E premte, 02.05.2025, 10:23 PM (GMT+1)

Faleminderit

Murat Gecaj: “Nderi i Kombit” - Jani Vreto, Fan S. Noli e Petro N. Luarasi

E enjte, 26.01.2012, 08:58 PM


Në vitin jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë:

TRE ATDHETARË TË SHQUAR, DEKOROHEN

ME TITUJT  E LARTË “NDERI I KOMBIT”

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

Mbrëmë më kërkoi  “urgjent” dhe me gëzim të natyrshëshm në telefon, Prof. Alfred Uçi-Akademik,  nipi i atdhetarit të shquar e “Mësues i Popullit”, Petro Nini Luarasi. Atë e kishin njoftuar se Presidenti i Republikës së Shqëipërisë, Bamir Topi, në kuadrin e festimeve të jubileut të madh të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, kishte firmosur Dekretin për dhënjen e titullit më të lartë, “Nderi i Kombit”, për tre figura të shquara të  Rilindjes dhe historisë sonë kombëtare: Jani Vreto, Fan S.Noli e Petro N.Luarasi.  Me këtë rast të shënuar, në kryeqytetin Tiranë, por dhe në Kolonjë, u zhvilluan veprimtari.

Më poshtë po e njohim lexuesin, shkurt, me disa fakte të jetës dhe veprimtarisë së këtyre tre atdhetarëve e mendimtarëve të mëdhenj, që  populli, përmes përfaqësuesve të tij, i vendosi në piedestalin më  të lartë të nderit.

 

JANI VRETO (1822-1900)

 

Ka kryer shkollën e njohur  “Zosimea“ të Janinës. Më pas, në vitin 1854 u vendos në Stamboll. Dhjetë vjet më vonë, së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Vaso Pashën e tjerë, mori pjesë në mbledhjen e parë për caktimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe për botimin e librave në gjuhën tonë amtare. U dallua për ndihmesën e dhënë në komisionin, i cili miratoi Alfabetin e Stambollit, në vitin 1879. Ishte edhe anëtar i Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të të kombësisë shqiptare.

Për t’u shënuar është se Jani Vreto  shkroi Kanonizmën e “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip“. Pas  shtypjes  me dhunë të  Lidhjes së Prizrenit, shkoi për t’i organizuar degët në Rumani dhe Egjipt.Me shumë vlerë është puna, që bëri ai në Budapest, për botimin e veprave të rilindësve, në një shtypshkronjë, të cilën e drejtoi vetë.

Ndër veprat dhe artikujt e shumtë, të shkruar nga Jani Vreto, janë: “Apologjia“ (1878), “Për të vërtetën dhe për të shkruarit e së vërtetës“ (1883) e “Mirëvetija“ (1886). Ai kishte bindje të thella në përparimin e shkencave dhe rolin e tyre të madh në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Sipas tij, ato zbulojnë ligjet, shkaqet e lindjes dhe të zhvillimit të sendeve, duhet “të gjejnë pse-në dhe qyshjen“. Po kështu,  u kushtoi një vëmendje të madhe problemeve të zhvillimit shoqëror. Ka dhënë mjaft mendime interesante  për moralin, fenë, jetën shoqërore dhe zhvillimin e saj. Në përputhje me pikëpamjet e veta iluministe. Jani Vreto mendonte se, në atë kohë, veprimtaria për shkrimin e gjuhës shqipe, për çeljen e shkollave në gjuhën amtare dhe për përhapjen e diturisë përmes saj, ishin mjete të  rëndësishme të luftës së popullit për liri e pavarësi.

 

FAN STILIAN NOLI (1882-1965)

 

Personaliteti i madh i Kombit Shqiptar, Fan Stilian Noli, lindi më 6 janar 1882, pra 130 vjet më parë, në Qytezë, (në turqisht Ibrik Tepe), një fshat me banorë shqiptarë në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Prejardhjen e kishte nga rrëthi i Kolonjës. I jati, Stiliani shërbeu në kishën e fshatit të tij. Ndërsa e ëma, Maria ishte shtëpiake. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke. Por ndikimi i fshatit të tij të lindjes, me banorë shqiptarë, ishte i madh në formimin dhe zhvillimin e ndjenjave kombëtare shqiptare. Kështu, dëgjonte me dëshirë e mësonte çdo fakt për historinë e traditat e shqiptarëve dhe gjuhën e tyre të lashtë. Viti 1900 e gjeti në Greqi, ku dëshironte të ndiqte Fakultetin e Filozofisë. Në Athinë punoi pak kohë me një shoqëri belge, por as studimet nuk i kreu dot aty. Me njohjen dhe ndikimin e atdhetarëve shqiptarë, e filloi veprimtarinë politike e letrare. Kështu, shkroi artikuj publicistikë dhe përktheu greqisht librin e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të behet”. E paharruar për të ishte njohja, më 1900, me Faik Konicën. Në ato vite, 1908-1912, arriti t’i kryejë me sukese studimet e larta në Universitetin e Harvardit.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, megjithëse larg Atdheut tonë, Fan Noli e mbështeti qeverinë e kryesuar nga  Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri një vit më vonë dhe përsëri u kthye në Amerikë, ku Shoqëria “Vatra” e zgjodhi kryetar. Në atë kohë, nisi të shkruajë vjershat e para dhe të bëjë shqipërime. Kështu, në vitin 1921 doli vepra e njohur “Historia e Skënderbeut”. Me dëshirën për të jetuar në Shqipëri, erdhi këtu në fillimin e viteve 1920. U zgjodh deputet dhe mbrojti me forcë projektin atdhetar të Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokrat. Luajti rolin parësor në organizimin dhe fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924 dhe ,pas fitores së tij, u zgjodh Kryeministër. Me dështimin e kësaj lëvizjeje demokratike, u largua përgjithnjë nga Shqipëria dhe u vendos, së pari, në Vjenë. Më 1930 shkoi përsëri në Amerikë, ku kryesoi kishën autoqefale shqiptare. Përveç veprimtarisë atdhetare e fetare, u mor edhe me letërsi origjinale e përkthime, duke botuar “Historinë e Skënderbeut”, që janë një pasuri e çmuar për letrat shqipe. Jetoi disa kohë në Florida dhe kur u nda përgjithnjë nga jeta, u varros në Boston.

 

PETRO NINI LUARASI (1865-1911)

 

Lindi më 22 prill të vitit 1865, në Luaras të Kolonjës dhe u nda përgjithnjë nga jeta më 17 gusht të vitit 1911. Mësimet e para i mori në shkollën e Qestoratit, nga Koto Hoxhi. Me dashirën e flaktë për shkronjat shqipe, ua mësoi fshahurazi alfabetin bashkëkrahinasve të tij. Më 1882, çeli shkollën e parë në fshatin Bezhan dhe, pesë vjet më vonë, në Ersekë. Duke e vazhduar veprimtarinë e tij atdhetare e arsimore, hapi e drejtoi edhe disa shkolla të tjera në atë krahinë. Punoi mësues e drejtor në shkollën e Korçës dhe, në vitet 1909-1911, në shkollën e Negovanit. Një periudhë e shënuar në jetën e Petro N.Luarasit ishte ajo e viteve 1904-1908, kur jetoi e veproi në Amerikë. Ishte nismëtar i shoqërive atdhetare “Mall’i Mëmdheut” e “Pellazgu” dhe i lëvizjes së fshehtë për  lirinë e Shqipërisë. Me rëndësi të veçantë në jetën e tij ishte pjesëmarrja në Kongresin e Manastirit (1908), ku u miratua alfabeti i gjuhës shqipe. Në vitet 1907-1908, ka qenë redaktor i gazetës “Drita”, në Sofje. Ndërsa më 1911, botoi në Manastir librin “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit”.

Por gjithë jetën Petro N.Luarasi ishte në shënjestrën e armiqëve të Kombit tonë dhe të gjuhës shqipe. Prandaj ata arritën që ta helmonin, në Ersekë, më 17 gusht 1911, pra mbi 100 vjet më parë. Emri dhe vepra e tij, ashtu si dhe e gjithë atdhtarëve e mësimdhënësve veteranë të shqipes, do të mbeten të paharruara ndër brezat e shqiptarëve.

Një pasqyrë të plotë, të jetës së  këtij atdhetari e veprimtari tonë të shquar të shkollës shqipe, na e jep Prof. Alfred Uçi, me veprën e tij “Petro Nini Luarasi-Mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare“ (Tiranë, 2011).

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx