E shtune, 27.04.2024, 10:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Rozi Theohari: Marilyni dhe sokakët e Korçës

E enjte, 28.05.2009, 06:37 PM


MARILYNI DHE SOKAKËT E KORÇËS

Nga Rozi Theohari - Boston
 
“Kjo çupka e vogël këtu në fotografi jam unë,” – thotë Marilyni me një shqipe të ngadaltë. “Kemi dalë në Uster bashkë me nënën e babanë aty nga fillimi i viteve dyzet
të shekullit të kaluar”.
Marilyni është një zonjë rreth të gjashtëdhjetave, por fytyra e saj rrumbullake gjithnjë e qeshur dhe flokët gështenjë të çelur e tregojnë më të re. Buzëqeshja e saj e ëmbël të çon mijëra kilometra larg, aty, në qytetin piktoresk të Korçës, në Korçën e serenatave, në qytetin e vajzave të bukura faqekuqe.
“Nëna ime, Eftimi Terova dhe babai Mina Cale, - tregon Marilyni, - erdhën nga Korça në Amerikë më 1921 tok me motrat e mia. Si fëmijë e fundit, vajza e pestë, u linda dhe rrita
në Uster, në ambientin dhe kulturën amerikane, megjithatë, bashkë me qumështin e nënës thitha edhe bekimin e dashurinë për mëmëdheun e lënë pas. Vit pas viti që përkëmbesha shkoja në gjumë me ninullat e bukura shqiptare dhe zgjohesha po nga fjalët përkëdhelëse të gjuhës së nënës. Kur u rrita, fillova të kuptoja se bota ime e vogël ishte ndarë më dysh, në atë brenda shtëpisë dhe jashtë saj. Jashtë ishte shkolla, anglishtja, emri im amerikan, shoqet e shokët, aktivitetet e ndryshme, etj. Kurse brenda, në gjirin e familjes, unë flisja shqip si prindërit, shqehesha me gjellët e shijshme korçare, edukohesha me zakonet e traditat e të parëve tanë.”

“Çfarë kujtimesh të kanë lënë mbresa më shumë nga jeta me prindërit?” – e pyes.

“Korça, - përgjigjet ajo. – Nëna e babai nuk e lëshonin nga goja qytetin dhe sokaket e tij. Unë pyesja, ç’është ky “sokak”?
E ajo, nëna e dashur, m’i përshkruante aq mirë ato rrugët me kalldrëm, të veshura me gurë fiçore të vendosur njëri pranë tjetrit, ngjyrat, trajtat dhe qoshet ku bashkoheshin e ndaheshin sokaket e mëhallës. Më tregonte se si i pastronin gurët e i bënin dritë, pastaj uleshin para portave të shtëpisë, qëndisnin, bisedonin e bënin shaka me fqinjët. Në kokën time të vogël punonte imagjinata, regjistronte çdo bisedë, çdo fjalë, çdo përshkrim, të cilat pastaj, natën i shihja në ëndërr si të gjalla.

Tani po të pyes unë ty, - thotë Marilyni. – “Çfarë kujton nga pamja e nënës sate kur ishte e re?”

