E premte, 26.04.2024, 08:04 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ramadani: Nuk ka se çka të negociohet për Veriun

E merkure, 24.08.2011, 07:59 PM


Nuk ka se çka të negociohet për Veriun

 

Nga Mr. ARDIAN RAMADANI

 

Është sa interesante, aq edhe irrituese që dita ditës po lëshohen deklarata nga ana e personaliteteve të ndryshme ndërkombëtare, prej të cilëve disa me një konspiracion e disa edhe publikisht, ide këto që ftojnë në negociata për Veriun e Kosovës. Dihet se negociatat janë faktori kyç për tu arritur një marrëveshje e caktuar. Jam më se i kujdesshëm dhe pajtohem me thënien e Kenedit, ish- presidentit amerikan, që kurrë mos të negociojmë pa pasur frikë, po kurrë mos të kemi frikë për të negociuar, po ja që këto negociatat që kërkohen për gjoja Veriun e Kosovës, më krijojnë frikë dhe ankth, sepse kërkohet të bisedohet për diçka, e cila nuk duhet biseduar aspak. Kësisoj drejtori për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec në një rast mes tjerash do të shprehej se “Veriu është alfa dhe omega e mosmarrëveshjes ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Mendoj se është arsyeja e pothuaj të gjitha tensioneve ndërmjet tyre”, ka thënë Prelec për Radion Evropa e Lirë.

Kësisoj teza e tij është në dukje realiste, po në fakt është e rrezikshme, sepse e zbret problemin shqiptaro- serb në nivel të Veriut, dhe kësisoj minimizon problemet dhe tensionet e vërteta, mes palës shqiptare dhe asaj serbe. Unë e kam thënë shumë herë publikisht nëpër shkrime të ndryshme që nëse tentohet normalizimi i marrëdhënieve shqiptaro –serbe, ajo nuk mund të bëhet pa katarsën e duhur të shoqërisë dhe të shtetit serb. Në mes tjerash Kosova, duhet të sillet ndaj Serbisë jo si shtet fqinj, po si shtet armik, ngase kjo e fundit eksponohet dhe vepron ndaj Kosovës si e tillë. Andaj reciprociteti duhet të vlejë edhe këtu. Nuk e di se si mund të kërkohet të negociohet Veriu, kur ai është i panegociueshëm, ngase është pjesë e territorit të Kosovës, shtet ky i njohur ndërkombëtarisht nga 81 shtete. Nuk e kuptoj se si mund të negociohet për Veriun, çfarë ka të negociohet, kur dihet se ajo pjesë është pjesa më e kriminalizuar në Ballkan, pjesë ku mungon sundimi i ligjit, e aty institucionet nuk duhet të gjejnë formën dhe mundësinë për të ushtruar sovranitet. Nuk mund të flitet për demokraci, nëse mungon ushtrimi i sovranitetit në pjesën e Veriut, nuk mund të flitet për demokraci nëse mungon kushtetutshmëria dhe zbatimi i saj. E kësisoj demokracia në pjesën veriore, ashtu sikur edhe në pjesët tjera të Kosovës, mund të funksionojë vetëm nëse, respektohet kushtetutshmëria dhe anasjelltas, ka kushtetutshmëri në ato shtete ku funksionojnë parimet e demokracisë. Kësisoj, parimi i demokracisë është garantimi i mirëqenies, sigurisë dhe lirisë së nënshtetasve të një shteti. Ky parim duhet të jetë i shenjtë dhe duhet të respektohet nga të gjithë, por ama është detyrë e shtetit dhe institucioneve shtetërore që të sigurojnë këtë.

Nga tjetra anë, është poashtu detyrë e shtetarëve të Kosovës, të kundërshtojnë me ngulm rifillimin e këtyre bisedave të dëmshme, ngase në negociata duhet hyrë si dy palë të barabarta, e Kosova nuk njihet si partner i tillë nga Serbia, në negociata kur të futet duhet të kihet parasysh procedura paraprake, e ajo është se subjektet që janë futur në negociata duhet të ofrojnë dhe tregojnë respekt për njëri- tjetrin, e kjo nga pala serbë nuk po vërehet.

Nëse duhet të negociohet, duhet të negociohet statusi i shqiptarëve të mbetur në Serbi, duhet të negociohet për fillimin e katarsës së Serbisë, për kërkimin e faljes nga ana e saj, për rikuperimin e dëmeve dhe sanimin e tyre, për pagimin eventual të reparacioneve të luftës, ashtu siç bëri Gjermania pas humbjes së thellë në Luftën e Dytë Botërore.

Vetëm kësisoj arrihet deri te mirëqenia dhe te stabiliteti, vetëm kësisoj mund të rifillojnë negociatat me Serbinë. Ato nuk mund dhe nuk duhet të rifillojnë, kur një pjesë e territorit të Kosovës është pjesë pa sovranitet shtetëror, në një pjesë ku strukturat kriminale kanë mbështetjen publike të Serbisë, në një “shtet” brenda në shtet..

Hapi i duhur i shtetit të Kosovës, duhet të jetë insistimi para faktorit ndërkombëtar për të filluar procedurën e katarsës së Serbisë, në raport me Kosovën në këtë rast, si dhe njohjen e saj si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Serbisë. Vetëm kësisoj do të ketë kuptim termi “demokraci” edhe në këtë pjesë të globit, si dhe do të mund të flitet për negociata.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora