E shtune, 27.04.2024, 11:49 PM (GMT+1)

Mendime

Zef Preçi: Që greva të mos degjenerojë...

E merkure, 24.08.2011, 07:56 PM


QË GREVA TË MOS DEGJENEROJË...

16. 08. 2011

 

Nga  Dr. Zef Preçi

 

Grevat e urisë përbëjnë një metodë të rezistencës paqësore apo të presionit përmes të cilit pjesëmarrësit agjërojnë si një akt proteste politike, ose që provokon ndjenjën e fajit tek të tjerët, zakonisht me qëllim për të arritur një synim të veçantë, të tilla si ndryshimet politike. Siç dihet, agjërimi është kryesisht një akt i abstenimit me dëshirë nga disa ose të gjitha ushqimet, pijet ose të dyja, për një periudhë të caktuar kohe. Në shumë greva të urisë, grevistët pjesëmarrës marrin vetëm lëngje, por jo ushqime të ngurta. Një grevë urie nuk mund të jetë efektive nëse fakti që ndërmarrja e saj nuk publikohet në mënyrë që të bëhet e njohur nga qytetaret dhe komuniteti të cilët synohet t’u bëhet përshtypje, të shqetësohen ose sigurohet mbështetja e tij. Në pikëpamje historike, grevat zënë fill qysh në historinë e largët parakristiane të Irlandës (e quajtur Troscadh ose Cealachan) dhe deri në ditët tonë.

Pa u futur në historinë e grevave të urisë në vendin tonë, duhet pranuar se në fillimet e tranzicionit, ashtu si dhe në vende të tjera lindore ish-komuniste, ato kanë qenë një mjet efektiv i përdorur nga opozita e kohës në detyrimin e qeverise për të dhënë dorëheqjen, d.m.th, janë përdorur si një mjet presioni për arritjen e një qëllimi politik të drejtpërdrejtë. Ndërkaq, me kalimin e kohës dhe futjen e vendit në rrugën e pakthyeshmërisë së sistemit politik dhe ekonomik që gëzojmë sot, grevat e urisë si mjete ekstreme u orientuan kryesisht drejt kërkesave ekonomike, ose kërkesave të tjera që gradualisht zbehën interesat dhe qëllimet politike. Këto të fundit u kamufluan në mënyrë të njëkohshme me ato ekonomike. Ndërkaq, disa zhvillime të mjedisit të përgjithshëm ekonomik dhe social të vendit zbehën rolin e sindikatave të punëtorëve dhe të grevave të urisë si mjete presioni nga këto të fundit mbi strukturat shtetërore dhe “patronatin” – punëdhënësit.

Kolapsi i industrive të trashëguara nga sistemi i ekonomisë së centralizuar, privatizimet problematike nga pikëpamja e kuadrit ligjor, paaftësia dhe korrupsioni i strukturave shtetërore në mbikëqyrjen e detyrimeve të firmave kryesisht të huaja që privatizuan asete të rëndësishme strategjike të pronës publike, bënë që statusi social-ekonomik i punëtorëve të punësuar në ato pak industri “tradicionale” dhe miniera që rifilluan të gjallërohen mbas vitit 1997 të mbetej në një gjendje të mjeruar. Kjo shprehej si në kushtet e punës dhe sigurisë së jetës, por sidomos edhe në pagat e punës dhe rritjen e saj të ngadalshme, larg ritmeve të rritjes së saj në sektorin publik dhe në atë privat, në degë apo sektorë të tjerë të ekonomisë. Natyrisht, në këtë gjendje ka ndikuar edhe varfëria disa herë më e lartë në të ashtuquajturat “qendra industriale” apo “qyteza punëtorësh” të trashëguara nga periudha socialiste, karakterizuar nga mundësitë shumë të vogla të jetesës së familjeve të mbetura në to, mbas braktisjes masive që i është bërë zonës kodrinore-malore të vendit gjatë dy dekadave të fundit. Kjo ka bërë që kompanitë shfrytëzuese të burimeve minerare të vendit të ofrojnë paga të vogla pune, deri edhe qesharake, të mos sigurojnë mjetet e nevojshme të mbrojtjes në pune dhe trajtimin ushqimor përkatës, të mos kryejnë sigurimin e jetës së punëtorëve, e në disa raste as të sigurimeve shoqërore të punëtorëve të tyre. Ndërkaq, sindikatat, për shkak të pamundësisë së organizimit të punëtorëve, parcializimit dhe përdorimit politik që ju kanë bërë herë mbas here këtyre të fundit ato (sindikatat), problemeve organizative të drejtimit të tyre (të njëjtat fytyra për 20 vjet, njëlloj si në lidershipin e partive politike) më shumë se mbrojtëse të interesave themelore ekonomike, lirive dhe të drejtave themelore të punëtorëve, ishin dhe mbeten shtojca të dy krahëve politikë, lehtësisht të përdorshëm prej tyre.

Tani të vijmë te greva e tri javëve të fundit e punëtorëve të minierës së Bulqizës. Personalisht mendoj se punëtorët janë në të drejtën e tyre të protestojnë sa herë që ju mohohen interesat e tyre dhe përmes këtyre radhëve dëshiroj të shpreh solidaritetin tim të thellë me kërkesat e tyre ekonomike. Madje, vazhdoj të besoj se përmes kësaj greve minatorët, si një ndër segmentet më të vuajtur të shoqërisë do të kontribuojnë në zgjimin e shpirtit të protestës së kësaj të fundit. Ndërkaq, kërkesat e tyre me ngjajnë të drejta në aspektin ekonomik (rritja e pagës); disi të instrumentalizuara politikisht dhe gati absurde në vijimin e grevës së urisë përmes ndërrimit të kontingjentit të punëtorëve grevistë. Për kapërcimin e kësaj situate, mendoj se nevojitet që vendin e emocionalitetit dhe të solidaritetit (të munguar), duhet ta zërë nacionaliteti; të mos harrojmë se minatorët grevistë janë qenie njerëzore po aq dinjitoze sa ne të tjerët, por të përbuzur dhe të pashpërblyer për punën e tyre shumëvjeçare atje ku nuk hyn rrezja e diellit dhe jeta kërcënohet në çdo moment.

Kështu, kërkesa plotësisht e drejtë e punëtorëve për rritjen e arsyeshme të pagës mund dhe duhet të zgjidhet, por zgjidhja e kësaj kërkese kërkon vullnet politik të qeverisë për të thirrur këshillin trepalësh (qeveri-punëdhënës-punëmarrës); për të fiksuar pagën e rritur në kontratën kolektive të punës, përgjegjësi të firmës koncesionare për të llogaritur aftësitë paguese të saj dhe për të pranuar rritjen e menjëhershme të pagave (në media thuhet se firma ka rënë dakord me rritjen prej 20% të saj) si dhe të evitohet përdorimi politik i grevës, d.m.th., duhet ulje në negociata e përfaqësuesve të sindikatës së minatorëve. Ndërsa kërkesat që lidhen me ndërrimin e administratorit etj., mendoj se janë të realizueshme, por jo nën kushte presioni. Në fund të fundit, nëse nga vazhdimi i grevës miniera rrezikon të dalë jashtë përdorimit siç ka sqaruar teknikisht me të drejtë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, atëherë nga kjo betejë nuk ka asnjë të fituar, të gjithë janë të humbur në llojin e vet, duke filluar me punëtorët dhe familjet e tyre. Kësht që janë kushtet për një përfshirjeje të justifikuar të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta - si dikasteri i ngarkuar për marrëdhëniet e punës, i cili mund dhe duhet të shërbejë si garantues i negociatave midis firmës dhe sindikatës. Kjo mundëson ndërprerjen e menjëhershme të grevës së urisë, duke kursyer jetën e punëtorëve si një ndër detyrimet bazë të të gjitha strukturave të shtetit.

Sa i takon vazhdimit të grevës duke ndërruar kontingjentet e punëtorëve që qëndrojnë nën tokë, pa iu afruar tryezës së negociatave për zgjidhjen institucionale të problemit, mendoj se kjo do të degjeneronte vetë përmbajtjen e grevës dhe drejtësinë e kauzës, të drejtën legjitime të përbotshme të punëtorëve për të protestuar në kërkim të kushteve më të mira pune dhe jetese për vete dhe familjet e tyre. Madje, kjo rrugë (e prezantuar, por fatmirësisht jo e përdorur nga PS në grevën e njohur të bulevardit dy vjet me parë), rrezikon të deligjitimojë edhe vetë qëllimin fisnik të grevës, duke sjellë një precedent jo thjesht të panjohur në historinë sindikaliste të botës, por duke i dhënë kësaj proteste natyrën e “punës me turne” që nuk dihet më se kë shërben, kushdo qoftë, përveçse punëtorët që po sakrifikojnë disa qindra metra nën toke...

Duke zhvendosur “qendrën e rëndesës” nga galeritë që rrezikojnë të mos i shërbejnë më askujt, drejt tryezës së bisedimeve, palët do të kontribuojnë në normalizimin e gjendjes. Qeveria do të ketë kohë të verifikojë dhe të veprojë në ç’masë kompania e huaj ka investuar për të ndryshuar teknologjinë dhe kushtet e punës së punëtorëve sipas kontratës së saj të koncesionit, si dhe të përdorë këtë rast për përmbushjen e rolit të vet në mbrojtje të jetës së punëtorëve dhe të aseteve publike që po shfrytëzohen nga firma e huaj; punëtorët do të ndalojnë rrezikimin e jetës dhe sakrificën e tyre për një jetë më të mirë.

Në fund të fundit, zgjidhja e problemit përmes negociatave do të çlirojë edhe mbarë shoqërinë tonë nga barra e rëndë dhe turpëruese e mungesës së solidaritetit me grevistët dhe kauzën e tyre të drejtë. Ndoshta mbas kësaj, edhe partitë politike do t’u rikthehen institucioneve, si p.sh Kuvendit të Shqipërisë për të vënë në qendër të betejave të tyre interesat e qytetarëve, më shumë se luftën e paprinciptë për pushtet që harron qytetarët, ndër ta edhe minatorët që po vuajnë ende qindra metra nën tokë...

 

Për ZSH- Kadri Mani

/etnike@gmail.com/



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora