E premte, 02.05.2025, 08:14 PM (GMT+1)

Faleminderit

Halil Katana: Ndahet nga jeta, Zoga Dega

E diele, 29.01.2012, 08:03 PM


NDAHET NGA JETA, ZOGA DEGA

 

Nga Halil Katana

 

Të nderuar shokë e miq të Zoga Degës

Të dashur vëllezër e motra!

 

Për cilindo prej nesh është e rëndë të flasë sot para arkivolit të Zoga Degës.

Por unë e kam edhe më vështirë, sepse, duke shkruar librin monografi, kushtuar jetës dhe veprës të saj, kuvendova gjatë me të, mësova gjerat më të rëndësishme nga jeta e saj, përjetova shpirtërisht gëzimet e hidhërimet, dramat e peripecitë e jashtëzakonshme, që ajo kaloi në jetë.

Ajo u lind në Degë të Tropojës më 4 shkurt e vitit 1928, në një familje atdhetare, e shquar për ndershmëri e burrëri, për bujari e fisnikëri. U lind atje, por u rrit në Durrës ku kreu shkollën fillore dhe e mitur punoi si punëtore në fabrikën e cigareve “Stamles”. Vëllai i saj Shpend Dega ishte nder aktivistet antifashistë më të flakët në qytetin e Durrësit, u plagos tri herë në përleshje me fashistët. Zoga, që në moshën 14 vjeçare u vu në krah të tij. Edhe nënë Misirja, edhe të dy motrat e tjera, e gjithë familja u angazhua në LANÇ, shtëpia e tyre ishte bazë e kësaj lufte.

Zoga  merr pjesë në demonstratat antifashiste, në radhët e para me Flamurin kombëtar, identifikohet lehtë nga milicia fashiste  si aktiviste e flakët, flokëkuqe e pikaloshe, e burgosin dy herë. Sapo e lirojnë nga burgu herën e dytë, del partizane në çetën e Pezës, te vëllai i saj Shpendi dhe prej këtu dërgohet nga Udhëheqja e Lartë e Luftës, në Malësi të Gjakovës, përkrah Shpendit, me mision për të ngritur vajzat e gratë në Luftën Nacionalçlirimtare. Ishte vajza e vetme partizane që u dërgua në Veri. E filloi aktivitetin në Prizren, në Gjakovë përkrah Bije Vokshit,  mori pjesë në Konferencën e Bujanit, si përfaqësuese e të rejave. Pastaj kaloi në katundet e Tropojës dhe në Has, duke propaganduar idetë e Luftës. Zoga mori pjesë në betejën e Qafës së Gashit dhe me dorën e saj ngriti trupin e gjakosur të Heroit të Popullit Fahri Ramadani. Ajo, ndonëse shumë e re, marshoi nëpër male me borë e akull në kushte jashtzakonisht të vështira të dimirit 1944, duke kaluar edhe malin e Hekurave.

Në prill 1944, në kuadrin e luftës së përbashkët kundër fashizmit me vendim e kaluan në Brigada e Dytë Proletare.. Në përbërje të kësaj brigade Zoga luftoi në Mal të Zi, në Serbi dhe në operacionin për çlirimin e Beogradit më 20 tetor 1944. Më tej ajo kaloi në frontin kroat. Kështu luftoi ajo për 9 muaj me radhe, gjithnjë me automatik në dorë në vijë të parë, duke shfaqur cilësitë më të rralla  të femrës shqiptare: besnikrinë, ndershmërinë, zgjuarsinë, trimërinë dhe qëndrueshmërinë e paepur, si dhe shpirtin human.

Ajo u nderua me shumë simbole nderi, me dekorata të llojeve të ndryshme, të trimërisë, të çlirimit, Yllin e kuq etj., por karakteristik ka qenë dhurimi i automatkut rus me një akt ceremonial  nga komandanti i Divizionit Peko Dapçeviç, si luftëtare trime.

Më 20 janar 1945, pas 9 muajsh luftime të pandërprera, Zoga u kthye në Kosovë, e përcjellë me nderime të mëdha nga shokët e shoqet e saj të luftës, si dhe nga komanda e shtabi i Brigadës.

Zoga më pas, kaloi shumë peripeci, por gjithmonë ajo qëndroi kryelarte. Kudo punoi me perkushtim.

Kur doli në pension ajo u anagzhua në Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe në Organizatën për dëshmorët e Atdheut, duke kontribuar me shkrime e  fjalime nëpër aktivitete të ndryshme.

Zoga, lindi dhe edukoi katër fëmijë, tre djem e një vajzë: Yllin, Fatmirin,  Sokolin dhe Teutën. Ajo ishte një bashkëshorte shembullore dhe me shpirt human, çka e tregoi në shërbimin që i bëri bashkëshortit të saj, Shaban Gashit, i cili pati fatkeqësi nga sëmundja e gangrenës,  me të dy këmbët e prera.

Fëmijët e saj, nipërit e mbesat, vëllazëria duhet të ndihen krenar me emrin e mirë që ajo la.  Tropoja e ka me borxh ta shpalli qytetare nderi, sepse është vajza e vetme partizane, që u bë shembull trimërie dhe heroizmi në ditët më të vështira të pushtimit fashist. Dhe që e nderoi Malësinë e Gjakovës.

Prehu e qetë e dashur motra Zogë.

Për jetë mbete lapidar!

 

Halil Katana

Sharrë, Tiranë, 25.012012



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx