| E marte, 19.06.2012, 05:42 PM |
Poeti
Pano Taçi
Nga Meri Lalaj
Ishte një ditë fillim vjeshte në Pogradec, ndoshta viti
1978, po ecnim të dy rrugës me Lasgushin, ndodheshim te sheshi përballë
Shtëpisë së Kulturës, kur ai u ndal dhe takoi një burrë. Unë nuk ndalova. Pakëz
më vonë më tha se ai ishte poeti Pano Taçi, (nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë
emër). Në fillim sikur nuk e besova Lasgushin, por kur kujtova kopjen e
dorëshkrimit të poemës “Kamadeva” dhe aty brenda ndodhej poezia e Pano Taçit
për Lasgushin. Ja disa nga vargjet e saj: “Kamadev,
Kupid, Eros / Ç’është ky zjarr që s’na u sos / U shkëput nga dega mëmë gjeth’ i
fundit vjeshtarak, / Pres të ngrihet anës gjolit zogu i mallit endacak. / Po ku
je nosit i dashur, s’t’i ndjej flatrat nëpër erë, / Dimri xhokebardhë nisi të
trokas’ me shkop në derë / S’ka ç’m’i
bën ngrica e ftohtë zemrës sime, o Lasgush, / Shpirti ngrohet kur më çmallet,
sepse malli është prush...”
Kaluan shumë vite. E mbajta
mend emrin Pano Taçi. Erdhi viti i stuhishëm 1991 dhe ne të gjithë plot
vëmendje ndiqnim se çfarë po ndodhte në Atdheun tonë. Ish të burgosurit
politikë u futën në grevë urie, ndërsa ndiqja lajmet në Radio-Tirana dëgjova
zërin e Pano Taçit. Ata ndodheshin të ngujuar tek një qendër sportive. U nisa
për në Tiranë dhe vajta drejt atje kërkova Pano Taçin. Ai u vonua shumë për të
dalë sepse tek një fletë ku kish shkruar një poezi, shkrojti edhe disa fjalë të
tjera posi amanete e ma dhuroi poezinë e tij mua. Kur doli kish lidhur një rrip
të kuq rrotull ballit dhe dukej shumë i vendosur, i vetëdijshëm për atë që po bënte.
Unë e kam ruajtur atë fletë letre të zverdhur nga vitet, nuk është botuar
asgjëkundi dhe po e shkruaj këtu:
Ngujimi
Na ngujoj
vëllezër hidhërimi,
(se u
shpërndam si zogjt e sorrës).
Ja sot, ja
kurrë për ne shpëtimi!
Ja sot, ja
kurrë këmban’ e orës!
Na bashkoj
vëllezër tirania,
që na u qep e
s’na u çqit.
Po aq e
varfër na qe liria,
dhe tirania e
pa shpirt.
S’durohet më.
–Të gjith më këmbë!
Na vodhën
shum’ e kërkojmë pak.
Ne që na
çmuan dje për gjëmb,
sot na
nderojnë për zambak.
Po cila lule
s’do qe tharë
kur s’e
potisin me kujdes?...
Do vyshkej
krejt, kur për të qarë
të vjen më
pas, oh, ajo vdes...
Pano Taçi,
ish i burgosuri i ndërgjegjes, djegur e përzhitur jeta ime në burgjet Ferr të
Enver Hoxhës mbi 23 vjet, e në internim mbi 7 vjet. Këtë poezi e shkrova ditën
e pestë të ngujimit në grevën e urisë, bashkë me shokë bashkëvuejtës të tjerë
90 ish të dënuar të ndërgjegjes.
Kemi vendosur o të fitojmë, o të vdesim. E drejta është me ne, fitorja
fakultative. Në do të na i mbështesin kërkesat tona, forcat demokratike të
popullit tonë, partitë opozitare, shoqatat e sindikatat e pavarura: Ne na
shtohet durimi, shpresa e qëndresa deri në vetmohim, dhe forcat e errëta
moniste, presidenti, parlamenti e qeveria do t’i gjunjëzohen presionit tonë të
drejtë, e atij kombëtar e ndërkombëtar. Ne do të fitojmë.
Edhe me vdekjen tonë, ne do të fitojmë. Koha është me ne, me ne është
Demokracia.
(Ja u dhuroj këtë poezi si shejë nderimi e kujtimi për vizitën tuaj humane.
I ngujuari i grevës së urisë dhe nismëtari i shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të Shqipërisë. Me nderim : Pano Koço Taçi. Tiranë 25.9.1991
Në vitet që erdhën më pas, tok
me Pano Taçin kemi qenë në shumë takime poetike brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Të gjithë e donin Panon, të gjithë ia lexonin poezitë.
Atë ditën e shtunë, të fundit para dy a tri javësh isha ulur tek Kafe “Evropa” tok me zonjën Mynever Shuteriqi, po pinim kafe poshtë çadrave të mëdha. Binte shi dhe bubullinte. Befas ndjeva se po më vështronin ngultas një palë sy dhe u përmenda, u ngrita dhe e përqafova Panon: “Pano, ti qenke çfarë ke?” (sepse mu duk shumë i sfilitur, vetëm sytë i ndrisnin gati të përlotur). “Jam i sëmurë” – tha – “kam shumë dhimbje, jam në spital... “ Ne vajtëm në përurimin e librit me poezi të Piro Kuqit. Kjo qe hera e fundit që e takova Panon. Lamtumirë Pano!