Faleminderit
Miku ynë i madh në Berlin
E hene, 21.11.2011, 08:34 PM
Me rastin e ditëlindjes së 81-të të Christian Schwarz-Schillingut
Politikani gjerman Christian Schwarz-Schilling bëhet sot 81 vjeç. Ai u lind më 19 nëntor 1930 në Innsbruck të Austrisë. Është i biri i komponistit të njohur Reinhard Schwarz-Schilling. Schwarz-Schilling ka qenë anëtar i katër kabineteve të Qeverisë gjermane të udhëhequr nga kancelari Helmut Kohl, kurse afro një vit e gjysmë edhe përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, detyra kryesore e të cilit ishte mbikëqyrja e realizimit të Marrëveshjes së Paqes të Daytonit. Ai ka marrë tituj të ndryshëm nderi në Gjermani dhe jashtë saj, si Kryqin e Madh të Meritës (1986), medaljen “Graham-Bell” (1993), titullin “Doktor Nderi” (Doctor of Business Administration) në Bryant-College në Smithfield të SHBA-së (1997), dekoratën “Evropian i merituar” në ar nga Mérite Européen (2002), Çmimin e Paqes të landit gjerman Hessen (2007) dhe shumë tituj dhe dekorata të tjera. Për fat të keq shqiptarët ende nuk janë kujtuar për të.
Pas gjimnazit në Berlin në vitin 1950, Schwarz-Schilling studioi në Ludwig-Maximilian-Universität në München historinë, kulturën dhe gjuhën kineze. Më 1956, ai promovohet duke marrë titullin dr.phil. Fillimisht, nga viti 1957 deri në vitin 1982, është aktiv si menaxher i fabrikës së akumulatorëve “Sonnenschein”, kurse pas dorëheqjes si ministër federal, nga viti 1993 deri në vitin 2002, ishte menaxher i „Dr. Schwarz-Schilling & Partner GmbH“, një ndërmarrje këshilluese për telekomunikacion në Bündingen.
Që nga viti 1960, Christian Schwarz-Schilling është anëtar i Unionit Kristian-Demokrat (CDU). Në partinë e tij ai ka kryer funksione të ndryshme. Në Bundestag, Schwarz-Schilling si deputet i CDU-së ishte për 26 vjet me radhë në periudhën 1976-2002.
Më 14 tetor 1982, ai bëhet ministër i Postës dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Helmut Kohlit. Nën drejtimin e tij në Gjermani u fut televizioni kabllovik, u lejuan televizionet private, si dhe filloi telefonia mobile sipas standardeve GSM.
Më 14 dhjetor të vitit 1992, Christian Schwarz-Schilling jep dorëheqjen nga posti i ministrit në shenjë proteste kundër qëndrimit të Qeverisë Kohl ndaj luftës në Bosnjë. Për shkak të angazhimeve dhe interesimit të tij për hapësirën e ish- Jugosllavisë, ai u emërua reprezentues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, më 31 janar 2006, por vetëm 17 muaj më vonë, më 30 qershor2007, do të largohet nga ky post me dorëheqje. Schwarz-Schilling gjatë këtij mandati u përpoq që të përfshinte faktorët vendorë në marrjen e vendimeve të rëndësishme, por nuk pati sukses, në radhë të parë për shkak të politikës destruktive të serbëve të Bosnjës.
Më 30 korrik 2007, atë e shohim në rolin e ndërmjetësuesit në Kosovë, Maqedoni dhe në Serbinë e Jugut në kuadër të CSSP-së, e cila është një shoqatë për ndërmjetësim integrues me seli në Berlin. Si pikënisje për këtë projekt shërbeu përvoja e ndërmjetësimit në Bosnjë-Hercegovinë. CSSP-ja si organizatë ndihmon në kooperimin ndëretnik në këtë rajon, që është tronditur nga konfliktet etnike dhe vazhdon të mbetet edhe më tej një vatër krize me potencial destabilizues për gjithë rajonin. CSSP-ja ka mbështetjen e Bundestagut gjerman, Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe Austrian Development Agency. Schwarz-Schilling është president nderi i kësaj shoqate dhe vazhdon të japë kontributin e tij në kuadër të saj. Në semestrin dimëror 2007/2007, mori përsipër profesurën për shkenca politike në „Sarajevo School of Science and technology“. Christian Schwarz_Schilling është autor i disa librave, kurse rreth veprimtarisë së tij janë botuar edhe dy libra. Njëri prej tyre i kushtohet kohës sa ai ishte në Bosnje si përfaqësues i lartë ndërkombëtar dhe për autor ka gazetarin e mirënjohur Erich Rathfelder.
