E diele, 04.05.2025, 01:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pirro Prifti: Naim Frashëri - 111 vjetori i vdekjes dhe harresa e Hipokritëve të letërsisë shqipe

E merkure, 09.11.2011, 09:05 PM


Naim Frashëri 

111 vjetori i vdekjes

dhe

harresa e Hipokritëve  të letërsisë shqipe

 

Nga Pirro Prifti

priftipirro@hotmail.com

 

 Më 20 tetor 1900 vdiq Poeti i madh shqiptar Naim Frashëri, një nga poetët më të dashur të Shqipërisë.  Pra 111 vite më parë ky kolos i poezisë dhe i fjalës së bukur shqipe  mbylli sytë. Naim Frashëri i poezisë lirike dhe nostalgjike  shqipe. Nuk është  problemi që ta kujtoj unë këtë emër sot, sepse kushdo do të duhej ta kuptonte e ta respektonte, por më tepër nuk i falet Shoqatave të letërsisë shqipe, Fakultetit të Historise dhe të letërsisë, Ministrisë së Kulturës të cilët duhej që të paktën ditën e vdekjes ta përkujtonin.

Pak kujtesë për popullin e thjeshtë  që harron lehtë,  për shoqërinë intelektuale shqiptare, dhe forumet përkatëse drejtuese, profesioniste, të politikës, dhe të Medias, gazetarisë shqiptare, të cilat me Harresën e tyre  spektakolare po i bëjnë varrin Historisë së Shqipërisë dhe heronjve të saj por kryesisht rilindasve:

Naim Frashëri ishte figura qëndrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim, si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjtër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.

Gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.

Ndërkohë vendi ishte përfshirë në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizerenitmë 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, vëllai më i madh i Naimit. Naimi dha ndihmesën e vet për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu dhe përhapi programin e saj. Më 1880, kur veprimtaria e Lidhjes ishte në kulm, ai shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes. Me këtë krijim Naimi niste rrugën e poetit kombëtar. Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së Shkronjave dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Gjithë forcat dhe talentin ia kushtoi çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë. Lëvizja kombëtare, idealet e çlirimit të Shqipërisë, të përparimit e të qytetërimit të saj, u bënë faktori themelor që ndikoi në formimin e Naimit si poet e atdhetar.

Krijimtaria e gjerë letrare e Naimit, me veprat poetike e didaktike, kap një periudhë të shkurtër prej 13 vjetësh (1886-1899). Vetëm në vitin 1886 ai botoi veprat “Bagëti e Bujqësia”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Histori e përgjithshme” dhe poemën greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”. Më 1885 botoi përmbledhjen me vjersha persisht “Tehajylat” (Ëndërrimet) më 1888 botoi “Dituritë”, më 1890 “Lulet e verës”, më 1894 “Parajsa dhe fjala fluturake”, më 1898 “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelanë” dhe më 1889 “Historia e Shqipërisë”. Sëmundja dhe lodhja e madhe ia keqësuan shëndetin poetit, zemra e të cilit pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54-vjeçare, i zhuritur nga malli për atdheun dhe me brengën që s’e pa dot të lirë.

Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostulin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit, që niste kështu:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri,

mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai.

Së fundmi, nuk mund të mos përmënd, përpjekjet servile dhe hipokrite të mediave shqiptare që u bëjnë lavde e u thurrin ditirambe disa politikanëve që shkruajnë apo që gërricin letrën vetëm për lavdi, por harrojnë këtë gjigand të letërsisë shqipe.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx