Faleminderit
Gani Mehmeti: Ukë Mavriqi - ky strateg i luftës për shqiptarizëm e Shqipëri (1888 – 1973)
E shtune, 26.11.2011, 07:01 PM
UKË MAVRIQI KY STRATEG I LUFTËS PËR SHQIPTARIZËM E SHQIPËRI (1888 – 1973)
Nga Gani Mehmeti
Në luftërat kundër çdo pushtuesi, janë shquar banorët e Mavriqit të Llapit. Shumica e meshkujve në Mavriq kanë vdekur nga pushka, duke luftuar armiqtë tonë shekullor. Këta janë varë në mbrojtje të vendit dhe në luftë për çlirim që nga koha e Perandorisë Turke e deri në ditët tona, pra deri me përfundimin e luftës së vitit 1999. Në kohë lufte kanë luftuar, ndërsa në kohë paqeje, ata kanë qenë të burgosur nga që nuk kanë prajtur asnjëherë, dhe se, nuk janë pajtuar në asnjë kohë me armikun, duke kërkuar lirinë me mjete paqësore, duke u inkuadruar në parti të ndryshme politike shqiptare, po pse jo edhe në grupe politike, por që në program kanë pasur gjithherë çështjen kombëtare. Në Mavriq, po edhe në grykën tjetër të Llapit, nga Zhitia, Breca e Murgulla armiqtë nuk kanë mundur dhe nuk janë lejuar asnjëherë të hyjnë nga veriu i Kosovës, pra nga Serbia. Çdo armik nëse ka shkelur në këto vise, ai ka shkuar nga rrafshi, duke i pushtuar fshatrat tjera më parë. Dhe, të mos harrojmë se të gjitha fshatrat e Mavriqit të Llapit si dhe fshtrat tjera në perëndim të tij (Mavriqit) kufizohen pikërisht me Serbinë qysh me vendosjen e kufirit në vitin 1878. Mavriqasit kanë çmuar gjithçka tjetër më shumë se jetën: Lirinë, nderin, burrërinë, e, pse jo, edhe pasurinë. Të gjitha këto cilësi i kanë pasur trashëgim nga të parët po i kanë fituar edhe nga vetë jeta, që ua kanë imponuar armiqët.
Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore Mavriqi ishte i lirë plotësisht, duke e mbrojtur vetë kufirin nga serbët. Shih nga kjo, Mehmet Gradica me të drejtë i ishte drejtuar Ukë Mavriqit me këto fjalë: Uko, ti e ke ba Mavriqin Shqipni të Vogël!
Ukë Mavriqi, njëri ndër kaçakët më të njohur në Llap, shquhet si më trimi, më i pastërti dhe që ka sakrifikuar shpesh për të realizuar gjithë atë që i është tekur, pa mndur t’ia lë ngile kush prej serbëve as në kohën e krajlit e as në kohën e mëvonshme, të Jugosllavisë titiste.
Ukë Mavriqi shkollën e policisë e ka kryer në Maqedoni, i cili dërgohet me detyrë në Mitrovicë. Prej aty, Sherif Voca e çon në Kaçanuell. Sherifi e çon në Kaçanuell per t’iu kundërvënë një postkomandanti të atëhershëm në Kaçanuell i cili po e keqtrajtonte dhe po i shkonte në dru banorët e këtij fshati. Shih, për këtë qëllim, duke e njohur karakterin e fortë të Ukës, Sherif Voca e kishte porositur që të mos i bindej urdhërit të postkomandantit në mënyrë që të vijë deri tek dorëheqja e komandantit nga posti. Për disa ditë kishin kaluar si uku e dhia ndërmjet veti, derisa, pas disa ditësh komandanti detyrohet ta lëshojë vendin e punës dhe në vend të tij vendset Ukë Mavriqi. Mbas një kohe Uka transferohet në stacionin policor të Herticës. Policët gjatë marsheve të tyre nëpër fshatra kanë pasur odat (familjet) e caktuara se ku mund të hyjnë të pushojnë, të hanë dhe të pijnë. Kur kishin shkuar një ditë në njërën nga familjet e Xhakalive, vërejnë fotograflnë e krajlit (me gjasë të Nikolla Pashiqit, v.j.), e cila kishte sytë e shpuar (dëmtuar). Aty për aty nuk bëjnë zë. Mirëpo, kur kthehen në Herticë ky problem aktualizohet nga policë serbë. Vendoset që të nesërmen të shkojnë policë nga Hertica dhe nga Podujeva për të verifikuar. Atëhere Uka gjen një njeri të besushëm dhe e dërgon në atë familje duke e porositur që të gjejë një fotografi tjetër të krajlit e ta vendosë në vendin e fotografisë së dëmtuar. Përndryshe, do ta pinte e zeza po t’i gjindet ajo fotografi.
Xhakaliu kishte pasur dikund në Serbi një shok dhe shkon e ja merr fotografinë e krajlit dhe e vendos në vendin e asaj të dëmtuerës.
Kur shkojnë të nesërmën policët e të dy stacioneve nga Podujeva dhe Hertica, e rrethojnë këtë familje. Kur hyjnë brenda shohin fotografinë e pa dëmtuar të varur në mur. Tani çuditen dhe bisedojnë se si ka mundur të ndodhë kjo brenda natës! Ua merr mendja se për këtë ka lajmëruar Uka, mbasi nga policët ky i vetmi ishte shqiptar. Nga ky moment u shkon mendja dhe vendosin që të gjejnë mënyrën për likuidimin e Ukës. Ndërkohë, Ukës i thonë se duhet të shkojnë në Gërdofc ku ishin lajmëruar kaçakët. Xhanarët e tjerë (serbë) ishin porositur që ta vrasin sepse nuk mundë të bahet (durohet) ky njeri kështu. Rrugës po shkojnë bashkë. Kur shkojnë në Urën e Gërdofcit, Uka nuk ua kishte besën xhanarëve prandaj ju thotë atyre të kalojnë urën përpëara. Policët nuk duan, duke thënë se udhëheqësi i rrugës duhet kaluar i pari. Posa Uka kishte hypur në urë, xhanari prapa tij shtjen me pushkë në të. Plumbi e rrok në lug të qafës depërton nëpër gojën e tij. duke ia qitur dy dhëmbë. Bijnë në ujë edhe Uka edhe polici. Çohen në këmbë burrat e Gërdofcit dhe shkojnë tek ura për të mësuar ngjarjen. Shkon njëri dhe po e thërret “O Ukë, o Ukë!”, duke menduar se e kishin vrarë kaçakët. Uka përgjigjet duke i thënë:
- O n’kofsh filani, hajde!
Qëllon pikërisht ai, emrin e të cilit e kishte cituar Uka dhe shkon. E merr dhe e çon në odë. Uka u thotë që të mos iknin kaçakët sepse nuk ishte plagosur prej tyre, por nga xhanari i vet. Lajmërohet stacioni i Herticës dhe pyesin Ukën qysh ndodhi? Ç’ka u bë? Uka u përgjigjet se atë e kishte plagosur “shoku” i tij, xhanari. Kishin shprehur gjoja mosbesimin se si ka mundur ta plagoste xhanari. Uka ju thotë:
- Shikoni filan xhanarin, nëse nuk është i lagur deri në shokë (brezë) që ka rënë në ujë edhe unë po them se nuk më ka plagosur. A nëse është i lagur, ai është që më ka plagosur.
- Mirë, tha ai komandiri. Xhanari i cili e kishte plagosur Ukën kishte nisur e po dridhej nga frika.
Të nesërmen e kanë ngarkuar në një qerre me kuaj dhe në mëngjes kanë mbërri në Podujevë. Këtu kishin ardhur edhe vëllezërit e Ukës nga Mavriqi, mbasi kishin ndëgjuar se ai ishte plagosur. Në momentin kur po donin ta nisnin Ukën për tek mjeku në Prishtinë, takohet me vëllezërit e tij, të cilët nuk i ishin ndarë por kishin shkuar bashkë tek mjeku. Qëllon një Ruskia mjeke, mjaft e njohur në profesionin e saj. Uka nuk i besonte hiç e nuk lejon të marrë asgjë tjetër nga barërat, përveç ndonjë yndyre që ia kishte qitur varrës (plagës) pa e çelur fare. E hetojnë se ajo ishte e porositur për ta helmuar. Xhaxhai i Ukës, Hashimi, i jep pesë lira ari mjekes vetëm që ta shpëtojë. Mbasi i merr lirat, po i tregon Ukës se e kishte urdhërin për ta helmuar por i jep fjalën se nuk do ta helmonte vetëm do ta shëront për dy ditë dhe ai duhej të iktem sepse më shumë nuk guxonte ta mbante Ruskia. E mjekon për ato dy ditë dhe i thotë ikë. Uka shkon drejt në shtëpinë e tij në Mavriq, duke i marrë edhe disa barëra me vete. Zgjatë një kohë derisa Uka shërohet në shtëpi.
Serbët kishin ndërmarrë një aksion ku prenin, vrisnin e masakronin shqiptarët. Kjo quhej errëfi. Nuk dinte si të lajmëronte se ishte në pushim mjekësor. Nuk dinte as si të shkonte. Po ndërkohë dikush duhej të çonte një sej sanë për kuajt e ushtarëve dhe policëve serbë ne Podujevë. Vendosin që sanen ta dërgonte një plak i lagjes, duke shpresuar se nuk do ta ngucnin xhanarët gjatë rrugës. Uka thotë se unë do të hyjë në sanë që të shkonte në Podujevë. Vëllezërit i thonë “Zoti t’i plastë sytë, ku po don me shkue sikur capi te kasapi?!” Po Uka e kishte vendosur të shkonte tek komandanti. Hyn në sanë, maskohet mirë. Pushkën dhe armët çka i kishte pasur i merr krejt me veti. Kur shkojnë në Podujevë, i thonë plakut veç hiqja kungjin e sajit edhe leje sajin, merri qetë e mos këqyrë kurrgja e shko prej shtëpisë. Duke e hequr kungjin e zgjedhës prej sajit, njëri nga xhandarët i bjen plakut me kungjin e sajit, që kishte bërtitur në kupë të kresë edhe e lë sajin e ec për në Mavriq.
Uka po rri e po këqyrë. Kur sheh që u larguan policë e ushtarë, del prej sanës edhe shkon drejt në derë të komandantit! Komandanti kishte qenë duke lexuar gazetë, kur e sheh Ukën brenda, i bjen të fikët prej tij kur hynë me armë brenda. Uka e nxjerr letrën për t’i treguar se ai ka qenë polic, duke i thënë “mos u tut, mos u tut”!
Kur i del kllapa (të fiktit), e merr letrën e po e lexon ai. Mbasi e lexon letrën i thotë:
- Rri këtu, por mos ma shih për të madhe, po i thërras disa të mitë e po i pyes se çka po thonë edhe ata. Kish qenë Boshku i Merdarit komandant në Podujevë dhe Mirku i Zakutit komandant në Krypimeh. E thërret së pari Boshkun dhe e pyet:
- Çfarë njeriu ëshë ky?
- O, ma nieri i mirë s’ka. Pak ish prekur komandanti dhe po e pyet Boshkun: “Po kah erdhi ky këtu?” duke treguar Ukën dhe ia jep nja dy tri shuplakë, duke i thënë që të rrijë aty në qysh. E thërret tani Mirkun, edhe këtë e pyet për Ukën dhe merr po të njëjtën përgjigje që kishte marrë prej Boshkut, edhe këtij i kishte dhënë shuplakët.. Tani ju drejtohet që të dyve (Boshkut dhe Mirkut): “prej Zotit të dëgjojë kush se ky njeri është këtu, unë patare u bëj të dyve, sepse edhe ashtu jam shumë i prekur në juve se si ka mundur të hyjë ky drejt tek unë pa e parë askush.” Pasi darkojnë, u vjen lajmi se atë natë kaçakët ishin në Pakashticë. Kapiteni i tyre nuk guxonte të shkonte vet t’i ndjek kaçakët, e i drejtohet Ukës: “Ukë, ti sonte kie me u pri xhandarëve e me i çue në Pakashticë, sepse ti e din terrenin!
- Po qysh me u pri une, që këta mue më hanë pa piekë si t’ më hetojnë se kush jam.
- Qure, thotë. Qyrkun tem kie me e vesh edhe kush nuk ka me e ditë që je ti, pos këta dy që e dinë. Del kapiteni dhe i rreshton xhanarët, posa nis të terrohet. Edhe u thotë:
- Ndëgjoni, ky njeri ka për me ju pri. Kah t’u thot ky kini me shkue. Edhe pej egjeli me dek, ju ini t’maruem, tanve patare u baj.
Nisen për në Pakashticë. Ukës ia merr mendja se kaçakët mund të jenë në Pakashticë. mirëpo nuk donte t’ i zinte, prandaj ai u prinë xhanarëve, duke i shëtitur kodër mbas kodre rreth Brezovanit në Sylevicë. Mbasi zbardhet dita, kur ia merr mendja se kaçakët kanë mundur të dalin nga Pakashtica, ai me xhanarë hyjnë në fshat. Kontrollojnë dhe nuk hasin në asnjërin prej kaçakëve. Xhanarët ja shtrejnë e po prejnë lopë. I vejnë kazanat për ta zier mishin. Ndërkohë përmes një serbeje, u vjen lajmi se kapiteni në Pollatë është i rrethuar dhe kishte kërkuar ndihmë për shpëtim nga vetë Uka. Uka u thotë tani xhanarë serbë:
- I leni kazanat. Hajde po shkojmë e po e pshtojmë njeriun atje! Kur bijnë te Lanovitë e Repës, ishin ngarkuar si moti me plaçka, kishin vjedhur çeizin e nuseve e gjithçka tjetër. Për ta lënë plaçkën, Uka i’u bërtet ngërmueshëm;
- A po e dini ku jemi tu shkue? Na po shkojmë n’front! Me gjithë këto tesha ku jeni tu shkue, ku po i qoni?! A po shkojmë me e pshtue njeriun a ku! Krejt ktu me i lanë!
Kur u tubua gjithë ajo plaçkë, u pa se ishin mbushur nja dy saja tesha. Kapiteni në Pollatë shikonte përmes dritares dhe dridhej e po priste edhe kur po sulmohej nga të rrethuarit, po edhe kur po çlirohej. Ai po jetonte në ankth. Kur shkon Uka me xhanarët, po i thotë: “po qysh erdhe ti ktu e kah i re? – i cili dridhej nga frika se ishte i rrethuar, - se rreth e rreth jemi të rrethuar vetëm tash u kanë shti edhe juve në rreth!”
- Jo, mos kie gajle se une ju prij juve, - i thotë Uka.
- Ti na prinë nëpër Mavriq, Sllatinë e Reçicë e me na shti mrena në Serbi, i thotë komandiri i Pollatës.
- Andej nuk mujmë se nëse jemi të rrethuem, nga ajo anë jemi, u thotë Uka. Une ju prij rrugës drejt për në Krypimeh.
Mbasi shkojnë në Krypimeh, Ukës i thonë që të shkojnë e të lajmërohet në Mitrovicë. Pastaj shkon kah të thonë atje. Në Mitrovicë kryekomandant e gjenë Sherif Vocën[1]. Sherifi po mendon për Ukën se në Kosovë nuk e lënë rahat serbët dhe i propozojnë që të shkojë në Novi Pazar. “Shko, i thotë Sherifi, do ditë e pastaj shohim!” Qëndron disa ditë në Novi Pazar dhe Drazha Mikajloviqi u bjen shqiptarëve edhe boshnjakëve për t’i qitur fare të gjithë. Xhanarët serbë nuk u dolën në mbrojtje përveç ndonjëri nga shqiptarët. E kallin luftën me çetnikë. Uka kë e kish pas gjuajtur më bukë nuk kish pas hangër, sepse ishte shejtar i fortë. Për këtë tregonte edhe një plak i Drenicës i cili thoshte se nuk ia dinë namin Ukë Mavriqitë sa gjak të shkieve ka derdhë ai në Sanxhak. Një nga komandantët i kishte rënë në sy Uka dhe i vjen inati për numrin e madh të të vrarëve që kishte bërë. Ai e thërret një ditë. I kishte shti fjalët komandanti me një shoq të vetin edhe i bjen shuplakë. Atëhere komandantët rrihnin edhe xhanarët. Kështu kishte menduar se duhen të rrihen të gjithë. Prej inatit, i bjen edhe Ukës. Po Uka e kishte bartur gjithmonë një revole tinëz, dhe, po sa i bie shuplakë komandanti, ky e nxjerr revolen e i bjen në lule të ballitë, i cili bie i vdekur në tokë. Derisa merret vesh krejt kjo, Uka i rrokë armët e veta, i gjuhet një kali që ishte aty afër dhe niset për në Mitrovicë. Rrugës e lë kalin dhe ec këmbë. Në Mitrovicë duhej të kalonte urën e cila ruhej. Shkon në treg, e merr një maxhup me magar që po shiste dru, goditet me të që t’ia çojë drutë përtej urës, ku i thotë Uka se e kishte shtëpinë, por i thotë ta ndalë e ta shtie pushkën në dru. I grah magarit maxhupi. Uka i kishte ndërruar teshat, tani kishte veshur tesha të këqia. Mbasi kalojnë urën, kur ia merr mendja se kishte kaluar rrezikzu, i thotë maxhupit që ta ndalë magarin. E merr pushkën edhe i thotë maxhupit të kthehet prap në pazar edhe t’i shetë drutë prapë, se ai e kishte pasë vetëm sa ta kalonte urën.
I bjen Shalës së Bajgorës edhe kthehet në Mavriq. Mbasi kthehet në Mavriq pas pak ditësh, kallet lufta. I bjen gjermani. Mbasi pushtohet prej gjermanit Mavriqi, Uka emërohet kryetar në komunë të Pollatës. Më vonë e bëjnë komandir të xhandarmërisë. Një kohë ka qëndruar si komandir edhe në Besi. Të shtunave mavriqasit shkonin në tregun e Podujevës të gjithë. Uka, si komandir, u kishte pas thënë burrave që të mos e lëshojnë Mavriqin se na bien serbët prej kufirit, të cilët i kishte diktuar që po lëviznin e po silleshin rreth kufirit.
Një të shtune, kur meshkujt kishin shkuar në Podujevë, u kish rënë me ushtri Peka Dapçeviqi. Ai i kishte rënë Bellosicës, Reçicës e deri në Uglar.
Në Bellosicë, duke luftuar vritet Islam Bellosica me gjithë të birin; në Tërnavicë kish luftuar Neziri i Banit, lis mabs lisi me ta. Në Reçicë kishte luftuar Ramë Igrishta me Sallah Mavriqi e Imer Reçica fyt më fyt. Në Uglar kishin luftuar Fejzë e Beqë Uglari. Ia kishin qitur fishekt atje me sanak te vendi i quajtur T’u Qadarat. Aty shpërndahen shkiet dhe i mbërthejnë andej kufirit. I kishin zënë dy çetnikë. I bien në Pollatë. Këtu i kanë marrë gjermanët dhe nuk dihet se ç’është bërë me ta.
Pa vonuar shumë, në luftë kundër forcave gjermane hyn edhe Rusia. Rusët i vejnë përpara bullgarët dhe serbët dhe po shkonin prapa tyre. Rusët, pra i detyronin të hynin në front bullgarët dhe serbët, ndërsa vetë shkonin prapa tyre. Tani ishte numër i madh i tyre dhe nuk u dalin përpara deri në Krypimeh. Kur vijnë në Krypimeh, Uka me xhanarë të tjerë ishin pozicionuar dhe sulmohen bullgarët. Këtu ka mbetur togu i bullgarëve qysh ka qenë. Prej Krypimehi kanë dalë tek Guri i Bardhë, ku kanë luftuar fyt më fyt me rusë dhe bullgarë, ndërsa serbë ka pasë më pak. Kjo ka ndodhur me rastin e thyerjes së Gjermanisë.
Mbas kapitullimit të Gjermanisë, Uka dhe shumë të tjerë që kishin qenë përkrahës të tyre e që kishin luftuar kundër forcave ruse, bullgare e serbe, mbesin në mal dhe vazhdojnë jetën e tyre prej kaçakut. Të Grykës së Mavriqit në mal kanë qenë: Ukë e Tal Mavriqi, Sali, Sejdi e Avdi Tashefci, Mujë Monolli, ndërsa nga Dobërdoli, Behram Dobërdoli. Ka pas edhe të tjerë që kishin ikur prej brigadave partizane por ata kanë qëndruar më pak. Kanë qëndruar pastaj në Shalën e Bajgorës. Atje kishin qenë tubuar rreth 300 kaçakë dhe po mendonin të shkonin për në Greqi. Mbasi tubohen, po i thonin njëri tjetrit që të prinin. Uka u kishte thënë: “Na prini deri përtej Sitnicës, se ju e njihni terenin ma mirë. Le të prijë ose Ukshin Kovaçica ose Ahmet Selaci. Aty e andej unë e di terenin dhe kam me ju pri deri në Maqedoni se atje kam kryer shkollën.” Ahmet Selaci nuk dëgjonte mirë. Ai i thotë Ukës: ”Unë po prij, po ti me ardhë mbas meje, aty ngat. Nëse bajmë me ra në pritë dikund, mos më folë, veç më gjuen me diçka, sepse nuk ndiej mirë:”
Bëhen rresht për t’ u nisur. Kur po duan të nisen, Ahmet Selaci thotë: ”O vllazni koka ky dhe i amël, tybe n’muj me ardhë!” Imer Selaci, kusheri i tij, ia kish pas shti pushkën edhe i bërtet:”O, kurva plakë, na preve tanve, bre!”
Atëherë një nëse ndalej, as të tjerët nuk kanë guxuar të nisen, duke mos i besuar se ai që do të mbetet do t’u trgonte të tjerëve. Aty janë thyer dhe është prishur marrëveshja për të shkuar në Greqi. Thonë se dimni gati po na ze. Ahmet Selaci kish pas thënë: “Unë kam me e çlirue Mitrovicën!” Ukshin Kovaçica thotë: “Unë kam me e çlirua Stantërgun dhe Vushtrrinë.” Ukë Mavriqit i kishin thënë që ta çlironte Podujevën.
Uka u kish thënë: “Mosni, se nuk mujmë me luftue, se une e çliroj për 24 orë Podujevën, veç deri t’i çlironi ju Mitrovicen edhe Vushtrrinë une nuk po marrë në qafë robë e thmi, se shkojnë posht krejt.” Mësyhen. Kur vijnë në Qafë të Kaqanollit u dalinë përpara llapjanët dhe u thonë: “Mosni, bre sytë ju plaqin, se shkojmë krejt posht e marojmë.” Në Mitrovicë[2] e Vushtrri niset lufta. Kur niset lufta, Ukshini lyp ndihmë. Kthehen e shkojnë edhe luftojnë krah për krah me Ukshinin, deri sa u detyrua të ngujohet në shpellë[3], e këta të tjerët shpërndahen dikush andej e dikush këndej, duke ia mbajtur secili kah vendi i vetë. Ukshini dhe Ahmeti kishin qenë vrarë, ka pasë edhe të tjerë të vrarë e disa kanë qenë dorëzuar. Mbesin kaçakët e Llapit dhe Grykës së Mavriqit, po mendojnë se si të veprojnë. Uka u thotë: “Dorzonu ju, se sa t’jam une n’mal, juve nuk guxojnë me ju ba kurgja.” Dorzohen Sejdi e Avdi Tashevci, Mujë Monolli, Tali e të tjerë. Në mal mbesin tre veta: Ukë Mavriqi, Sali Tashevci e Behram Dobërdoli, duke thënë se kurrë nuk dorzohemi. Mbesin edhe një motmot mbas tyre në mal. Pushteti nuk po mund t’u binte në gjurmë. Kanë luftuar te Kisha e Reçicës, kanë luftuar te Kroni i Tashefcit, ku kanë qenë vrarë 7-8 ushtarë serbë. Kanë luftuar edhe në tri- katër vende tjera. Të tretë kishin qenë trima deri në fund.
Pushteti, duke parë se nuk po mund t’i zinte as në verë e as në dimër, shkojnë edhe i marin në lagjet e tyre nga një burrë nëpër shtëpi.
- Hajdi, thonë, se te Musinca janë dikund kaçakët e kini me i gjetë! – shkojnë e i shtijnë nëpër borë andej e këndej, por nuk i gjejnë, sepse edhe nuk ishin atje. Hajdar Mavriqi vëllai i Ukës u kishte thënë:
- Mos e merrni në qafë krejt këtë popull për vlla tem, se me kanë me ditë dikush diçka, kisha me ditë une, po tybe nuk e di ku e kam vllaun. – Hajdarin e kishin pas shti për ujë të ftohtë atë natë, qysh ka qenë. Më në fund u japin afat një javë që t’i gjejnë dhe të tregojnë se ku janë kaçakët.
- Shkoni te shpia, thonë, kujtonu. Nuk bien në dorë, kini me ardhë dy mahallët me robë e me thmi e me krejtë në Podujevë! – këta ishin të OZN-ës. Për Behramin nuk dinin se a ishte gjallë, disa thonin se edhe kishte humbur. Nuk dinin se si t’i gjenin. E ëma e Ukës e kishte ditur pak nga që i kishte treguar Uka se kur të duash të dish për mua se ku jam, pyete Brahimin e Ramës. Aj Brahimi ka qenë që i kishte vdekur gruaja dhe kishte pas mbetur vetëm me disa fëmijë të vegjël, të cilët nuk dinin të tregonin, prandaj me të ishin të lirë dhe i besonin. Ai u jepte bukë. Ata kishin qëndruar në një çufrrajë nja 300-400 metra larg shtëpisë së Brahimit, rrëzë një përroi, ku gjurmët e lëvizjeve të tyre humbnin prej kafshëve, që të mos hetoheshin. Shkon Hajdari dhe e vetë nënën e Uksë se a dinë gjë për Ukën se ku rri. Ajo i thotë të shkojë te Brahimi edhe ta pyeste. Shkojnë dy vëllezërit e Ukës te Brahimi dhe e pyesin. Brahimi para se t’u tregonte këtyre duhet të bisedonte me Ukën, që të marrë mendimin e tij se pranon t’u tregojë vëllezërve të tij apo jo. Prandaj ai u thotë që nesër do t’u tregonte. Brahimi i tregon Ukës. Uka i thotë që të vinte Hajdari edhe do të bisedonte me të. Të nesërmen shkon Hajdari tek Uka, Uka i thotë:
- Shko, thot, thuej Selim Obrançës edhe Luba Gjykiqit, të vijnë e të bisedojnë me mue. N’koftë që m’i plotsojnë kushtet, mirë. Perndryshe, i gjallë kurrë nuk bie në dorë.
Shkon e bisedon Hajdari me Selimin edhe me Lubën. Po, i thonë ata. E lamë të takohemi në odë të Bislim Potokut për me bisedue. Vijnë në odë të Bislimit. Bisedojnë. Uka po u thotë:
- Me besë po bie në dorë për mos me m’i ngjit çka s’i kam ba; mos me m’sha e mos me m’ra. Nëse m’i plotsoni kto tri kushte, unë po dorzohem.
Ja dhanë besën qi as s’kemi me t’i ngjitë, as skemi me të sha e as me të ra. Pra, nashta me tjera mënyra të munojnë, edhe me ra në dorë.
- Une me ra në dorë po bie me qito kushte. A me ardh me m’i marrë antarët e familjes, njet e kam pasë me jau nxan ni ngushticë edhe e kom pas ndërmend mos me e lshue as nja t’gjallë pej juve.
Ua dhanë tri ditë afat të shkojnë në familjet e tyre për t’ u shmallë, ndërsa mbas tri ditësh mbeti që të shkojnë e të dorëzohen në Pollatë. Atë natë erdhi në shtëpi. Erdhën vëllezërit e Ukës të gjithë: Hashimi, Hajdari, Sallahi, Ilazi, Hasani e po bisedojnë. Vëllezërit po i thonë: “Ukë, mos bjer në dorë se kanë me t’gri si duhanin edhe as gjenazen s’kemi me mujt me ta gjetë. Kanë me t’ba copa –copa! Krejt le të desim na robt, e mos bjer në dorë!”
- Jo bre Hajdar! Do të bahna kurban i ktyne thmive edhe i ktyne bijve të miqve tanë që i kemi për fisi, që na i kanë dhanë, për mos me i çue para shkau, unë do të bie në dorë. Qysh e ka ba Zoti emër qashtu ka me u ba. – Të gjithë kishin qajtur atë mbrëmje, me vëllezërit e me krejtë. Shkoi atë natë prap në mal, se nuk besonte. Të nesërmen erdhi prapë e ndejti me të gjithë, ndërsa të pasnesërmen shkoi e u dorzua vetë në Pollatë.
Prej Pollates e çuan në Podujevë me saj, se borë ishte. Nga Podujeva e çuan në Prishtinë. Këta të tre: Uka, Salihi e Behrami u gjykuan nga gjyqi ushtarak. Ishin thirrur edhe familjet e tyre që të prezentojnë në gjykim. Gjykatësi po pyet:
- Ukë, për çka ke luftue?
- Unë kam luftue, tha, për qat shkam që je ulun ti. Pra, une s’kam mujt me e nxan, po masi e ke nxan ti, ja pafsh hajrin.
- Ukë kam nie qi je kanë shejtar i fortë.
- Vallahi, veç çka s’kam mujt e çka s’kam ditë. Edhe ti, tha, kie dikë ma të madh që duhet të zbatosh urdhnat e tij. Me të dhanë urdhën për luftë, ti a beson se s’po t’vret ai tjetri mos me i’a majt ti? Ja kam majt, tha, sa kam mujt.
- Mirë, tha Ukë, pra. Po ku ke hangër bukë? Kush të ka dhanë bukë e kah ke hangër?
- U-ha, sa mullijt janë Reks t’Majancit, sa Reks t’Dobratinit, sa Reks t’Revuçit, sa Reks t’Pakashticës, sa Reks t’Mavriqit! N’tana mulliet jam shkue e kam marrë qysh ka pas drith në kosh t’mullinit ashtu kam marrë miell në magje të mullinit; kur ka pas shumë drith në kosh – edhe miell kam marrë ma shumë po kur n’kosh ka pas drith pak edhe miell kam marë ma pak.
- I paske viedh hallkun, tha gjykatësi!
Mbasi u krye gjykimi, gjykaëtsit dolën. Kur u kthyen, i thanë:
- Ukë, çou e falenderoju fotografisë së Titos që nuk po të dënon me pushkatim, por po të dënon me vjet, vet Marshali!
- Kurrë deri sod s’ja kam shtre dorën, tha, pos Zotit qi m’ka falë e as sod nuk ia shtrij dorën kurkuj!
Tri herë i thanë çhou, duke iu lutur edhe familjarët.
- Kurrë nuk i nënshtrohna pushtetit serb, përgjigjet Ukë Mavriqi.
- Ukë, tha, i merr 12 vjet burg të rëndë!
- Pesë pare, tha Uka, nuk i jepi!
Salihin e dënuen shtatë vjet, Behramin gjashtë vjet.
Prej Prishtine e kanë çue në Nish ku i ka mbajtur dy vjet burg, dy vjet i ka mbajtur në Mitrovicë të Sremit, dy vjet i ka mbajtur në Beoqin. Mbas tetë vjet e gjysmë vuajtjeje burgu të dënimit, erdhi në shtëpi. Jetoi deri në vitin 1973, vdiq në moshën 85 vjeçare çka do të thotë se ai ka lindur në vitin 1888.
Mbas veti la tre djemë: Rexhepin, Shefqetin dhe Ahmetin.
Pat thënë 14 ditë në çeli ka ndejtë pa hangër bukë, vetëm me një kilogram sheqer qe i kishte qilluar dhe ujë. Kur i kishte pyetur Uka pse kështu më lini pa hangër, të burgut i ishin përgjigjur se nuk ka qenë një nga kushtet që kishte kërkuar para se të dorzohej.
Podujevë Marrë nga incizimi në kasetë të
1. I. 2006 kasetofonit, incizuar prej birit të
Ukë Mavriqit- Rexhepit
Me okupimin e Podujevës me rrethinë nga Armata II Bullgare, nga Divizioni XXII i UNÇJ-së , nga Brigada V e UNÇ të Kosovës dhe nga Batalioni “Meto Bajraktari” më 8 nëntor 1944, mund të thuhet se rajoni i Llapit ishte ripushtuar tash e sa herë nga forcat dhe ushtritë sllave - serbe, bullgare e ruse, që më pas ishin burgosur të gjithë njerëzit më të njohur të Llapit, të cilët ishin dorëzuar tek organet e pushtetit. Për këta njerëz të njohur, që kishin luftuar për liri, për Shqipëri më pak se Etnike (sepse Shqipëria Etnike do të përfshinte territoret deri në Nish, pra të kohës së para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878) ishin formuar burgje shpejt e shpejt, në të cilat kishin gjetur vdekjen pa u gjykuar faremë se 500 burra shqiptarë, në mesin e të cilëve shte edhe Jahja Fusha, nënprefekti i Nënprefekturës së Llapit. Prandaj, mosdorëzimi i atyre pak kaçakëve menjëherë pas formimit të pushtetit sllavo-komunist, kishte qenë i qëlluar, sepse uji ishte ende shumë më i turbullt. Kështu kishte vepruar Ukë Mavriqi me disa shokë, të cilët për më shumë se tri vjet as konsolidimit ë këtij pushteti, nuk ishte dorëzuar, po edhe nuk mundin ‘i kapnin, derisa “pushteti” po donte t’ua mirrte anëtarët e familjes. Po edhe kështu, tani ata nuk dënohen me vdekje, por vetëm me burg, të cilët kishin arritur ta vuanin dhe të jetonin sërish në gjirin e familjeve të tyre.
Me Ukën ishin edhe Salih Tashefci e Behram Dobërdoli.
Nga 25 tetori deri më 2 nëntor 1944 në vijën kufitare Përpellac-Merdar-Podujevë-Orllan-Lluzhan ishin dy regjimente gjermane me tanksa, të cilat mbronin kufirin me Serbinë. Bashkë me gjermanë luftonin edhe forcat vullnetare shqiptare me rreth 5.000 luftëtarë. Komandant i tyre ishte Jahja Fusha, por në mesin komandanëve të tjerë shquhej edhe Ukë Mavriqi.
(Llapi gjatë historisë, faqe 188.)
Divizioni XXIV i UNÇJ-së nga 24-28 tetor të vitit 1944 e shpërtheu vijën e frontit në jug të Gurit të Uglarit dhe pushtoi fshatrat veriore.Depërtoi në Pakashticë-Kaçanuell-Majë të Mprehtë. Vullnetarët shqiptarë, Brigada e Ukshin Kovaçicës,Bataloni “Hasan Prishtina” dhe një grup luftëtarësh në krye me Aziz Zhilivodën, kaluan në sulm dhe i shkatërruan forcat e UNÇJ-së. Luftëra të përgjakshme u zhvilluan edhe në Kaçanuell dhe Dobratin Divizioni XXIV arriti të tërhiqej me 300-400 veta përtej kufirit. Këtë e zëvendësoi Divizioni XXII i UNÇJ-së. Me dhjetëra oficerë bullgarë u pushkatuan nga oficerët rusë për shkak se ata ër 10 ditë arritën të pushtojnë vetëm Merdarin.
(po aty, faqe 188 dhe 189)
Më se dhjetë vende janë të shënuara si varre kolektive të shqiptarëve të pushkatuar nga brigadat serbe.
Varret e të pushkatuarve në Podujevë nuk dihen.
E qindra u mbytën në Pusat e Surkishit dhe vende të tjera.
Edhe pas pushtimit të trevës së Llapit, shqiptarët vazhduan rezistencën e armatosur në formë grupesh siç ishin: Grupi i Bahtir Dumnicës, Grupi i Shahin Gërdovcit, Grupi i Musli Dumoshit, Grupi i Adem Selimit, Grupi i Maliq Pushkolit, Grupi i Adem Gashit dhe Ismail Thaqit dhe Grupi i Ukë Mavriqit. Ky grup kur ishte formuar kishte pasur 100 luftëtarë. Luftoi deri në vitin 1946, kur u shpërnda grupi i tij, ndërsa Uka u dorzua një vit më vonë, nga fundi i vitin 1947. U dënua me 12 vjet burg
Ukë Mavriqi ishte komandant i Xhandarmërisë shqiptare në Pollatë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
* Ukë Mavriqi kishte formuar grupin e tij, i cili kishte për qëllim të luftonte komunizmin dhe të bashkëpunonte me partitë dhe organizatat që ishin formuar në Kosovë dhe vepronin për të mirën e saj për pengimin e vendosjes së “pushtetit popullor” në Kosovë[4]. Ky, në vitin 1946 gjendej në male me Zymer Shajkofcn e me Musli Dumoshin[5]. |
[1] Ndodh të ketë qenë ndoshta Adem Voca.
[2] Mbase duhet të jetë këtu fjala për kohën mbasi Komanda ushtarake e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishte shpërndarë më 17 nëntor të vitit 1944 dhe mbasi Xhafer Deva ishte larguar nga Mitrovica për në Austri së bashku me ushtrinë gjermane Me gjasë mbasi Adem Voca kishte filluar bisedimet me Fadil Hoxhën dhe Miladin Popoviqin për formimin e organeve të pushtetit shqiptar në Kosovë. Bisedimet kishin dështuar dhe për këtë arsye ishte ftuar në Vidishiq paria e Llapit dhe e Shalës. Kuvendi i Vidishiqit u mbajt më 22 janar 1945 dhe në të u vendos të sulmohen dhe të shlirohen Mitrovica dhe Vushtrria. Në këtë kohë në Shalë nga Llapi erdhi edhe Mehmet Gradica me rreth 400 luftëtarë. Brigadat e Adem Vocës bashkë me Mehmet Gradicën e sulmuan Mitrovicën natën mes 26 e 27 janarit të vitit 1945, me rreth 1500 luftëtarë, këtu si komandant ishte edhe Ahmet Selaci, mirëpo, nuk arritën të depërtojnë në qytet. U tërhoqën me humbje. Aty mbetën të vrarë, përveç të tjerëve, rreth 30 Llapjanë.
Ukshin Kovaçica ishte duke përgatitur luftëtarët për të sulmuar Vushtrrinë, por me 27 janar 1945 e rrethuan në kullën e tij në Kovaçicë dhe luftoi deri më 4 shkurt 1945, kur e shpërtheu rrethimin dhe doli nga kulla. Në luftë kundër Ukshinit mbetën të vrarë, të humbur, apo të ngrirë rreth 700 partizanë të Brigadës 27 Serbe dhe Brigadës 25 Serbe të divizionit 46 të UNÇJ-së. (marrë nga AIUH, K-27, dok.316, (Brigada 27 Serbe) – Llapi Gjatë Historisë, f.190).
[3] Këtu duhet të jetë fjala për ngujimin e tij në kullë e jo në shpellë. Me gjasë bëhet fjalë për datën e 27 janarit e deri më 4 shkurt 1945. Shihet se këtu nuk është vrarë Ukshin Kovaçica.
[4] Adem Ajvazi, prof.: MULLA RAMË GOVORI, Podujevë, 2005, faqe 153.
[5] Poaty, faqe 159.