Christian Schwarz-Schilling është përkrahës i madh i Kosovës. Ai e përkrahu që në vitet `90 lëvizjen paqësore, por edhe luftën çlirimtare për shkëputjen e Kosovës nga dominimi serb. Viteve të fundit ai ka qenë shumë i pranishëm në mediat gjermane në përkrahje të kosovarëve. Në disa artikuj të tij të botuar kohëve të fundit në gazetën prestigjioze „Frankfurter Allgemeine Zeitung“, Schwarz-Schilling u ka bërë thirrje shteteve të ndryshme evropiane që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të heqin dorë nga kjo politikë obstruktive që është kthyer në pengesë të madhe për integrimin e Kosovës në BE. Në artikullin me titull "Serbia duhet ta kapërcejë hijen e saj", Christian Schwarz-Schilling shkruante se Serbia e penguar në mënyrë aktive arrestimin e kriminelëve të luftës. Qëndrimet e ndryshme që herë pas here janë shfaqur në Gjermani, sipas të cilave Serbisë nuk duhet kërkuar që ta njohë shtetin e Kosovës, ai i ka kundërshtuar me forcë. „Këtë qëndrim,- shkruan Christian Schwarz-Schilling- pas përvojës së madhe me Serbinë - si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë - më duhet ta kundërshtoj vendosmërisht: ne duhet t'ia bëjmë me dije qartë Serbisë se ajo duhet të kapërcejë hijen e saj dhe të shmangë pengesat, të cilat ia ka vënë jo vetëm vetvetes, por edhe gjithë rajonit. Për shqiptarët është krejtësisht e papranueshme kokëfortësia e Serbisë dhe tentimi i saj për të përjashtuar dhe lënë anash ata gjithkund. A mos ndoshta kemi harruar tashmë se trajtimi i shqiptarëve, të cilët në Kosovë përbëjnë 90 për qind të popullsisë, në vitet tetëdhjetë i përgjigjej strategjisë së nënshtrimit absolut".
Christian Schwarz-Schilling është kundërshtar i qarqeve politike në Beograd, që në emër të kinse rivendosjes së paqes kërkojnë që humbjet ushtarake t’i kthejnë në fitore diplomatike. Në luftën e vitit 1999, në Kosovë Aleanca Perëndimore ndërhyri ushtarakisht, sepse nuk deshi që të përsëritej debakli si ai në Bosnjë. “Këtë luftë Milosheviqi e humbi. Tani Boris Tadiqi ende mendon se mund ta rivendosë statusin e vjetër të Kosovës si krahinë serbe. Duke qenë se ekspertiza e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë konfirmoi se shpallja e pavarësisë në asnjë mënyrë nuk bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është koha e fundit që Evropa të bëjë testin e vet shkollor dhe që me pesë vendet evropiane që kanë bërë obstruksion ndaj paraqitjes së qëndrimit të përbashkët të Evropës, të nisin negociatat serioze, në mënyrë që ato sa më parë të ndërpresin kundërshtimin e tyre të pavarësisë së këtij vendi dhe Evropën ta bëjnë sërish vepruese. Mos vallë duam që në Evropë të fusin një problem të ri qipriot?”. Christian Schwarz-Schilling ishte ndër njerëzit e pakët në Evropë që reagoi ndaj arrestimit tejet të vonuar të kriminelëve të luftës. “Rrahja e supeve dhe urimet për shkak se Serbia pas 16 vjetësh e gjeti rastin e përshtatshëm që Ratko Mlladiqin ta dorëzonte në Hagë, kjo me të vërtetë është diplomaci e mjerë e kontinentit tonë të vjetër". Qëndrimi i Christian Schwarz-Schillingut për sa i përket qëndrimit të Evropës ndaj Serbisë është se Bashkimi Evropian duhet të flasë një gjuhë të qartë me Serbinë dhe të heqë dorë nga politika e saj e mjerë.
Këtë shkrim-urim për ditëlindjen e 81-të për mikun tonë të madh në Berlin, Christian Schwarz-Schilling, do ta përfundoja jo vetëm me urimet më të mira për shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për të, por edhe me konstatim kritik për shqiptarët që janë në krye të institucioneve shtetërore, arsimore dhe kulturore, të cilët, siç ka thënë me të drejtë kohë më parë në Paris një mik tjetër i madh i Kosovës, ish-administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kouchner, nuk janë në gjendje t'i njohin miqtë dhe t'i nderojnë ata.
Populli ynë ka respektin më të madh për këto personalitete të mëdha të formatit ndërkombëtar për gjithçka që ata bënë për Kosovën në momentet më të vështira historike të saj, kurse institucionet tona heshtin.
Xhevat Ukshini
Gladbeck, 18.11.2011 (Essen)