E enjte, 24.07.2025, 09:36 PM (GMT+1)

Faleminderit

Besim Muhadri: Rexhep Smajlaj - mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike shqipe

E marte, 01.11.2011, 09:04 PM


REXHEP SMAJLAJ -

MJESHTËR I VARGUT DHE I FJALËS POETIKE SHQIPE

 

Nga Dr. sc. Besim MUHADRI

 

Po bëhen nje vit që kur nga panteoni i letërsisë sonë u shua poeti Rexhep Smajlaj. Poeti, miku dhe njeriu i urtë, njeriu i fjalës së gdhendur mjeshtërisht. Vdekja e tij ndodhi vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë edhe një poet tjetër, bardi i letrave tona Din Mehmeti. Ishin dy humbje të njëpasnjëshme dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, të cilat tek ne shkaktuan dhembje shpirti dhe mungesë të përhershme.

Dhe vërtet Rexhep Smajlaj ishte një njeri i urtë, i cili atë urti, me plot maturi, mundohej ta përçonte edhe te të tjerët. Dhe këtë pa imponime, pa ngarkesa dhe pa pretendime. Ishtrrëmbente me vete edhe të tjerët. Ata që e lexonin dhe ata që e dëgjonin. Ata që e donin dhe ata që nuk dinin ta donin e ta vlerësonin. Por këta të fundit, kam përshtypjen se ishin të rrallë.

Kur flasim për poezinë e Rexhep Smajlajt, duhet të dijmë se ai, edhe pse në moshë bukur të shtyrë filloi të botonte, por jo edhe të shkruante, arriti të krijojë personalitetin e tij letrar. Në poezinë e tij hasim një gjuhë të figurshme, e cila ka një kuptim, sa poetik, aq edhe filozofik. Filozofia poetike e Rexhep Smajlajt ishte e ndërtuar mbi një koncept thellësisht të mbështetur në traditën tronë letrare, kulturore dhe historike.

Poezia e këtij krijuesei, e sidomos ajo që ka për subjekt historinë dhe traditën tonë që nga lashtësia e këtej, është një poezi e kultivuar mjeshtërisht, e mbushur ndjenjë dhe dashuri atdheu. Ajo është një poezi që sa të shpie në të kaluarën e lashtë, aq edhë në të sotmen. Kjo nënkupton se shqetësimet poetike të Rexhep Smajlajt ngërthejnë në vete një gamë të gjerë tematike, motivore, por edhe kohore, që na jep të kuptojmë se poeti vazhdimisht “gërrmonte” në shpirtin dhe traditën kulturore dhe historike të popullit të tij. Ndonëse, në ndojë rast, poezitë e tij kanë përmbajtje apo edhe “tingëllim” didaktik,  ato, megjithatë, janë krijime që  domemos na kujtojnë një poet të përmasave të përkushtimit të vazhdueshëm dhe të avancuar në gdhendjen e fjalës së bukur shqipe dhe mendimit të thellë filozofik, gjithsesi shqip.

Kur flasim për Rexhep Smajlajn, vazhdimisht duhet të kemi parasysh një krijues të vërtetë e të vëmendshëm, që para lexuesit arriti të servojë një varg të gdhendur mirë dhe të motivuar. Kjo na tregon se poezia e tij është një poezi e kujtesës sonë historike e mbështetur thellësisht në trashëgiminë tonë kulturore dhe gjuhësore, rrënjët e së cilës gjithësesi duhet kërkuar te tradita.

Kjo edhe ishte filozofia poetike e këtij krijuesi, i cili duke u mbështetur në traditën e kombit të tij, mëtonte të arrinte të ndërtonte të sotmen, me një bazament të fuqishëm për ndërtimin e së ardhmes. Është një poezi që lexohet lehtë, jo për shkak të mungesës së thellësisë së saj, por pikërisht për shkak të këtyre atributeve që përmendëm më lart.

Dhe krejt në fund më duhet të them se poezia e Rexhep Smajlajt është një poezi që ngjall emocione dhe reaksione artistike dhe mbamendje. Një poezi në të cilën shpërfaqet një kulturë e trashëguar nga pararendësit e tij, por edhe e kultivuar nga ana e këtij krijuesi shumë të kujdesshëm në tjerrjen e mendimit dhe të fjalës së shkruar bukur shqip.

Rexhep Smajlaj la pas vete një veprimtari të bujshme poetike, si poezi për fëmijë, ashtu edhe për të rritur, mirëpo i kanë mbetur në dorëshkrim edhe një numër i konsideruar, të cilat në të ardhme me siguri që do ta shohin dritën e botimit.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx