E enjte, 01.05.2025, 09:26 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: Trimi i Maleve Martin Sheldija

E enjte, 31.05.2012, 05:02 PM


TRIMI  I  MALEVE  MARTIN  SHELDIJA…

Në 100 vjetorin e Pavarsisë...

Nga Fritz RADOVANI

Një ndër legjendat e Maleve tona të Veriut ishte edhe ishoficeri Martin Sheldija.

Dij shumë pak për prejardhjen e Tij, familjen dhe jetën e Këtij Heroi të Shqipnisë. Koha po punon në drejtim të harresës së këtyne Figurave të lavdishme, për mos me thanë até që po ngjan në të vërtetë në Historinë e Popullit Shqiptar: “Shlymje e lavdisë së Tyne të perjetshme!”... Një ndihmesë të madhe në këte drejtim po jep pa u kursye përditë shteti “monodemokratik”, i cili nuk u përzihet në “shkarravinat” e tyne “askujtë”, madje as “dr.prof. dhe akademikëve” falsifikatorë të Historisë.

Kisha dëgjue vetëm se dr. Sheldija, mjek i nderuem në Shkodër, dhe i njohtun si i till?, ka pasë një vëlla aq trim ndër male, sa vetëm At Fishta do të kishte mujtë me tregue të vërtetën e jetës dhe të veprave të Tij heroike.

Koha më solli një mundësi në vitin 1998. Kisha në dorë dosjen 1417 në arkivin e Min. Mbrend. në Tiranë... “oficeri Martin Sheldija”, me origjinë familjare nga Sheldija e Shkodrës. Në vitin 1915 ka krye tre vjet në gjimnazin e Jezuitëve, mandej në 1917 ka krye një vit kurs ushtarak në Austri. Në vitin 1942 ka kenë në Çorovodë oficer me gradën toger në polici. Deri atëherë ishte mësues. Në prill e deri në korrik të vitit 1944 ishte Komandant i gazermave të Tiranës. Në muejn korrik vjen në Shkodër. Me 20 nandor 1944, bashkë me policin Gjon Ganjolla, shkojnë në Sheldi mbasi “nuk do të vonojnë dhe do të zbarkojnë anglezët”. Në Sheldi takohet me Kol Ashikun dhe bashkë me Shuk Gjokën dalin në mal me vazhdue rezistencën kundër komunistëve. Disa ditë kalojnë në shtëpinë e Shuk Nushit e Simon Kolës. Prej aty bashkohën me oficer Gjergj Vatën, Zef Mirashin, Don Alfons Trackin, Ndoc Jakovën, Zef Agostinin, Kol Mark Tomën etj...”

Janë gati 20 vetë që jetojnë në një shpellë në Stenë, nën Kishën e Shllakut.

Ndër të pakët njerëz që kanë mbijetue nga ky grup heronjësh asht kenë edhe Loro Vata, i cili ka vdekë në vitin 1999. Fliste me respekt për Burrneshen Palina, që u kishte çue bukë e duhan në shpellë, dhe po me aq nderim kujtonte sakrificën e Lena Prendushit, nusja e nipit të Palinës. Kjo, tregonte Loro, na ka shpëtue jëten, se kishte vërejtë se jemi të rrethuem, e kishte thirrë me gjithë forcën e zanit të saj: “Dilni burra, se ju kapën!”.

Duhet theksue se në Malet e Shllakut, nuk kujtohet asnjë tradhëti nga vendasit!

Martini, bashkë me Gjergj Vatën (me pseudonimin “Cukali”), përpilojnë një letër të cilën e përsërisin prap më 4 janar 1946, por me ton ma të fortë. Këtë herë në drejtim të Don Shtjefën Kurtit, po në Tiranë, për misionet e hueja atje, ku ndër të tjera shkruejnë:

“... tue mos dashtë me iu shtrue terrorit të Enver Hoxhës, kemi marrë malet.

Na do të vazhdojmë përpjekjet për liri.

... t’arratisunit e Veriut, të organizuem në çeta për t’i dhanë grushtat e fundit qeverisë terroriste, që si këte nuk njofti historia.” Martini vazhdon rezistencën ndër male deri në vitin 1949. Me datën 12 mars 1949, mbas shpalljes së amnistisë “për faljën e jetës së atyne përsonave që dorëzohën”, Ai dorëzohët dhe i shtrohet hetimëve. Ai deklaron: “Mbas vrasjës së Gjergj Vatës nga Prelë Nika, edhe ky i arratisun dhe i ardhun diversant nga Jugosllavia për këtë qëllim, humba çdo shpresë për me vazhdue me qëndrue ndër male. Trathtia e vrasjës së Ludovik Saraçit më 11 janar 1948, tek Përroji i Gjadrit, më dha me kuptue se asnjë ndërhymje nga jashtë nuk ka ndër mend me u ba në Shqipni.

Të gjithë ata që na premtuen, vetëm na rrejtën, mbasi në një mënyrë apo në një tjetër, ata e lanë me u forcue rregjimin e Enver Hoxhës, tue vra e zhdukë të gjithë kundërshtarët që ishim ndër male. Kështu që e pashë se ishte kot me vazhdue ...”

