Faleminderit
Qerim Hysenbegasi: Diktatura i mohoi varrin, por jo emrin
E marte, 13.12.2011, 09:04 PM
Diktatura i mohoi varrin, por jo emrin
Nga Qerim Hysenbegasi
Në këtë shkrim s’marr përsipër të jap figurën e plotë të Hysen Qerim Hysenbegasit, por dua të sjell disa çaste nga veprimtaria e tij patriotike, duke u mbështetur në kujtimet e familjes dhe të disa dokumenteve që fare rastësisht i kanë shpëtuar censurës së kohës.
Ja, ç’tregon i biri, Qerim Hysenbegasi:
“15 dhjetor 1947 - prologu i tragjedisë sonë familjare…Arrestuan babanë. Erdhën, sipas zakonit të rrëmbenin ç’kishte shtëpia. Erdhën të jepnin ultimatumin bastard, largim nga qyteti, Pogradec, për në fshat, në Starovë. Isha i vogël në klasën e pestë. Shkoja çdo ditë në shkollë, në Pogradec, me vete merrja edhe ushqimin e tim eti. U bëra si i shtëpise në atë ferr. Një ditë, kur prisja policin e shërbimit të më sillte enët e boshatisura, nga dera e fundit e korridorit, derë që të çonte në oborrin e birucave, pashë babanë që kishte dalë para qelisë, pa pranga, e që mbante disa plaçka në duar. S’desha t’i zija besë syve. Por ai ishte im atë. Edhe plumbi s’do më kishte ndalur, jo më thirrja e ashpër e policit. E pushtova fort, ia putha ato duar të bëra akull. Ai s’lëvizi, s’u përkul, s’më përqafoi, s’më puthi si më parë, s’më foli, s’më pyeti për asgjë… S’pati mall, dashuri, dhimbje, kurajë, forcë për të thirrur të paktën bir?!...Jo..., ligji, polici s’e lejonte… Kishte ndodhur ajo që s’duhej të ndodhte, kisha parë atë që s’duhej të shihja, folenë e djallit, ferrin e kuq. Ndjeva vetëm dorën e tij që më shkoi mbi kokë e më rrëshqiti në faqe, krahun e fuqishëm të policit që më shkuli prej tij e më përplasi në çimenton e ngrirë. Pashë gjakun tim që ngjyrosi dëborën e oborrit të atyre qelive të mallkuara…Dhe ditën tjetër polici i shërbimit s’pranoi të më merrte ushqimet…! Mallkova veten që po e dënoja tim atë aq barbarisht me atë që bëra… Polici përsëriste: “S’i hahet, ka ngrënë shumë mbrëmë!” O Zot, s’e harroj atë çast, por as kam forcë ta përshkruaj. Pendimi, dhimbja, keqardhja, përçmimi, urrejtja, protesta, trazuar të gjitha, formonin një lëmsh që të zinin frymën, më errësonte tërë qenien. S’kuptoja ç’ishte kjo: tallje, përcmim, hakmarrje a ç’dreqin ishte kjo që i bëhej një fëmije?!...Ju lutem, çojani babait, se i ftohen, përsërisja pa rreshtur. Këto replika s’do të kishin marrë fund, sikur të mos kisha ndjerë zërin e xhaxhait që pyeste Selman Vishocicën, shef i policisë, në një zyrë aty pranë: “A t’i bëjmë një arkivol?” Atëherë kuptova refuzimin e policit. U largova nga ai vend i mallkuar duke lënë pas zemrën, shpirtin, babanë… Në shtëpi gjeta gratë që vajtonin të mbledhura kokë më kokë, pa e patur xhenazenë përpara. Prisnin t’ua sillnin…, por më kot, më kot edhe sot kërkoj të di ku prehen eshtrat e tij,të përulem si gjithë të tjerët mbi lëndinën që i mbledh dhe i mbulon, të ledhatoj me duart e mia barin e gjelbërt, të vendos një buqetë me lule mbi të, me lotët e grumbulluara nga urrejtja ndër vite të mundja t’i laj gurët e varrit, po qe se ka e do gjendet ndonjeherë…”.
Ç’kishte bërë ky njeri që në moshën 60-vjeçare dënohet kaq rëndë?...
Hyseni lindi në Starovë të Pogradecit më 18 janar 1887. Si mbaroi “Zosimenë”e Janinës, studioi për drejtësi në Sofje dhe diplomohet në Stamboll. Në moshën 21-vjeçare merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah burrave të mëdhenj të kombit. Shok armësh i Mihal Gramenos dhe Themistokli Gërmenjit... Më 28 nëntor është i pranishëm në ditën e madhe, përshëndet Plakun e Vlorës për këtë ngjarje të madhërishme. Veprimtaria e tij u shtri edhe jashtë krahinës së tij, deri në Dibër, ku u shqua në luftën kundër serbëve, krahas vëllezërve dibranë, të cilët e prisnin plot mall e dashuri “Hysen begin” e tyre. Në gusht 1913 arrestohet prej serbëve, si na dëshmon letra e Aqif Pashës, prefekt i Elbasanit, dërguar Qeverisë së Vlorës më 26 shtator 1913. Përvjetori i parë i pavarësisë e gjen në Pogradec krah Mihal Gramenos. Jashar e Neki Hysenbegasit. Në këtë përvjetor mban një ligjeratë të ngrohtë nëpërmjet së cilës kujton ditët e errëta nën sundimin turk dhe lavdëron ato që erdhën e do të vijnë. Këtë e dëshmon Mihal Grameno në “Përlindja e Shqipërisë”, nr.32, datë 20.12.1913. Më 1916 e gjejmë përsëri në Dibër në luftë kundër serbëve. Këtë herë rrethohet keqas dhe po të mos kishin ardhur forcat e Dan Çamit, serbët do t’i kishin larë hesapet me të. Ishte Dan Çami që ndihmoi çarjen e rrethimit. Prej andej shkon në Elbasan. Strehohet dy net tek Demir bej Bungo dhe prej andej hidhet në Vlorë. Kjo ngjarje ruhet edhe sot në kujtesën e familjes Çami. Më 1917, së bashku me Themistokli Gërmenjin, Mehmet Tahir Lamçen, shkon në Resnjë për të protestuar pranë komandës gjermane të pushtimit, për veprimet arbitrare të ushtrisë bullgare në zonën e Pogradecit. Kthehet me sukses. Këtë e bën të ditur A. Beme, Selanik, 29 gusht 1917. Nga 27 prill 1921- 3 maj 1921, kësaj here i vetëm, si shkruhej në gazetën “Koha e Korcës”, 30. 4,1921, shkon në Vlorë ku do të mbahej kongresi për shkrirjen e të gjitha shoqërive të vendit në një të vetme, në shoqërinë “Atdheu”. S’rendi asnjëherë për karrierë. Tërë jetën e thirrën Hysen Bej dhe avokat Hyseni. Ishte shok e mik me zemër i Nolit Mbreti Zog s’e pati shumë për zemër bile e internoi në Gramsh të Elbasanit. Ndërhyrja e Vrionasve bëri që të shkojë sërish në Korçë e Pogradec. E urrente komunizmin, armik i betuar i serbëve, mbeti përherë nacionalist demokrat. Më 1943-1944 është avokat në Strugë, Maqedoni. Në janar 1945 kthehet në Pogradec. Më 15 dhjetor arrestohet. Më 25 janar 1948 vdes…Pse? Si? Qysh? Kjo dihej. Gijotina e përgjakur serbe, në duart e demonit më të ndyrë të të gjitha kohërave, Enver Hxhës, priste pa pushim kokat e intelektualëve shqiptarë. Plotësonte kështu një dëshirë të parealizuar më parë ndër vite. Zoti A. K. nga Gështenjasi, thotë: “Kemi qenë me avokat Hysenin në biruca, pranë e pranë. Rasti e solli vetëm një herë që i fola. Le me mua, po me ju ç’kanë, nga ju ç’kërkojnë? Mua më kërkojnë llogaritë e vjetra…, por të m’i thuash vëllezërve dhe gruas të më kenë amanet djemtë, të mos m’i lënë pa shkollë”.