E premte, 02.05.2025, 09:44 PM (GMT+1)

Faleminderit

Mazllum Saneja: Naim Zajmi - Poet i triumfit heroik

E merkure, 25.01.2012, 09:05 PM


NAIM ZAJMI – POET I TRIUMFIT HEROIK

 

NGA MAZLLUM SANEJA

 

Furtunat në këtë botë

Për njeriun qenkan krijue

Që në vuajtje e gëzim

Ai me jetue

Në tallase të mëdhaja

Qëndro e banu burrë

Që emni yt i shtrenjtë

Mos t ‘harrohet kurr ....

 

Kushedi sa herë kam marrë mundimin të shkruaj për poetin dhe atdhetarin e flaktë Naim Zajmin, por sërish e shkyeja atë shkrim timin, se pandehja që nuk do të mund të shfaq atë që ndiej në thellësinë e shpirtit tim – për poetin, që gjithnjë më magjepsi me vargjet e tij poetike.

Po, e ka vështirë njeriu të flas për poetët dhe atdhetarët e llojit të veçant (çfarë ishte figura e ndritshme e Naim Zajmit, i cili i kaloi vite të tëra nëpër burgjet famëkëqija serbosllave të Jugosllavisë policore të Nishit dhe të  Goli Otokut), që i do dhe i çmon shumë, pa arritur të mbetet ndonjëherë i ftohtë kundrejt tyre. E ka vështirë, se pothuajse kurr nuk mbërrin të thotë gjithçka që do të thotë, se asnjëherë  nuk është i sigurt, se ka shprehur shpirtin e poetit dhe atdhetarit, që ky vetë e ka shkrirë në vargjet e tij.

Naim Zajmi u lind në Gjakovë më 1928 në një familje intelektualësh, kultivuar me tradita te fuqishme patriotike. Babai i tij, Shaban Zajmi ishte luftëtar, patriot, atdhetar, veprimtar i paepur i përhapjes së gjuhës dhe librit shqip e edhe poet. Duke ndjekur gjurmët e babait të tij, Naimi qysh i ri, akoma pa i mbushur 15 vjeç zë të shkruajë poezite e para, që më vonë do t’i botojë në shtypin e kohës.

Sapo të hapim librin “Jeta dhe Vepra” e Naim Zajmit, që është një përmbledhje vjershash dhe poemash tronditëse që janë si një dokument i hidhur i jetes së vetë poetit dhe viteve të stuhishme te luftës , që dëshmon për vitet e burgut, për poezitë e shkruara në fletoret e burgut, që çuditërisht do t’i nxjerr fshehurazi. Të gjitha këto poezi kanë shpëtuar fal edhe kujtesës së fuqishme të poetit.

Dhe falë kësaj – poezisë mbijetoj dhe shpëtoj fizikisht edhe shpirtërisht. Poezia e shoqëroi në ferrin e vetmisë, të vuajtjes, i mbeti besnik dhe bashkëbisedues në çastet më të vështira të jetës për të ekzistuar, duke mos u dorëzuar  kurrë, duke ruajtur nderin, dinjitetin dhe guximin njerëzor dhe krijues, ndonëse përjetonte ferrin fizik dhe terrin shpirtëror. Po, akti shpëtimtar i poezisë e shpëtoi poetin  madje edhe nga çmendia, po edhe njeriun nga mishi i gjallë, i cili ballafaqohej me fatin e vet dhe me fatin tragjik të popullit të vetë:

“Tash i mbyllun si i çmendun n’vetmi

Po i mbushi 26 vjet në terrin e burgut të zi…”

 

Nga kjo sprovë e vështirë doli fitimtar porsi Prometheu dhe, i mbeti besnik idealeve të tij dhe vlerave themelore morale: Besimi, Shpresa dhe Dashuria. Poetin gjithnjë e ushqente shpresa, besimi dhe dashuria se një ditë Atdheu i tij, Kosova do ta gëzoj lirinë te pranguar në Jugosllavinë e atëhershme policore:

“ Ti lule prapë ke me lulëzue…”

Si dikur  poeti që kujton me gjakim djalërinë:

 

“Dhe unë si ti dikur n’saksi

Lulzojsha në çdo nadje me plot bukuri

E tash jam thar e vyshk oj lule e shkret’“

Poezitë “ Vjershë”, “Ti lule prapë ke me lulëzue”, “Bylbyli n’ kafas”, “Vajtimi i bylbylit”, “Kangë”, “Jeta”, “Zogu”, “Vjershë”, “Burgu”, “Vjershë”, “Hija ime”,  “Vjershë kujtimi” (i burgosuri),  “Vallë, kjo qenka jetë”, “Vjershë”, “Andrra”, “Vjershë vajtimi”,” Në Ishullin e thatë”  etj. përbëjnë një tërësi të fuqishme poetike të poezisë të martirologjisë sonë të burgjeve.

 

Poetin gjithnjë e ka ushqyer  shpirtërisht dashuria, dëshmi dhe shfaqje e së cilës është kultivimi i vlerave të jetës së paçmueshme, që e mban të gjallë në jetë, të  mbijetojë, të ekzistojë, të jetojë dhe të ketë besim në fitore mbi format e errëta të dhunës. Poeti dhe atdhetari ynë i flaktë, Naim Zajmi askurrë nuk do t’ i harroj ato vite të panumërta nëpër qelitë e burgjeve të Nishit dhe të Goli Otokut, i cili net të tëra të gjata te Bartolomeut  mes thikash do t i përjetoj si net të trishtme përplot tortura e vuajtje:

“Ç ka t’ i bojsh tash fatit, veç një dalje kam

Që ta qetësoj veten mos t’ mendoj asgja

Po e vërej kohen që kalon n’ shpejtësi

Mbramjen po e pres që të bij të flij”

 

Apo vargjet tronditëse të  poezisë  “Vjershë” që të rrëqethin:

“Mesi i natës kish qenë

Kur filloi gjumi me m’ dalë

Çel sytë e s ‘shof njeri

E pashë veten se jam në qeli”

 

Në dritën e zbehtë të kandilit, në qelitë e burgut poeti Naim Zajmi do të shkruajë nganjëherë me gjak poezitë më tronditëse e më të bukura për babain ,që në jetë e pati mësues shpirtëror, për nënën hallemadhe, për bashkëshorten e re,  motren, fëmijët e vegjël, se burgu ia rrëmbeu rininë, ngrohtësinë njerëzore, po askurrë nuk mundi të ia rrëmbej përfytyrimet dhe ëndërrimet.

Ëndrra – ky motiv aq i shpeshtë në poezinë e  Naim Zajmit. Në përfytyrime i faniteshin poetit dy vëllezërit e tij Hysniu dhe  Musai, që ranë për liri si dëshmorë , që poeti në poezitë e tij i ngre shëmbëlltyrat e tyre heroike në statuja arti. Pastaj, i përfytyrohet Atdheu, Kosova, që ishte akoma nën robërinë e Jugosllavisë policore . Dhe, poetit, ëndrra i dukej si një letargji, që ishte formë e mbijetesës karshi rrezikut të pareshtur të vdekjes :

“Netët e gjata të dimnit i kalofsha

Shpesh n ‘andrra t vështira gjumin e mbarofsha

N ‘ mëngjes kur u gdhisha andrra më kalonte

Dita si një vit kurrsesi s’ më shkonte”

 

Të mrekullueshme janë poezitë kushtuar bashkëshortes, mikes së tij besnike, që poeti figurën e saj e ngre në një simbolikë nderi, sakrifice dhe dinjiteti:

“Jetën me ty e fillova

N ‘sytë e tu t’ agimit botën shikova

Oj grue e dashtun

Zemrën ta dhurova...”

 

Naim Zajmi mbijetoi shpirtërisht dhe fizikisht falë stoicizmit, besimit, shpresës, guximit, dashurisë  dhe, më në fund falë poezisë, të cilën e shkroi me gjak në kujtesën e vet, duke shpëtuar dinjitetin dhe njerëzoren. Po, vitet e burgut u bënë gjatë për të një pikë referimi karshi realitetit te ballafaquar. Tashmë poeti përgjithnjë do të mbart në vetvete

peshën e së kaluarës, ferrin fizik përplot plagë, ankth, frikë, vetmi, vdekje, rënkime e klithma. Dhe poeti Naim Zajmi e pati të vështirë të lirohet nga këto trauma psikike dhe tortura çnjerëzore, që i përjetoi në burgjet famëkëqija te Nishit dhe të Goli Otokut , që u nguliten aq thellë në psikiken e tij.

Ky libër i dhembjes dhe i durimit prometheik të një triumfi heroik, do të mbyllet me Ditarin, që e mbajti poeti kah fundi i jetës. Sa prekëse janë fjalët dhe mendimet e tij kur shkruan tërë drithërimë:” Krevati për mua është bërë instrument torture, që e rrethojnë engjëjt e zi: sëmundja dhe vdekja”.

Naim Zajmi është, para së gjithash, poet i kujtesës dhe i historisë së dhembshme e krenare te fatit tonë historik, që shpalos para lexuesit tërë imazhin rrëqethës  e tragjik përplot tronditje dhe dridhma të mëdha të shpirtit njerëzor.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx