Faleminderit
Pirro Prifti: Themistokli Gërmenji, një Rilindas i harruar
E shtune, 26.11.2011, 07:04 PM
Themistokli Gërmenji, një Rilindas i harruar
(Me rastin e 94 vjetorit të vrasjes)
Nga Pirro Prifti
priftipirro@hotmail.com
Askush nuk është kujtuar për Rilindasit dhe askush nuk u kushton vëmendjen e duhur për të respektuar themeluesit dhe kontribuesve kryesorë në pavarësinë dhe stabilitetin e shtetit shqiptar, që pas 1912, askush as nga Qarku, Prefektura dhe Bashkia e Korçës nuk dërgoi një tufë me lule në monumentin e tij; askush nga media, politikanët, ministria e kulturës, nuk ka një njeri që të kujtojë, të flasë e të ngacmojë kujtesën gjithashtu të fjetur të shqiptarëve të sotëm të hutuar gjithsesi nga anarkia dhe konfuzioni social, ekonomik, rendja pas fitimit e parasë, harresës pas qejfeve të vogla e pas librave të absurdit të botuar pas viteve `90, në kontrast me fqinjët të cilët edhe pse mosbesues ndaj shqiptarëve vazhdojnë të respektojnë e të nderojnë heronjtë e tyre megjithë vështirësitë e njëllojta ekonomiko-financiare botërore të cilat kanë prekur ata, ne dhe gjithë botën. Një nga rilindësit e harruar që është vrarë me pushkatim në Selanik më 9 nëntor 1917, pra këtë muaj e 94 vite më parë është atdhetari i flaktë, rilindasi fisnik, Themistokli Gërmenji i cili ruhet në kujtesën historike të Shqipërisë si drejtuesi kryesor i republikës së Korçës nën protektoratin francez të krijuar nga viti 1916-1918, një republikë apo krahinë e cila së bashku me krahinën autonome të Mirditës ishin dy pishtarët e parë që ruajtën të paprekur pavarësinë e fituar më 28 nëntor 1912, në ato vite të luftës së parë botërore ku të gjithë ballkanasit ishin kundër të gjithë ballkanasve, e sidomos kundër shqiptarëve. Atdhetari Themistokli Germenji lindi në janar 1871 në Korçën e patriotëve e rilindasve, dhe vdiq i pushkatuar në Selanik me 9 nëntor 1917, ishte nje nga rilindësit që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë duke u sakrifikuar për të. Historia e tij dihet, por siç e kemi zakon ne shqiptarët harrojmë aq shpejt sa pastaj kur kujtohemi themi e kush ka qenë ky atdhetar i flaktë, e çfarë ka bërë për Shqipërinë, e përse paska luftuar ky, kot? Dyshime të tilla nga nihilistë që gjenden qosheve dhe kafeneve të qyteteve tona shqiptare të kohës së tranzicionit shqiptar, duke rrokullisur ndonjë gotë, duke vënë në dyshim çdo gjë e duke u marrë me thashetheme, kanë shkaktuar së bashku me skepticizmin dhe mosbesimin për të ardhmen e dezinformimin e zakonshëm të medieve, të cilat harrojnë të kujtojnë heronjtë, rilindësit atdhetarët, por duke vendosur në vend të tyre ca kaposhë mediash televizive që botojnë dhe libra mediokre dhe disa miss-e këngëtare, artiste të mbaruara fare, kanë shkaktuar jo pak konfuzion, debate të panevojshme dhe një mungesë nacionalizmi të frikshëm, aq sa Aleanca Kombëtare na duket opsioni më i mirë për të bashkuar thërrimet e atdhetarizmit të shpërndarë kudo në ajrin e ndotur të qyteteve shqiptare, në lumenjtë, liqenet e detrat që lagin Shqipërinë e vogël ashtu si dhe në tokën e bekuar të Shqipërisë por të ndotur e dëmtuar nga amoraliteti i shoqërisë tashmë të zvetënuar shqiptare.Në këtë terren aspak mirëdashës për heronjtë e përbaltur, ashtu dhe Rilindasi ynë i nderuar Themistokli Gërmenji megjithë veprën e tij madhështore në dobi të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, nuk do të ngjallë ndonjë interes në këtë mjedis sa të kotë aq dhe nihilist shqiptar, pavarësisht nga vendi që zënë historinë e Shqipërisë, përkujtimi i 94 vite pas vrasjes makabre të tij në Selanik, le të jetë një Requiem për shpirtin e tij liridashës dhe atdhedashës për Shqipërinë dhe shqiptarët. U pushkatua nga një skuadër pushkatimi franceze, por para pushkatimit Themistokli Gërmenji i kërkoi komandantit të skuadrës së pushkatimit tre gjera: " -Të më pushkatoni me gjoksin para dhe jo në shpinë. - skuadrës së pushkatimit t'i jap unë vetë urdhërin për zjarr, -të mos m'i lidhni sytë". Korça Heroike, kryeqendra e juglindjes dhe vatra kryesore për liri e pavarësi e Shqipërisë së Jugut u themelua pas pushtimit dhe sundimit të perandorit bullgar Boriz në vitin 853. Ai formoi në këtë zonë njësinë administrative të emërtuar “Kutmicevicë”, që në shqip do të thotë “Tokë e porsa pushtuar”. Forcat bullgare qëndruan në zonën tonë deri në vitin 1018, vit kur u larguan në shtetet e tjera të Ballkanit për të vazhduar pushtimet. Fjala “Korçë”, në sllavisht do të thotë “Dardhë e egër” (ose Goricë). Këtë emër qytetit tonë ia vunë bullgarët para vitit 1018. Edhe sot në disa gjuhë të ndryshme, emri i qytetit tonë shqiptohet në formën “Coritza” (Kóriza), fakt ky që e vërteton mjaft mirë këtë hipotezë.
(http://www.bashkiakorce.gov.al/site/article.php?aid=342&cid=51)
Nga regjistri i Korçës e i Përmetit i kryer në vitin 1431-1432 fill mbas pushtimit osman del se krahina e Korçës u përfshi në një vilajet me qendër në Korçë, të cilën turqit e quajtën “Gjorixhe”. Vetë Korça figuron si kështjellë e banuar me 26 shtëpi. Ka histori të shumta por po përmendim këtu një ngjarje kryesore për historinë e Korçës: Shpalljen e Krahinës Autonome më 10 Dhjetor 1916 dhe Formimin e Republikës Shqiptare të Korçës. Historia e shpalljes se Republikës autonome të Korçës është e gjatë por shkurtimisht thuhet se filloi me ndërmjetësinë e Raul Vinet, një francez instaluar prej kohësh në Manastir, që ishte martuar me një korçare. Themistokliu ishte i mendimit që Korça të shpëtonte nga zgjedha greke dhe në të ardhmen Konferenca e Paqes të mos ta gjente atë të okupuar prej tyre. Francezët nuk e pritën keq atë. Me 8 dhjetor 1916, Themistokliu (së bashku me Sali Butkën), me një fuqi të armatosur prej 2-300 vetash, hyri natën në Korçë. Një ditë më parë francezët dëbuan nga Korça gjithë mbeturinat venizeliste dhe së bashku me këta, internuan në Selanik disa nga eksponentët e propagandës greke, si Efrem Gjinin, dr.Llambi Dardhën, Kostaq Nacën, dr.Harisiadhin e tjerë. Me 9 dhjetor u biseduan dhe hollësitë për organizimin e administratës shqiptare që do të themelohej në Korçë. U vendos që të shpallej një Republikë Shqiptare e Korçës, një këshill qeveritar me 12 persona, një gjykatore, drejtori e financave, organe policore dhe të xhandarmërisë, drejtoria e arsimit, zyra botërore e tjerë. Frymëzuesi i kësaj ishte Themistokli Gërmenji, burrë shteti e diplomat, i cili u zgjodh prefekti i policisë të Korçës. Në këtë komision, që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin dhe u paraqit përpara kolonelit, bënin pjesë katërmbëdhjetë vetë, shtatë të krishterë dhe shtatë myslimanë, u nisën për në prefekturë. Ata ishin: Rafail Adhami, Kostandin Nocka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Aty i priti koloneli, Dekoen dhe oficerë të tjerë francezë, veshur me uniforma ushtarake dhe me grada. Dr. Haki Mborja i drejtohet komandantit francez e i tregon qëllimin e ardhjes së tyre. Komandanti i priti me buzëqeshje, duke thënë, se duhet bërë protokoll. U bë protokolli. Kur populli ishin mbledhur përpara prefekturës me 10.12.1916, Këshilli qeveritar me në krye Themistokliun erdhi në Prefekturë. Aty një togë ushtarësh francezë i priti me nderime të posaçme dhe më pas kolonel Dekueni (Decoin) dhe Themistokliu dolën në ballkonin e prefekturës duke mbajtur që të dy nga një fjalim të shkurtër. Midis brohoritjeve të popullit u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall Republika Shqiptare e Korçës. Këshilli qeveritar kishte funksione të fuqisë ekzekutive dhe të asaj legjislative dhe ishte organi suprem i Republikës. Kryesinë e Këshillit e mbanin me radhe për një muaj rresht çdo anëtar i saj dhe ky, për atë kohë, zinte vendin e Kryetarit të Republikës. Themistokliu u emërua prefekt i policisë, ndërkohë që një francez përfaqësonte komandën franceze dhe kryente detyrat e një prefekti civil. Gjuha zyrtare ishte gjuha shqipe. Koloneli Dekuen u tregua një shqiptarofil i nxehtë dhe nuk kurseu asgjë për të ndihmuar mbarëvajtjen e Republikës. Hinterlandi i kësaj republike ishte shumë i ngushtë. Sali Butka qëndronte në Melcan e në Boboshticë. Francezët bënë ç'është e mundur për ta bindur atë të vinte në Korçë e të bashkëpunonte me ta. Dërguan në Melcan një delegacion shqiptar bashkë me një major francez, të cilët e këshilluan të dorëzohej por gjenerali Sali nuk e pranoi, megjithëqë ngritja e flamurit në Korçë Salinë e kishte kënaqur. Ai e gjente në interes të Republikës qëndrimin e tij jashtë valles dhe e quante si një sigurim më të mirë për pozitën e Themistokliut, i cili për çdo eventualitet kishte një vend ku të mbështetej.Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata, do të ishte shqipja dhe flamuri i Krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Si u bënë këto biseda, të cilat u përkthyen nga dr. Noke, protokolli u firmos nga të dyja palët. Pastaj, Themistokliu doli në ballkon dhe ngriti flamurin. Ushtria franceze i rrinte për nder flamurit, kurse populli thërriste me gëzim: -Rroftë Shqipëria! Krahina “autonome” e Korçës, pati rëndësi të madhe dhe ishte sukses i shënuar, i forcave patriotike shqiptare. Ajo, megjithëse pati autonomi të kufizuar, arriti të sigurojë mjaft të drejta për popullin, të krijojë kushte qetësie dhe zhvillimi ekonomik, si dhe të paralizojë veprimtarinë shoviniste greke, në Shqipërinë e Jugut.Por gjatë vitit 1917 edhe Qeveria venizeliste ishte forcuar. Ushtria e saj ishte shtuar dhe kishte filluar të peshonte rëndë, prandaj Venizelua kishte filluar të luante intrigat e tij kundra Republikës, të cilën e kishte halë në sy dhe e shihte si një pengesë serioze për realizimin e aspiratave të tij mbi Korçën. Ai e dinte se tërë këto suksese të Republikës së Korçës i detyroheshin personit të Themistokliut. Sureteja franceze (sigurimi) administrohej nga vëllazëria Galvani. Këta filluan intrigat kundër Themistokliut duke shfrytëzuar mërinë dhe pakënaqësinë që kishin kundër tij disa persona me influencë në Korçë. Ky grup i të pakënaqurve kryesohej nga bejlerët e Dishnicës. Këta organizuan disa mbledhje të fshehta, ku edhe u përgatit një peticion kundër Themistokliut, i cili akuzohej si njeri që mbante marrëveshje të fshehta me kundërshtarin. Komploti u përgatit si duhet. Mbasi u mor si duket edhe pëlqimi i gjeneral Sarailit, në tetor 1917, një mbrëmje, një kamion solli disa oficerë të sigurimit nga Follorina në Korçë të cilët u drejtuan për në shtëpinë e Themistokliut dhe e ftuan këtë për në Selanik, ku gjoja e thërriste gjeneral Saraili. Themistokliu kishte kohë të fshihej, të arratisej e të mos u dorëzohej atyre që kishin ardhur ta arrestonin, por duke e ditur vehten e tij të pafajshëm e duke patur besim në drejtësinë franceze, u dorëzua menjëherë dhe u nis bashkë me ta për në Selanik. Atje, brenda tri katër ditëve u nxor para gjyqit ushtarak. Aty u akuzua për aktivitetin që kishte zhvilluar në favor të shërbimit informativ austro-bullgar kur ndodhej në Pogradec, para marrëveshjes me francezët. Themistokliu nuk e mohoi këtë aktivitet. Ai insistoi duke thënë se pas marrëveshjes kish vepruar besnikërisht dhe si një aleat i vërtetë me francezët dhe kërkoi që të mos merrej parasysh veprimtaria e tij para marrëveshjes. Gjykata ushtarake nuk i mori parasysh justifikimet dhe e deklaroi fajtor për aktivitetin e tij të mëparshëm, duke e dënuar me vdekje. Mbasi dënimi u aprovua nga gjeneral Saraili, i cili ushtronte të drejtën e Presidentit të Republikës Franceze, Themistokliu u pushkatua në Selanik padrejtësisht dhe tradhtisht. Populli i Korçës dhe veçanërisht shokët e Themistokliut ishin të shqetësuar për fatin e tij. Në mëngjes, kur pritnin ndonjë lajm mbi fatin e tij, panë që shëtitnin nëpër rrugët e qytetit patrulla të shumta franceze, të cilat kishin vënë nëpër dritare mitraloza. Në orën 09:00 të asaj ditë, u thirrën nga ana e gjeneralit francez pjesëtaret e Këshillit Qeveritar. Gjeneral Sali ishte një person i ashpër e gjysmëanormal, mbasi kishte humbur në luftë pesë djem. Pra, me brutalitetin e tij që e karakterizonte, i njoftoi këshillit qeveritar pushkatimin e Themistokliut dhe i kërcënoi këta, se në rast të ndonjë manifestimi, kishin për t'u marrë masa të rrepta. Gjithashtu i porositi që të këshillonin popullin të mbante gjakftohtësinë dhe të qëndronte i urtë. Sigurisht nuk ngjau asgjë.Ai u ekzekutua padrejtësisht në Selanik të Greqisë më 9 Nëntor 1917 me vendim të një gjykate ushtarake franceze. Në atë kohë u miratua “Protokolli i Republikës së Korçës”, i cili pati vetëm një vit jetë, por edhe me kaq pak kohë kjo periudhë do të linte gjurmë të mëdha në jetën e kazasë së Korçës. Me vrasjen e Themistokliut kishte ndryshuar edhe qëndrimi politik i Francës. Që atë ditë u shpall mosekzistenca e Republikës se Korçës. Emri i Republikës u ndërrua në emrin kazave-qeveritare e Korçës. Këshilli qeveritar u suprimua dhe mori emrin e Këshillit të Parësisë (Conseil del notables). Ky këshill u formua nga persona të tjerë më konservatorë. Kompetencat e këshillit u kufizuan krejt.Por më 16 shkurt 1918, 1 vit pas vrasjes së Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, protokolli abrogohet. Lufta ballkanike dhe “Lufta e Madhe” përfundon në vitin 1918. Më 20 Maj 1920, Parisi vendosi që trupat franceze të lënë kazanë e Korçës deri në 28 maj kur filloi tërheqja e tyre. Republika “autonome” e Korçës, megjithë sukseset që pati, nuk jetoi gjatë. Që kur u krijua, u prit në mënyrë armiqësore dhe të ashpër nga shovinistët grekë dhe qeveria italiane. (http://sq.wikipedia.org/wiki/Krahina_Autonome_e_Kor%C3%A7%C3%ABs)
(http://www.albasoul.com/vjeter/modules.php?op=modload&name=Neës&file=article&sid=1286)
Në 24 Maj 1920 u mbajt në fshatin Kapshticë protokolli greko-shqiptar i njohur si protokolli i Kapshticës, i cili në atë kohë siguroi kufijtë e Korçës dhe detyroi të mbante larg forcat shoviniste greke. Po këtë muaj populli dhe qeveria e Korçës u bashkua me atë të Tiranës duke zyrtarizuar kështu bashkimin e Korçës me Shqipërinë (http://www.peshkupauje.com/comment/223627).Me 1998, Republika Franceze vendosi të njohë pafajësinë e Themistokli Germenjit dhe Ambasadori Francez në Tiranë, Krismant vendosi një tufë me lule mbi varrin e tij në Korçë. Kaq për të kujtuar një aleat të ndershëm, por edhe një nga Shqiptarët e paktë që diti të nxjerrë nga turbullirat e luftës botërore dhe nga pretendimet fqinje, të paprekur qytetin e tij. Për Republikën Autonome të Korçës ka shkruar me vërtetësi funksionari kolonjar Sejfi Vllamasi.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.