Faleminderit
AQSHF: Portreti artistik i kineastit, gazetarit dhe poetit Kolec Traboini
E hene, 21.11.2011, 09:03 PM
TIRANE - Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit (AQSHF), më datë 23 nëntor 2011, në orën 12:00, organizon një takim-ekspoze nga krijimtaria e Kolec Traboinit, gjatë së cilës do të shfaqen filmat: “Dëshmi nga Barleti”- dokumentar historik, realizim i vitit 1990, “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën që është bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini paraqet gjithashtu edhe dhjetë etyde filmike të realizuara prej tij vitet e fundit si sintezë poetike të krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Kolec Traboini, autor i 16 librave me poezi, prozë dhe esè, u lind në Shkodër dhe është i biri i patriotit të njohur Palok Traboini - mësues, publiçist dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit, Flamurtar i Deçiqit më 6 prill 1911, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare, ajo e Pavarësisë dhe Lufta e Koplikut 1920.
I mbetur jetim në moshë të vogël, jetoi për disa vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër. Ka ndjekur për dy vjet shkollën Pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Tropojë, ka punuar rreth 4 vjet në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Më pas ka vazhduar studimet në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Gjatë kohës që ishte student botoi librin me tregime "Petalet e bajames së hidhur" 1973, i cili u vlerësua me çmim inkurajues në konkursin Kombëtar të Letërsisë dhe Arteve.
Pas mbarimit të studimeve është emëruar redaktor-skenarist në Kinostudio, Tiranë, ku punoi 16-të vjet, ndërsa për një dekadë drejtoi redaksinë e filmit dokumentar. Është fitues i kupave për filmat dokumentarë në dy festivale kombëtare të filmit shqiptar: "Asdreni" 1976, "Kështjella e këngëve" 1990. Filmi "Dëshmi nga Barleti" me skenar e regji të K. Traboinit u vlerësua si filmi më i mirë i Kinostudios për vitin 1990. Eshtë autor i mjaft filmave të vlerësuar, si "Kol Idromeno", "Hasan Prishtina", etj, si dhe skenarist edhe i disa filmave vizatimorë ndër të cilët "Portreti" me regji të Artan Makut, film i cili stigmatizonte me guxim megallomaninë e udhëheqësve të kohës së diktaturës. Eshtë skenarist i filmit dokumentar "Përse kështu"(Estetika e veshjeve) që kritikonte të metat e dobësitë e sistemit të prodhimit konfeksional në kushtet e mekanizmit të vjetëruar të ekonomisë së ngecur shqiptare(1989-1990), film që u ndalua të qarkullonte sepse organet e nomenklaturës komuniste e konsideruan nxirje të realitetit socialist (Gazeta Mapo, 17 mars 2011).
Situatën e krijuar në 1990, Traboini e priti me entuziazëm dhe mori pjesë gjallërisht në veprimtarinë demokratike. Në 16 janar 1991 boton në Gazetën "RD" shkrimin me titull "Vlera e simboleve kombëtare", ku kërkonte publikisht heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar. Eshtë nisiator dhe organizator i të parit tubim të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike, e cila u kthye në një demostratë të fuqishme antikomuniste.
Traboini largohet nga Shqipëria në 28 shkurt të vitit 1991 dhe vendoset si emigrant jo legal në Athinë. Kjo gjendje pasigurie nuk e pengoi atë që më 10 Prill 1993, të krijonte e të shpërndante ndër emigrantë, të parën gazetë në gjuhën shqipe në Greqi “Egnatia”. Në Greqi bashkëpunoi me presidentin e arvanitasve të Greqisë, studiuesin e publiçistin e madh, Aristidh Kola (1944-2000). Gjatë viteve të jetës si emigrant në Athinë botoi tre libra midis të cilëve “Balada e largësive” - i pari libër në gjuhën shqipe i botuar në Greqi, një album me poezitë e emigrantëve shqiptarë.
Në gusht 1995, Traboini me status legal emigroi në SHBA dhe u vendos në qytetin e Bostonit. Në Amerikë shkroi e botoi rreth dhjetë libra me poezi, prozë e publicistikë ndër të cilët: “Katërkëndëshi i mundimeve”-prozë, “Mos vdis dashuri”- poezi, “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”-esè, “Requiem për një gjethe”-poezi, “Lufta e Maleve-Palok Traboini”-letërsi dokumentare, “Koha e prostitutave”-lirika&etyde. Në vitet e fundit ka botuar "Itaka grua"-lirika, “Kujto poetin”, një album poetik për 40 poetë që nuk jetojnë më, në mes tyre pesë të ekzekutuar nga diktatura si dhe përmbledhjen e fundit me lirika “Lule Pellazgjike”. Së shpejti sheh dritën e botimit libri i tij me shqipërime nga poezia botërore “Nga Safo tek Bukowski”.
Në dekadën e fundit ka realizuar mbi pesëdhjetë krijime filmike të metrazhit të shkurtër, duke përfshirë filma dokumentarë si “Martirët”, realizim i vitit 2011, që ka si subjekt masakrën e bërë në vitet e diktaturës ndaj klerit katolik shqiptar, ku u ekzekutuan 32 meshtarë, njerëz të kulturës dhe të dijeve, poetë, studiues dhe folkloristë. Traboini është autor i dhjetra etydeve filmike - poezia në ekran, të realizuara prej tij si sintezë e krijimtarisë së vet si poet dhe kineast.
Për veprimtarinë poetike dhe esèistike është vlerësuar me çmimin e përvitshëm letrar “Pena e Artë-Kadmus” 2008 nga Klubi i Shkrimtarëve “Drita” Athinë. Në vitin 1994, Kolec Traboini është pranuar anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, me qendër në Bruksel, ndërsa në nëntor 2001 nga Kongresi i Lidhjes Shqiptare në Botë mbajtur në Prizren, është zgjedhur anëtar i këshillit drejtues të LSHB-së. Eshtë ndër krijuesit shqiptaro-amerikanë më aktiv në shtypin e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe Diasporë.