E shtune, 03.05.2025, 01:25 PM (GMT+1)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Jashar Jashari - Komandant ''Duraku'', Luftëtari i orëve të para në Artakoll

E premte, 09.12.2011, 09:05 PM


N? 12- vjetorin e r?nies heroike t? Jashar Jasharit- Komandant “DURAKUT”

 

JASHAR JASHARI- KOMANDANT “DURAKU”

LUFTËTARI  I ORËVE TË PARA NË ARTAKOLL

 

Mëso këngët e dyfekut,

t’i shpëtosh pritës e shtegut.

(Populli)

 

Nga Bedri TAHIRI

 

Sa herë ndizej zjarri liridashës në Drenicën heroike e përcëllonte edhe Artakollin kryengritës. Mbase vetë Orët e Qyqavicës mitike ua kishin përcaktuar fatin e përbashkët. Këtë më së miri e dëshmon historia, e djeshmja dhe e sotmja. Dhe, përherë tok; në kohën e Azem Galicës, në kohën e Shaban Palluzhës, në kohën e Adem Jasharit.

Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më shpejt se të tjerat shaloi bjeshkën besnike e zemërmadhe. Ndër luftëtarët e parë, që trimërisht ia krisi hasmit shekullor ishte edhe Jashar Zenë Jashari, i njohur më tepër me emrin luftarak„DURAKU “.

 

Përherë në shërbim të atdheut

 

Jashar Jashari u lind më 16 mars 1962 në Strofc të Vushtrrisë. U rrit dhe u edukua në gjirin e një familjeje me tradita atdhetarie. Rridhte nga një mjedis kryengritës, që kurrë nuk u pajtua me pushtuesin. Më 1941, gjegjësisht më 1945, burrat e kësaj ane iu kundërvunë me armë në dorë bandave dhe hordhive të shfrenuara serboçetnike. Në atë mes ishte edhe gjyshi i tij, Jashari, një luftëtar i dalluari i Shaban Palluzhës. Edhe i ati, Zejnullahu, disa herë u keqtrajtua nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve (edhe gjatë luftës së fundit, me kalin e tij të lodhur, barti armë e municion nga një zonë në tjetrën). Ky me bashkëshorten e tij, Zejnijen nga Bivolaku (Burimi), patën shtatë djem: Mahmutin, Kosumin, Jonuzin, Jasharin, Tefikun, Faikun dhe Mahmutin.

Por, Jashari dallohej prej të tjerëve. Kërshëria e tij për historinë kombëtare dhe për trimat e vendit nuk  shuhej dot as nga rrëfimet e shumta të pleqve. Mësimet e para i mori në vendlindje. Dashuria e madhe për armën e shtyri ta regjistrojë një shkollë ushtarake. Zgjodhi atë të aviacionit në Mostar. Por, shumë shkurt. Kur cerberët e përtej Tunës tentuan t’ia ndërrojnë mbiemrin në Jasharoviq, djaloshi nuk u pajtua kurrsesi dhe e braktisi shkollën. U kthye në vendlindje dhe e kreu shkollën e mesme, dega e xehtarisë, në Obiliq (Kastriot). Më vonë u punësua në Mihjen Sipërfaqësore, në Bardh të Madh, ku punoi derisa hynë masat e dhunshme. Me të shpërthyer të demonstratave ’81 është ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesor në Kastriot e në Prishtinë. Puna e tij përcillej nga UDB-ja jugosllave dhe ndër të parët largohet nga puna...

Në vitin 1990 u detyrua të emigroi jashtë vendit, dy vjet në Suedi, një vit në Holandë e në fund, bashkë me familje, u vendos në Hagen të Gjermanisë. Kur u largua nga vendlindja e dashur, te Dheu i Bardhë qe betuar se kurdo që do të kthehej, do të kthehej i armatosur dhe me shokë për ta çliruar Kosovën. Dhe, e mbajti fjalën. Edhe në dhe të huaj nuk qëndroi duarkryq. Fill u vu në lëvizje. Përmes Shukri Klinakut ra në kontakt me LKÇK-në dhe zu të kontribuojë me mish e me shpirt për çështjen  madhore kombëtare. Sipas tij, në skenë ekzistonin dy forma për shpëtimin e vendit, e para me dy gishta dhe e dyta me një gisht. Ky besonte në këtë të fundit. andaj edhe e përqafoi pa hezitim.

Në atë rrugë e ndihmonin, pa kursyer asgjë, edhe të tre vëllëzërit që punonin në Austri: Tefiku, Faiku dhe Mahmuti. Ata, pos tjerash, për UÇK-në siguruan numrin e  telefonit: 06643454781, shpenzimet e të cilit kushtuan 28 mijë DM. Paskëtaj frymëzues të përhershëm pati dajën e vet, Avni Klinakun...

 

Beteja e Hamidisë

 

Paraqitja e tri shqipeve të lirisë, në varrimin e mësuesit Halit Geci, në Llaushë, më 28 nëntor 1997, ndezi edhe më zemrën e zhuritur të trimit sypatrembur. Ende pa u shuar mirë beteja e lavdishme e Jasharëve të pavdekshëm, pra më 6 mars 1998, ai me një grup luftëtarësh dhanë betimin në token arbërore dhe veshen rrobat laroshe të UÇK-së. Pa humbur kohë u kthye në vendlindje, në Strofcin. Andejpari vepronte edhe „BACI„(Fatmir Humolli), i cili me djemtë më të zgjedhur e më besnikë të asaj ane formuan celulat e para luftarake, të cilat organizuan pikat përballë forcave të shumta policore, ushtarake e paramilitare që ishin grupuar në fshatrat serbe, në Prilluzhë e në Plemetin. Dhe, paskëtaj veprimet e tyre luftarake s’kishin të sosur...

Jashar Jashari ishte një strateg i zoti. Atë armiku nuk munda ta zinte beftë. Organizonte natë e ditë hapjen e kanaleve dhe istikameve mbrojtëse, vëzhguese dhe luftarake. Me ngulmimin e tij, në Strofc, hapet edhe Spitali i parë ushtarak, i përbërë nga dhoma e urgjencës, dy dhoma me shtertër dhe strehimorja. Pastaj një rëndësi të veçantë i kushtoi furnizimit të ushatrëve me armë e municion...

Aksioni më i suksesshëm, që sipas luftëtarëve të asaj ane merret edhe si fillim i luftës në Artakoll dhe në gjithë Zonën Operative të Shalës,  është Beteja e Hamidisë, e cila kishte këtë rrjedhë:

...Muzgu i parë i ditës së 11 qershorit 1998 ishte ndryshe nga të tjerët. Mbi pesëdhjetë luftëtarë të lirisë kishin zënë pritë për mbrojtjen e fshatit Hamidi nga bishat gjakatare serbe. Bashkë me terrin ecte edhe kolona mortore prej disa pizgauerëve. Fati e deshi që armiku të bie në pritën e grupit të

komandant “Durakut”. Kaloi makina e parë. Arriti edhe e dyta. Sakaq u dëgjua komanda e tij: Zjarr! Dhe, vetë, si Vojo Kushi, iu hodh sipri me granatë dore. Nata u bë ditë nga flaka. Pizgaueri uturiu si bishë e plagosur e katër policët që ishin brenda mbesin në vend. Rafalet nga të dy anët trazuan natën. Edhe shumë të tjerë, të përgjakur e të shashtisur, që nuk e dinin rrugën. Nga tanët plagosen lehtë Jashar Jashari dhe Brahim Kelmendi...Shkëmbimzjarret nuk pushuan gjithë natën. Erdhën përforcime, edhe nga Drenica, edhe nga Shala...

Trimi i paepur me nofkën „ Duraku “ bëri emër, sa që u bë tmerr edhe për armikun. Atë e gjëje kudo në fronte, sa në Artakoll, sa në Drenicë, sa në Shalë.

Lufta zgjerohej. Luftëtarët shtoheshin. Armët mungonin. Para ofensivës së madhe të shtatorit 1998 me një grup shokësh shkon në Shqipëri për armatim. Atje, një kohë të gjatë, punoi në organizimin dhe mobilizimin e rekrutëve të rinj, duke i ushtruar e kalitur në Kalimash...

 

Edhe fisheku i fundit e vret shkaun

 

Mbrëmje e bukur e 27 nëntorit 1998. Në një dhomë komode në Hagen të Gjermanisë po ngjante madhështia. Trimi, që më parë nuk e kishte pëlqyer shumë kamerën, po e inçizonte një kasetë, duke u ndarë për herë të fundit nga familja e dashur. Po ua linte lamtumirën gruas, Sevdijes, dhe gjashtë fëmijëve: Vlorës, Vlorentit, Bashkimit, Mërgimes, Kushtrimit e Luljetës. Zëri i atdheut ishte më i  fuqishëm edhe se dashuria e fëmijëve.

-Kjo që ke zgjedhur ti, është rruga e lavdisë, të cilën duhet ndjekur çdo kosovar- thotë Besnik Ibrahimi, shoku me kamerë, që ka ngelur i pagojë në këtë atmosferë mahnitëse.

-Që kur ka rënë komandanti legjendar, Adem Jashari, jam betuar në kokën e këtyre gjashtë fëmijëve se nuk do të rri më në Gjermani e të bëj sehir në luksin e rremë perëndimor para ekraneve televizive me pamje rrëqethëse nga lufta në Kosovë. Dhe, kur u ktheva në fillim, ishte më ndryshe. Tashmë çdo gjë ka ndryshuar. UÇK-në po e njeh bota. Unë këto ditë kam qenë në pushim me lejën e SHP dhe nesër do të nisem për atje ku mbrohet nderi e ku maten burrat. Kjo thirrje vlen për të gjithë, edhe për ata që deri sot janë hamendur. Për t’i shërbyer atdheut kurrë nuk është vonë. Edhe fisheku i fundit e vret shkaun.  Edhe njëherë i lus të gjithë që të bashkohen rreth fatit të atdheut tonë të sakatosur, sepse kur kërcet pushka të gjitha partitë bien- përfundon ai duke i përqafur me radhë fëmijët, të cilët e kanë rrethuar e nuk i shqiten me automatikët prej plastike.

Edhe vetë atmosfera në banesë është disi impresionuese. Fotot e Adem Jasharit e të luftëtarëve të tjerë në muret përreth flasin vetë...

Të nesërmen kalamajtë i la fjetur, i përshëndeti ashtu në gjumë, dhe nga Frankfurti fluturoi drejt Alpeve Shqiptare.

 

Lulëkuqet e lirisë

 

Edhe marsi i bukur i trimërisë po rrokullisej në pakthim. Po errej dita e 28 marsit 1999. Dyzet e pesë shqipe të lirisë, të armatosur mirë e mirë, ia kishin mësyrë kufirit ndarës. Gurët e mallkuar do t’i  shndërrojmë në lulëkuqe lirie!- u betuan të gjithë.

Ky lajm ngrohu zemrat andej e këndej Trojeve Etnike. Dhe, grupi luftarak, me nga një copë lirie në zemër, përparonte. Nata bënte qetë. Sakaq, në Shishman të Bokës, ngjau hataja. Prita kobtare, në Livadhet e Qershisë, bëri të veten. Mortaja e Durakut, në orën dy pasmesnatës, trandi në themel kodrën përplot shkëmbinj. Lubia shumëkrerëshe ishte maskuar mirë dhe gjaku i lirisë rodhi rrëke. Katërmbëdhjetë emra u skaliten në histori:

Jashar Jashari,
Mehdi Zabeli,
Bujar Shala,
Nuhi Elezaj,
Jahja Danuza,
Kadri Berisha,
Mon Maqi,
Ibrahim Asllani,
Armend Qymyri,
Bujar Syla,
Xhemail Abdullahu,
Besim Rama,
Florim Sejdiaj dhe
Naim Lataj.

Obobo, sa keq! Barbarët nuk u kënaqen me kaq. Të gjithë trupat e tyre i dogjen me vaj motorri. Pas luftës eshtrat e mbetur u grumbulluan në një arkivol të përbashkët dhe me nderime të larta ushtarake u varrosen në Varrezat e Dëshmorëve, në Çabrat të Gjakovës.

I fundit nga ai është ndarë Esat Imeri nga Dumnica e Vushtrrisë, i cili me plagë në shtat mbijetoi mynxyrën. “ Në çastet e fundit të jetës së tij disa ushtarë thonë se jemi në rreth. Duraku edhe pse ishte duke ndërruar jetë merakosej për bashkëluftëtarët dhe tha: Bëne edhe ju rrethin dhe çane aty ku ka më pak gryka zjarri. Fill pas këtyre fjalëve ndërroi jetë- përkujton sot ky bashkëluftëtarë.

 

Më 1 shtator 1999 Jashar Jashari rivarroset në Bletajë (aty pushon edhe i vëllai tjetër dëshmor, Jonuz Jashari, rënë më 18 prill 1999 ), në Varrezat e Dëshmorëve, duke u nderuar me dekorata e medalje të shumta nga SHP i UÇK-së dhe nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx