E hene, 29.04.2024, 05:00 AM (GMT+1)

Faleminderit

Gani Mehmeti: Njeriu që, i gjallë, nuk ia ktheu shpinën shtëpisë

E merkure, 06.06.2012, 05:26 PM


NJERIU QË, I GJALLË, NUK  IA KTHEU SHPINËN SHTËPISË

Në 13 vjetorin  e vrasjes të Imer Mulliqit – Sylevicës së Podujevës

Nga Gani I. Mehmeti

Njëri nga dashamirët dhe kontribuesit e arsimit shqip në fshatin Sylevicë të Pofujevës, pa dyshim, ishte Imer Halim Mulliqi, i njohur si Imer Sylevica.

Imerin e ka njohur gati i tërë Llapi, i madh dhe i vogël, më veshjen e tij karakteristike kombëtare, i cili dimër e verë nuk e ka hequr veshën atë. Po, Imeri për dallim nga vesha llapjane, në vend të shokës së kuqe me të zezë, ai bartte shokën e bardhë me të zezë, simbol i shpirtbardhësisë së tij. Ishte orator, i dijshëm, popullor që kishte një humor të lehtë e të këndshëm me të gjithë. Ishte i afërt edhe me fëmijë e me të rinj, nga i cili dilnin prore këshilla për ta...

Imeri ishte inisiatori i hapjes së shkollës në fshatin e tij, në Sylevicë. Ai, pa u hamendur, kishte hequr dorë nga oda e tij tradicionale, bujare e mikpritëse dhe e kishte ofruar për shkollë, ku në vend të fjalëve të mëdha e të shumta të burrave të kësaj ane, do të mësonin alfabetin fëmijët e fshatit, të cilët deri atëherë po udhëtonin në fshatin fqinj rreth tre kilometra rrugë në një drejtim me një terren shumë të vështirë, sidomos për fëmijët e vegjël nga klasa e parë e deri në klasën e katërt.

Ashtu ishte vepruar nga organet komunale të arsimit, dhe, që në vitin 1967, për herë të parë hapet shkolla në odën e tij në Sylevicë. Imeri me gjithë dëshirë, se po bënte edhe një vepër arsimdashëse, kishte pranuar të jetë vetë punëtori teknik  i mbetur pa odë, i vinte vështirë të qëndronte, prandaj, pa u hamendur, ai filloi ndërtimin e një lokali shkollor, dhe, shpejt e shpejt i bën dy dhoma mësimi me një zyrë të vogël për mësuesit për vitin vijues shkollor, duke e kthyer odën sërish në rolin e mëparmë.

Nuk mundte t`i trajtonte vetëm si mësues mësuesit, por sikur t`i kishte mysafirë të tij, prandaj, rregullisht ua shtronte sofrën, u jepte të hanin para se të fillonin me punë, ndërsa gjatë kohës mes orëve, pra gjatë pushimeve, u jepte çajin e preferuar nga llapjanët. Kështu ai veproi gjatë gjithë kohës deri sa u ndërtua shkolla në lokacion tjetër m larg nga shtëpia e tij.

Si shumë të tjerë, edhe Imer Sylevica, pasi u pensionua, e la fshatin dhe u vendos në Podujevë. Edhe këtu ai u ndenji besnik  kostumeve kombëtare dhe nuk i hoqi fare. Ardhja e policëve serbë nga viti 1990 i solli shumë telashe, po ai nuk u dorëzua para barbarëve asnjëherë. E kishin kërcënuar sa herë që ai të mos dilte më në qytet me atë uniformë, siç e quanin ata, por kurrë nuk e hoqi. Me orë të tëra e kishin mbajtur edhe në stacionin policor në Podujevë, por sërish as nuk u kishte premtuar ndonjëherë se do ta hiqte atë “uniformë” prej së cilës trembeshin barbarët. Ky qëndrim i tij kishte mbetur edhe pas datës 24 mars 1999, kur barbarët dhe kriminelët serbë detyruan shqiptarët të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të merrnin jetën kah sytë - këmbët.

Imer Sylevica kishte qëndrimin e tij edhe me këtë rast. Ai, më 28 mars kishte deklaruar familjes së tij: “Unë do ta mbroj pragun e shtëpisë dhe për së gjalli nuk do ta lëshoj shtëpinë”! Me këto fjalë, ai ishte ndarë nga familje e tij e ngushtë, duke u përshëndetur me të, me dëshirën e madhe që të takoheshin sërish, por me bindjen se kurrë më nuk do të shiheshin për së gjalli. Më në fund këtë ndjenjë e kishte Imeri, krenar me kostumet kombëtare shqiptare.

Nuk dalë i gjallë nga shtëpia ime dhe nuk ka forcë që mund të më dëbojë prej saj, përveç  kufomë. Këto fjalë i kishte thënë Imeri në moshën 82 vjeçare, dhe familja e tij i kishte lënë lamtumirën, kur ishin detyruar të largoheshin nga shtëpia e tyre më 24 mars të vitit 1999, por gjithsesi, me shpresë e dëshirë që të shiheshin sërish. Familja kishe marrë rrugën në sy, pa ditur se kah dhe deri ku do të shkonin e pa ditur se do të vinte koha të ktheheshin në vatrën e tyre të dashur ndonjëherë. Të larguarve koka u kishte

mbetur mbrapa nga shtëpia, jashtë së cilës me sy, mend, shpirt e zemër po i përshëndeste kryefamiljari, i urti, i dashuri, arsimdashësi, plaku i shtëpisë - Imer Mulliqi - Sylevica. Imeri nuk kishte mundur t`ia kthejë shpinën shtëpisë së tij, e kishte tërhequr një forcë më e madhe e shtëpisë sesa ajo e familjes - e bijve dhe e nipërve, me çka mund të kuptojmë simbilizmin e dashurisë më të madhe ndaj atdheut sesa ndaj familjes - forca shumë të përafërta por që dashuria ndaj vendit është më e fortë.

Familja bëhet endacake, duke bredhur fshat pas fshati deri në Qershorin e Lirisë të vitit 1999, kur pas hyrjes së forcave të NATO-s, të përndjekurve u mundësohet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, tani të lira, ku përgjysmë të djegura e ku tërësisht, po më në fund ndjeheshin  të lirë - dhe kjo mjaftonte, sepse ishin në  vatrat  e tyre të dashura dhe nën diellin e ngrohtë të qershorit.

Për familjen e Imerit ndjenja ndaj lirisë ishte e përgjysmuar... Ata nuk e gjejnë plakun, kryefamiljarin e tyre të dashur në shtëpi. Imer Mulliqin e kishin vrarë e masakruar barbarët e kriminelët serbë bashkë me katër fqinjtë tjerë. Atë e kishn masakruar pse po bartte gjithmonë rrobat kombëtare, të cilat prej kur mbahet mend, kurrë nuk i kishte hequr nga trupi, përveç kur flinte, po që shpesh e zinte gjumi me to veshur nëpër oda ndër miq, vëllezër e shokë, sepse ai ishte një njeri vizitor dhe rrallëherë mbrëmja e errëte në shtëpi, vetëm atëherë kur priste dikë, përndryshe nuk linte ilaka, siç thoshte ai, pa vizituar e shpesh aty e çilte edhe mëngjesi pa futur kokërr gjumi në sy

Dhe, kishte ardhur fund-marsi dhe fillim-prilli i vitit 1999, kur forca të shumta kriminelësh serbë kishin hyrë në oborrin e shtëpisë së tij, që pa një, pa dy, takojnë Imerin me katër bashkëfshatarë të tij. Pa vonuar shumë ata kë vrasin e kë masakrojnë që të pestit në krye me Imer Sylevicën, plisi i të cilit disa herë ishte përdhosur për dhe deri atëherë, e tani ai plis gjuhet përtoke bashkë me kokën e Imer Sylevicës për të mos u ngritur kurrë më, sepse nuk donte  kokë tjetër dhe s`kishte mbetur më një shqiptar në Podujevë ato ditë përndjekjeje.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora