Faleminderit
Frrok Kristaj: At Luigj Palaj - martir i atdheut dhe i fesë
E marte, 06.03.2012, 09:04 PM
Në Shëngjergj të Zymit, më 7 mars 1913
Atë LUIGJ PALAJ - MARTIR I FESË DHE I ATDHEUT
Pas maltretimeve që ia bënë Atë Luigj Palajt kriminelët malazias, e detyruan atë të ecte zbathur nëpër të ftoftë, derisa të mos "pendohej" për ta lënë fenë e tij katolike. Pastaj, kinse për ta mëshiruar i thanë që t’i merrte besimtarët e vet, por Atë Luigji iu përgjegj se “që të gjithë janë vëllezërit e mi, sepse të gjithë janë shqiptarë”.
Nga Frrok KRISTAJ
Gjendemi sot në Kishën e Pajtorës sonë të lashtë të Epirit Verior, Zojes shën Prene, që u martirizua për ne, që sot të jemi në këto troje.
Gjendemi sot pranë varreve të të parëve, e mbi të gjitha pranë varreve të martirëve tanë, që u martirizuan për fe e atdhe. Në veçanti, sot e përkujtojmë meshtarin e devotshëm, Atë Luigj Palajn, që u vra nga dora e kriminelëve sllavë vetëm e vetëm që nuk lejoi që shqiptarët, pa dallim besimi, të konvertohen në ortodoks, përkatësisht sllavë.
Pikërisht në ditën e sotit, para 99 vjetëve, Atë Luigj Palaj u vra në Janosh të Gjakovës. Ai ishte shuguruar në Zym të Hasit. Sot shpirti i Pater Luigjit udhëton drejt shenjtërimit.
Gjendemi sot në Shëngjergj edhe pranë martirëve të kulturës shqiptare - Atë Shtjefën Gjeçovit, Katarina Josipit, Anton Pashkut, Hermina (Delhysa) Lekajt, pastaj mësuesit Gjon Dulaj, martirit të Luftës Çlirimtare të Kosovës Kolë Gjevelekajt, e shumë të tjerëve.
Të gjithë këta martirë na kanë mbetur emra në zemra.
Dikur Dardania, përkatësisht Iliria ishin lëteri i Evropës. Megjithatë, për shkak të shumë trazirave që u zhvilluan në këto troje, ne e braktisem perëndimin me ikje nga vetvetja, kurse e pushtuam perëndimin me ikje nga atdheu.
E sot po i mbledhim copat e historisë së shpirtit. Bile koha po ecën e ne ende nuk po arrijmë te vetvetja. Nga kjo
I madhi Ibrahim Rugova, që ishte njeri i rezistencës dhe i ekzistencës, thoshte: “Çdo gjë është prishur, tash kërkohet e veçanta”. Ta gjejmë atë!
Atë Luigji meshtar dhe atdhetar
Vargu i klerikëve shqiptar të Kishës Katolike është i gjatë, të cilët në kohëra të ndryshme u nëpërkëmbën, u përndoqën, u përsekutuan dhe u vranë mizorisht nga armiqtë shekullor të këtij vendi. U martirizuan ata për fe dhe atdhe. Në tempullin e flijimit për atdhe gjithësesi se zë vend edhe Atë Luigj Palaj (Sopaj, e gjejmë edhe si Paliqi), i biri i Tomës dhe i Paulinës, që u lind në Janjevë (Kosovë), më 21 shkurt 1878.
Zhgunin e shën Françeskut e veshi më 23 shtator 1896, kur edhe e ndërroi emrin e pagëzimit nga Matë në Luigj, sepse ishte përkushtuar ta ndjekë shembullin e jetës së shën Luigj Gonzages. Kushtet e para rregulltare i dha më 28 shtator 1897, përkatësisht kushtet e përjetshme më 26 prill 1901. Pas shugurimit meshtarak (në Zym të Hasit, më 20 prill 1903), në Romë kreu studimet pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907 shërbeu famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës. Më pas kaloi në Gjakovë (1907-1912) ku ishte emëruar rektor i shenjtërorit shën Antonit, e më vonë shërbeu në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit të Lugut të Baranit.
Në vazhdën e terrorit të paparë malazez në trojet e okupuara shqiptare, Atë Luigj Palaj u mor në shenjestër dhe u arrestua vetë i gjashtëdhjeti, i akuzuar gjoja për zhvillimin e propagandës në popull për mosdorëzimin e armëve dhe për t'u ngritur kundër malaziasëve, të cilët i konvertonin shqiptarët pa dallim besimi në ortodoksinë sllave.
Atë Luigjit ia pren dy gishtërinjë që të mos kryqohej me pesë
Në fakt, malaziasit e kishin burgosur Atë Luigj Palajn sepse ky meshtar i devotshëm u paraqiste pengesë të drejtpërdrejt për konvertimin me dhunë të shqiptarëve të besimit katolik dhe mysliman në fenë ortodokse sllave. Frati i Kishës së Gllogjanit në Lugun e Baranit - Atë Luigj Palaj, vazhdimisht qendronte në mesin e grigjës së tij, duke i forcuar shpirtërisht dhe duke iu dhënë zemër që t'i përballojnë torturat e pushtuesit serbo-malazezë për t'i qëndruar besnikë fesë dhe kombit të të parëve. Pasi e keqtrajtuan dy ditë rresht (më 5-6 mars 1913) Atë Luigj Palajn në burgun e Gjakovës, përkatësisht pasi i duroi përbuzjet, fyerjet dhe poshtërimet, e vunë përpara me të tjerët, të lidhur dhe e nisën për në Pejë. Gjatë rrugës, në Janosh të Novasellës së Gjakovës, e ndanë nga grupi vetë të shtatin, ia zhveshën zhgunin e fratit dhe e detyruan të ecte zbathur nëpër acar të madh, derisa të mos "pendohej" për ta braktisur fenë e tij katolike. Atë Luigji nuk trembej e as nuk thyhej. Bile kërkesat e malazezëve i refuzonte deri në përbuzje. Provuan më në fund ta thyenin me prerjen e dy gishtërinjve të dorës së djathtë, që të mos mund të kryqohej me pesë gishtërinjtë, siç kryqohen besimtarët katolik, por vetëm me tre, siç kryqohen besimtarët ortodoks.
Sido që ishte xhelatët ia morën shpirtin duke e masakruar me bajoneta, e në anën tjetër autoritetet malaziase njoftonin se "krimineli" Atë Luigj Palaj kishte provuar të ikte. Këso shpjegimesh jepeshin për të gjithë shqiptarët e burgosur në mënyrë që të kishin pretekst që t’i vrisnin.
Krimi në Janosh e kishte bërë efektin e vet në përshpejtimin e planit të Malit të Zi për konvertimin me dhunë të shqiptarëve në ortodokësizëm.
Vjena dhe legata austro-hungareze në Cetinë të informuar nga nënkonsulli i Prizrenit, Fiberio Pecel, kishin njoftuar menjëheri për vrasjen e meshtarit françeskan. Lajmi ishte përhap shpejt në qarqet diplomatike dhe kishte zënë vend në krye të faqeve të shtypit austriak, gjerman dhe anglez. Gazeta Neue Freie Presse e Vjenes theksonte se vrasja e klerikut katolik dhe konvertimi i shqiptarëve në ortodokësizmin sllav ishte edhe një provë e re e krimeve serbo-malaziase mbi popullin shqiptar. Pasuan demarshet diplomatike të fuqive të mëdha dhe hapat energjik të Austro-Hungarisë, demarshe këto që mbështeteshin në të drejtën e shqiptarëve të besimit katolik në protektoratin kulturor, të siguruar pas luftërave me Perandorinë Osmane, që i referohej vendimeve të Kongresit të Berlinit, që e obligonte edhe Malin e Zi t’i respektonte ndjenjat fetare në viset e okupuara shqiptare. Së këndejmi, me notën e parë që Vjena ia dorëzoi Cetinës, tërhiqte vërejtjen se vrasja klerikut Palaj kishte ndezur indinjatë të madhe në popull, përkatësisht te shqiptarët e besimit katolik e mysliman, dhe në të njëjtën kohë kërkohej zhvillimi i hetimeve rreth burgosjes dhe vrasjes së Atë Luigj Palajt. Me notën e dytë Austro-Hungaria kërkonte nga
Këmbëngultësia e imzot Mjedës që të ndriqohen krimet malazeze
Qeveria malazeze fillimisht nuk u pajtua që punën e hetimeve ta merrte në dorë prelati i Kishës Katolike - imzot Lazër Mjeda, dhe aq më pak që atë ta shoqëronte në Gjakovë edhe përfaqësuesi i një fuqie të madhe, siç ishte Austro-Hungaria, por më në fund lëshoi pe duke u pajtua me ngritjen e një komisioni mikst të hetimeve dhe caktoi dy përfaqësues të saj.
Me të arritur të arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda në Gjakovë (me 29 mars), i shoqëruar nga një oficer serb dhe nënkonsulli Pecel dhe ai italian Cikulini, autoritetet malazeze morën masat që misioni i tyre të dështonte plotësisht, që e vërteta për konvertimin dhe vrasjen e Atë Luigjit të mos dilte në dritë kurrsesi. Klerikut të lartë shqiptar - Lazër Mjedës i qenë lidhur duart: nuk mund të lëvizte lirisht, as të merrte kontakt me grigjen e tij, kurse fshatarëve të konvertuar ose u ndalohej kalimi nga zona malazeze në atë serbe, ku ishte kisha, ose kërcënoheshin me vrasje po të deklaronin se qenë kthyer në fenë ordokse pa vetëdashje. Rrjedhimisht, ditën e dytë të arritjes së imzot Mjedës në Gjakovë, kaluan nga feja katolike në atë ortodokse edhe 530 frymë. Përpjekjet e arqipeshkvit për t'ua kthyer atyre mendjen qenë të
Komisioni i hetimeve u mblodh më në fund më 6 prill, por shkaku i pengesave të ndryshme nga pala malazeze, nuk filloi me punë, sidomos në punën e anketimit të katolikëve të konvertuar. Megjithatë, 16 sish të zonës malazeze ia dolën të pervidhen natën dhe të shkonin drejt në kishën e Gjakovës. Organet malazeze që të mos kalojnë asnjë besimtar i konvertuar kah shqiptarët, bile edhe ia dolën t'i shkëpusin tre veta dhe nga njëri prej tyre nxorën deklaratën se gjoja qenë të mashtruar dhe se u kishin ofruar nga 100 lira turke për të deklaruar se kishin kaluar në fenë ortodokse me dhunë. Mirëpo kjo deklaratë e vetme nuk bënte punë përballë të tjerave që qenë betuar se së pari ishin tortuar mizorisht për gjoja fshehjen e armëve, kështu që u shtrënguan ta ndërronin fenë për të shpëtuar veten dhe familjet. Autoritet malazeze, të mëllefosura nga këto deklarata, bllokuan të gjitha vendkalimet me roje të forta dhe ndaluan çdo kalim në anën tjetër të qytetit, për të penguar mbledhjen e fakteve. Prandaj ata kërkonin zhvillimin e hetimeve në territorin malazias, kurse arqipeshkvi Mjeda kundërvihej me argumentin e fortë në dorë, se shqiptarët e konvertuar "ishin përsekutuar dhe nuk guxonin të shfaqnin dëshirën e tyre për t'u kthyer në besimin e tyre - në katolikë".
Shenjtërohet Atë Luigj Palaj
Sado që pala malazeze e ngushtoi punën e Komisionit të hetimeve vetëm në shqyrtimin e vrasjes së Atë Luigjit, katër persona që ishin me të, e të cilët i shpëtuan pushkatimit, ishin të burgosur, kështu që nuk mund të dëshmonin të vërtetën. Dhe ajo ishte së frati i Gllogjanit - Atë Luigj Palaj as që provoi të ikte, as që u vra me pushkë, si thuhej në raportin zyrtar malazias. Kur trupi i tij u nxorr nga varri, doli se ishte masakruar me bajonetë. Dhe, meqë pala malazeze e Komisionit këmbëngulte në versionin e saj të vrasjes, përkatësisht në ekspertizën e dy mjekëve malazezë dhe të një mjeku serb, nënkonsulli Pecel u largua nga Gjakova në shenjë proteste. Nga ana e saj, qeveria austro-hungareze kërkoi për katolikët shqiptar nga pala malazeze - pos tjerash edhe të drejtën e zgjedhjes së lirë të vendbanimit. Cetina, ndërkaq, u përgjigj me cinizëm se katolicizmi ishte i mbrojtur me ligjet e Malit të Zi. Megjithatë, imzot Lazër Mjeda nuk dëshironte t’u jepeshin disa të drejta vetëm shqiptarëve të besimit katolik, por ai kërkonte që të mbrohen të gjithë shqiptarët pa dallim besimi. Puna shkoi deri aty sa malazëzët gati e kishin ndarë mendjen ta vrisnin edhe arqipeshkvin Mjeda me dorën e ndonjë shqiptari...
... dhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë para një kohe e ngriti procedurën e shenjtërimit të 40 martirëve të Shkodrës, ku janë të përfshirë edhe gjashtë meshtarë nga Kosova e ndër ta edhe Atë Luigj Palaj. Ky shenjtërim pritet të bëhet në 1700-vjetorin e legalizimit të krishterimit nga Parendori dardan - Konstantini i Madh, me Ediktin e Milanos (313).
Në anën tjetër, asociacionet e kulturës në Zym të Hasit (komuna e Prizrenit), në 40-vjetorin e manifestimit letrar, kulturor e shkencor ‘Takimet e Gjeçovit’, që u mbajt më 15 tetor të vitit të kaluar (2011), e ngriten propozimin (që ia dërguan kryetares së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga), që Atë Luigj Palaj të dekorohet me titullin hero, që u mirëprit nga opinioni i gjerë.
Do përmendur se Ipeshkëvia e Kosovës në shenjë nderimi të Atë Luigj Palajt, vjet (2011) ngriti në Janosh Kishen që do t’i kushtohet Atë Luigjit. Kisha u ngrit pikërisht aty ku edhe ishte ekzekutuar Atë Luigji, përkatëisht aty ku edhe që nga vrasja e tij gjendet i vendosur një Kryq i Madh.
Dhe, ata që kalojnë aty pari mund të ndalen një trohë, të mendohen e të kujtohen për të mësuar si vdiset për fe e atdhe. Por, vëllezërit tanë nuk duhet të përtojnë për të dalë në Shëngjergj të Zymit të Hasit, atje për t'u përkulur para dy varreve të dy martirëve të fetarisë dhe shqiptarisë - Atë Luigj Palajt dhe Atë Shtjefën Gjeçovit, që prehen në një muranë guri, që gjendet në varrezat e Kishës së shën Prenës në Shëngjergj, afër Zymit të Hasit, komuna e Prizrenit.
Murana në oborrin e Kishës së shën Prenës në Shëngjergj të Zymit të Hasit, ku prehen martirët: Atë Luigj Palaj dhe Atë Shtjefën Gjeçovi