“... Shaban Abdullahi e Zyber Hysejni nga Rragami, na kanë njoftue për Lëvizjen e Postribës. Ata ishin në Rragam e Kryethi, Tish Pashuku në Sheldi, Shuk Gjoka në Ganjollë, Spathar e Juban. Jemi mbledhë në Juban, kemi ra nga livadhet e Shaban Matit dhe jemi nisë me i ra Shkodrës bashkë me Pjetër Dedën, që ishte në mal bashkë me gruen e tij. Tek Ura e Kirit kemi shkrepë pushkët, e pamë se nuk asht gja dhe kemi ikë edhe njëherë andej...Unë lajmin për me sulmue Shkodrën e kam marrë më 8 shtator 1946”.

“Luftën e Postribës e ka fillue Seit Duli të fusha e aeroplanave...”

“Nuk mbaj mend ku jemi përpjekë me forcat e Ndjekjës, mbasi janë kenë të shumta, as nuk dij ke kemi vra, mbasi shpesh përpjekjet baheshin natën. Mbasi prante pushka, nuk rrinim me pa të vramit, por çanim rrëthimin dhe ndrronim vend, mbasi Ndjekja shtonte forcat kundër nesh.

Na kemi luftue kundër jush, mbasi për mue ju jeni shtet terrorist.”

Kështu, deklaron Martin trimi në hetuesi.

Më 4 tetor 1949, Gjykata e Naltë Ushtarake e Tiranës me kryetar nën/kol. Bilbil Klosin, aprovon vëndimin për Martin Sheldinë “me dënim të përjetëshëm në burg”.

Ministri i Mbrendshëm atëherë Mehmet Shehu shënon:

“... t’i jepët dënimi i përjetëshëm edhe pse nuk e parashikon neni 28.

Të aplikohet tek 32, mbasi duhej me vdekje.

Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqërore shumë të theksuar.”

Tiranë, 29 qershor 1949. Ministri i Mbrendshëm (Mehmet Shehu) d.v.

Ky motivacion i kriminelit Mehmet Shehu, që nuk zbaton ligjin e amnistisë, tue e dijtë mirë se neni 28 nuk e parashikonte këtë dënim, kërkon aplikimin e nenit 32, mbasi duhej me vdekje, vendim i cili e ndjekë fatkeqin Martin Sheldija gjithë jetën.

Martin Sheldija dërgohet në burgun famkeq të Burrelit. Atje ai kaloi gjithë dënimin mbasi dosja ka edhe datën e lirimit nga ai burg: Burrel, 14 shkurt 1966.

Dosja e Martinit, e këtij martiri që mbijetoi për aq shumë vite në një ndër burgjet ma të mnershme të diktaturës komuniste, asht shembull i qëndresës së patundun të Këtij Atdhetari, që për aq kohë të gjatë nuk bani asnjë lutje për lirim të parakohshëm.

***

Asht e vërtetë se ka pasë shumë Burra si Martin Sheldija, por ka pak e aspak nga ata që duhet të kërkojnë me kujtue me nderim shokët e Trimit të Maleve Martin Sheldija.

Fatkeqësisht po harrohen Burrat e Herojtë! Ua kanë zanë vendin tradhëtarët hajna e lapera, që kerkojnë me njollosë Historinë e Shqiptarëve në këte 100 vjetor...

Anglezi A.Glen, shkruen: “Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët që iu dhanë E. Hoxhës, e partizanëve... Ne bëmë shumë pak me ua shpërblye besnikërinë miqëve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin e disa, të tradhëtoheshin.(“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Është zbuluar pllaka përkujtimore e ish-ushtarit të UÇK-së Agron Sylejmani Hilmi Saraçi: Namon Kunoviku - Misionin e mësuesit dhe të edukatorit e ëndrroi gjithmonë Ramiz Dërmaku: Përkujtojmë eprorin e Komandantin Agim Qelaj-Coli Milazim Kadriu: Përkujtohet Dëshmori i Kombit Agron Rrahmani Hilmi Saraçi: Haxhi Selim Drejta - fetar dhe atdhetar i shquar Milazim Kadriu: Në përvjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët gjeneral Ilir Konushevci, dhe Fatmir Hyseni e Skënder Gashi Besar Shkëmbi: 20- vjetori i renjes heroike te heroit te kombit Tahir Lush Berisha Meri Lalaj: Gjyslyme Dervishi (Leka) Meri Lalaj: Ganimet Gjilani (Fratari) - Historia e vajzës së Institutit “Nana Mbretneshë” Ramiz Selimi: Lulzimi Fejzullahi një shembull i mirë integrimi Fatmire Duraku: Poezia e këputur Xhevahir Cirongu: Biri i shqipes, dëshmor në Kosovë Gjon Neçaj: Beqir Ndou- biri i Nikaj Merturit, patriot dhe besnik i idealeve atdhetare Lavdrim Lita: Afrim Koçi, murgu laik i përkthimeve magjike Bahri Myftari & Serxhio Mazreku: Aqif pashë Elbasani, figurë e shquar e historisë Myrvete Dreshaj & Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij Akil Koci: Bardi i muzikës, kompozitori Çesk Zadeja Beqir Sina: Amerikanja “Pilotja e vdekjes” që bombardoi Serbinë për 200 orë rresht! Safet Hyseni: Kush ishte Sefer Kaçak-Zajazi!? Meri Lalaj: Didi Biçaku (Maliqi): ose Zonja Didi, që i shpëtoi pushkatimit për “bombën” tek Ambasada Sovjetike

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx