Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Përkujtohet Dëshmori i Kombit Agron Rrahmani

| E hene, 14.05.2012, 11:14 PM |


PËRKUJTOHET DËSHMORI I KOMBIT AGRON RRAHMANI

Nga Milazim KADRIU

Në përvjetorin e  rënies  së dëshmorit të kombit Agron Rrahmani i cili ra 14 vite më parë në Prishtinë u përkujtua nga familjarët, bashkëveprimtarët, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të tjerë nga Llapi dhe vise të tjera të Kosovës . Në nderim të jetës dhe veprës heroike të dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani, në këtë përvjetor janë bërë homazhe dhe janë vendosur kurora me lule tek vendi i rënies në Prishtinë dhe te varri i dëshmorit në vendlindjen e tij në Ballofc të Podujevës. Agroni ishte pjesëtarë i gueriles së UÇK-së që vepronte në Llap, Prishtinë e gjetiu. Duke i vlerësuar aftësitë e tij organizative dhe interesimin e tij në fushën ushtarake, Agroni u emërua komandant i njësitit gueril, “Rexhep Mala”. Përveç kësaj, ai u ngarkua me detyrë që ta realizojë edhe qendrën stërvitore dhe t`i përgatitë liridashësit për t’u përballur me sukses nëpër betejat që i prisnin. Nga kjo qendër e stërvitjes hynë e dolën qindra luftëtarë, të cilët më pas ata u dalluan nëpër beteja në luftën tonë çlirimtare. Kjo qendër pas rënies heroike të tij, do të merr emrin “Agron Rrahmani”, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e madh që dha komandanti.  Ai u vra në dyluftim me forcat e okupatorit serb të cilët kishte kohë që i kishin rënë në gjurmë veprimtarisë atdhetare të tij dhe e përcillnin në çdo hap. Edhe pse Agroni ishte i vetëdijshëm për këtë për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e tij atdhetare deri në ditën e rënies heroike të tij. Po ashtu pak ditë më parë bashkëveprimtari i tij Bahri Fazliu ra heroikisht në tre kufirit Kosovë-Shqipëri-Mali i Zi. Agroni me shokë, me jetën e tyre na hapën rrugën për të ecur më lehtë tani ne drejt bashkimit kombëtar. Andaj ne duhet të korrim dhe mbledhim djersën e veprës së tyre, në mënyrë që ta nderojmë me punën tonë gjakun e dëshmorëve.