Kulturë
Suzana Kuqi: C'gjuhë flet shpirti
E enjte, 28.05.2009, 08:02 PM
Suzana Kuqi
C'gjuhë flet shpirti
(alzheimer)
Sipari zbret ngadalë
mendimet kapërthehen
derisa...
humbet dhe fjala
në terrin e frikshëm të mendjes...
Arësyeja është fikur!
Fikur dhe drita e syve duket...
por...
me gishtërinj buzëqeshjeje
ta prekësh lehtë
ngrenë një tjetër sipar...
I ndrojtur, i frikësuar një shpirt
në një trup e në një botë
që nuk e njeh më
është zënë në lak...
Zoti im! Ç'gjuhë flet shpirti?
Shpirti ç'gjuhë flet?
Çfarë tu them këtyre syve
që veç shpirti u flet...
Perla e Lotit
Prej asgjëje dhe gjithshkaje
këtë çast
kanë shijen mendimet e mia...
Ishim më pak se ekzistenca
përpara se Zoti të fliste
e më sjell ndër mend
sa fjala është e fuqishme
si ajo që nis një luftë
si ajo që vendos fatin e njerëzve të varfër
si ajo që bën të lindë një fe...
apo si ajo që dje shpirtin ma lëndoi
ajo tjetra që zemrën ma lumturoi
e mbaruan në pika loti
... perla gëzimi e hidhërimi...
Ndoshta...
sepse jemi të bërë më shumë me ujë
përzier pluhur yjesh e ëndrrash
ose sepse shumë i ngjasojmë
planetit tonë të kaltër...
Në mëndje ç'kish Zoti vallë
kur Tokën tonë krijoi...
Kush e din...
E kush e din ç'mendon një alien
kur botën tonë nga larg kundron
ku lufta për mbijetesë
i bën dhe engjëjt demonë...
Ndoshta thotë:
...Eshtë Perlë e Lotit të Universit...
Ku ka shkuar buon sensi...
Njerëz që flasin e flasin
pa pushim
dëgjoj
kërkoj
të kap një fije mendimi të mirë
fjalë boshe
herë të bukura
por boshe
si premtime të ç'premtuara
mbetet tingulli i zërit
a thua
kënaqësi u jep këtyre njerëzve
të dëgjojnë veten e tyre
Shpesh mungon
edhe bon sensi...
sa larg...
sa larg jemi asaj
që e quajmë
të menduarit me zemër...
Një mendim...
E mbështjellë në mister
JETA si rrugëtim
VDEKJA
lindur me ne dhe brenda nesh
dinake, e heshtur, e frikshme
jetës i bën hije pa pushim...
Mirë të mos e zëmë në gojë...
Më mirë ta zemë nganjëherë
ndoshta... do të kuptojmë
sa kotësirave u rendim pas herë pas herë...
sa nuk shikojmë
shkëndijëzën e urtë të mënçurisë
se e kaluara është histori
e ardhmja mbetet mister...
na është dhënë çasti për të jetuar
JETEN tonë
... si dhuratën më të çmuar...
Cast i vjedhur...
Dhe koha ndaloi...
Njihemi vallë?
Vallë në ç'shekull jemi parë?
Digjesha mbi një turrë drush
a një bucelë mbaja mbi krye
a u mbytëm oqeanit
bashkë me Atlantidën...
Koha step në një çast...
... çast i vjedhur kohës hipokrite...
Shpirt, pjesë e shpirtit tim
mall a trill çmëndurie...
Më kalon përbri e më le pas
në turbullimin e një çasti klandestin përjetësie...
Ku jemi parë...
Kur do të shihemi vallë prapë...