Faleminderit
Afrim Hoti: Promotorët e luftës Çlirimtare të Kosovës
E diele, 05.02.2012, 07:02 PM
PROMOTORËT E LUFTËS ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
Fjalim i mbajtur me rastin e 22 vjetorit të rënies së katër dëshmorvë te parë, më 27 janar të vitit 1990 në Brestoc të Rahovecit.
Nga Afrim HOTI
Ishte janari i vitit 1990, atëherë kur lëvizja anti pushtuese lëkundte përbindëshin që kafshonte njerëz. Demonstrata zhvilloheshin nëpër të gjitha anët e Kosovës. Edhe në komunën tonë u organizuan qytetarët që përmes demonstratave të kundërshtoheshin torturat, padrejtësitë dhe shtypjen e shqiptarëve nga ana e Serbisë. Më 27 janar të vitit 1990 u nisëm në drejtim të Rahovecit në mënyrë të organizuar. Mirëpo, në fshatin Brestoc marshi jonë u ndalua nga plumbat e policisë speciale serbe që kishin zënë pusi skaj lakores së këtij fshati. Në këtë datë u përjetësuan në altarin lirisë dëshmorët e parë të demokracisë, qirinjtë e parë të janarit që shndrisnin në shpirtrat e çdo shqiptari. Për të mos vdekur kurrë atë ditë ranë dëshmorët Nasemi Elashni nga Nagavci, Agron Fetahu nga Celina, Hilmi Krasniqi nga Hoça e Vogël dhe Halim Hoti nga Krusha e Madhe, ndërkaq u plagosën edhe 20 të tjerë.
Kjo lëvizje e janarit të vitit 1990 dhe këta dëshmorë, ishin shembull për popullin e Kosovës se liria fitohej vetëm me gjak, ndërkaq, me të drejtë mund t`i quajmë edhe promotorë të luftës së lavdishme çlirimtare.
Atë ditë përderisa po marshonim rrugës së bashku me Nesimiun, biseduam gjerë e gjatë rreth situatës në të cilën ndodhej Kosova. Nasemiun, sikur e parandiente se atë ditë do të bëhej gur themel i lirisë. Në zemër e kishte Shqipërinë dhe marshin tonë drejtë Rahovecit atë ditë e quajti edhe marsh të Bashkimit Kombëtar.
Të nderuar të pranishëm, dy vjet më vonë, pra në janar të vitit 1992, me rastin e dyvjetorit të vrasjeve në fshatin Brestovc nga forcat speciale të policisë serbe, Mr.Ukshin Hoti i përkujtoi të rënët me shkrimin: “Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!” dhe që të tretë ranë për at vrarë vdekjen e krijuar me dekada nga regjimi okupator serb. Këta dëshmorë e kryen detyrën e tyre, u flijuan për lirinë e popullit dhe u bënë themeltarë të pavarësisë së Kosovës.
Por, pas 22 vjetësh me të drejtë mund të themi se a ishte ky amaneti i tyre që u vranë më 27 janar nga forcat speciale të policisë serbe. Ashtu siç thash edhe më lartë, ideali i Nasemiut dhe i gjithë atyre që u martirizuan atë ditë ishte bashkimi kombëtarë. Edhe ajo rrugë që ne bëmë deri në Brestoc, ishte rrugë e Bashkimit Kombëtar, ishte rrugë e një jete më të mirë e atyre që do ta gëzonin lirinë. Mendoj se rruga e nisur nga këta dëshmor, sikur ka hasur në pengesa të shumta dhe nuk po e merr rrugën ashtu siç e morën rrugën në dimrin e acart, Nasemiu, Agroni, Hilmiu e Halimi. Këtu shtrohen shumë dilema se përse kjo ngjarje është lënë në harresë, me qëllim apo pa qëllim të pushtetarëve tanë, ndërsa 27 janari i vitit 1990 ka demonstruar rrugën e vetme për çlirimin e vendit.
Rruga e skuqur me gjakun e të gjithë pishtarëve të lirisë, duhet vazhduar dhe shkuar deri në fund. Amaneti i tyre duhet të jetësohet përjetësisht, e amaneti i tyre ishte bashkimi i të gjitha degëve në një trung të vetëm.
Këtë fjalim do ta përfundoj përsëri me thënien e Ukshin Hotit ku thoshte: “Nesimiu, Halimi, Agroni, Hilmiu, e kishin dëgjuar zërin e brendshëm të shpirtit që urdhëronte: bëje ose vdis për ta vrarë vdekjen! Duke e gjakuar jetën me dinjitet, e kishin fituar atë. Ai që e kërkon shpëtimin e saj me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do të jetojë me nder!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit.
*Autori është deputet në Parlamentin e Kosovës