kish ndërmend të luftonte për të drejtat e njeriut dhe qe ankuar se në Shqipëri rrogat ishin të vogla”. Skënderi qëndroi shtatë vite në burg dhe nënën e tij, Gjyslymen, Dega e Punëve të Brendshme e lejoi vetëm një herë që ta takonte të birin. Ky ishte fati i asaj vajze të bukur, fat që e shkatërroi pa mëshirë regjimi komunist.

Gjyslymja i mbylli vitet e fundit të jetës në Elbasan, por ajo ia arriti që të shohë ditë të bardha sepse gëzoi rënien e diktaturës, fëmijët e saj dikur të përbuzur u vunë në krye të lëvizjeve demokratike, luftuan dhe fituan kundër regjimit më të egër që ka provuar Shqipëria.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx