Faleminderit
Fazli Maloku: Ismajl Naman Prokoroxha, dëshmor (1920 - 1944)
E merkure, 14.12.2011, 09:05 PM
Ismajl Naman Prokoroxha, dëshmor (1920 - 1944)
(Përkujtim, me rastin e 67-vjetorit të rënies në altarin e lirisë)
Nga Fazli Maloku
Ismajl Naman Prokoroxha, lindi më 1920, në fshatin Radoshec të Prishtinës, nga babai, Namani dhe nëna Hamide, në një familje të varfër por bujare dhe e ndershme. Familja e Ismajlit, si edhe shumë familje të tjera shqiptare, u shpërngul dhunshëm nga fshati i tyre stërgjyshore, Prokoroxhë, i Sanxhakut të Nishit, Në shpërnguljet masive të popullatës shqiptare autoktone nga ushria dhe gjindarmëria serbiane, përmes tytave të zjarrit dhe bajonetave, dhe jo vetëm kaq por edhe duke ua konfiskuar gjithë pasurinë që e dispononin! Për këtë gjenocid ishte në dijeni edhe Evropa e cila nuk ndërmori asnjë veprim që ta ndalonte këtë tragjedi të qindramijëra familjeve shqiptare! Nga familja e madhe Prokoroxha,thuhet se kësaj ploje i shpetuan vetëm tri familje, të cilat u vendosen në teritorin e sotëm të Kosovës, njëra në fshatin Batllavë, e dyta në fshatin Ballaban dhe e treta e Ismajlit në Radoshec, në një tokë të askujt-mera, në mes fshatrave Radoshec dhe Grashticë.
Prindërit e Ismajlit, Namani e Hamidja, rritën pesë fëmijë: Xhemajli, Ismajli, Avdija, Zyla dhe Sabilja. Këta u rritën në një skamje të mjerueshme, ku me një petë lakrori gatuheshin tre lakrorë! Pa veshje e mbathje. Çuditërisht, Ismajlit, nëna natyrë i kishte dhuruar shëndet, trup atleti dhe një bukuri të mahnitshme, e mbi të gjitha mençuri e trimëri.Ismajli, ishte edhe rapsod popullor. Me çiftelinë e tij, të cilën e zotëronte për mrekulli, ishte prezent në të gji9tha dasmat që organizoheshin në këto anë. Në këto dasma, Ismajli këndonte këngë trimash sidomos ato kreshnike për Mujin e Halilin e të tjera. Ishte e pamundur të mos e shihje Ismajlin në ballë të çdo vargu dasmorësh të cilët shkonin të merrnin nusën, me një fjalë atij i takonte gjithmonte vendi i nderit- i bajraktarit të dasmorëve.
Lufta e Dytë Botërore (1941-1945), Ismajlin e gjeti ushtar i Ushtrisë Mbretërore Jugosllave, me sherbim në qytetin e Shkupit, në gjininë e topxhinjve. Siq është e njohur, kjo ushtri dështoi me turp para okupatorit gjerman dhe Ismajli si edhe shumë ushtarë tjerë shqiptarë që mezi kishin pritur të dezertonin nga kjo ushtri e turpit dhe e dhunshme për të gjithë të rinjët shqiptarë, pa hezituar kthehen në familjet e tyre. Motra e vogël, Sabilja, kështu e përshkruante kthimin e të vëllait në familje: " Lufta kishte filluar. Të gjithë familja merakoseshim për fatin e Ismajlit. Ne dy motrat që ishim posa të martuara qanim me lot për çdo ditë dhe luteshim për jetën dhe shëndetin e vëllait tonë Ismajlit. Ma në fund ai erdhi. Me padurim shkuam menjëherë në gjini për ta parë. Nga uniforma kishte larguar vetëm kapelën ushtarake. Pra ishte i veshur me uniformë ushtarake, në këmbë mbante qizme me "mamuze". I tëri shkëlqente dhe bukuria e tij ti mirrte mendët. Gëzimi në familje ishte i papërshkrueshëm."
Pranvera e vitit 1944, mbi qiellin e Kosovës kishte sjellur re ogurzeza, sikur paralajmëronin stuhi të fuqishme dhe rreziqe për popullin shqiptar dhe trojet e tija Arbërore. Shumë ushtri të huaja kishin mësy tokat Arbërore. Siq thoshte populli: " Ishin bërë bashkë, shkie e bugarë"! Megjithatë, pranvera kishte filluar blerimin e saj. Motra e Ismajlit- Sabilja kujton:" Një ditë tek dyert e oborrit thirri një shok i vëllait- Ismajlit, Asllani i Lamit, nga Grashtica, ( e jo Adem Idriz Krasniqi, siq shkruan Ali Berisha nëë librin e tij: Bashkia e llukarit, fq-102-F.M), i cili ishte mocanik i Ismajlit. Asllani e luti Ismajlin,që ta merrte çiftelinë dhe të zbritnin te "K roni i Ahut" për ta larguar sadopak monotoninë e kohës. Ismajli, doli me çfteli në dorë dhe vazhduan te kroni. Aty filloi kënga e çiftelia. Ndërkohë, atypari kalojnë dhjetëra shqiptarë, thuhej se qenë drenicakë me pushkë në duarë. Afrohen për ta shuar etjen tek Kroni i Ahut. Njëri nga ta i provokon keq djemt: " Si nuk keni turp të këndoni e të qëndroni këtu, e vëllezërit e juaj po vriten në kufi me shkije e bugarë"?! Dhe vazhduan rrugën drejt kufirit, në drejtim të Prapashticës. Sedra e Ismajlit u thye keqas. U ngrit në këmbë. Rroku çiftelinë me të dyja duartë duke e përplasuer për rrasen e kroit e duke e bërë cop-copë! Iu drjetua shokut të tij, Asllanit: U poshtruam keq para atyre trimave. Që nga ky moment unë do të shkoj në frontin e luftës, nëse do të më shoqërosh eja. Asllani u kthye në shtëpi dhe nuk e shoqëroi! Ndërsa, Ismajli erdhi në shtëpi, rroku "taljankën" për të cilën shpesh thoshte: "Në taljankën time mund të flijnë 13 qura", u përshëndet me të gjithë familjen, edhe me nusen e tij- Rabën, nga fshati Shajkoc, të posamartuar, bile Raba ishte shtatëzinë dhe prisnin fëmijën e tyre të parë. Ndarja ishte normalisht e vështirë, por për Ismajlin, Atdheu ishte mbi të gjitha. Unë për fatin tim të keq qëllova aty në këtë nisje drejt lirisë e flijimit dhe nuk e pashë më për të gjallë!"
Siq na rrëfen historia, viti 1944, për shqiptarët paraqiste një sprovë ndër ma të vështirat. Shumë ushtri pushtuese kishin shkelur tashmë me vite tokën e Shqipërisë Etnike. Boshti fashist: Gjermani-Itali- Bullgari e kishte pushtuar gjithë Shqipërinë. Shumë shqiptarë, ardhjen e Gjermanisë fashiste e përjetuan si "çlirim" nga zullumi i shkaut për dekada të tëra! Kufirin verilindor që nga Pazari i Ri e deri në Preshevë e Kumanovë, e kishin mësyrë për sulm dhe ripushtim ushtri të shumëta serbo-ruso-maqedono-bullgare. Vetëm në frontin lindor më datën 10-11 nëntor sulmonin: Divizioni i 46 serbian, dy brigada tëtë Kosmetit dhe një Divizion bullgar, të komanduar nga oficerë rusë. Urdhëri për pushtimin e Kosovës ishte i prerë: Të pushtohet Kosova me çdo kusht dhe me çdo çmim! Oficerët rusë në prapavijë kishin vendosur "njësitin ndëshkues", të gjithë ata që duan të provojnë të zbrapsen, të pushkatohen pa hezitim. Nga oficerët rusë u pushkatuan shumë ushtarë e oficerë bullgarë! Bullgarët kishin mbetur në mes dy zjarreve të fuqishme. Nga njëra anë, forcat ushtarake shqiptare " Roje e Kufirit" dhe në prapavijë të tyre, " njësiti ndëshkues" rus! Kundruall kësaj situate tepër të ndërlikuar, burrat trima shqiptarë, si çdo herë më parë në situata të tilla, kishin rrokur armët për ta mbrojtur Vatanin me çdo kusht e sakrificë. Ishte formuar Ushtria vullnetare: "Rojë Kombëtare e Kufirit" e ndihmuar edhe nga Regjimenti i IV i Ushtrisë së Mbretërisë Shqiptare me seli në Prishtinë, me komandantët: Rexhep Gjilani dhe Fuad Dibra (Libri: Mulla Idris Gjilani, autor: Dr Muhamet Pirraku, fq.-37). Vijen kufitare Shqipëri- Serbi, që nga Merdari e deri në Preshevë, e mbronte Ushtria Kombëtare Rojë e Kufirit nën komandën e patriotit, Mulla Idris Gjilanit, sipas vendimit të marrë në( Kuvendin e mbajtur më 2 Gusht 1943 në "Pazarishtë" të Gjilanit, me pjesëmarrje të mijëra shqiptarëve të armatosur, kryesisht të Anamoravës e të Kosovës Lindore (po aty, fq-51). Trimi i pa epur, Mulla Idris Gjilani, kishte lëshuar kushtrimin:
" Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një flamur, një gjuhë, një diell e një zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut." ( po aty, fq-37). Luftimet e përditshme ishtn tepër të përgjakshme. Luftohej edhe fytafytas me bajoneta. Gjaku nga të dyja palët shkonte rrëke. Beteja tepër të përgjakshme u zhvilluan në Prapashticë e Mutivodë si dhe në Velegllavë e në Kikë. Prrojet e këtyre bjeshkëve bartnin më shumë gjak se ujë! Ismajli luftonte si një lua në frontin e Prapashticës tek vendi i quajtur "Lisica" dhe "Pajat". Bashkëluftëtarët e tij në deklaratat e marra nga autori i këtij shkrimi me nostalgji e përkujtojnë:
Xhemajl Berisha- Radosheci, i njohur në popull si Xhemajli i Verdisë, deklaron: " Me Ismajlin luftuam muaj të tërë, nga një betejë tek tjetra. Sytë e mi nuk kanë parë më trim dhe i vendosur. Kishte edhe strategji dhe zanatë për mjeshtrinë e luftës. Kishte bërë edhe sherbim ushtarak. Taljanka e Ismajlit rrotullonte armiqtë si të ishin kunguj. Sa e shifte syri i njeriut, Ismajlit asnjëherë nuk i shkonte fisheku huq. Përballë nesh ushtri e madhe serbo-ruse- maqedono- bugare. Këta të fundit shtinin me minahedhësa pa ndërprerë. Në një moment e shikova ku është Ismajli. Ishte shtrirë pas një ahu të trashë, por me që ai ishte trupgjatë trupi i kishte mbetur i zbuluar i tëri. E porosita që të ket kujdes edhe për trupin e jo vetëm për kokën e tij. Ai ma ktheu: " Mua vetëm në kokë mos të me godet, për ngjeti se kam dert!" Pa mbaruar mirë fjalën u dëgjua fishkëllima e një predhe armike. Ajo goditi në mes meje dhe Ismajlit duke na mbuluar dheu e llomi. Ismajli më thirri:" Xhemajl a të kapi bre"? Jo i thash. Po ty Ismajl? " Diçka më ka shkuar të nxehtë trupit por unë e përballoj besoj". Menjëherë vrapova. Ishte mbështetur për trupin e ahut. Nga këmba e djathtë i dilte gjaku rrëke! Ishte zverdhur shumë. Me duar mbante pjesën e djathtë nën bri të stomakut. Aty i kishte depërtuar pjesë e granatës. Me fat plaga Ismajl - i thash!. "Jam i fortë ende Xhemajl-ma ktheu me gjysmë zëri". Me ndihmën e bashkëluftëtarëve tonë që u ndodhën në afërsi: Adem Zejnullahu dhe Rexhep A. Berisha, improvizuam një lese dhe e sollëm në shtëpinë e Hamit Govorit. Prej aty, me një koleshnik i tërhequr nga qetë, e nisëm për në Keqekollë ku punonte një mjek gjerman. Pas kontrollës së mjekut gjerman, i cili nuk mundi me ia nxjerrë ciflën e predhës nga stomaku, na preferoi ta nisnim për në Prishtinë. Rruga ishte me borë dhe mjaftë e vështirë për ta përballuar. Me të arritur në qafën e Stallovës, Ismajli na luti që ta ndalnim qerren ngase nuk ndjehej mirë. Këtu edhe pushoi së rrahuri zemra e luftëtarit të lirisë, Ismajl N. Prokoroxhës. Dhëmbja për Ismajlin, për ne shokët e tij të luftës ishte e madhe. Por duhej përballuar. Vazhduam rrugën për në fshatin e tij në Radashec. Në varrezat e familjes së tij u varros me pak njerëz, sepse ishte kohë lufte shumë e vështirë. Ismajlin do ta kujtojë derisa të më rrah damari i fundit".(Deklaratë dhënë autorit të këtij shkrimi, në odën e tij në Radashec, në nëntor 1968).
Ndërsa në deklaratën e tij, Ali A. Abazi, nga Prapashtica, bashkëluftëtar i Ismajlit, më datën 10.06.2007, në moshën 92 vjeçare, në shtëpinë e tij në Prishtinë dhënë autorit të shkrimit deklaron:
" Ismajl Prokoroxha, buronte nga një familje atdhetare e patriotike. Ka qenë një trim i pa shoq. Ka qenë azgan i madh që syri nuk i bënte vërr. Me familje ka jetuar në mes fshatrave Radashec e Grashticë. Në vitin 1944, kur Kosova dhe shqiptarët ishin në rrezik nga armiqtë serbo-partizanio-çetniko-bullgar. Rinia Kosovare u organizua në formacionin ushtarak vullnetar " Rinia Për Mbrojtjen e Kosovës", ose ndryshe quhej edhe si "Batalioni i Rinisë". Kryetar i kësaj Lëvizje u zgjodh, Shashivar Ali Cufa, ndërsa zavendës i tij për Llap e Gollak u zgjodh, Ismajl Prokoroxha, i cili edhe vepronte në frontin e luftës. Ismajli me shokë iu bashkua forcave vullnetare në mbrojtje të kufirit të Kosovës që nga mësymja e forcave serbiane Kosovës. Në luftën që zhvillohej në Lisicë të Prapashticës, në vendin e quajtur " Rogat e Bjeshkës", Ismajli u godit nga një pjesë e predhës së minahedhësit dhe u plagos rëndë. Me që nuk kishim kurfar mjetësh për ti dhënë ndihmë, Xhemajl Radosheci e rroku në shpinë, për ta larguar nga vija e zjarrit, ngase predhat vazhdonin të binin si topa bore. Rrugës për në Prishtinë, me të arritur te lagja e "Spahiajve" të Keqekollës ndërroi jetë. Në këtë moment mu duk se edhe zemra ime pushoi së rrahuri. Dhëmbja për Ismajlin ishte e madhe. Ate e donin të gjithë. E varrosem me pak njerëz, në varrezat e familjes së tij në Radashec. Kjo ka ndodhur diku në fund të tetorit apo mesi i parë i nëntorit 1944. E di se Rinia Për Mbrojtjen e Kufirit të Kosovës, ka vazhduar aktivitetin luftarak, ku janë të njohura betejat luftarake të zhvilluara me 2,3 dhe 4 dhjetor 1944, në rrethinën e Ferizajit. Lavdi për jetë e mot dëshmorit të lirisë: Ismajl N. Prokoroxha"! Ali Abazi jep edhe këtë listë të dëshmorëve të rënë në këto beteja:
1.Ismajl Prokoroxha, nga Radasheci, i vrarë,
2.Daut Pllana, nga Bakshia, i plagosur,
3.Beqir Ahmeti, nga Prapashtica, i vrarë,
4.Tafë Rexhaku, nga Prapashtica, i vrarë,
5.Lah Zymeri, nga Prapashtica, i vrarë,
6.Azem Namani, nga Prapashtica, i vrarë,
7.Adem Avdyl Radinoci, nga Prapashtica, i vrarë,
8. Hamit Hysa, nga Prapashtica, i vrarë,
9.Shaban Osmani, nga Keqekolla,i vrarë,
10.Ramë Ahmeti,nga Keqekolla, i vrarë,
11.Brahë Mareci, nga Keqekolla, i vrarë,
12.Isuf Bejta, nga Keqekolla, i vrarë,
13.Imer Hajdari, nga Grashtica, i vrarë.
Bacë Aliu, i përkujton me lot e mallëngjim bashkëluftëtarët e tij dhe për secilin prej tyre me një kujtesë të freskët e të pabesueshme për moshën tregon epizode lufte nga ma të ndryshme.
Bashkëluftëtari tjetër i Ismajlit: Behë Lah Kadriu, nga fshati Kolaj (ish Koliq), kujton :
Ismajl Naman Prokorxha ishte një djalë drangua që nuk ta kishte parë syri. Kam nderin të deklaroj se isha luftëtar nën komandën e tij. Për merita të luftës ai u caktua Komandant i Batalionit Të Rinisë, për Llap e Gollak. Djalë më të hjeshëm dhe ma trim nuk kam zatet. Në frontin e Prapashticës, viti 1943-44, zhvilloheshin luftime po thuaj të përditshme. Shkije e bugarë kishin mësy tokën e Kosovës. Ismajli në vijen e frontit gjithmonë barrigadohej 20-30 metra para nesh, si komsndant që ishte. Ishte fillimi i nëntorit 1944. Për çdo ditë që kalonte, luftimet ashpërsoheshin. Predhat e minahedhësve armik thuaje se po e digjnin edhe tokën. Ne nuk lëviznim nga pozicionet tona. Nga thirrja e Xhemajl Radashecit mësova se Ismajli u plagos rëndë. Meqë Ismajli ishte trupmadh, duhej ndihma për ta tërhequr nga vija e zjarrit. Për pak minuta u afrova tek Ismajli, i cili ishte mbështetur për një ahu dhe gjaku i shkonte rrëke nga fundi i këmbës së djathtë. Bora për rreth tij ishte e tëra e skuqur me gjakun e tij të njomë. Nuk rënkonte, bile edhe na jepte kurajo:" Shokë, nuk kam plagë të rëndë. Më duhet pak një pushim i vogël. Nuk ju la vetëm"! I tërë trupi më dridhej nga dhëmbja. Nuk munda as të flas. Pa humbur kohë me këmishen e trupit ia lidhëm plagën dhe u munduam të ia ndalim gjakderdhjen por gjithçka ishte e kotë. Ismajli në rrugë për në Prishtinë, në afërsi për të dalë në qafë të Stallovës e përfundoi jetën e tij. U varros me pak njerëz në varrezat familjare në fshatin e tij të lindjes, në Radashec. Ismajlin nuk mund ta harrojë derisa të më rrahi fryma e fundit."
Motra e madhe e Ismajlit, Zyla, përkujton: " Sa ishte në luftë erdhi tek unë në Shajkoc ku isha e martuar, për të më ngushlluar për burrin që mu kishte vrarë pak muaj më parë në luftë me çetnikët. Kishte marrë pak ditë pushim. Të gjithë u gëzuam. Mbeta vetëm me djalin tre vjeçar, Shabanin. E luta që të kthehej në shtëpi tek familja, duke ia përkujtuar se e kishte lënë edhe ai nusen e re shtatëzënë. Gjendja ime e shqetësonte, sepse kisha mbetur vejë shumë e re. Ismajli mu përgjigj: "Kur ta hjekim edhe ushtarin e fundit pushtues nga toka e Shqipërisë, unë dhe shokët e mi ju kthehemi familjeve tona. Pa liri nuk na duhet as jeta e as familja"! Mori pushkën në dorë dhe u nis drejt kufirit, ku lufta vazhdonte. Kaluan edhe pak muaj dhe mora lajmin për vrasjen e Ismajlit. Lajmin ma solli vëllai im i madhi, Xhemajli. Mu dok se mu hoq kapaku i kresë. Qava me za, si motra për vëlla. U nisem menjëherë për në Radashec me shpresë se do ta gjejmë pa e varrosur. Në fshatin Halabak e mora edhe motrën time më të vogël, Sabilen. Koha ishte e ftohtë dhe me borë. Edhe motra e kishte një vajzë, Eminen disa mujshe, të cilën e mbante në duar sikurse edhe unë djalin tim. Duartë na ishin mpirë fare dhe nuk e dinim se janë tonat!.Tërë rrugën disa orëshe e kaluam duke qarë me zë. Një plak i fshatit Sharban që rastisi në rrugë e pyeti vjehrrin tim, Xhemën. Çka kanë bre vëlla ato motra që po e bëjnë gjithë kët vajë?". Vjehrri i tregoi se ju është vrarë një vëlla në luftën e kufirit. Plaku foli: " Lumë ai për vete dhe të lumet ju që e keni pas një vëlla të tillë. për ata që vdesin për Vatan nuk duhet me qajtë". Kur arritëm tek shtëpia kuptuam se varrimi ishte kryer. Shkuam te varri te dy motrat dhe i ramë sipër duke qarë me sa zë që kishim. E lutem babain që ta shplojmë dhe ta shohim edhe një herë vëllain tonë, por ai nuk pranoi. Kështu unë e zeza mbeta edhe pa burrë edhe pa një vëlla më të mirin. Që nga ajo ditë unë nuk kam përjetuar gëzime"!
Në këtë mënyrë, dëshmori: Ismajl N.Prokoroxha e dha hisen e vetë të kontributit për Shqipërinë Etnike, duke e lënë nusen, Rabën, e cila muaj më vonë e lindi djalin, duke e emruar me emrin e babait- Ismajl, i cili po ashtu vdiq para pak javësh, ku për 67 vite jetese i kaloj në skamje e mjerim, pa patur po thuaj ditë gëzimi!! Nipi i dëshmorit, Ismajlit, Arsimi me familje jeton në Prishtinë, rruga: Dëshmorët e Prapashticës, Nr-79, ndërsa motra e madhe, Zyla, në moshën 90 vjeçare, jeton ende në fshatin Shajkoc të Podujevës. Si grua e dëshmorit, si motër e dëshmorit, në skamje e mjerim, pa asnjë përkujdesje nga organet kompetente të Kosovës!!! Me të drejtë shtrohet pyetja: Po sa familje dëshmorësh të të gjitha brezave jetojnë sot në një gjendje të tillë?! Poeti i madh Rexhep Hoxha, do të thoshte: " E po ku jemi ore burra"?!
Luftimet e nëntorit në mbrojtjen e kufirit të Kosovës në pjesën verilindore të saj ishin edhe shpresa e fundit e popullit shqiptar që Kosova të mbetet pjesë e Shqipërisë Etnike, gjegjësisht nuk do të ripushtohej nga sllavët. Por me tërheqjen e Regjimentit të IV-të të Ushtrisë Të Mbretërisë Shqiptare, si edhe tërheqja e Ushtrisë së Gjermanisë fashiste të cilës po i vinte fundi, rezistenca e Ushtrisë Vullnetare Kombëtare Për Mbrojtjen e Kufirit zbehej për çdo ditë që kalonte. Tanimë në teritorin e Kosovës kishin depërtuar triumfalisht Divizionet e Ushtrisë Shqiptare antifashiste e çlirimtare, të cilat me luftime titanike kundër hordhive fashiste çlironin pëllëmbë për pëllëmbë Kosovën dhe jo vetëm Kosovën, por dhanë hisen e vetë si Aleatë të Aleancës Antifashiste, për të luftuar dhe çliruar edhe teritore që nuk i përkisnin Shqipërisë, siq ishin Mali i Zi e Bosnja. Me ardhjen e Ushtrisë Shqiptare antifashiste e çlirimtare, popullsia shqiptare e Kosovës shpresonte se pas luftës Kosova dhe pjesët e tjera shqiptare të pushtuara nga sllavët do ti ribashkoheshin Shqipërisë Nënë dhe se do të zbatohen marrëveshjet e Konferencës së Bujanit, e mbajtur me 31 dhjetor dhe 1-2 janar 1944, në Bujan, e ku përcaktohej qartë se pas luftës së Dytë Botërore, çdo populli, pra edhe popullit shqiptar, do ti ipej e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje, me një fjalë Kosova dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi do ti bashkohen Shqipërisë Nënë. Për këtë arsye forcat mbrojtëse të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e kufirit të Kosovës po thuaj pushoi fare së rezistuari, duke mos dashur vëllavrasje. Ata që rezistuan deri në fund u shtypën mizorisht. Për fat të keq siq dihet çeshtja shqiptare jo vetëm që nuk u zgjidh por u ripushtua nga Armata Jugosllave, dhe iu nënshtrua një regjimi të Titos edhe më gjakpirës, edhe më dinak se të parët, duke bërë çdo gjë që shqiptarët e ripushtuar nën Jugosllavinë e Titos, të shypen me forcën e pushtetit, vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore në trojet shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, sipas të dhënave shkencore që na i ofron Dr Ali Hadri, vriten në mënyra të ndryshme mbi 40.000 mijë shqiptarë, gjini e moshash nga ma të ndryshme! Shpërngulen për në shkrepat e shkretinës së Anadollit me mijëra sish. Izolohen hermetikisht nga shteti amë Shqipëria, e masa të tjera represive siq ishin ndalimi i Flamurit Kombëtar, ndalimi i shkollimit në gjuhën shqipe e shumë të tjera! Kjo gjendje pa liri dhe pasigur zgjati me dekada të tëra deri sa doli Dalëzotësja, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila me sukses zhvilloi një luftë të pastër çlirimtare, duke përvetësuar kështu edhe botën demokratike përparimtare e në veçanti NATO-n, forcën më të madhe ndërkombëtare, dhe duke i bashkrenditur sulmet ajrore të NATO-s me Forcat e Këmbësorisë së UÇK-së , detyruan forcat ushtarako-policore e paramilitare kriminale të Millosheviqit, ta nënshkruajnë kapitulimin. Kështu do të realizohet ideali për të cilin ranë dëshmorë shumë breza në mesin e tyre edhe Ismajl Prokoroxha me shokë. Për ne që jemi gjallë, mbetet të punohet me seriozitetin më të madh për realizimin e RIBASHKIMIT TË KOSOVËS DHE PJESËVE TJERA SHQIPTARE ENDE TË PUSHTUARA NGA SLLAVET DHE TË KRIJOHET SHQIPËRIA ETNIKE. Vetëm atëherë shpirtërat e mijëra dëshmorëve të të gjitha brezave do të qetësohen, dhe shqiptarët do të ndjehen të sigurtë dhe do të krijohen mundësit që të shfrytëzohet i gjithë kapitali njerëzor e matrial kombëtar që shqiptarët krenarë e të dinjitetshëm ti bashkohen Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Rruga dhe përspektiva e shqiptarëve në këtë fillimshekulli janë të qarta nëse dimë ti shfrytëzojmë dhe nuk mbisundon TRADHËTIA si herave të tjera. Po të mos e bëjmë Shqipërinë me këto kushte shumë të volitshme që na i ofron faktori i jashtëm ndërkombëtar dhe mbështetjen që e kemi nga miqtë tanë të sinqertë në krye me SHBA-n, brezat do të na mallkojnë! Atdheu do të na mallkojë!
Lavdi dëshmorit: Ismajl Naman Prokoroxha!
Lavdi gjithë dëshmorëve të Kombit të të gjitha brezave!
Rrnoftë Shqipëria Etnike!