Faleminderit
Lavdrim Lita: Afrim Koçi, murgu laik i përkthimeve magjike
E diele, 29.04.2012, 01:19 PM
Afrim Koçi, murgu laik i përkthimeve magjike
Nga Lavdrim Lita
Të jesh përkthyes do të thotë të jesh peng i dy gjuhëve. Dita e përkthyesit plotë – dhe këtu është e bukura – me kohë dhe hapësirë të bollshme. Përkthyesi i përgjigjet disiplinës për të thyer fjalë nga një gjuhë e panjohur për lexuesin e zakonshëm dhe rikompozuar në një gjuhë të njohur për lexuesin e pazakonshëm. Në mungesë të një orari dhe të një vendi të përshtatshëm, çdo vend, është i mirë. Ndërsa përkthyesi jonë është aq i disiplinuar saqë është i institucionalizuar në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare, ku punon pa orar dhe gjithmonë, pavarësisht kohës dhe hapësirës. I ngjan një murgu mesjetar me disiplinën kanunore “ora et labora”, puno dhe lutu. Përfytyroni një nga ata murgjit anonim të Umberto Ecos tek romani “Emri i Trëndafilit”, natyrisht pa zhgunin e zi. Murgjit mesjetarë janë ndërmjetësit e panjohur që transportuan në ditën e sotme kulturën e magjike e metafizike latine dhe greke. Ishin të vetmit që kishin shkollimin dhe aftësinë filologjike për të përballuar një angazhimit plot sfida.
Ndërkaq murgu laik i ditëve të sotme quhet Afrim Koçi, 71 vjeç, përkthyes i 89 titujve, në 40 vjet punë është simbol përkushtimit total ndaj fjalës së shkruar. Përkthimet e tij nga gjermanishtja në shqip kanë pasuar bibliotekat tona me xhevahire të letrave si Gëte, Tomas Man, Lev Tolstoi, Elfride Jelineku, kujtimet e Eqerem bej Vlorës, Prosper Merimesë, e shumë e shumë të tjerëve. Jo shumë i gjatë, me pamjen e një engjëlli, me zërin e butë, me dijen e pasur Afrim Koçi është pjesëtar i plejadës së vyer të ndërmjetësve që kanë trafikuar kulturën perëndimore në libraritë e vendit. Për të përmendur dy vepra madhore, Afrim Koçi ka shqipëruar kujtimet e dijetarit Eqerem bej Vlora dhe Malin Magjik të laureatit nobel për letërsinë
Merita e Koçit është sjellja në gjuhën amtare të një personazhi të rrallë të letërsisë shqiptare dhe në jetën shqiptare, por njëkohësisht kaq i zakonshëm në Europën e fillim shekullit të XX-të, Eqerem bej Vlora. Ky libër i shkruar në gjermanisht dhe i shqipëruar mjeshtërisht duhet futur patjetër në listën e librave që duhen lexuar nga kushdo që pretendon të njohë historinë e Shqipërisë, dhe është padyshim një nga librat më interesantë autobiografikë të shkruar nga një shqiptar. Në listë për t’u lexuar në gjuhën shqipe është sigurisht romani i ideve: “Mali Magjik” i nobelistit Tomas Man, i shqipëruar nga përkthyesi ynë, që e ka pasur ëndërr dhjetëravjecare ta përkthente siç shkruan në parathënien e tij.
Si do që të jetë, me siguri Afrim Koçi nuk do t’i lexojë këto fjalë të thëna për të sepse është duke punuar fort për të sjellë në shqip kryevepra të tjera të letërsisë botërore. Ashtu në heshtje ulet çdo ditë përballë fletës që do të kthejë në anën tjetër. Kjo është ana tjetër e medaljes së një përkthyesi.