Faleminderit
Ndërron jetë në moshën 54- vjeçare, Oficeri i lartë i UÇK-TMK-së, Shaban Veli Shala
E enjte, 05.01.2012, 09:03 PM
KA VDEKUR NË MOSHËN 54-VJEÇARE, OFICERI I LARTË I UÇK-TMK-SË, SHABAN VELI SHALA
Shaban Veli Shala ka lindur më 1 dhjetor të vitit 1958, në Gjergjicë të Drenasit. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në demonstratat e vitit 1981. Për veprimtari atdhetare kundër regjimit jugosllav ka qenë i dënuar 10 vjet burg. Pas lirimit nga burgu ka zhvilluar aktivitet ilegal, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë. Me veprimtarinë e tij atdhetare i përket bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Drenicë. Gjatë kohës së luftës së UÇK-së ka qenë oficer i lartë në Zonën Operative të Drenicës dhe përgjegjës i Drejtorisë së Informimit të SHP të UÇK-së. Pas luftës është sistemuar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Deri në shpërbërjen e TMK-së ka qenë komandant i Logjistikës së TMK-së, në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë. Në vitet e fundit ka qenë përgjegjës i Zyrës për çështjet e trashëgimisë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Shaban Shala është vëlla i dëshmorit të kombit, Bedri Shala.
Me përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës organizohet ceremonia e varrosjes së gjeneral-major, Shaban Shalës. Këshilli për varrimin e gjeneral-major Shaban Shalës bën të ditur se nesër, në 11:00, do të bëhen homazhe në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, në Prishtinë, ndërsa mbledhja komemorative do të mbahet në orën 12:00. Varrimi i veprimtarit të njohur të kombit, Shaban Shala do të bëhet nesër në Varrezat e Dëshmorëve, në Lagjen Velania të Prishtinës, në orën 14:00.