E premte, 02.05.2025, 10:20 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fatmira Musai: Isa Boletini, një jetë në shërbim të kombit

E enjte, 26.01.2012, 09:05 PM


Me rastin e nëntëdhjetepesë vjetorit të rënies së Isa Boletinit

 

ISA BOLETINI, NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT

 

“Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”

 

Nga Prof. Dr. Fatmira Musai  (Tiranë)

 

Janari i përvjetorit te 100-të të Shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, kësaj ngjarje të rëndësishme të historisë së shqiptarëve, përkon me 96 vjetorin e rënies së njërit prej figurave të shquara të Levizjes Kombëtare Isa Boletinit, jeta dhe vepra e të cilit qëndron përkrah rilindësve të tjerë në themelet e saj.

Isai u lind më 16 janar 1864 në Boletin të Mitrovicës. Në ambientin familjar ku u lind e u rrit, ai u edukua, u mbrujt me cilësitë më të mira si, fisnikërinë, trimërinë, ndershmërinë, dashurinë për atdheun, të cilat e karakterizuan gjatë gjithë veprimtarisë në shërbim të çështjes kombëtare.

Zhvillimet politiko-shoqërore  në të cilat gjëndej Shqipëria në fund të shekullit të XIX-të, e tërhoqën Isa Boletinin në rrjedhën e tyre të vrullshme.  Në moshën 17 vjeçare, ai u radhit përkrah luftëtareve shqiptarë në mbrojtje te Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Beteja e Slivovës, në prill 1981, në të cilën forcat vullnetare të Lidhjes së Prizrenit i bënë  rezistencë të pashembullt ushtrive osmane, la gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e Isa Boletinit.

 

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, organizata më e fuqishme e krijuar dhe e udhëhequr nga figurat më të ndritura të kombit nga të katër vilajetet shqiptare, me një program të qartë, që synonte krijimin e një shteti autonom dhe sigurimin e tërësisë tokësore të trojeve shqiptare, u bë shembull dhe udhërrëfyese për plejadën e re te rilindësve si, Ismail Qemali, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Mihal Grameno etj, të cilët morën  në dorë drejtimin e Lëvizjes Kombëtare për ta ngritur  atë në pikat më kulmore të saj, në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për të arritur deri këtu, Isa Boletinit dhe personaliteteve të tjera të Rilindjes iu desh të kryenin një veprimtari të gjatë e të shtrirë  në disa drejtime: Së pari, të përpunonin më tej programin politik të Lëvizjes Kombëtare në përputhje me situatat e krijuara si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare; se dyti, të ngrinin në një shkallë më të lartë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve; së treti, të shtrinin e të përsosnin organizimin e lëvizjes së armatosur në të katër vilajetet shqiptare për të bërë realitet programin e kësaj lëvizje.

Për realizimin e këtyre objektivave, Isa Boletini dhe udhëheqës të tjerë u përballën me vështirësi të mëdha. Nga njëra anë dhuna ushtarake e politike, shtypja ekonomike që ushtronte administrata osmane në Shqipëri dhe vecanërisht në Kosovë, për të shuar ndjenjat liridashëse të shqiptarëve dhe nga ana tjetër, veprimet e shteteve fqinje, të cilat rritën përpjekjet për të realizuar planet për coptimin e Shqipërise. Kështu në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, Isai u vu  në krye të qëndresës kundër osmane dhe u ndesh  drejtpërsedrejti më ndërhyrjen e shteteve fqinjë dhe Fuqive të Mëdha në dëm të trojeve shqiptare. Gjatë Luftës turko- greke të vitit 1897, me forcat vullnetare të Kosovës, Isai mori pjesë në frontin e Thesalisë për të mbrojtur trojet shqiptare të jugut. Rritja e autoritetit të tij ne Mitrovicë e më gjërë bëri që ai të zgjidhej si delegat i asaj krahine në Kuvendin Kombëtar të Pejës (më 23 janar të vitit 1899). Isai mbështeti vendimet e rëndësishme të tij për mbrojtjen e tërësisë teritoriale të Shqipërisë dhe kërkesën për autonomi. Në bashkëpunim me Haxhi Zekën, Bajram Currin, Isai kundërshtoi  përpjekjet e  Beogradit për të depërtuar në Kosovë me mjete e forma të ndryshme përfshi edhe armatosjen e pakices sërbe në Kosovë. Serbia synonte qe në situatat e favorshme që mund të krijoheshin ne te ardhmen, t’i perdorte ata per realizimin e planeve te saj ne Kosove e Shqiperi. Duke e konsideruar si nje veprim që binte ndesh me interesat e shqiptareve dhe në të njëjtën kohë, për të mos acaruar marrdhëniet me  banorët serb, Isai me anë të një telegrami, i kërkoi Portës së Lartë të përdorte autoritetin shtetëror për të çarmatosur serbët dhe të ndalonte hyrjen e armëve nga Serbia. Meqënësë se Porta e Lartë ngurroi të merte veprimet e duhura me pretendimin se nuk kishte dijeni për një veprim të tillë nga ana e Serbisë, Isa Boletini nisi te marrë masa për të ndaluar hyrjen e armëve nga Sërbia dhe bëri çarmatosjen e serbëve. “Unë nuk mundem më mshel sytë kur punohet në dëm të vendit tim, i u përgjigj ai të dërguarit të Portës së Lartë, Nuri Pashës, në qoftë se ju kini frikë prej Sërbisë, ikni, se shqiptarët do t’i dalin vetë zot vëndit të tyre” Duke e bindur pakicën serbe për dorëzimin e armëve dhe pa shkaktuar asnjë keqtrajtim, Isa Boletini arriti të realizonte çarmatimin e tyre në Mitrovicë, Vuçitërn, Kolashin, Pazar i Ri, etj. Veprimtaria e Isa Boletint, nga qeveria serbe u propogandua dhe u paraqit, tek  Fuqitë të Mëdha e Porta e  Lartë si një keqtrajtim dhe dhunë ndaj pakicës serbe, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre për vendosjen e qetësisë. Shqetësimit të Serbisë i u përgjigj qeveria ruse e cila kërkoi pranë Portës së Lartë që të merte masa për të ndalur veprimtarinë e Isa Boletinit dhe nën pretekstin e ruajtjes së elementit të krishter, mori leje nga Porta e Lartë për të çelur konsullatën ruse në Mitrovicë. Një hap i tillë i Rusisë u pa nga Isa Boletini dhe udhëheqës të tjerë në Kosovë, si mbështetje e drejtpërdrejtë për Serbinë, si rritje të ndikimit sllav në krahinë dhe si  te demshme për Lëvizjen Kmbëtare shqiptare. Prandaj për të bërë të pamundur çeljen e saj, ai krahas organizimit të lëvizjes së armatosur, në fund të vitit 1902 ndërmori një udhëtim për në Stamboll. Në takim me Sulltanin, Isai i bëri të qartë se shqiptarët do ta kundërshtonin veprimtarinë antishqiptare të Serbisë dhe çeljen e konsulatës ruse ne Mitrovicë. Ata nuk do të pajtoheshin kurrë që në zëmër të vëndit të tyre, ku nuk kishte as një rus, të bëhej qendër e sllavizmit. Nën presionin e Sërbisë e Rusisë, Isai u mbajt i izoluar në Stamboll deri në vitin 1906. Si një figurë që do i nxirte telashe Perandorisë në krahinën e trazuar të Kosovës, Sulltan Hamiti i II , i propozoi të qëndronte në Stamboll, ku do t’i sigurohej një jetë më e mirë se në Boletin, do t’i jepeshin grada  dhe pasuri por Isai nuk i pranoi. “Boletini, tha Isai, është më i mirë se Stambolli”.

 

Izolimi tre vjeçar në Stamboll e ndau Isa Boletinin vetëm fizikisht nga Shqipëria dhe hallet e shqiptarëve, po kurrë me mëndje e shpirt. Pas kthimit në Atdhe, ai vijoi veprimtarinë në dobi të çështjes kombëtare. Ai u vu  në krye të lëvizjes kryengritëse që kishte përfshirë Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, etj dhe kontribuoi për zgjidhjen e kërkesavë të saj. Aktivizimi  i tij në këtë lëvizje shqetësoi jo vetëm autoritetet osmane por tërhoqi vemëndjen e Fuqive të Mëdha.Vjena, Moska e Parisi e konsideruan si të rrezikshëm e shkaktar të prishjes së qetësisë dhe e këshilluan Portën e Lartë që të mos toleronte veprimet e Isa Boletinit dhe ta mbante atë të vecuar në mënyrë që të pakësohej sa më shumë ndikimi i tij në mesin e bashkëatdhetarve. Presionet e Fuqive të Mëdha dhe i Potës së Lartë nuk mundën të pengonin e t’a terhiqnin Isane nga Lëvizja Kombëtare.Tashmë figura e tij po dimensionohej gjithnjë e më qartë si organizator e udhëheqës i lëvizjes së armatosur të masave popullore.

 

Në korrik 1908 Isai ne bashkepunim me krere te tjere, organizuan rezistencën kundërosmane dhe ndërhyrjes së shteteve të huaja në Kosovë, e cila arriti  kulmin në Kuvendin e Ferizajt në 15 korrik 1908. Aty, Isai  dhe bashkpunetoret e tij, vendosën të përkrahnin revolucionin xhonturk për të përmbysur regjimin te Sulltan Abdyl Hamitit dhe rivendosjen e kushtetutës të vitit 1876. Bashkëpunimin me turqit e rinj Isa Boletini e shihte si një rrugë të mundëshme  për realizimin e interesave të Lëvizjes Kombëtare shqiptare. Për këtë ai u kërkoi pjesmarrësve në kuvend që bashkëpunimin me ta të mos e bazonin vetëm ne premtime të përgjithshme e të pa përcaktuara si liri, vëlazëri e drejtësi, por t’u vihej atyre si kusht autonomia e shqipërisë

Pas ardhjes në pushtet, xhonturqit ndoqën një politikë që nuk kishte asgjë të përbashkët me aspiratat  e shqiptarëve. Ata synuan të ruanin e forconin regjimin e tyre, të luftonin cdo përpjekje të shqiptarëve për vetëqeverisjen e vendit, madje edhe kundër kërkesave më të thjeshta kulturore kombëtare të tyre.

 

Në këtë mënyrë regjimi xhonturk, jo vetëm që nuk i perligji shpresat e shqiptareve por përkundrazi, me masat që nisi të zbatonte, sic theksonte Isa Boletini, “po i shtrëngonte më shumë prangat e robërisë popullit shqiptar”. Politika e turqve të rinj shkaktoi pakënaqësi tek masat popullore që  u shpreh me lëvizje në krahina të ndryshme të Kosovës në fund të vitit 1908 e fillim  të vitit 1909. Këtë situatë Isa Boletin e udhëheqës të tjerë ë shfrytëzuan dhe nisën përpjejket për t’i organizuar dhe bashkuar ato në një lëvizje të vetme e te  fuqishme kundër regjimit të turqve të rinj. Me nismën e tij, në nëndor 1908, krerë të krahinave të ndryshme të Kosovës u mblodhen ne Ferizaj ku u bisedua  për thirrjen e një kuvëndi kombëtar në të cilin do të diskutoheshin probleme të rëndësishme që shtroheshin para Lëvizjes Kombetare.Veprimtaria e Isa Boletinit i shqetësoi autoritetet xhonturke. Ato u përpoqën për ta tërhequr në organizatat e tyre dhe i premtuan atij cdo gjë, vetëm të braktiste rrugën e luftës. Në përgjigjen e tij Isai theksonte se, do te luftonte jo për të fituar privilegje por kundër padrejtësive që i bëheshin popullit të vet, të cilat nuk i kishte duruar asnjëherë. Meqë nuk munden t’a shmangnin nga rruga e luftes, me ane te ryshfeteve dhe mashtrimeve, xhonturqit dërguan në drejtim të Boletinit forca të shumta ushtarake të komanduara nga Xhavit Pasha, për të kapur ose likujduar fizikisht Isa Boletinin. Për të justifikuar veprimet luftarake, ata e shpallën Isain kundërshtar të kushtetutës dhe përkrahës të regjimit të vjetër të Sulltan Abdyl Hamitit. Mes luftimeve të ashpra, Isai mundi të çante rrethimin e forcave osmane dhe u largua në Isniq të Pejës, ku vijoi perpjekjet për organizimin e kryengritjes. Për këtë qëllim ai hyri në marrveshje me krerë të krahinave të ndryshme të Kosovës, të Malsisë së Mbishkodrës, Lumës, Mirditës dhe Dibrës së Poshtme. Autoritetet xhonturke të informuara për veprimtarinë e tij, dërguan sërish forca të shumat osmane me synim të  parandalonin  kryengritjen. Në kushtet kur përgatitjet për kryengritje nuk kishin përfunduar, për të mos i dhënë shkak Xhavit Pashës për raprezalje, Isai u tërhoq nga Isniqi në drejtim të jugut pa bërë qëndresë. Ekspediat ndëshkimore e Xhavit Pashës që vazhdoi deri në shtator 1909, u shoqërua me terror, me djegje të kullave të mbështetësvë të Isait, që synonte zbehjen e besimit të masave popullore ndaj tij, shtypjen e levizjes antiosmane në këto treva, regjistrimin e popullsisë dhe vendosjen e taksave të reja.

 

Dhuna që përdori Xhavit Pasha dhe administrata osmane ne përgjithësi,  rriti papajtueshmërinë e shqiptarëve me shtypjen ekonomike, shoqërore e politike, te ushtruar nga xhonturqit. Ata   nuk mundën ta lëkundnin Isa Boletinin nga rruga e nisur. Përpjekjeve te kryeministrit turk Hilmi pashës për ta tërhequr nga Kosova dhe lëvizja antiosmane, duke i ofruar pasuri dhe ofiqe, Isai   nuk i pranoi.Ai zgjeroi lidhjet dhe bashkpunimin me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare brënda dhe jashtë vendit, organizuan dhe udhëhoqën kryengritjet e fuqishme të viteve 1910-1912 që tronditën themelet e Perandorisë Osmane dhe e detyruan Portën e Lartë të ulej ne bisedime me ta. Ne shërbim te këtyre kryengritjeve, I. Boletini vuri përvojen e fituar ndër vite të cilën e zhvilloi dhe përsosi me tej gjatë organizimit, zhvillimit dhe udhëheqjes së veprimeve luftarake kundër forcave osmane. Dokumentacioni i kohës hedh dritë mbi  përpjekjet e tij te vazhdueshme  për bashkimin e lëvizjeve te armatosura  të krahinave të ndryshme në një kryengritje te vetme, për ta shtrirë ate jashtë kufijve te Kosovës e për t’i dhënë karakter mbarëkombëter. Gjatë këtyre viteve Isa Boletini, disa herë u godit nga forcat ushtarake por asnjëherë nuk e humbi optimizmin, përkundrazi, forcoi më tepër bindjen  se bashkimi i shqiptarëve ishte faktor kryesor që do t’u sillte atyre fitore.”Kur të bashkohen te gjithë shqiptarët, theksonte ai, dhe te lidhin një besë ndërvedi, do te jemi të zot ta përzemë urdinë e turkut jo ma me armë por edhe me hujtë e gardhit”.

Për realizimin e kësaj detyre te rëndësishme, ai i ra tej e mbanë Kosovës e krahinave të tjera,vendosi kontakta me komitete te fshehta si në Manastir dhe në Shqipërine e Jugut dhe pas shumë përpjekjesh dhe veshtirësish, arritën të organizonin dhe të zhvillonin kryengritjen e pergjithshme të vitit 1912.

 

Vec kësaj, dokumentet dëshmojne për veprimtarinë e I. Boletinit ne planin politik. Qysh ne hapat e parë të përgatitjes së kryengritjes, ai u bëri të qartë shqiptarëve se do të luftonin për çlirimin e vendit ,për vetqeverisje etj. Krahas propogandës që zhvilloi fshat me fshat e krahinë me krahinë, ai mori pjesë në kuvende të rëndësishme si ai i Junikut etj, ku u shpalos dhe u miratua  programi i kryengritjes me kërkesën themelore autonominë e Shqipërisë.Vec veprimtarisë organizative, ai u shqua edhe në udhëheqjen e drejtimin e veprimeve luftarake të kryengritësve ne betejat më të mëdha si në atë të Grykës së Carralevës ne maj të vitit 1910 dhe në ato të vitit 1912. Në këto veprime, Isa Boletini u shqua si nje udhëheqës ushtarak i luftës populore. Ai njihte mirë terrenin e shfrytëzoi atë me mjeshtëri për organizimin, drejtimin  e zhvillimin e veprimeve sulmuese dhe mbrojtëse me shpejtësi e efektivitet, Ai, me mprehtësinë e guximin që e karakterizonte, u bë mjeshtër i çarjes së rethimeve të forcave shumë herë më të mëdha në numur e armatime se kryengritësit. Aftesitë e tij në këtë drejtim do t’i habisnin oficerët turq. Ne ditarin e njërit prej tyre do të theksohej se shqiptarët kryengritës udhëhiqeshin nga oficerë të zot të shkolluar në perëndim dhe se nuk mund të ishin shqiptarë. Ndërsa shtypi i kohës e vlerësonte Isa Boletinin  si gjeneral të ushtrisë shqiptare.

 

Për realizimin e programit të Lëvizjes Kombëtare, Isa Boletini bëri përpjekje për të siguruar mbështetje e bashkëpunim me shtetet fqinje e Fuqitë e Mëdha, si në vitin 1911- 1912 me Sërbinë e Malin e Zi, ne vitin 1914-1915 me Bullgarinë e Austro-Hungarinë. Megjithse i kishte  të qarta synimet e Sërbisë ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, vecanërisht interesimin dhe përpjekjet e saj për të ndërhyrë në punët e brendëshme të kryengritjes 1912, ai pranoi të hynte në bisedime me të derguarit e saj i shtyrë nga nevojat imediate të kryengritjes. Kështu ai u kërkoi armë e municion, por kundershtoi propozimet e tyre per ndryshimin e planit për fillimin, e zhvillimin e kryengritjes dhe objektivave të saj. Këtë e dëshmojnë dokumetet serbe tashmë të botuara si dhe fakti, se nën udhëheqjen e tij dhe të krerëve te tjerë, kryengritja u organizua dhe u zhvillua në përputhje me objektivat e programit të Lëvizjes Kombëtare. Ajo arriti suksese te njëpasnjëshme duke çliruar pjesen më të madhe te krahinës së Kosovës, derisa e detyruan Portën e Lartë të pranonte te shqyrtonte kërkesat e memorandumit të paraqitur nga kryengrtësit.

Qeveria osmane edhe nen ndikimin e fuqishem te Rusise, Frances dhe Anglise,   nder kerkesat qe u njohu shqiptareve, perjashtoi kerkesen themelore te kreyengritesve atë të autonomise së Shqipërisë. Megjithate kjo “kryengritje, theksonte atasheu ushtarak ne ambasaden e Austro-Hungarise ne Stamboll, pati nje rëndësi dhe duhet te vlerësohet  si shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sepse për herë të parë shqiptarët u bashkuan pa dallim krahine dhe feje, përballë qeverise turke, udhëhëqësit e Shqiperisë nga të gjitha anët u bashkuan e u ulën për bisedime të përbashkëta në Prishtinë dhe i dërguan Stambollit kërkesa të njëllojta. Vlera e kësaj kryengritje për Shqipërinë, qëndronte në ate që tani formon edhe etnografikisht nje teresi, me të cilën politika e Portës duhet që të bëjë në të ardhmen seriozisht llogaritë”.

 

Fillimi i luftës Ballkanike në tetor të vitit 1912 e gjeti I. Boletinin në krye të forcave vullnetare për mbrojtjen e Kosovës e trojeve të tjera nga pushtimi serbo- malazez. Avancimii i ushtrisë serbe e detyroi Isanë të tërhiqej në drejtim të Prizrenit e prej andej në krahinat ende të papushtuara për të vijuar luftën në mbrojtje të vendit. Ne këtë kohë ai u njoh me përgatitjet që po bëheshin në Vlorë për të organizuar kuvendin kombëtar për shpalljen e pavarësisë dhe zgjedhjen e tij si delegat i Kosovës ne këtë kuvend.Tek ky vendim ai pa shpëtimin e Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara nga ushtritë e Aleancës Ballkanike. Në krye të 100 luftëtarëve, u nis për në Vlorë ku mbërriti më 29 nentor të vitit 1912.

Ai u prit me entusazem në sheshin e Flamurit nga populli i Vlorës, Ismail Qemali dhe delegatë të kuvendit. Në takimin me I.Qemalin ai e përgëzoi për aktin e shpalljes së Pavarësisë. Nga ana e tij I.Qemali vlerësoi kontributin e madh të Isa Boletinit ne Lëvizjen kombëtare duke i thënë:’Ti më dhe krahun dhe fuqinë”.

 

Që nga ky moment Isai qëndroi pranë I.Qemalit, mori pjesë përkrah delegatëve të tjerë në bisedimet e kuvendit ku u zgjodhën institucionet e para të shtetit shqiptar dhe u vu pa rezerva në mbrojtje të tij. Isai mori pjesë si anëtar i  delegacionit të qeverisë në mbrojtje të cështjes shqiptare në Konferencën e Londrës, e cila i filloi punimet në dhjetor të vitit 1912.

Blloku i intervistave që ai u dha gazetarëve të ndryshëm në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha, veçanërisht në Londër gjënden te botuara gjërësisht në shtypin e kohës. Aty ai shprehej në mbrojtje të çështjes shqiptare dhe kërkoi zgjidhjen e plotë dhe të drejtë të saj. Ai theksoi karakterin clirimtar të luftës shekullore të popullit të tij, bëri të qartë dëshirën e shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre të pavarur në  kufijtë e të cilit të përfshiheshin trojet shqiptare të të katër vilajeteve. Ai  kundërshtoi  planet e shteteve fqinje për coptimin e Shqipërisë që në konferencen e Londrës mbështeteshin nga Fuqitë e Mëdha. Kjo shprehet në përgjigjen që Isai i dha ministrit të Puneve te Jashtme  të Britanisë, Eduard Grejt se: “Nuk kam ardhë për të mbrojt vetëm  Mitrovicën teme por cdo pëllëmbë të tokës shqiptare”Ai nuk mund të përfytyronte Mitrovicën vendlindjen e tij pa Shqipërinë dhe Shqipërinë pa Mitrovicen. Ne kete situate te veshtire per vendin dhe tërësinë toksore të tij, ai paralajmeronte se nuk do të rrinte duar kryq nëse Europa e civilizuar do të coptonte Shqipërinë. Pas kthimit nga Konferenca e Londrës, në përputhje me zhvillimet e reja historike dhe ndërkombëtare, Isa Boletini vazhdoi përpjekjet për ruajtjen dhe stabilizimin e shtetit shqiptar dhe për çlirimin e trojeve te aneksuara.

Krijimi i shtetit shqiptar, megjithëse i cunguar, u konsiderua prej tij i shejtë dhe tepër i domosdoshëm, sepse aty do të vijonin përpjekjet dhe do të mbështeteshin te gjitha format e luftës, përfshirë edhe lëvizjen e armatosur në trevat e pushtuara për çlirimin dhe bashkimin e tyre me shtetin amë.

 

Krahas aktivitetit te pandërprerë në sherbim te stabilizimit të shtetit shqiptar, mendjen dhe zemrën Isai i kishte në vendlindje. Ai ndiqte me vemëdje politiken shkombëtarizuese që Beogradi kishte ndërmarrë në Kosovë duke i detyruar shqiptarët të shpërngulen në vende të tjera. Mesazhi i tij derguar popullit të Kosovës ne keto momente ishte: qëndresë dhe vetëm qëndresë. ”Duhet të përballojmë të gjitha vështirësitë, theksonte ai, edhe duke u varfëruar në truallin tonë, se vetëm në këtë mënyrë do t’i qëndrojmë atij qytetar dhe besnik pasi në asnje vend tjetër nuk do të gjenim klimë dhe bukuri si në Kosovë”.

 

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Isane në Malësinë e Gjakovës. Përqëndrimi i forcave ushtarake serbo-malazeze në kufirin shqiptar dhe bashkëpunimi i tyre me reaksionin brënda vendit, e detyroi ate të linte Krasniqen dhe të zbriste në Shkodër, tashmë në gjëndje të rëndë shëndetësore e në kushte ekonomike tejet të vështira, pasi pasurinë e kishte vënë në shërbim të luftës për liri dhe pavarësi.

 

Në qershor të vitit 1915 forcat malazeze e rrethuan Shkodrën. Për të mos rënë në dorë të tyre, Isai iu drejtua për mbrojtje konsullatës angleze dhe ne pamundësi për të kontaktur me ta, kërkoi strehim ne kosullatën franceze. Isai i kërkoi nën/kons ndihmë për ta larguar në një vend asnjanës ose të ndërhynin pranë qeverisë së serbe që ta lejonte të kthehej pranë familjes në Mitrovicë, në të kundërt ai kishte vendosur të çante rrethimin dhe të lagohej nga Shkodra. Por qeveria franceze nuk i mori parasysh kerkesat e tij përkundrazi, ia dorëzoi Isa Boletinin Malit të Zi duke u bërë drejt përsedrejti pjsëmarrëse ne krimin e shëmtuar që serbo malazezët kryen ndaj tij në 23 janar 1916 te Ura e Podgoricës.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx