Faleminderit
Jahë Sadrija: Jeronim De Rada – Jeta dhe veprimtaria letrare
E hene, 06.02.2012, 09:05 PM
Jeronim De Rada (1814-1903)
Jeronim De Rada – Jeta dhe veprmtaria letrare
Nga Jahë Sadrija
jahesadrija@live.com
Jeronim De Rada lindi më 1814 në fshatin Maki të Kalabrisë. Një fshat i bukur, që gjendet pranë kolegjit Shënmitër Koronës. I ati i tij Mikel De Rada, prift ortodoks, ishte mësues i gjuhës greke dhe asaj latine në kolegj.
Mësimet e para De Rada i mori në Shënmitër Koronë. Ato i nisi në vitin 1822, dhe paten rëndësi të madhe për formimin e përsonalitetit të tij. Si nxënës kolegji shkroi poemën e njohur “Odisenë” në gjuhën italiane, por me subjekt shqiptar (1832), e cila do të botohet më vonë. Pas mbarimit të kolegjit, ai qëndroi një vit në fshat, ku u njoh me folklorin arbëresh dhe u dashurua në një vajzë të varfër arbëreshe, në të bijën e Kologresë. Në këtë kohë ai shkroi poemën e tij të dytë, titulluar “ I mërguari i Krujës “ , po ashtu në italishtë. Më 1834 De Rada shkoi në Napoli për të studiuar. Atje jepet pas letërsisë, duke mos i përfillur shumë mësimet e drejtësisë, të cilën e studionte. Lexoi me zell romantikët: Gëten, Bajronin, Lamartinin etj. Në Napoli më 1836 ai botoi poemën “ Këngët e Milosaos”, me të cilën një letërsi e re, ajo e romantizmit tone.
Më 1837 në Itali dështon komploti për përmbysjen e dinastisë së Burbonëve, pjesmarrës is ë cilës ishte edhe De Rada. Ai shpëtoi në saje të ndihmesës së një gjykatësi, që ishte adhurues i poemës “Këngët e Milosaos“. De Rada jetoi disa muaj i arratisur në male, ku e njohu për së afërmi natyrën, që më pas u bë frymëzimi i tij. Kur u kthye në Napoli, punon si praktikant te një avokat i njohur këtu. Nuk zgjati shumë dhe policia i ran ë gjurmë. Një kohë mbetet pa punë, për tu emëruar më pas, mësues privat në një familje aristokrate. Në atë kohë kishte botuar edhe poemën: “Këngët e Serafina Topisë” (1839). Më 1844, De Rada dy poemat ia dërgon Lamartinit. Ai e çmon lartë veprën e tij, duke i shkruar : “Poezia ka lindur në brigjet tuaja , dhe atje duhet të kthehet”.
Më 1848 është koha e revolucionit italian. Në të kishin marrë pjesë shumë arbëreshë. Në këtë vit, De Rada nxjerrë gazetën : “ Arbëreshi i Italisë “, e cila u shndërrua në një tribunë të ideve patriotike të kohës. Një vit më vonë (1849) emërohet mësues i shqipes në kolegjin e Shën Adrianit, ku pas tri vitesh e pushojnë nga puna për shkak të ideve të tij patriotike. Martohet dhe pati disa fëmijë, por për fat të keq i vdesin njëri pas tjetrit. Në vitet e ‘6o, De Rada boton një varg veprash me karakter estetik, politik, gjuhësor dhe folkloristic, të cilat i kishte shkruar më heret. Të këtilla janë: “ Parimet e estetikës “ 1861, “ Lashtësia e kombit shqiptar “ 1864, “Rapsodi të një poeme shqiptare” 1866. Kështu autori bëhet i njohur dhe vihet në kontakt me patriot të tjerë të Rilindjes : Samiun, Mitkon, Dora D’ Istrian etj. Duke i kapërcyer kështu caqet e botës arbëreshe. De Rada në vitet 1868-78 punon si drejtor në gjimnazin italian Koliriano-Kalabro. Eshtë kjo koha kur boton poemen: “Skandebeku i pafan”. Më 1878 poeti ngriti zërin në mbështetje te Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mban një korespondencë me patriotët e kolonive tjera . Bën përpjekje të vazhdueshme për përtrirjen e gjuhës shqipe dhe futjen e saj si gjuhë mësimi në kolegjin e Shën Adrianit. Porse kjo do të realizohet më vonë më 1899, kur ishte i shtyrë në moshë. Nga Maki për në kolegj udhëtonte nga tri here në javë. Ftohet në krahëror. Vdes më 1903 në një dhomë të errët , pa bukë, pa zjarr, pa dritë. Fjalët e tij të fundit ishin: “Gjaku ynë i shprishur…Gjaku i Arbërit po shkon…” Ndërsa, Leonardo De Martini në distikun e tij, do t’i thurë këtë monument:
Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë,
Ti e bëre me pendë, o i madhi De Radë.
Veprimtaria letrare e De Radës është e gjërë. Ai brenda krijimtarisë së tij të madhe njihet si folklorist, estet, por shquhet në radhë të pare si poet. Tri janë veprat e tij të mëdha të këtij lloji: “ Këngët e Milosaos”, “Këngët e Serafina Topisë” dhe “Skanderbeku i pafan”.
Në shkrimin e ardhshëm: Analizë e poemës “ Këngët e Milosaos”.