Faleminderit
Mehmetali Rexhepi: Ku ishim ku do të vemi
E diele, 12.02.2012, 06:02 PM
KU ISHIM KU DO TË VEMI
Selatin Novosella:
METUSH KRASNIQI
(Personalitet Unifikues i Lëvizjes Kombëtare)
Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2011
Nga Mehmetali Rexhepi
Gjatë vitit 2011, përmes Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe strukturave tjera shtetërore, u rikthye në mënyrë të përqendruar nderimi për figurën e Metush Krasniqit: në njërin nga sheshet e Prishtinës u vendos shtatorja e tij. Me dekret të ligjshëm të kryetares së Kosovës, Metush Krasniqi u shpall “Hero i Kosovës”.
Simbolika e shtatores i përtrollit situatat jetësore të Metush Krasniqit: dora e tij ishte prore e shtrirë për tokje me miq.
Dy shtatoreve për Metush Krasniqin dhe shpalljes së ligjshme “Hero i Kosovës”, iu shtua edhe libri i autorit Selatin Novosella “Metush Krasniqi”; monografia me ndajshtesën kurzive “Personalitet Unifikues i Lëvizjes Kombëtare”.
Monografia për këtë personalitet unifikues është ngërthyer në nëntë kapituj, duke përfshirë dokumentat e njohura, programin dhe statutin e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës, së cilës iu shtua “dhe Viseve Tjera Shqiptare në Jugosllavi”; aktgjykimet e gjyqeve të qarkut në Gjilan, në Prishtinë, në Pejë; literatura: vepra, fejtone, intervista, gazeta, dorëshkrime, kujtime të bashkëveprimtarëve, të bashkëkohësve, tregues të emrave, e të tjera.
Në një hapësirë shkrimi prej 435 faqesh, me portrete fotosh me bashkëveprimtarët e pasrendësit, pamje ambientesh të trishta, burgjesh namkëqija, seancash gjyqësore, harta, faksimile të gjyqeve, copëza të shtypit, citate e fusnota…
Mëtimi i autorit Selatin Novosella është i qartë: të ngërthejë dhe zbërthejë plotëninë e përmasave kombëtare, njerëzore, politike dhe morale të një ideatori, të burgosuri e të përndjekuri të përjetshëm… I tillë çfarë ishte Metush Krasniqi, prore i papajtueshëm me statusin e bashkëkombësve të tij, nën Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht një kryengritës në periudhat e bashkërendimit të shtypjes dhe tkurrjes së shqiptarëve në pushtetet e serbëve, maqedonasve sllavë dhe malazezë, të bashkuar në një Federatë, pos tjerash, bashkëthurëse e rrjetës së gjerë për t`i mbërthyer viset shqiptare…
Pikërisht e këtillë, e pa hiperbolizuar është figura e Metush Krasniqit në librin për të. As heroi, as autori nuk joshin me përmasa hiperbolizuese, sepse ato qenë të ngjizura në natyrën tokësore të heroit, ndërsa rrëfimi i autorit për heroin ndoqi një tipologji të jetëshkrimit të sprovuar.
Leximi i kësaj tipologjie të shkrimit, të jetëshkrimit për heroin Metush Krasniqi, të bën kureshtar të palodhshëm. Karakteri i tillë i fortë të kthen tek vetëvetja ta shpalosh atë, ta hulumtosh dhe të gjesh a të mos gjesh diçka të tijën; të krahasosh, të jesh i krahasuar a i pakrahasueshëm, të imagjinosh kategorinë e madhështisë ose të vogëlsisë njerëzore… Në këtë frymë pashmangshëm do të përballemi me provokimin e ndërgjegjes së strukur në ndërdijen tonë… Jemi ose nuk jemi në peshoren e vlerave dhe, gjithsesi prehjen mund ta gjejmë në sfondin e admirimit…
Monumenti i shkrimit për heroin
Me të dhënat e deritashme që voli Selatin Novosella për Metush Krasniqin, për përkushtimin jetësor që bëri Ai për kombin, për ta mëkëmbur Lëvizjen për Çlirim dhe Bashkim të Viseve Shqiptare në Jugosllavi, veçmas synimi unifikues i kryepersonazhit të librit, autori i thuri një përmendore të llojit të vet, që t`iu jepet brezave.
Pena e motivuar e Selatin Novosellës spikati bëma të dhimbshme, trimërore, të trishta, finoke, paepshmëri dhe krenari, qoftë drejtëpërsëdrejti, ose tërthorazi përmes vetjeve si Sejdi Kryeziu, Sabri Novosella, Adem Demaçi, Kadri Halimi, Mark Gashi, Hyrije Hana, Ramadan Rexha, Zeqir Gërvalla, Fehmi Elmazi, Jusuf Gërvalla, Rexhep Mala, Fehmi Baftiu, Hydajet Hyseni…
Dëshmi të shkëputura kujtimesh për hapërimet e Metush Krasniqit në Lëvizje dhe për Lëvizjen, nga vatra e familjes së munguar, në misionin e edukatorit si ndikues, emancipues, frymëzues, përmbajtësues dhe udhërrëfyes, herë i fshehur, herë i hapur, përballjet mbinjerëzore të torturave nga udbashët dhe, harrimi i vetvetes për të tjerët, bartja e prangave 25 kilogramësh në atë trup të hollë e të gjatë, spikatet si një burrë shqiptar me bindje dhe vetëdije unikate, me të cilin do të përngjasohen figura të tjera si Rexhep Mala; që do t`i shtohen rrjedhës së historisë sonë të përgjakshme e krenare.
Strumbullari i një shpirtmadhështie
Nga ky libër gjithëpërfshirës për figurën e çmuar të “tribunit popullor“, Metush Krasniqi, do të nënvizoja tri përmasa: rolin për themelimin dhe vënie në veprim të Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare me gjysmën e ndarë të Shtetit Amë, karakterin unifikues si një kryetemë e lajtmotivit atdhetar dhe, cilësitë e forta morale të pathyeshmërisë për shejtninë e tij: atdheun dhe kombin.
Renditjen logjike për këtë paraqitje të prekjes së përmasave të nënvizuara, do ta
A bëri diçka të këtillë në monumentin shkrimor për Metush Krasniqin, Selatin Novosella?
Në shkrimndërtimin e tij, autori e bëri monumentin e Metush Krasniqit. Këtij monumenti i mungojnë edhe disa vija e skalitje të reja, që padyshim, në rrjedhën e kohës skulptori i fjalës do t`ia vijëzojë. Megjithatë, monumenti është i këtillë, dhe përjetësinë që ofron e shijojmë natyrshëm. Ai na jepet si një strumbullar i nismave, thurës i fijeve të të ndodhurës; strumbullar i shpirtmadhështisë, rreth të cilit sillen e mbështillen shpirtra e vullnete të paepura, por me vragë të thella në shpirt e trup.
Autori shkruan pa ndërlikime stilistike, me thjeshtësinë e qartësinë për kapjen e të domosdoshmes, të aspekteve rrëqethëse, të dhimbjes e tejqëndresës njerëzore… Heroi i tij ngjalli besimin e pashuar edhe aty e atje ku nuk dukej gjëkundi. Të gjitha këto bëma, që nuk i kapi dot pena, ngjeshën e gatuhen në një figurë, vetëm e vetëm për ta jetësuar kryeçështjen, mbi të cilën do të përplasej disponimi tejet konstant, i një soji të tërbuar deri në skajshmërinë sadiste të njeriut!
Tribunin popullor i brezit që përfaqësoi, edhe i të gjithë brezave pararendës e pasrendës, jam i prirë ta vështroj nga dy këndshikime: në të djeshmen dhe të sotmen. Ai në mësymjen e tij, assesi nuk kishte mundësi për zgjedhje të koncepteve të buta, ngase ato nuk i ofroheshin dot. Nuk ishte e shmangshme sakrifica. Andaj, Ai vetëdijshëm u përcaktua për bartjen dhe përballjen me konceptin e fortë, udhës së veprimit luftarak.
Metafora e qëndresës
Cila ishte ajo fuqi e fshehtë që e bënte të paepur personalitetin e Metush Krasniqit? Ai në brendi kishte diçka më të fortë se torturat sadiste serbe, diçka më të fortë se sa prangat, më të fortë se dhimbja e padurueshme e trupit, diçka më të dashur se babai, bijat e bijtë e gjakut e të shpirtit… Diçka më e çmuar se jeta!
Metush Krasniqi u kap dhe u mbajt për toke, për rrënje, u kap pas diçkaje që i kalonte caqet e jetës... Tërë energjinë, tërë dijen, të tëra ecejaket ia fali idesë së çlirimit të kombit.
Në përvjetorin e “Flakës së Janarit”, seç na grishin ato bëma të urtarit, edhe një thirrje për vokacione të penës: ejani dhe ngrohuni te flaka e pashuar e Metush Krasniqit dhe ithtarëve të tij! Pse të mos ketë pikëcaqe më të shumta të qasjeve, pikërisht rreth virtyteve të këtij burri?!
Këtë pyetje të zgjeruar e provokon aktualiteti dhe, kapja e personaliteteve jo në dialektikën ndërtuese, por përfituese, ndonjëherë dhe rrënuese, mënjanuese, injoruese ose në heshtjen e indiferencës...
Këto mynxyra ende shihen në papjekurinë shtetformuese të shqiptarëve. Prandaj, çdo periudhe të mendësisë shqiptare i duhen veprimtarë të urtë, të çiltër, bashkues, të madhërishëm e fisnikërues si Metush Krasniqi.
Monografi polifonike e idesë kombëtare
Autori i librit për
Autori preku edhe çastet njerëzore të pashmangshme, pikëllimin pas daljes nga burgu dhe ndarjes nga bashkëvuajtësit, antitezat e jetës: mizorinë e saj të hasur burgjeve, të fortifikuar, pothuajse, vetëm për shqiptarë.
Heroi i trajtuar në këtë libër, asnjëherë nuk u fut në kallëpe dogmatike. Ai iu rrek kërkimit të formulës, për gjetjen në çdo mes të emëruesit të përbashkët, mes individëve e organizatave, sidomos aty ku kishte ngjyrime ideologjike e politike dhe, Ai rrezatonte shumësi demokratike. Kësisoj u shndërrua në model prijatar i mosimponimit të pikëpamjeve për kahet e rrugëzgjidhjes.
Pikërisht këtu ngërthehet porosia madhore e librit.
Njëkohësisht të gjitha këto ndërvarësi ideore e kompozicionale të librit, i lidh skeleti i dokumentaritetit, me të dhëna mjedisesh, datash, personash... Ndaj, këtë vepër për Bacën Metush quaje si të duash: në daç monografi polifonike, kronikë e dokumentuar, publicistikë të një periudhe të pas LDB-së në Kosovë, roman historik, prozë dokumentare...
Por mbresës sime, le të më lejohet t`ia jap trajtën përkufizuese: është libërgrishje për rikthim te burimi i paturbulluar në periudhën e turbulluar të viteve të pesëdhjeta dhe gjashtëdhjeta.
Selatin Novosella përmes kësaj monografie nxori përfundimin sintetik, se ideja kombëtare e Metush Krasniqit prirej nga vizioni Euro Atlantik i lirisë dhe i demokracisë.
Ideatori i bashkimit dhe pluralizmit
Në vitin 1957, Metush Krasniqi formoi organizatën politike “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, ndërsa më 1964, Adem Demaçi “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”.
Nëse njëri anonte nga “e djathta” dhe tjetri nga “e majta”, programi politik, qëndrimet dhe mjetet që duheshin përdorur përkitazi sistemit politik komunist në Shqipëri dhe faktorit ndërkombëtar, ishin të njëjta dhe, në një udhë të përbashkët që do t`i shpinte drejtë çlirimit të Kosovës e viseve tjera shqiptare “dhe formimin e shtetit etnik shqiptar në Ballkan”
Edhe para e pas këtyre organizatave politike, lindën e do të lindnin të tjera, me emërtime të ndryshme, por gjithsesi “In medias res” i tyre do të jetë çlirimi dhe bashkimi kombëtar.
Vijimi i lindjes së organizatave politike dhe zgjerimi i shtrirjes së fushëveprimit, nga trojet e pushtuara në diasporat e përqendruara në Gjermani, Zvicër, e gjetiu; solli shkëmbime përvojash me popuj tjerë të robëruar në hapësirat demokratike të diasporës. Përkimet, me gjithë veçantitë, i shtuan Lëvizjes sonë përmasën e ndërkombëtarizimit të saj...
Vitet e tetëdhjeta sipërshfaqën emra veprimtarësh, që ngritën nivelin e Lëvizjes Kombëtare, duke e disiplinuar, konspiruar, infrastrukturuar intelektualisht, përmes një hapësire demokratike, madje qasje pluraliste ndërkomunikimi për unifikimin dhe faktorizimin e shqiptarëve.
Niveli intelektual dhe demokratik, i përfaqësuar nga Jusuf Gërvalla, fisnikëroi Lëvizjen Kombëtare brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Tash Lëvizja frymonte dhe depërtonte më gjallë në shtresimet e popullit. Ajo ishte afër rrahjes së pulsit të zemrës së kombit.
Pikëreferencat, modelin dhe vizionin i kishin në binomin: Metush Krasniqi e Adem Demaçi. Trungut dydegësh do t`i shtohen edhe shumë degë...
Përmasat e çështjes shqiptare do të futen në zyrat e vendosjes Euro-Atlantike.
Sinteza kombëtare
Vepra për Metush Krasniqin shtroi dhe sqaroi, së paku përciptas, disa çështje problemore për ngjyrimet ideologjike në gjirin e Lëvizjes sonë politike, për bartësit, strategjinë dhe kushtëzimet e rrethanave të tyre: si “Grupi Revolucinonar i Kosovës”, “Grupi Marksist-Leninist i Kosovës”, “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës”, ”Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi”, “Fronti i Kuq Popullor”...
Këto emërtime pavarësisht rrjedhës së ngjarjeve, do a nuk do ndokush t`i kuptojë drejtë, kamuflonin thelbësoren, ngase thelbësorja ndodhej në brendi, citoj “që të gjithë, pa përjashtim, synim të parë dhe të fundit kishin luftën nacional-çlirimtare dhe bashkimin kombëtar në kuadër të Shqipërisë, as të madhe, as të vogël, por të Shqipërisë tamam”.*
Fragmenti i shkëputur në fillim të librit “Metush Krasniqi”, Personalitet Unifikues i Lëvizjes Kombëtare, mendoj se shpërfaq kredon sintetizuese të këtij libri: “...më mirë dhe më fuqishëm se sa tek të gjithë popujt e robëruar që synojnë çlirimin dhe bashkimin kombëtar, dëshmon se kjo lëvizje paraqet një zinxhir me hallka më të vogla ose më të mëdha, me hallka më të dobëta ose më të fuqishme, me hallka që qëndrojnë më shkurt apo më gjatë, por, që të gjitha ato paraqesin një vazhdimësi nga brezi në brez, nga gjenerata në gjeneratë, si një amanet dhe një porosi se, gjithsesi, lufta çlirimtare duhet vazhduar deri në çlirim dhe bashkim kombëtar”.*
* * *
Nga prizmi i të sotmes, me statusin që ka Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoni, Serbi e Malin e Zi, stepemi dhe admirojmë: guximin, pathyeshmërinë, çiltërinë dhe tejshikimin e ideatorëve si: Metush Krasniqi, Kadri Halimi, Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, legjendari Adem Jashari...
Gjilan, më 24 kallnor 2012
*Mehmet Hajrizi, cituar nga Selatin Novosella “Metush Krasniqi”, Prishtinë,
*Selatin Novosella “Metush Krasniqi”, Prishtinë,