Faleminderit
Beqir Cikaqi: Presidenti historik - Dr. Ibrahim Rugova
E shtune, 21.01.2012, 06:58 PM
Opinion dhe evokim nga Beqir Cikaqi, në përvjetorin e vdekjes
PRESIDENTI HISTORIK - Dr IBRAHIM RUGOVA
Në qafë mban shallë, me flokë si të pakrehur,
me rrudha në ballë-gjithëmonë mendjeprehur!
E nisa me këta dy vargje këtë shkrim, që i kisha shkruar në një letër të bardhë qysh prej vitesh, e tani jan bërë mbi dy dekada. I pata adresuar për njeriun , në të cilin e fitova besimin. Në realitet nuk isha vetëm unë që e fitova besimin, por duke e parë këmbëngultësinë, intelegjencen, diturinë dhe atdhetarizmin e tij, e fitoi besimin tek e gjithë masa popullore shiptare, e ma vonë edhe në mbarë botën e arsyeshme civilizuese. Ndërsa, e urrenin sunduesit, pushtuesit dhe përkrahësit e tyre të mjerë.
Kishte arsye pse e mbante shallin, madje e pat sqaruar publikisht. Por, për rrudhat e krijuara në ballë kurr nuk dha sqarim. Sqarimin e tyre e kuptoi vet masa e gjërë popullore shqiptare. Ndërsa sa i përket flokëve, as nuk kishte kohë, por as që i ipej t’i rregullonte, e mos të flasim lyerjen e tyre me “gel” sikur tani që i mbajnë disa bashkëkombas-liderë të sotëm, prandaj i dukeshin si të pakrehura. Tekefundit kështu duken intelektualët, filozofët, shkrimtarët, artistët,etj., me një fjalë njerëzit e mëdhenj. I tillë ishte edhe lideri i shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në ish Jugosllavi. Ishte i tillë, por edhe ashtu mbeti, derisa ishte në këtë botë Dr. Ibrahim Rugova.
Kështu, nga një femijë jetim (pa njerin prind që ia vrarë e zhdukur pushtuesit vetëm pak ditë mbasi kishte ardhur në këtë botë), ishte rritur në një nxënës të shkëlqyeshëm, në një student të dalluar. Mandej në një studius dhe krijues i dalluar, për të fituar tituj të ndryshëm profesionalë e shkencorë, si: profesor, shkrimtar, akademik, doktor, etj. Duke e ndier të nevojshme u bë edhe kryetar i parë i një partie të parë demokratike shqiptare në gjithë trojet etnike, jo se vetë e deshi, por disa nga ata në atë periudhë kohore hezitonin, mbase edhe kishin të drejt se vështirë se mund të ia dilnin! Së fundit, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës. Ishte dhe mbeti prsidenti i parë dhe historik i Kosovës, gjegjësisht Dardanisë së lashtë.
…
Këtu në Itali, ka vite që e ushtroja edhe detyren e mësuesit, me nxënësit shqiptarë në shkollën shqipe të MP (mësimit plotësues) në Bassano. Pasi është mësim plotësues, organizohet vetëm një herë në javë, në masa vullnetare. Unë punoja rregullisht në një firmë ndërtimi, por të shtuneve mbas dite shkoja në shkollën shqipe. Edhe pse i bëja nga dyzet kilometra rrugë në një drejtim, shkoja me plot qejf e dëshirë, madje gjatë gjithë javës i analizoja veprimet e nxënesve shqiptarë, njëkohësisht edhe paramendoja e planifikoja si do të vijë ma shpejt dita e shtunë. Vërtetë është kënaqësi të punosh me fëmijë, e kur puna me ta jep fryte, kënaqësia është e papërshkrueshme. Kështu e ëndërroja gjithë javen e tretë të janarit në atë vit (2006), dhe me padurim e prisja të vijë dita e shtunë e 21 janarit, e të takohem me nxënësit shkollës shqipe. Ajo e shtunë doli më ndryshe! Nuk më shkoi si e pata paramenduar! Planifikimi dhe ëndërra e gjithë javës më devijoi. Devijoi sepse një lajm i asaj dite i përhapur gjithandej e këndej, pikëlloi zemrat e të gjithëve. Pas një sëmundje disa mujore ndërroi jetë presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova! Një lajm shumë i pikllueshëm! Ishte lajm shumë i rëndë! E mësova nga radio italiane në makinë, duke u kthyer nga puna në ate mesditë janari. Mu duk e pabesueshme, por fatkeqësisht ishte lajm i vertë. Pasuan shumë telefonata për ngushllime të ndërsjellta, nga miq e bashkatdhetarë shqiptarë këtu në Itali e më gjerë…
Dosido, në orarin e caktuar shkova në shkollë, gjatë rrugës edhe pse ngisja makinën, mendjen e kisha te lajmi i hidhur i asaj dite. U takova te shkolla me nxënës dhe me prindërit e tyre. E kisha menduar që atë ditë t’ia kushtoj presidentit historik të Kosovës Dr. Ibahim Rugova, paraprakisht mora edhe pëlqimin e prindërve. Në klasën e mësimit ishin të pranishëm edhe prindër e shumë bashkatdhetarë të tjerë, spontanisht kishin ardhur në shkollën e mesme “G.Bellavitis”(via Colombare 4), aty ku mbante mësim shkolla shqipe e MP, me të dëgjuar lajmin pikllues. Mësimimi i planifikuar për atë pasdite u pezullua, u mbajt një pasdite komemorative. E meritoi presidenti Rugova…
Të nesërmen e pata prapë një ditë të vështirë. Me iniciativën e shoqatës shqiptare “DARDANIA” të Montebellunës u organizua një tubim komemorativ në nivel të gjerë. Muarën pjesë perfaqësues të shoqatave ”Bashkimi Kombëtar”, “Iliria”, “Besa”, “Shote Galica”, etj. Kishte edhe shumë bashkatdhetarë, sa që lokali ne qendrën rinore në Monebelluna ishte i vogël t’i pranoj të gjithë. Para portretit të presidentit dr.Ibrahim Rugova, ishte vënë edhe një fletore për t’u nënshkruar pjesëmarrsit dhe shkurt t’i japin opinionet e tyre. Ndërsa para të pranishmëve u paraqiten: prof. Faik Tafolli, Mehdi Bislimi, Fatmir Guri, Refki Tafaj, Arsim Berisha, autori i këtij shkrimi, e shumë të tjerë të cilët ishin mjaft të piklluar e tejet emocianalë në paraqitje. E ceka më lartë, se e pata një ditë të vështirë, pasi nga gjithë ajo maës e njerzëve më autorizuan ta shkruaja Telegramin ngushllues, për familjen e presidenti dhe për istitucionet e Kosovës. Nga shqetësimi i lajmit pikllues vështirë t’i gjeja fjalët më meritore, për t’i vënë në mesazhin e telegramit ngushllues. Megjithatë, tekstin e telegramit ngushllues e përpilova, ua lexova , dhe falë Valonit (i biri i aktivistit të devotshëm prof. Mehdi Bislimit) e përcollëm që atë natë…
Janari na doli se është një muaj i pamëshirshem për shqiptarët, sepse në janar vdiq heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu. Në janar u bë atentat në vëllëzërit Gërvalla e Kadri Zeka. Në janar vdiq edhe presidenti historik i Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Të gjitha këto figura të rëndësishme në historinë tonë kombëtare shqiptare...
( Ky shënim është edhe në librin e e Engjëll Koliqit: Dr. IBRAHIM RUGOVA ARKITEKTI I DARDANISË SË RE – REPUBLIKA E KOSOVËS )