“Fytyrën e saj të njomë e të hijshme,” – i përgjigjem unë.
“Ah, po, unë kujtoj edhe diçka tjetër, veshjen e saj!”
Kur kishte ardhur nga Korça në Amerikë, siç tregon Marylini, Eftimia kishte sjellë gjithë garderobën me veshjet e qepura sipas modës franceze. Palltot dhe kostumet e Eftimisë
me peliçe origjinale te jaka dhe kapelet e modës, i lanë pa mend gratë amerikane të cilat pyesnin me zili: “Kjo Korça juaj, mos ndodhet afër Parisit?”
Pas vdekjes së të atit, në Uster, disa vjet më vonë Marilyni u martua e shkoi në Miami, ku mori edhe nënën me vete. Aty lindi një vajzë, Kristinën, e cila u rrit me dashurinë e dy nënave shqiptare. Por vdekja e nënës, Eftimisë, me 1990 shkaktoi dhembje e dëshpërim në zemrën e Marilynit. Me nënën ajo kishte një lidhje të dyfishtë: atë të prindit dhe të mëmëdheut.
“Tani më dukej se nuk isha më shqiptare”, - psherëtin Marilyni dhe hap çantën e saj. Që andej nxjerr një pasaportë të vjetër shqiptare me datën: Korçë, 29/8/1921 dhe një fotografi të zbardhur nga koha, të nënë Eftimisë dhe të Sofisë së vogël.
“Këtë pasaportë e mbaj me vete kudo që udhëtoj nëpër Amerikë e jashtë saj. Me këtë copë kartë unë vërtetoj kombësinë time shqiptare, buzëqesh ajo. Ndërsa në kuzhinë Marilyni vazhdon të gatuajë gjellë me mish e perime, byrekë e lakrorë si të nënës.
Prej vitit 1988 deri 1998 Kristina vazhdoi karrierën e saj në kompanitë e linjave ajrore. Kjo dhe u bë shkak që Marylini të realizonte atë ç’ka i vlonte prej vitesh në gji: amaneti i palënë i nënë Eftimisë për të vizituar Shqipërinë dhe Korçën e saj të dashur. Me një grup turistësh që vizitonin Greqinë, u nis edhe Marilyni. Ishte shtatori i 2000-s. Pas qëndrimit në Athinë grupi u nis për në Patra e qëndroi në Korfuz.
“Kur e ndjeva veten kaq pranë brigjeve të Shqipërisë, - thotë Marilyni, - zemra më rrihte, mendja më vinte rrotull dhe faqet me digjnin si prushi. “Do të nisem menjëherë,” – u thashë shoqeve të mia. “Jo,” – kundërshtuan ato, - “si do të udhëtosh e vetme, në një vend të panjohur!” “Ai është atdheu im” – këmbëngula unë. “Nuk të inkurajojmë për një udhëtim të tillë,” – më thanë disa punonjës lokalë. Por unë vendosa dhe, gjënë e
parë që bëra mora kontakt me një zyrtar të udhëtimeve për në Sarandë.
Udhëtimi i shkurtër me traget la në shpirtin tim mbresa të paharrueshme. Bashkë me mua në bord ndodheshin edhe disa familje shqiptare me fëmijët e tyre. Ata bisedonin me zë të lartë, por unë nuk kuptova asgjë nga ai dialekt. Një farë dyshimi më lindi: si do të merrem vesh me vendasit? Por hutimi im ia la vendin emocionit të parë e të fuqishëm kur në gjysmë të rrugës mbi det, u ndryshuan flamurët dhe flamuri shqiptar filloi të valëvitej në qiellin blu. Deti kishte një ngjyrë të mrekullueshme smeraldi të shkëlqyer dhe valët e vogla që përplaseshin njëra me tjetrën, dukej sikur duartrokisnin e përshëndesnin ardhjen
time. Ndjehesha krenare, sigurisht isha e lumtur që më në fund po më plotësohej një ëndërr e thurur gjatë gjithë jetës sime.
Kokën e mbaja lart, s’ngopesha dot së pari flamurin. Në këtë udhëtim edhe unë isha veshur me ngjyrat e tij: bluzë të kuqe dhe pantallona të zeza…

- Cilat ishin përshtypjet e para, - e pyes, - kur zbrite në tokën shqiptare?

- “Ishin hapat e parë në Sarandë që më shkaktuan emocione të tjera. Ishin njerëzit… Fillova të takoja racën time, të shkëmbeja fjalët e mirëseardhjes dhe të admiroja natyrën e
bukur të qytetit. Sipas programit të udhëtimit, u paraqit para meje I.Myrtaj, i zoti i hotelit ku do të qëndroja. Ai më siguroi për qëndrimin tim në Sarandë, por edhe për udhëtimin me taksi për në Korçë. E çlodhur, e qetësuar dhe e mrekulluar nga vendi dhe njerëzit e gjakut tim, hëngra një darkë me peshk të freskët dhe sallatë. Pastaj, me një kënaqësi të papërsëritëshme shëtita përgjatë rrugës së bregut të detit, ku u befasova nga një grup i madh banorësh, burra, gra e fëmijë, që shëtisnin si unë buzë ujit. U vura veshin bisedave të të rinjve dhe, kur fillova t’i dëgjoja e t’i kuptoja aq mirë, m’u bë zemra mal.
- Mezi po pres të më tregosh për Korçën tonë” – i them.
“Në udhëtimin tim për në Korçë më shoqëroi çifti Nola e Tani Memushi. Arritëm në qytet përpara mesditës. Korçarët ishin të sjellshëm e të kudondodhur, kështu që nuk harxhova shumë kohë për të gjetur familjen me mbiemër “Terova”. Kur
qëndrova para derës ku lexova shkronjat Terova, m’u duk sikur dëgjova zërin e nënës sime që fliste me vëllanë e saj Dhimitraq Terova. Por… imazhi u pre përgjysëm. Pas trokitjes sonë doli një djalë i cili tha se nuk dinte të kishte një teto Eftimi në Amerikë. Megjithatë, ai na priti me mirësjellje. Diçka u thye brenda meje. M’u kujtua se nëna kishte një kohë të gjatë që nuk kishte patur këmbime letrash me vëllanë dhe farefisin në
Korçë. Pra, çdo gjë e kishte mbuluar mjegulla e ftohtë e harrimit.
Kur më panë në atë gjendje të dëshpëruar, korçarët më thanë se ka edhe familje të tjera me të njëjtin mbiemër dhe ata shfaqën dëshirën të më ndihmonin…
Por unë i falenderova për gatishmërinë e tyre dhe iu luta të më linin disa çaste vetëm. Duke biseduar shqip me vetveten, fillova të çapitem nëpër sokaket e Korçës. Çdo çap më jepte zemërt, çdo prekje guri me këmbë, nganjëherë një shkarje e vogël deri në humbje ekuilibri, filloi të më bindte pak nga pak se …së fundi unë plotësova një qëllim…, një ëndërr. Unë bëra gjithë atë udhëtim të gjatë për të parë, ku ka shkelur këmba e nënës dhe e babait dhe i shkela ata gurë. Për më tepër, qyteti i Korçës me fushën e tij, kodrat, malet, me stilin e ndërtesave dhe të rrugicave, me traditat dhe kulturën, me krejt mënyrën e jetesës në përgjithësi, ishte pothuaj ai që unë kisha ndërtuar në imagjinatën time.

- Përveç Korçës, vizitove ndonjë qytet tjetër? – e pyes.

- “Po, gjatë rrugës për në Sarandë pata fatin të vizitoja Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, si dhe qytetin antik dhe qendrën e lashtë kulturore të Butrintit që më lanë përshtypje të
veçanta. U takova e bisedova me motra e vëllezër të gjakut tim. Gjithë ditën ndjehesha e lumtur, pak e huturar, por aspak e lodhur. Sepse në mendjen time trokiste laitmotivi “ky udhëtim më ndihmoi të njoh identitetin tim nëpërmjet origjinës së vërtetë prindërore.
- Vizita në vendin e të parëve të mi, me siguri, i qetësoi nënën e babanë aty ku prehen. Sapo mbërrita në Miami, vizitova varrin e nënës dhe ndjeva thellë në shpirt uratat e saj.
Gjeta aty një farë balancimi të ndjenjave të mia, që s’e kisha provuar më parë. Kohë më vonë udhëtova për në Uster, mbasi e ndjeja si detyrë të vizitoja edhe varrin e babait. Dhe atë ditë, lavdi Zotit, u njoha rastësisht me një bashkatadhetar, banor të Usterit, Jani Melka. Kur mori vesh se po shkoja në varreza, ai më dhuroi një buqetë speciale me lule. Nuk ishin lule të zakonshme: farën e tyre e kishte sjellë nga Shqipëria dhe për herë të parë po lulëzonin në Amerikë.
- I vendosa ato lule te guri i varrit, si për t’u çmallur me mëmëdheun e largët, si një simbol të dashurisë së pashuar që rrjedh nga një brez tek tjetri…
 
 
 
Rozi Theohari
Writer

Bio

Rozi Theohari vjershat dhe prozat e veta i botoi qysh në vitet’ 60 në gazeta e revista të ndryshme si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Ka levruar vjershat humoristike e tregimin humoristik, si për të rriturit ashtu dhe për fëmijët. Për lexuesin e rritur ka botuar disa libra: “Telashe nga emancipimi” (1969), “Ne mungesë të gruas sime” (1973), “Shoku Ndriçim hapi kasaforën” (1977), “Pa diagnozë” (1978), “Teto Kalina” (1990). Ne vitin 1987 ka shkruar skenarin e filmit artistik “Familja ime”. Për lexuesit e vegjël ka botuar dy përmbledhje: “Ne shkuam pranë babait” (tregime, 1971) dhe “Lule, lule kuqelon” (vjersha, 1978).
Rozi emigroi në Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përveç dy fakulteteve, atij Ekonomik dhe Histori-Filologji të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin 2000 ajo përfundoi me sukses dhe u diplomua nga North Shore Community College në Lynn, Mass, USA, në degën “Artet Liberale.” Prej tetë vitesh në Amerikë vazhdon të jetë anëtare e shoqerisë së nderit “Phi Theta Kappa.”
Në vitin 2002,  ajo botoi në anglisht vëllimin me poezi “Two Halves”, në vitin 2003, botoi në anglisht e shqip poemën “Rozafat” dhe në vitin 2004, romanin “Lajthitje Dimërore”.
Rozi vazhdon një aktivitet të mirë letrar në USA. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe boton në revistën “Pena” të kesaj shoqate. Po ashtu, boton vazhdimisht në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, si dhe në gazetat lokale dhe në antologjitë amerikane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora