E shtune, 03.05.2025, 02:17 PM (GMT+1)

Faleminderit

Sabile Keçmezi-Basha: Parashqevi Qiriazi, diplomatja e vetme grua në Konferencën e Paqes në Paris (1919)

E diele, 04.12.2011, 09:05 PM


PARASHQEVI QIRIAZI, DIPLOMATJA E VETME GRUA NË KONFERENCËN E PAQES NË PARIS (1919)

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

Qëndresa e sakrifica, si formë e rezistencës tek populli shqiptar në përgjithësi e në veçanti te gruaja shqiptare, paraqitet në vazhdimësi gjatë historisë. Ato u rezistuan tendencave të asimilimit e furtunave të akulturimit, përmes edukimit human familjar e ruajtjes së traditës krijuese popullore e urbane që nga kohët antike. Por, ky nuk ishte fushëveprimi i vetëm i gruas shqiptare, ajo u shqua në lëmin e arsimit, të kulturës, të shkencës, të politikës, të diplomacisë etj.

Në historinë e mendimit politik shqiptarë, motrat Qiriazi, pa dyshim zënë një nga vendet e nderit për luftën dhe angazhimin e tyre si në arsim edhe në diplomaci, duke e veçuar qëndrimin e tyre në faktin se, tërë jetën ia kushtuan çështjes së atdheut.

Gjatë hulumtimeve për jetën dhe veprimtarin e motrave Qiriazi, më ka provokuar pjesëmarrja e tyre aktive në jetën arsimore e politike, e sidomos pjesëmarrja e Parashqevi Qiriazit në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919. Po ashtu më ka bërë përshtypje qëndrimi dhe diplomacia e saj që ka tregua gjatë mbajtjes së konferencës, ku me mençuri luante rolin e katalizatorit dhe bënte çmos për ta ruajtur ekuilibrin midis grupeve të ndryshme dhe u tregua shumë e zonja në këtë drejtim.

Parashqevi Qiriazi, grua shqiptare, e rritur e e edukuar në frymën e rilindësve. E diplomuar në dy universitete: në atë të Stambollit dhe, në atë të Oberlinit, (SHBA). Ishte njohëse e mirë e shtatë gjuhëve të huaja. Kryetare e shoqërisë së grave “Ylli i mëngjesit”, po ashtu edhe përfaqësuese e “Partisë Politike Kombëtare” në Konferencën e Paqes në Paris[1]. Në kohën kur mori pjesë në Konferencë kishte vetëm 38 vjet, dhe ishte e vetmja diplomate grua, midis shumë diplomatëve të tjerë burra për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar[2] dhe, shkëlqeu me aktivitetin dhe sjelljen e saj diplomatike në mes burrave të shumtë. Bile, në një rast nga Parisi shkruante “Korespondenti”, duke dhënë këtë vlerësim për të “Le të mburremi, jo vetëm ne burrat, por edhe gjithë zonjat shqiptare se zonjusha Parashqevi Qiriazi, Zhan D’Arka e Shqipërisë na nderoi të gjithëve. As një komb i madh ose i vogël nuk ka sot në Paris një delegat zonjë, po Shqipëria ka këtë zonjushë, e cila me diturin dhe mençurinë e saj dita më ditë po fiton simpatinë e të huajve për fitim të Shqipërisë[3].

Angazhimi i saj merr vlerë të veçanta se,  ajo punoi në një kohë kur errësira dhe prapambetja shekullore kishin lënë gjurmë të thella dhe hendeku midis veprimtarisë së burrave dhe grave ishte aq i thellë sa e bënte të pamundur pjesëmarrjen e tyre në jetën politiko-shoqërore.

Veç kësaj, ajo u ngritë mbi paragjykimet, duke qenë në ballë të elitës intelektuale të kohës. Parashqevi Qiriazi radhitët në mesin e intelektualeve, politikaneve dhe elementeve më demokrate, që kishin marr mbi vete detyrën e shenjt të luftëtarit për çlirim kombëtare, përparim, nxjerrjen nga prapambetja dhe radhitjen e saj përkrah vendeve të zhvilluara[4].

Veprimtarin e tyre në SHBA, motrat Qiriazi e zhvilluan në përputhje dhe brenda kuadrit të Programit të Lidhjes Kombëtare që kishte si moto kryesore ruajtjen e pavarësisë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar, që brenda saj të përfshiheshin Kosova, Çamëria dhe vise të tjera të banuara nga shqiptarët.[5]

Organizata “Partia Politike Kombëtare” e themeluar në vitin 1917 në Uorçester (SHBA), në gjirin e mërgimtarëve ekonomikë shqiptarë të atjeshëm, vazhdoi të vepronte deri në mesin e vitit 1920. Kryetarët e saj ishin Sevasti Qiriazi-Dako dhe Kristo Dako[6], të cilët në emër të kolonisë së shqiptarëve të Amerikës, u parashtruan qarqeve më të larta të shtetit amerikan dhe Fuqive të Mëdha të Evropës disa kërkesa në mbrojtje të çështjes shqiptare[7].

Gjatë tërë periudhës sa zgjati konferenca dhe sa veproi partia, anëtarët e saj zhvilluan një varg konferencash në qytete të ndryshme të SHBA dhe botuan artikuj me përmbajtje kombëtare. Partia Politike Kombëtare u drejtoi Fuqive të Mëdha disa memorandume e protesta dhe fillimisht duke i ditur meritat e mëdha të Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, e kishte caktua delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris.

Më 26 janar, 1919, në Peruxha të Italisë, Ismail Qemal Vlora ndërron jetë, dhe në vendin e tij, si përfaqësues të PPK,  u caktua të marri pjesë Parashqevi Qiriazi, e shoqëruar nga Mihail Grameno dhe Nuredin Vlora. Për llogari të PPK, në Paris kishte shkua edhe Nikoll Ivanaj. Këta të gjithë u bashkuan me përfaqësuesit e kolonive të tjera shqiptare: të Turqisë, të Rumanisë dhe të Federatës “Vatra” në SHBA. Për një kohë, formuan një front të përbashkët, duke iu kundërvu qëndrimit kapitullues të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit ndaj Italisë[8].

Gjatë Luftës së Parë Botërore e më shumë në mbarim të saj u vu në rrezik e ardhmja politike dhe territoriale e shtetit të ri shqiptar. Në Konferencën e Paqes të organizuar në vitet 1919-1920, Fuqitë e Mëdha, fituese të Luftës Botërore mbështetën pretendimet ekspansioniste të shteteve fqinje në dëm të Shqipërisë, duke shpërfillur të drejtat kombëtare më themelore të popullit saj.[9]

Parashqevi Qiriazi, me të mbërritur në Paris, në takimet me gazetar, diplomatët e politikanë të huaj, ajo parashtroi kërkesat e Partisë Politike që përfaqësonte. Ajo iu kundërvu pretendimeve të vendeve fqinje për copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe u shpreh kundër synimeve italiane për protektorat të saj.

Me këtë përmbajtje edhe iu dërgua një memorandum Fuqive Aleate, një muaj më herët se të përfundonte Lufta e Parë Botërore, me anën e së cilës mbronte të drejtat e popullit shqiptar, interesat e tij dhe shtetin shqiptar nga lakmitë dhe synimet shoviniste të shteteve fqinje[10].

Ndër të tjera, Memorandumi ishte sforcuar, duke i dhënë si argument edhe të dhënat shkencore që kryesisht ishin marr nga shumë udhëpërshkrues (konsujve) të huaj. Të cilët hidhnin dritë mbi shqiptarësinë e vendeve që kishin mbetur nën sundimin e huaj.  Me argumente dhe fakte historike vërtetohej jo vetëm lashtësia e popullit shqiptar, por në të njëjtën kohë demaskoheshin padrejtësitë që ishin bërë nga shtetet e ndryshme dhe Fuqitë e Mëdha.

Gjatë tërë kohës sa qëndroi në Paris dhe përderisa çështja shqiptare nuk ishte shtruar përpara konferencës, Parashqevi Qiriazi u tregua aktive dhe i dendësoi kontaktet e saja me pjesëtarët e delegacioneve, që merrnin pjesë në Konferencën e Paqes.

Veç kësaj ajo me kulturën, elokuencën e njohur, jo vetëm që iu imponohej bashkëbiseduesve, por njëkohësisht shkaktonte habi tek ata që nga errësira dhe prapambetja e një vendi siç ishte Shqipëria, kishte dal kjo grua që komunikonte aq lirshëm e me dinjitet me cilindo diplomat e burrë shteti[11].

Parashqevi Qiriazi, ishte një grua që e donte Shqipërinë, ashtu në kufijtë e saj të natyrshëm, por kur shihte përçarjet e delegacioneve shqiptare, trishtohej së tepërmi dhe është e njohur letra që i shkruan motrës Sevasti: “Neve, një grusht njerëz jemi, po katër soje shkrimesh dërgojmë: një Qeveria, një Mehmet Konica me Dr. Mihal Turtullin, një delegatët e kolonive dhe një Esat Pash Toptani[12]

Ajo e kishte të qartë se me qëndrimet e ndryshme të delegatëve shqiptarë, jo vetëm që nuk do të arrihej bashkimi, por as që do të realizohej qëllimi dhe ëndrra e tyre për ta parë Shqipërinë të lirë, përkrah vendeve të tjera evropiane. Në një letër tjetër ajo shkruante: “Grekët kanë një përfaqësues të vetëm, ashtu edhe serbet, po ne , të mjerët ne”[13]

Ajo kreu me ndërgjegje të lartë edhe një mision tepër fisnik: bashkimin në një të vetme të mendimit shqiptar për qeverisjen e vendit duke u ndodhur në një situatë tepër të vështir si pasojë e koncepteve të ndryshme që kishin delegacionet e tjera shqiptare. Ajo qëndroi në Parisë për 8 muaj në mbrojtje të çështjes kombëtare, duke zhvilluar një aktivitet të jashtëzakonshëm diplomatik, një veprimtari të dendur politike me takime, diskutime, mbledhje me delegatë shqiptar dhe të huaj për të përcaktuar strategji dhe taktika të vazhdueshme në dobi të çështjes kombëtare. Diplomacia evropiane e ka cilësua Parashqevi Qiriazin edhe siç e ceka edhe më lart “Zhan D’Arka shqiptare”[14].

Parashqevi Qiriazi, u kthye në atdhe më 1921, edhe më tej ajo ndoqi me interes dhe mbështeti zhvillimet politike në Shqipëri, pa pushuar së shkruari për çështjen kombëtare. Në ndërkohë u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Institutit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamëz (1922-1933), duke e shndërruar institucionin në një nga shkollat e mesme më serioze në Shqipëri. Për shkak të qëndrimit të saj antifashist, më 15 tetor 1943 u internua nga Gestapoja në kampin Anhalt (Banjicë). I mbijetoi vdekjes dhe pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe[15]. Më 17 dhjetor 1970, vdiq në Tiranë.



[1] Fatmira Musai, Gruaja në Shqipëri në vitet 1912-1939,  f. 136.

[2] Zenepe Dibra, Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare, Shkodër 2009, 484

[3] Revista “Ylli i Mëngjesit”,  Boston, viti 1917, volume. 2, nr. 9, f.284

[4] Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, Tiranë, 1997, 132

[5] Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f. 132.

[6] Fjalori enciklopedik shqiptar, II. Tiranë 2009, 1945

[7] Fatmira Musaj, v.c. 136

[8] Po aty; Më gjerësisht Muim Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi,

[9] Muin Çami, Shqipëria në rrjedhat e Historisë 1912-1924, 2007, 5

[10] Po aty, f. 132

[11] Dhimitër Dishnica, v.c. F. 141

[12] AQSH F. Kristo Dako, viti 1919, d. 16, f. 78.

[13] Po aty, f. 92.

[14] Zenepe Dibra, Fjalori enciklopedik I gruas shqiptare, Shkodër 2009, f. 484.

[15] Fjalori Enciklopedik, Pjesa e tretë, f. 2184



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx