Faleminderit
Baki Ymeri: Një regjizor i famshëm rumun me prejardhje shqiptare
E shtune, 10.12.2011, 02:59 PM
Një regjizor i famshëm rumun me prejardhje shqiptare
Nga Baki Ymeri
Këto ditë, vdiq në moshën 65 vjeçare regjizori rumun me origjinë shqiptare, Aleksandru Toçilesku (rum. Alexandru Tocilescu). „Ishte një flakë e gjallë që u dogj për teatrin”, shkruan Washington Post, duke cituar cotidianul.ro. Kemi patur fat ta njohim para 15 vitesh në oborrin e shtëpisë së zonjës Sofika Milkani (tashmë 90 vjeçare), e cila flet shqip dhe e mban mend Asdrenin, të cilit i piqte petë korçare para 70 vitesh, derisa ajo ishte nuse e re 20 vjeçare, bashkëshortja e tregtarit patriot, Teodor Milkani, me origjinë drenovare. „Së paku me artistë rumunë kemi një shëmbëlltyrë të mirë në botë”, thekson një gazetar rumun, në kohën kur shtypi shqiptar dhe Televizioni i Tiranës i ka qitur në harresë bijtë dhe bijat e rilindësve tanë, disa që kanë vdekur dhe disa që janë gjallë, siç janë Dr. Xhelku Maksuti, Dr. Nicolae Anastasiu (nip i sekretarit të Shoqatave Drita, Shpresa dhe Bashkimi, Rafail Anastasiu), apo një mik i madh i shqiptarëve, albanologu Grigore Brënkush (rum. Grigore Brâncu?). Faji nuk është i tyre por i disa diplomatëve me gjak komunist që i kanë zëvendësuar interesat nacionale me interesa personale. Meqë jemi duke e qëndisur një nekrolog, s’po ua përmendim emrat për të mos ua prishur gjumin e natës, ngase disa kanë vajtur e disa kanë ardhur, me përjashtim të ambasadorit Fran Zef Çukaj apo ministër-këshilltarit Luan Topçiu, që digjeshin e digjen për shqiptarët dhe Shqipërinë. Aleksandër Toçilesku kishte gjak, karakter, mentalitet, fisnikëri dhe prejardhje të rumuno-shqiptare, siç kishte edhe aktori i madh Niku Konstantin. Vdekja e tij arriti në dhjetra gazeta botërore, ndër të cilat „The Washington Post", „The New York Times", Boston.com, „Seattle Intelligencer" dhe „Forbes".
Regjizori që kishte një karierë pothuajse 40 vjeçare, vdiq pas një sulmi në zemër, në spitalin Floreasca të Bukureshtit, kanë thënë mjekët. Toçilesku ishte ai që „e kishte kuptuar teatrin si një vokacion të përditshmërisë, si një formë e privilegjuar të dialogut me jetën dhe me problemet e historisë”, ka theksuar presidenti Basescu në një mesazh ngushllimi drejtuar familjes së këtij regjizori të kalibrit të lartë. Në bazë të intervenimeve të Dr. Luan Topçiut, ambasada e Shqipërisë e nderon katafalkun e tij me një kurorë lulesh. Gjatë karierës së tij ka regjizuar dhjetra produkcione në Tatrin e famshëm Bulandra të Bukureshtit, në Operën Rumune dhe teatro të tjera. UNITER-i i ka akorduar tre çmime të rëndësishme për aktivitetin e tij. Përveç veprave të shkruara nga dramaturgu më i madh klasik i këtij vendi, Ion Luca Caragiale (Jon Luka Karaxhiale, edhe ky me origjinë shqiptare), Aleksandër Toçilesku ka qenë i njohur për produkcionin e tij me Hamletin, në Londër dhe Dublin, më 1990, një vit pas revolucionit antikomunist të Rumanisë. Spektakli i tij i fundit ka qenë „Mbarimi i lojës”, të Samuel Beckett-it në Bukuresht, më 2009. Regjizori Alexandru Tocilescu ka lënë pas tij një djalë, shkrimtarin Alex Tocilescu, autor i një reportazhi të mirë për Kosovën, të cilën e ka vizituar dhe për të cilën ka shkruar me admirim, duke ua përkujtuar rumunëve se Kosova është një vend që përparon dhe shkon nga drita në dritë.