Faleminderit
Qerim Hysenbegasi: Atdheu përherë duhet të bëjë apelin e bijve të vet - Abdyl Kapinova
E diele, 20.11.2011, 09:00 PM
Atdheu përherë duhet të bëjë apelin e bijve të vet
Abdyl Kapinova
Nga Qerim Hysenbegasi
Dera e Kapinovallinjve ka qenë me emër dhe me zë në gjithë Nahijen.
Shefit Kapinova, njëri prej trimave që nxori kjo derë e nderuar, ka qenë luftëtar i shquar i çetave për liri e pavarësi. Ai ka marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës.
I biri, Abdyli, lindi në Kapinovë më 13 korrik 1898. Mësimet e para i mori në gjuhën turke. Rasti e solli që të shkollohej jashtë, si shumë patriotë të tjerë, por kjo s’e pengoi atë dhe derën e Kapinovallinjve për t’u lidhur ngushtë me çështjen madhore të kombit.
Në vitin 1917, zbret nga Kapinova në pronat e tija në Fushë–Peshtan.
Me pushtimin, kur filloi lëvizja kundër tij, Abdylin e shohim komandant të forcave të 13 fshatrave të Nahijes.
Ishte burrë me mendje të ndritur dhe zemër të madhe. Në verën e vitit 1943, duke u nisur thjesht nga qëllime patriotike, vë shtëpinë e tij në dispozicion të krerëve të luftës. Aty u bë “Mbledhja e Jugut”, që kishte për qëllim të mos niste e të mos përhapej vëllavrasja. Në atë mbledhje morën pjesë nga të dy palët. Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Muharrem Kapllani, Abdyl Kapinova... nga njëra anë dhe nga ana tjetër: Mestan Ujaniku, Kahrreman Ylli, Gjin Marku, Xhevit Struga, Nexhmi Ballku...
Gjithë shpenzimet dolën nga sofra bujare e kësaj dere të nderuar.
Në shtator të vitit 1943, në krye të forcave që komandonte, nga 13 fshatrat e Nahijes, përleshet me forcat italiane në Fushën e Uznovës, në Biftë e Gërricë. Nga Duhanasi i erdhën forcat e Abaz Ermenjit. Në këtë përpjekje mbetet i vrarë i ndjeri Riza Hoxha.
Gjithmonë shkoi ku e thirri zëri i kombit. Familja s’kurseu asgjë për kombin, prandaj ruan emër të mirë.
E për të gjitha këto, regjimi komunist familjen e tij do ta dënonte me 121 vjet burg: Abdylin me 10 vjet, Haki Kapinovën me 10 vjet, Ali Kapinovën me 101 që iu kthye në 30 vjet... U konfiskohet e gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme. Edhe dëshmitë e mira të partizanit Kamber Goxhaj, që ishte caktuar të survejonte Abdyl Kapinovën, s’mundën të bënin gjë. Gjithçka ishte vendosur: njerëzit e mirë, familjet e nderuara duhej të vuanin.
Si gjithë të tjerët, edhe ai priti, priti shumë gjatë, për t’iu kthyer, ajo që iu nëpërkëmb: nderi, emri i mirë. Dhe dita e pritur erdhi!...
Le të jenë këto radhë një homazh për njeriun e nderuar Abdyl Kapinova.