Faleminderit
Jahë Sadrija: Dëshmori i kombit Pëllumb Ademaj
E enjte, 24.11.2011, 09:04 PM
Vetëm në luftë për Liri vdekja nuk është humbje, kishte thënë para së të vritej dëshmori i kombit, Pëllumb (Hysen) Ademaj
Nga Jahë Sadrija
jahesadrija@live.com
Vdekjen time mos e loto, jam dëshmor i kombit dhe nuk e duroj lotin, kështu më bëhej sikur më fliste dëshmori i fshatit Ponoshec, Pëllumb Hysen Ademaj, gjersa unë ndodhesha para varrit të tij.
U lind në fshatin Ponoshec, aty e kreu edhe shkollën fillore me sukses. Ishte nxënës i dalluar dhe mjaft i suksesshëm në lëndët e shkathtësisë. Ishte i dashur me shokët e shkollës, me shokët e punës e në veçanti me shokët e idealit dhe të luftës. Kishte dëshirë të madhe të vazhdonte shkollimin e mesëm, por kushtet dhe rrethanat ekonomike e sociale ja pamundësuan këtë. Që në moshë të njomë u detyrua të punësohet në farmat e pularisë në Ponoshec, punë kjo që e mbajti për 15 vite me radhë. Sipas fjalëve të vëllait të tij Blerimit, nga viti 1995 ilegalisht kishte filluar aktivitetin ushtarak për çlirimine Kosovës nga okupatori serbo-malazias së bashku me komandant Bardhecin dhe komandant Hoxhën, që të dy nga fshati Ponoshec. Pasi kishin kryer disa herë ushtrime ushtarake në Shqipëri, së bashku edhe me shokë të tjerë, përkujdesen për furnizim me armatimdhe të njejtit marrin pjesë në sulme guerile ndaj stacioneve të instaluara policore serbe, si në Ponoshec dhe gjetiu. Në prill të vitit 1998 me dhjetra bashkëluftëtarë të fshatit shkon në Tropojë pë armatim, gjatë kthimit befasisht bien në pritë, por fatbardhësisht i shpëtojnë më të keqes. Më 3 maj të vitit 1998 mori pjesë në sulmin e parë frontal të UÇK-së kundër forcave policore serbe në Ponoshec, me çrast u lënduan disa policë dhe dëmtuan edhe makineri. Me kujdes të madh dhe me vëzhgim të duhur bëjnë edhe tërheqjen e populatës deri ne fshatrat Popoc, Smolicë e gjetiu. Ditë më pas inkuadrohet në shtabin e Logjistikës në Smolicë. Këtu qëndroi për disa ditë për të vazhduar sipas nevojës edhe në fshatrat tjera. Nuk i trembej as luftës e as vdekjes, anipse ishte i martuar dhe kishte një djalë, Mërgimin , të cilin më pas e la jetim, por duke frymuar i lirë falë gjakut të babait dhe shumë trimave të tjerë. Gjatë një luftimi të rreptë me shokët, kundër ekspeditave serbe në fshatin Skivjan, harxhon edhe fishekun e fundit që kishte dhe Pëllumbi plagoset për vdekje, më 27. 04.1999. Këtë ditë e fiton pavdeksinë dhe bëhet dëshmor i Kombit. Kujtime të paharrushme ruajnë edhe sot banorët e fshatit, familja dhe farefisi i gjërë, si dhe bahkëluftetarët e tij. Gjersa për djalin e Pëllumbit dëshmor, kujdeset e gjithë familja, më së tepërmi axha Sadrija.
Ditën kur Pëllumbi bije dëshmor i kombit kishin mbetur më pak se 2 muaj nga hyrja e trupave të NATO-së, për ta bërë Kosoven e lirë. Fëllimisht e varrosin në varrezat e qytetit në Gjakovë, e më vonë me nderime të larta ushtarake e qytetare rivarroset në fshatin e lindjes, pikërisht pranë dëshmorëve të tjerë të rënë para tij po nga fshati Ponoshec. Edhe sot me dhembje e krenari kujtohet e nderohet, puna dhe vepra heroike e dëshmorit Pëllumb Ademaj.
Lavdi dëshmorit Pëllumb Ademaj!
Lavdi dëshmorëve të fshatit Ponoshec dhe gjithë dëshmorëve të Kombit!