E premte, 02.05.2025, 08:44 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tefik Ramadani- Qarri: Si jam njohur në burg me Ukshin Hotin

E diele, 05.02.2012, 07:02 PM


SI JAM NJOHUR NË BURG ME MR. UKSHIN HOTIN

 

Në vigjile të katërvjetorit të Republikë së Kosovës

 

Shkruan: Tefik Ramadani- Qarri

 

Në fillim të qershorit të vitit 1984, dikund natën vonë u hap dera. Brenda hyri një burrë i gjatë dhe i zeshkët. Pasi u prezantua, e kuptuam se cili ishte. Ishte ky Mr. Ukshin Hoti, intelektuali i njohur i cili e kishte guximin që më 1981 hapur të mbronte kërkesat e Rinisë Heroike të Kosovës për Kosovën Republikë, në fushatën e shfrenuar të diferencimit që po zhvillohej atëherë në kuadër të Universitetit të Prishtinës, nga LKJ-ja. Ishte kjo një befasi e këndshme për mua. Tani u bëmë tre të burgosur politikë në dhomën nr. 27.

Baca Ukë na tregoi për të gjitha ato që kishte përjetuar në burg. Edhe për kushtet në burgun e Lubjanës, prej nga kishte ardhur në rigjykim, në burgun e Prishtinës. Ai tashmë kishte stazhin e të burgosurit dyvjeçar. Ato ditë, prej se ai erdhi , disi m'u bënë më të lehta. Kohën e kalonim duke lexuar por edhe duke biseduar rreth problemeve politiko-shoqërore në Kosovë, Jugosllavi dhe në botë. Baca Ukë fare pak flinte dhe tërë kohën pinte duhan. Ishte njohës i thellë i problemeve dhe marrëdhënieve shoqërore, politike e ekonomike   përgjithësisht. Shpesh e ngacmonim me qëllim unë dhe Beqir Gjonbalaj, duke i thënë se e kemi vështirë të realizojmë qëllimin për çka jemi në burg. Ai na e kthente si prej topit, duke thënë: "Sikur të isha i bindur se Kosova s'do ta fitonte statusin e Republikës, tash do ta varja veten". Por thoshte se Liria e Kosovës s'do të vijë as shpejt dhe as lehtë, së pari duhet të krijohen rrethanat për këtë. E rrethanat do të krijohen vetëm atëherë, kur pushteti serb ta suspendojë edhe këtë gjysmë autonominë që e kemi. Autonomia e Kosovës, thoshte, është si bari i pranverës, edhe era më e lehtë e rrëzon për tokë. Dhe të jeni të bindur se as pesë vite s'do të kalojnë (vini re, kete e thoshte ne qershor 84), dhe Serbia do t'i suspendojë të gjitha organet e Kosovës. Dhe mirë do të bëjë. Se vetëm në këtë mënyrë, një pjese të shqiptarëve do t'u hiqet mjegulla nga koka e perdja nga sytë (e kishte fjalën për strukturat e atëhershme të pushtetit komunist). Vetëm kur të biem ne shqiptarët në "zero", do të shohim se ku jemi dhe nga duhet të shkojmë.

Vërtet, kishte të drejtë baca Ukë. Në këtë mënyrë do të krijoheshin kushtet për bashkimin e shqiptarëve. E vetëm bashkimi rreth një ideali na garantonte sukses, ndërsa ky ideal ishte Republika e Kosovës.

Baca Ukë para se të vinte në burgun e Prishtinës ishte operuar në organet gjenitale. Plagën e kishte të freskët dhe duhej rregullisht për ta pastruar. Kur i tregova se jam punëtor shëndetësor, e meqë mjete për pastrim kishte sjellë nga Lubjana, kërkoi që unë t'ia pastroja plagën. Nuk e lejoj tha, atë çetnikun të ma pastrojë.(Tekniku i burgut ishte i perkatesise serbe)

Por sigurimit dhe organeve të burgut nuk u kishte ardhur mirë për këtë. Një javë pa dalë në gjyq, më ftuan në bisedë në drejtorinë e burgut. Ishte aty drejtori Smajl Arifaj, sekretari Zeqiri (vellau i mjekut te burgut Dr. Ali Zeqiri), komandanti i gardianeve V.Gashi dhe një punëtor i sigurimit, që s'u prezentua. Duke më parë mua të mërzitur, kishin menduar të më bëjnë për vete. Drejtori, Smajl Arifaj më tha troç: "të kemi thirrur që të themi se do të kishte qenë mirë që të na informosh se çfarë po flet Ukshin Hoti, se ai është i pamarrun vesh". U preka dhe u shqetësova tej mase. Unë ta spiunoja shokun e dhomës? E si ta bëja një gjë të tillë? E refuzova këtë vendosmerishte. Edhe kafen e parë që e shihja mbas kater muajsh nuk e piva (ma lane ne fyt). U thashë se mua më interesojnë vetëm problemet e mia dhe punët e mia. Kur më urdhëruan të dalë, drejtori edhe njëherë më tha me ton kërcënues: "Të mendosh mirë për këtë!". Më kthyen në dhomë. Shqetësimi    dukej qartë në fytyrë. Baca Ukë dhe Beqiri më panë që s'jam mirë. Më pyetën se përse më kishin thirrur. Ju tregova drejt. Baca Ukë u prek shumë dhe nga tendosja psikike gati u xhindos. E humbi kontrollin e filloi t'i bjerë derës me sa fuqi që kishte. Po të mos ishin hekurat e trashë që e mbanin, me siguri se do ta rrëzonte. Gardianët arritën menjëherë. Posa u hap dera, baca Ukë i bërtiti gardianit (kujdestar ishte një boshnjak, quhej Avdo): "Të ma thërrasësh menjëherë drejtorin këtu!" Drejtori erdhi shpejt. Baca Ukë ashtu i mllefosur dhe trupmadh siç ishte, ia shtiu frikën drejtorit duke i bërtitur mesa fuqi kishte se: "Ukshin Hoti s'i frikësohet askujt, dhe s'keni nevojë që të bëni presion mbi shokët e mi, që të bashkëpunojnë me ju, sepse unë ju them haptas se çka mendoj, juve dhe sigurimit tuaj. Drejtori aq shtrembër më shikonte sa mendoja se do të më gëlltiste. Prej asaj dite s'erdhi kurrë më në dhomën tonë. Mendova se pas kësaj do të ha dajak të mirë, por kurrë s'më kanë thirrë më për gjëra të tilla. As sot s'e kam të qartë se si shpëtova.

Aty e kam parë se mr. Ukshin Hoti ishte guximtar dhe trim i madh, veti kjo e rrallë e intelektualëve. Unë kam pasur fat që i kam kaluar tridhjetë ditë me të në një dhomë, sepse kam mësuar shumë prej tij.



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx