E hene, 29.04.2024, 07:29 AM (GMT+1)

Faleminderit

Lush Culaj: Trajtimi i vrasjes së Gjeçovit në Parlamentin Shqiptar

E diele, 10.06.2012, 04:35 PM


Trajtimi i vrasjes së Gjeçovit në Parlamentin Shqiptar

(pjesa e parë)

Shkruan: Prof. Dr. Lush Culaj- Instituti Albanologjik në Prishtinë

Madhështia e një qyteti apo fshati matet me njerëzit e mëdhenj që i kanë dhënë historisë dhe kulturës së një populli. Së këndejmi qyteza e vjetër e Janjevës ngrihet e lartësohet hijerëndë. Aty u lind më 12 korrik 1873 At Shtjefën Konstantin Gjeçovi, figurë e shquar e kulturës kombëtare shqiptare, mësues, historian, arkeolog, etnograf, shkrimtar e gjuhëtar. Tërë aktiviteti jetësor i këti atdhetari të devotshëm mund të përmblidhet në dy segmente në punë dhe luftë. Ashtu si shumë figura të ndritura dhe të nderuara të Rilindjes sonë Kombëtare, eshe ai pati një fund tragjik. Jetën e përvuajtur, veprën e tij madhore, sakrificën për popullin e tij të shumëvuajtur e për vlerat madhore të kulturës të krijuara gjatë shekujve, punën aq vetëmohuese për studimin dhe ndriçimin kësaj kulture - i vulosi me gjak. U vra në afërsi të Zymit në mënyrë mizore e barbare.

Ishte i lidhur shpirtërisht me vendlindjen, me atë vend që shquhej për ruajtjen e ndjenjave kombëtare dhe luftarake qysh në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të Lidhjes së Pejës, në kryengritjet e pandërprera kundër Perandorisë Osmane, në përpjekjen për bashkimin e forcave kombëtare dhe dhënien e kushtrimit kundër synimeve pushtuese të monarkive ballkanike. Ishin pikërisht këto rrjedha historike që brumosën shpirtin e Gjeçovit dhe lanë gjurmë të pashlyera në të. Ishin këto ngjarje vendimtare dhe dashuria për popullin, ajo gurrë e pashtershme frymëzimi për përpjekjet studiuese, letrare, edukuese me tingëllim patriotik. Në këtë moshë djalërie, dashuria më e madhe ishte Atdheu i mishëruar në figurën e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

Sado që rrethanat ne mes te dy lufterave boterore ishin të vështira, interesi i kombit kërkonte që shqiptarët të mos emigronin në Turqi e në Shqipëri. Për ndalimin e kësaj tragjedie kombëtare do të angazhohen edhe qeveritë e Mbretërisë shqiptare, nëpërmjet një propagande efikase nga legata shqiptare në Beograd. Me gjithë vështirësitë e përmendura, ekzistonin klube të ndryshme sportive dhe organizata bamirëse në Kosovë që ilegalisht merreshin me veprimtari arsimore dhe kulturore. Një rol të rëndësishëm e luajti edhe kisha katolike, e cila përkujdesej kryesisht për besimtarët shqipfolës. Ajo e mbështeste një shoqëri në Pejë që fillimisht quhej “Drini i Bardhë”, ndërsa pas legalizimit njihej si shoqatë relegjioze dhe bamirëse me emrin “Shoqata e Shën Katarinës”. Prifti shqiptar At Shtjefën Gjeçovi, i cili shquhej për nivelin intelektual, kulturor

dhe përcaktime të qarta kombëtare, u bë anëtar aktiv i kësaj shoqate. Veprimtaria e tij, duke përfshirë edhe mbajtjen e katekizmit në gjuhën shqipe shkaktoi pakënaqësi të mëdha tek qeveritarët serbë. Ati françeskan Shtjefën Gjeçovi, për shkak të veprimtarisë të tij të njohur kombëtare, u vra më 14 tetor 1929 në rrethana që lënë pak dyshime mbi motivin e krimit.

Vrasja e Gjeçovit shkaktoi indinjatë të thellë te mbarë populli shqiptar, pa marrë parasysh se i ndjeri ishte martir i ndjenjave të tij kombëtare dhe i besimit të tij. Gjersa shovinistët serbomëdhenj e festuan vrasjen e Gjeçovit si eliminim fizik të një armiku të përbetuar të tyre, shqiptarët e Kosovës e qanë pasi mbetën pa fratin, mësuesin, shkencëtarin dhe vëllanë e tyre të afërm. Lajmet mbi politikën shfarosëse të qeveritarëve serbë në Kosovë prekën thellë ndjenjat e popullit shqiptar në Shqipëri dhe shkaktuan një shpërthim të fuqishëm zemërimi. Në mbështetje të vëllezërve të tyre u ngritën dhe protestuan njëzëri edhe deputetët në Parlamentin shqiptar. Involvimi i shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës dhe popullit shqiptar të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, ishte i pashmangshëm dhe i kuptueshëm. Edhe pse shtet i pafuqishëm, ai kishte një zë në politikën ndërkombëtare, si dhe ndikimet e tij në politikën dhe popullin kosovar.

Parlamenti shqiptar tërheq vërejtjen mbi plojat mizore dhe dhunimet kundër shqiptarëve të Kosovës me kërkesë pranë Qeverisë së Beogradit që t’i ndërpresë këto mizori. Edhe vrasja e atdhetarit Shtjefën Gjeçovi u diskutua nga Parlamenti shqiptar në mbledhjen e njëmbëdhjetë më 11 nëntor 1929 nën kryesinë e kryetarit të Parlamentit, Pandeli Evangjeli.

Pasi që kryetari i Parlamentit hapi mbledhjen dhe paraqiti rendin e ditës, ku ndër çështjet kryesore që do të diskutohej ishte vrasja e At Shtjefën Gjeçovit në Jugosllavi, fjalën e mori deputeti Tefik Mboria. Duke theksuar fillimisht se shkaku që kërkuan shpjegime nga ministri i Punëve të Jashtme mbi vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit ishte që të informoheshin saktë mbi këtë ngjarje, sepse, sipas informacioneve, që i kishin Gjeçovi ra nga dora e panjohur në Jugosllavi, kur ishte në përmbushje të misionit të tij të shenjtë në famullinë e Zymit.

(vijon)



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora