| E merkure, 09.05.2012, 08:05 PM |
Gjyslyme
Dervishi (Leka)
Nga Meri Lalaj
Gjyslymja
së pari ndoqi mësimet në Shkollën Amerikane të Vajzave në Kavajë, ndërsa me
mbarimin e kësaj shkolle vijoi të studionte në institutin femnor “Nana
Mbretneshë”. Ajo ishte një nxënëse shumë e mirë në mësime, gjithashtu merrte
pjesë në të gjitha veprimtaritë artistike të Institutit. Gjyslymja i përfundoi
mësimet e kësaj shkolle në verën e vitit 1936. Punoi për një vit mësuese në Shkollën
Tregtare të Vlorës, pastaj shkoi për studime në Romë për të studiuar Gjuhë dhe
Letërsi, por i la studimet përgjysmë pasi u njoh dhe u martua me Hilmi Lekën.
Sapo u
vendos pushteti komunist, bashkëshortin e saj e nxorën në gjyqin e parë special
më 14 prill 1945, gjyq të cilin e organizoi ai regjim për të shfarosur mendjet
më të ndritura intelektuale të kombit. Hilmi Leka ishte vetëm 31 vjeç kur e
vranë. Ai pat studiuar në Padova të Italisë për literaturë, ishte akademik,
gjithashtu pat kryer Fakultetin e Jurisprudencës në Vjenë. Ai ka qenë drejtor i
gazetës “Tomorri” dhe ministër i Arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës. Pas
vrasjes mizore të të shoqit, Gjyslymja mbeti fill e vetme me tre fëmijë jetimë:
Elvira, Naxhi dhe Skënder. Menjëherë e hoqën nga Tirana dhe tërë jetën, tok me
fëmijët, shkelën nëpër shumë fshatra e qytete të Shqipërisë pa iu zënë këmbët
dhe. Por komunistët nuk u mjaftuan me kaq, në vitin 1956 e arrestuan dhe
Gjyslymen, nënën e fëmijëve. Në gjyq atë e akuzuan si agjente të imperializmit
amerikan dhe si gruan e ish-ministrit të dënuar si armik i popullit. E dënuan
me 23 vite burg, kreu vetëm shtatë vite nëpër burgjet e Shkodrës, Vlorës, Tiranës.
Gjyslymja u lirua në vitin 1962. Gjatë kohës që ajo ishte në burg, fëmijët e
saj mbetën vetëm si zogjtë e qyqes, duke u endur andej-këtej pa asnjë mbështetje,
duke u përpjekur të ushqenin njëri-tjetrin duke bërë punë të ndryshme në ngarkim-shkarkim,
në ndërmarrjen e ndërtimit e të tjera. Fëmijët nuk u lejuan të shkollohen përveç
arsimit të detyruar. Gjyslymja kurrë më nuk punoi në profesionin e mësuesisë për
të cilin pat kryer studimet, ajo gjatë gjithë jetës u përpoq të mbante gjallë shpirtin
e saj dhe të fëmijëve duke vërtitur rrotën e një makine qepëse. Përkundrazi, për
të dhe fëmijët e saj vijonin përndjekjet, kështu e internuan në Kosovën e
Dumresë, ku ndodheshin edhe dhjetëra gra të huaja, të cilat ishin martuar me
burra shqiptarë dhe burrat e tyre regjimi i Enverit i pat futur në burg. Ato
gra të gjora që mbanin nga një shami të bardhë në kokë ndërsa punonin në fushë,
të internuarit e tjerë i quanin “pulëbardha”.
Vuajtjet
e Gjyslymes nuk mjaftuan me kaq, sepse në vitin 1980 i arrestuan djalin, Skënderin,
i cili pat qenë vetëm katërmuajsh kur i vranë të atin. E arrestuan me akuzën e
rëndomtë “agjitacion e propagandë” dhe akuzat gjatë gjyqit ishin qesharake,
sikur ai pat thënë se “futbolli gjerman ishte më i miri nga të gjithë, se pat kënduar
një këngë të Fausto Lealit, se kish ndërmend të luftonte për të drejtat e
njeriut dhe qe ankuar se në Shqipëri rrogat ishin të vogla”. Skënderi qëndroi
shtatë vite në burg dhe nënën e tij, Gjyslymen, Dega e Punëve të Brendshme e
lejoi vetëm një herë që ta takonte të birin. Ky ishte fati i asaj vajze të bukur,
fat që e shkatërroi pa mëshirë regjimi komunist.
Gjyslymja
i mbylli vitet e fundit të jetës në Elbasan, por ajo ia arriti që të shohë ditë
të bardha sepse gëzoi rënien e diktaturës, fëmijët e saj dikur të përbuzur u
vunë në krye të lëvizjeve demokratike, luftuan dhe fituan kundër regjimit më të
egër që ka provuar Shqipëria.