E hene, 29.04.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Faleminderit

Meri Lalaj: Poeti Pano Taçi

E marte, 19.06.2012, 05:42 PM


Poeti Pano Taçi

Nga Meri Lalaj

Ishte një ditë fillim vjeshte në Pogradec, ndoshta viti 1978, po ecnim të dy rrugës me Lasgushin, ndodheshim te sheshi përballë Shtëpisë së Kulturës, kur ai u ndal dhe takoi një burrë. Unë nuk ndalova. Pakëz më vonë më tha se ai ishte poeti Pano Taçi, (nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë emër). Në fillim sikur nuk e besova Lasgushin, por kur kujtova kopjen e dorëshkrimit të poemës “Kamadeva” dhe aty brenda ndodhej poezia e Pano Taçit për Lasgushin. Ja disa nga vargjet e saj: “Kamadev, Kupid, Eros / Ç’është ky zjarr që s’na u sos / U shkëput nga dega mëmë gjeth’ i fundit vjeshtarak, / Pres të ngrihet anës gjolit zogu i mallit endacak. / Po ku je nosit i dashur, s’t’i ndjej flatrat nëpër erë, / Dimri xhokebardhë nisi të trokas’ me shkop në derë  / S’ka ç’m’i bën ngrica e ftohtë zemrës sime, o Lasgush, / Shpirti ngrohet kur më çmallet, sepse malli është prush...”

Kaluan shumë vite. E mbajta mend emrin Pano Taçi. Erdhi viti i stuhishëm 1991 dhe ne të gjithë plot vëmendje ndiqnim se çfarë po ndodhte në Atdheun tonë. Ish të burgosurit politikë u futën në grevë urie, ndërsa ndiqja lajmet në Radio-Tirana dëgjova zërin e Pano Taçit. Ata ndodheshin të ngujuar tek një qendër sportive. U nisa për në Tiranë dhe vajta drejt atje kërkova Pano Taçin. Ai u vonua shumë për të dalë sepse tek një fletë ku kish shkruar një poezi, shkrojti edhe disa fjalë të tjera posi amanete e ma dhuroi poezinë e tij mua. Kur doli kish lidhur një rrip të kuq rrotull ballit dhe dukej shumë i vendosur, i vetëdijshëm për atë që po bënte. Unë e kam ruajtur atë fletë letre të zverdhur nga vitet, nuk është botuar asgjëkundi dhe po e shkruaj këtu:

 

Ngujimi

Na ngujoj vëllezër hidhërimi,

(se u shpërndam si zogjt e sorrës).

Ja sot, ja kurrë për ne shpëtimi!

Ja sot, ja kurrë këmban’ e orës!

 

Na bashkoj vëllezër tirania,

që na u qep e s’na u çqit.

Po aq e varfër na qe liria,

dhe tirania e pa shpirt.

 

S’durohet më. –Të gjith më këmbë!

Na vodhën shum’ e kërkojmë pak.

Ne që na çmuan dje për gjëmb,

sot na nderojnë për zambak.

 

Po cila lule s’do qe tharë

kur s’e potisin me kujdes?...

Do vyshkej krejt, kur për të qarë

të vjen më pas, oh, ajo vdes...

Pano Taçi, ish i burgosuri i ndërgjegjes, djegur e përzhitur jeta ime në burgjet Ferr të Enver Hoxhës mbi 23 vjet, e në internim mbi 7 vjet. Këtë poezi e shkrova ditën e pestë të ngujimit në grevën e urisë, bashkë me shokë bashkëvuejtës të tjerë 90 ish të dënuar të ndërgjegjes.

Kemi vendosur o të fitojmë, o të vdesim. E drejta është me ne, fitorja fakultative. Në do të na i mbështesin kërkesat tona, forcat demokratike të popullit tonë, partitë opozitare, shoqatat e sindikatat e pavarura: Ne na shtohet durimi, shpresa e qëndresa deri në vetmohim, dhe forcat e errëta moniste, presidenti, parlamenti e qeveria do t’i gjunjëzohen presionit tonë të drejtë, e atij kombëtar e ndërkombëtar. Ne do të fitojmë.

Edhe me vdekjen tonë, ne do të fitojmë. Koha është me ne, me ne është Demokracia.

(Ja u dhuroj këtë poezi si shejë nderimi e kujtimi për vizitën tuaj humane.

I ngujuari i grevës së urisë dhe nismëtari i shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të Shqipërisë. Me nderim : Pano Koço Taçi. Tiranë 25.9.1991

Në vitet që erdhën më pas, tok me Pano Taçin kemi qenë në shumë takime poetike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të gjithë e donin Panon, të gjithë ia lexonin poezitë.

Atë ditën e shtunë, të fundit para dy a tri javësh isha ulur tek Kafe “Evropa” tok me zonjën Mynever Shuteriqi, po pinim kafe poshtë çadrave të mëdha. Binte shi dhe bubullinte. Befas ndjeva se po më vështronin ngultas një palë sy dhe u përmenda, u ngrita dhe e përqafova Panon: “Pano, ti qenke çfarë ke?” (sepse mu duk shumë i sfilitur, vetëm sytë i ndrisnin gati të përlotur). “Jam i sëmurë” – tha – “kam shumë dhimbje, jam në spital... “ Ne vajtëm në përurimin e librit me poezi të Piro Kuqit. Kjo qe hera e fundit që e takova Panon. Lamtumirë Pano!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora