Faleminderit
Tefik Selimi: A do të “ringjallet” Hasan Alia …?
E premte, 13.01.2012, 09:02 PM
A do të “ringjallet” Hasan Alia …?
Nga Tefik Selimi
“Njëqind vjet ni paça jetë, të gjitha kam për t’i kaluar koçak, e kurrë nuk kam për t’u pajtuar me pushtuesin e Kosovës e copëtuesin e Shqipërisë”, ka thënë, Mulla Idriz – Gjilani, një atdhetar i madh i kombit shqiptar. – Po axhës, po. Ka pasur të drejtë, si jo!,- tha një mik imi, i cili kishte ardhur ta përcjellë Akademinë përkujtimore dhe përurimin e librit “Hasan Remniku –luftëtar për etninë shqitare” të Ramadan Asllanit, publicist e krijues nga Ferizaji. Atë ditë tetori, erdhën në këtë përurim i madh e i vogël për ta shënuar 60-vjetorin e vrasjes së Hasan Alisë me grupin e tij. Pse jo? Salla ishe e vogël për ti zënë atë armatë intelektualësh shqiptarë, të cilët kishin ardhur, si një, për të dëgjuar fjalë për atdhetarin e luftëtarin e denjtë të etnisë shqiptare, Hasan Alia – Remniku. Ishin ardhur aty: dr.Mehmet Halimi, Mr. Adem Murati, Dr. Daut Bislimi, Demush Mehmeti, Hysen Tërziu, Aliriza Selmani, Rasim Rexhepi e shumë e shumë të tjerë. Pa filluar Akademia në fjalë, aty, në të majtë qëndronte plot krenar nipi i Hasan Alisë, Hasani Aliu. Përpara masës, ishte një tryezë me udhëheqësit e Akademisë përkujtimore kushtuar Hasan Alisë. E, në muri, atje lart, qëndronte portreti i Hasan Alisë. Atmosferë impozante përkujtimore. Nuk mungoi as kënga patriotike. Dr.Mehmet Halimi doli e tha pak fjalë për dy figurat e kombit: “E kam lehtë të flas edhe për Hasan Remnikun, por edhe për Ramiz Cërnicën. Te dy kanë qenë shokë. I pari roje e Ramizit dhe trim i pashoq i kombit, por edhe baca Ramiz ishte një atdhetar i gojës e i fjalës. Lumë nana që lindi! Dy figura, njëri ka luftuar me pushkë, e tjetri me fjalë. Këta dy i deron populli përgjithmonë”. Ajvaz Murati, pa një pa dy, na pyeti: - O gazetar, a po shihni se po ringjallet Hasan Alia, sot? -Po, po..., iu përgjigja shkurt, “S’mund të thuash se jo”. Ai shtoi: “Asesi kjo tokë nuk është pajtuar me okupuesit dhe coptuesit e saj. Sa ka vuajtur ky popull liridashës, o Zot!. Iu desh këtij populli shumë kohëra e shumë vite ti kalojë nëpër dhunën e egër bullgare e serbe. Trolli ynë u la me gjak. U bënë shumë arrestime, burgosje, vrasje nga kriminelët serbë e bullgarë. Këta okupues nuk zgjodhën mjete për ta zhbënë popullatën e pafajshme nga faqja e dheut. Sa rëndë e ka pësuar Anamorava nga okupatorit bullgar e serb. Por, kjo tokë pati atdhetarë që i dolën zot. Jo i vetmi Hasani i Zi, siç e quanin serbët dhe bullgarët, Cerni Hasan, por edhe shumë shokë të tjerë luftuan gjer sa dhanë jetën për këtë tokë të shenjtë. Hasani ishte një njeri trim i rrallë në jetë. Ai ishte i lindur në Remnik, më 1910. E jetoi jetën thjesht nëpër male, therra, megja e bujtina të thjeshta familjare ku pati besë e nder. Ky burrë e atdhetar me atë trup të shkurtër, por me “nam” të madh, i doli zot kësaj toke. Nuk duroi jetën nën të hajt. Ai, kur pa se kjo jetë nuk durohet, si një, me shokët, Agush Hazirin, Mustafë Kokën e disa të tjerë, dolën në mal. Morën kokën në strajcë. U ndanë nga famljarët. Pse jo? Okupuesi bullgar kishte ardhur të bëjë dhunë me forcë. Deshi ta gjunjëzojë popullin. Ta nënshtrojë. Ta largojë nga trojet e veta, madje edhe ta shfarosë të tërin. Një plak, mu përgjigj: O, zotëri, Morava ka qenë kufiri i ndarjes në mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Kufirin e ruante ekspedita bullgare, e cila ishte përqëndruar afër kufirit. Populli shqiptar druante nga dhuna e këtij okupuesi barbar e kriminel. Dhuna e skajshme e sadiste bullgare, në xhaminë e fshatit Remnik, më 1942, tmerroi jo vetëm remnikasit, por gjithë njerëzimin shqiptar përreth, sepse informacioni për dhunë nuk kaloi më larg se brenda Remnikut e ndonjë fshati fqinjë. Thanë: “U bë hata në Remnik. Futën njerëz të gjallë në varr”. Nuk kursyen asgjë në këta banorë shqiptarë, as gjini dhe moshë, që këta të fundit shikonin punën dhe jetonin me djerësën e vet. U ndihmuan edhe nga kolonët serbë dhe malalelzët, pasi që ua kishin marrë tokat e pëlleshme, tani edhe i vrisnin dhe u fusnin në dhe për së gjalli dhe bënin çmos me ta si dinin e si donin dhe kë donin. Qëllimi i armikut ishte pastrimi nga shqiptarët. E, Hasan Remniku kishte kaluar në zonën e Italisë, por e vështronte situatën në Remnik e gjetiu. Me shokë arrin që remnikasit t’i shpëtojë duke i qitur në zonën italiane, ku janë strehuar nëpër familje dhe kanë qëndruar me vite. Hasani, kur u gjend në shtëpi, u betua me këto fjalë: “O zot i madh, më dëgjo! – Më jep shëndet të mirë, që derisa ta kam shpirtin në dhëmbë, të hakmerrem për gjakun e vëllezërve të mi...! Hasani i mbante në mend emrat e serbëve kriminelë me orientim politik çetnik, që bënin krime mbi remnikasit dhe popullatën shqiptare nën sundimin zonën okupuese bullgare. Në korrik të vittit 1943, Hasani me shokë, një ditë qëndroi në Qafën e Zhegrës, ku i priste serbët e Remnikut, që ktheheshi në Zhegër, sepse ditën i punon tokat, e gjumin e bënin po në këtë fshat. I zë disa, por njëri prej tyre arrin të ikë. Hasani i vihet pas dhe e vret nga largësia. Të tjerët i likuidon. E vrau edhe Slobodanin në Zhegër duke u krehur, i cili pas dy plumbave, bie mbi shporet të drunjve dhe digjet. Pas kësaj ngjarje, ai shkroi një parullë për pushtetin bullgar të kësaj kohe: “E vrau Hasan Alia që të jetojë Shqipëria!”. Kah ecte, Hasani ishte i përgaditur. Ishte njeri shumë i shpejtë. Linte pas fjalë se, “çdo dhunë që bëhet mbi shqiptarët, do të hakmirret dyfish”. Hasani ka hangër bukë në Nasalë te Isë Jashari, Haki Selimi e te Hajrë Nasala. Këtu e kishte sigurt. E pati shok edhe Ali Hajdarin. Alia e përcillte Hasanin nga Parteshi gjer në Nasalë. Serbët e Parteshit, kur e shihnin Hasanin, hynin brenda dhe ngujoheshin, se ia kishin frigën, për faktin se, Hasani, për një fjalë goje, u hynte për oxhak në shtëpi. Më në fund, kriminelët serbë e sollën të vdekur Hasanin me grupin e tij “Te lama e Miellit” në Gjilan. I sollën të vrarë për ti ekspozuar para masës. Te vetëshërbimi i sotëm. Donin ta frikëksonin popullatën. Nijazi Rmadani, rrëfen: “Po, ashtu është. Ka ardhur nana e Mustafës me perçe të lëshuar. E ka heq perçen dhe i ka thënë: “Hallall të koftë gjini i nanës dhe tri herë i ka ra për fytyrës. –Nu ke shkue gjak falë, nana nuk është t’u mërzit! E ka lëshue perçën dhe ka shkue pa kajt dhe pa piskat dhe pa thanë tjetër fjalë”. Thonë se, një serb i keq i paska ra me këmbë trupit të Hasanit, e tjetri i ka thënë, që kur ka qenë gjallë nuk ke guxuar me prek. Xha Aliu nga Nasala, tash i ndjerë, na pat shtuar ngjarje të rënda për bullgarët. “Hej, kur vinte miku afër kufirit, te Morava, unë e kisha një shenjë për ta kaluar lumin, duhet të jetë e ndezur fanari, por nëse nuk është i nderzur, është rrezik. Kur i shihnim se patrulla bullgare ishte larg lumit, ua ndezja miqve fenerin, atëhere at kalonin lumin lirshëm. Hasan Remniku e kreu borxhin e vet ndaj atdhuet. U flijua për atdhe. I zuri keqbërësit ndaj shqiptarëve dhe atyre ua tregoi fundin. Okupatori e përcolli hap pas hapi veprimtarinë e tij. Okupatori bëri njerëz për vete vetëm e vetëm për ta zënë. Edhe këta u likuiduan nga okupatori. Hasanit ia kishin shumë frikën. Kur Hasani kalonte afër tyre, ata kthenin kokën sikur nuk e shihnin. Më në fund u bënë skenarë për ta tradhtuar Hasan Alisë dhe grupit të fundi të koçakëve të fundit të Ballit Kombëtar. Një autor shton se e “vërteta lidhur me vrasjen e Hasan Alisë dhe grupit të tij është kjo se, këta trupa janë helmuar diku gjatë rrugës dhe janë sjellë në Bistricë të vdekur, e dikush nga organet e sigurimit ua ka dhënë disa plumba sa për ta arsyetuar gjithë atë arsenal ushtarak në atë pritë. Pra, nëse ata janë vra në Bistricë, ata do të ishin bërë shosh nga plumbat e gjithë atyre rrathëve ushtarakë e policorë, ku populli nuk i kishte mundur t’i njihte trupat e pajetë të tyre. Dhe, sa për kurreshtje, a do të mund të mbette gjallë Rabija nga gjithë ata plumba ushtarshë e policësh?! E, kënga popullore e Demir Krasniqit ia thotë: “Eu, Hasan, o trim me famë,/ A t’bjen n’men kur pate thanë:/Lisat e mëdhaj në malet t’shkreta /I çajnë pykat e degëve t’veta...!
Kur erdhën kohët tjera, ndërroi gjendja. Dikush tregoi se diku gjenden eshtrat e grupit të Hasan Alisë dhe grupi të tij. Për herë të parë më 10 tetor 2008 shënohet 50-vjetori i vrajses së Hasan Alisë. Pikërisht në datën e flijimit të Hasan Alisë, koçakut të fundit të Ballit Kombëtar, më 10 tetor të vitit 1951, nga njerëzit e organeve të sigurimit shtetëror jugosllav, atë ditë, familjarët vunë lule mbi varrin kolektiv të tyre në oborrin e ish-kazermës ushtarke të APJ-së në Gjilan, duke identifikuar varrin e tyre pas pesëdhjetë e shtatë vjetësh më parë. Ishte kjo një fshehtësi e së vërtetës në tokë, në zemër, në tradhti, në vrasje, në mendje...Pesëdhjetë e shtatë përvjetorë pa përkujtime individuale e publike. Pesëdhjetë e shtatë datëlindje të lirisë së Kosovës në dry...Pesëdhjetëeshtatë lule të thara, pa u vendosur asnjëherë mbi varrin e pesë flijimtarëve: Hasan Alia, Agush Mehmeti, Mustafë Kokaj, Qibrije B. Mehmeti dhe Rabije A. Kokaj, të cilët, si një, synuan lirinë e Kosovës dhe bashkimin me Shqipërinë Mëmë. Dhe, akoma këta dëshmorë e heronj të medhenj të atdheut nuk janë zhvarrosur. Se kur bëhet, as zoti nuk e di. Një ditë do të ndodhë, ndoshta?!!! Atë ditë të parë të përkujtimit, shokët e familjarët shkuan gjer të ish Kazerma jugosllave, aty ku i kishin varrosur këta atdhetarë. U shënua kjo datë e rëndësishme, por jo e përfunduar mirë! Edhe sot e kësaj dite, eshtrat e këtyre atdhetarëve rrinë të qetë pa i lëvizur për ti zhvarrosur atje ku e kanë vendin. Lotuan i madh e i vogël. Tash dihet vendi. U shkrua edhe një monografi për Hasan Alinë - Remnikun, në 60-vjetorin e vrasjes. E, familjarët kërkojnë nderim institucional, për faktin se akoma eshtrat e këtij atdhetari prehen në një vend brenda kazermës së FSK-së, që aso kohe ishte kazerma e ish-APJ-së. Prej tri vitesh, familjarët e Alisë, Hazirit dhe Kokës, pas 60-vitesh kërkimi të një varri të munguar, mblidhen për të nderuar kujtimin për ta, në një vend që supozohet të jenë groposur eshtrat e këtyre çlirimtarëve. Grupi i Hasan Alisë, ku kanë bërë pjesë edhe Agush Haziri nga Bresalci me bashkëshorten Qibrijen dhe Mustafë Rushiti-Koka me bashkëshorten Rabijen, konsiderohen rezistuesit e fundit të armatosur të Ballit Kombëtar ndaj pushtetit komunist jugosllav, nga i cili u likuiduan në vitin 1951, diku në pritë, ose në tradhti. Nipi i Alisë, Hasan Alia i ri, tha se 60 vjet më parë, Hasani, Agushi e Mustafa dhe dy bashkëshortet e këtyre të fundit, ranë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Ai kërkoi t`iu njihet kontributi që ata kanë dhënë për çështjen kombëtare, duke kundërshtuar një regjim anti-shqiptar. Dëshmitarët mbajnë mend se si në tetorin e vitit 1951, trupat e tyre ishin ekspozuar për disa ditë te “Lama e millit” dhe pastaj ishin varrosur diku fshehurazi. Familjarët e tyre, prej më shumë se gjysmë shekulli kanë qenë në kërkim të eshtrave dhe vetëm pas 60-vjetësh kanë një vend, ndonëse ende jo plotësisht të sigurt, ku mund të vendosin një lule. E tëra kjo bazohet në dëshminë e qytetarit Halim Jetishi, ish-vozitës në Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, gjatë viteve të shtatëdhjeta, i cili thotë se një shofer serb, i quajtur Gjoka, që asokohe punonte në Komitetin Komunal të Lidhjes së Komunistëve, i kishte treguar me një rast, kur ndodheshin në kazermë, se pikërisht aty ishte varrosur Hasan Alia. Madje, Gjoka, sipas Jetishit, e kishte saktësuar edhe vendin, duke i thënë “mbaje mend se 53 hapa nga kantina ndodhen eshtrat e Hasanit me shokë”. Por, që e vërteta të dalë nga thellësia e tokës, institucionet e shtetit të Kosovës e kanë për obligim ta gërmojnë këtë hapësirë dhe t`i nxjerrin eshtrat e Hasanit dhe grupit, të cilët supozohet të jenë groposur në një thellësi të konsiderueshme dhe jo rastësisht, më vonë aty ishte ngritur një objekt ushtarak. Fatkeqësisht, 60 vite pas kësaj ngjarje, nuk jeton më asnjë nga pesë fëmijët e Hasanit, por në familjen e tij ka nipa e stërnipa. Para tri vitesh, pikërisht në ditën e rënies së Hasan Alisë, në familjen e tij, lindi stërnipi. “Nuk ishte e lehtë për ne si familje që ta mbajmë 50 vjet mbi shpinë Jugosllavinë dhe ta ruajmë me dinjitet kujtimin për këta trima”, thotë nipi Hasani. Ndërkaq, Ejup Haziri nga familja Agushit, thotë se shtylla që është ngulitur aty, pas 60 vitesh, ku besohet të jenë eshtrat e njerëzve të tyre, dëshmon se shteti i Kosovës i ka rrënjët thellë, duke shprehur bindjen se, nën përkujdesjen e institucioneve të këtij shteti të ri, do të organizohet rivarrosja e eshtrave të pjesëtarëve të fundit të ballit kombëtar, ashtu siç e meritojnë. Hasan Alia nga Remniku, për disa vite rresht, ishte bërë sinonim i tmerrit për pushtuesit serb dhe ka qenë simboli i rezistencës së pushtimit jugosllav gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Mustafë Koka, pasi ishte ballafaquar me pushtuesin edhe në mënyrë të armatosur, duke vrarë dy udbashë, doli në mal dhe u bashkua me Hasan Alinë e Remnikut. Agush Haziri nga Bresalci, në nëntor të vitit 1949 arrestohet bashkë me dy vëllezërit dhe një kushëri dhe më 1950 dënohet me vdekje. Pas një viti, me ndihmën e një roje burgu arrin të ikë nga burgu dhe arratiset në malet e Bresalcit, ku bashkohet me Hasan Alinë dhe Mustafë Kokën, duke e marrë me vete edhe të shoqen Qibrinë.