E shtune, 27.04.2024, 01:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Izber Hoti: Vajhalli në histori apo forca e realitetit në aleancë me artin

E enjte, 28.05.2009, 06:14 PM


Ibrahim Kadriu
Ibrahim Kadriu
Këndvështrim historik

Vajhalli në histori apo forca e realitetit në aleancë me artin

(Ibrahim Kadriu, “Në Vajhall” (libri i parë), Rozafa, Prishtinë, 2008, faqe 354)

“Nuk ka shkencë pa zbukurime dhe jo art pa fakte”
V. Nabakov

Nga Dr. Izber Hoti

Në vendet e varfra, të robëruara dhe të përvuajtura, në shikim të parë, nuk do të duhej të flitej për histori. Mirëpo, pasi historia është njëri ndër shkaktarët kryesorë që ndikon në gjendjen e rëndë dhe në varfërinë e tij, ajo është e pakapërcyeshme. Për këtë dukuri është i vetëdijshëm edhe romansieri Ibrahim Kadriu, prandaj në romanin e tij “Në Vajhall” pothuajse në çdo faqe ka të dhëna me interes për historinë, por natyrisht, të paraqitura dhe të trajtuara ndryshe nga qasja historike. E kaluara e Ibrahim Kadriut është mjaft e lashtë, por edhe e sapokrijuar, përkatësisht e brenda ditës. Ajo është e mundimshme dhe e rëndë, nga e cila në një mënyrë duhet liruar. Mënyra dhe forma më e mirë kësaj zbrazje, mendon autori, është letërsia. Por nuk duhet harruar se edhe kjo formë lehtësimi është një veprim me pasoja, por që pa dyshim do të mbetet në histori, siç ndodh edhe me vetë romanin “Në Vajhall”, ku sintagmën vaj hall e merr edhe si emërtim vendi, por edhe si shprehje e fjalëve vaj e hall, pra një të keqe shumë të madhe, që iu bë gjatë historisë një fshati shqiptar të pushtuar. Paraqitjen e kësaj mynxyre autori do ta arrijë nëpërmjet kujtesës historike, që kohët e fundit, si dhe në antikë, po i kushtohet shumë kujdes. Nuk duhet harruar se për shqiptarët e pushtuar dhe të pa shkollë si e vetmja formë e ruajtjes dhe e kultivimit të historisë ishte kujtesa historike. Mirëpo, sa i përket pohimeve të fundit, pra teorisë së historisë, autori nuk ndalet shumë dhe nuk do ta zgjas e do t’i a fillojë kujtimeve të tij. Ai do të veprojë kështu ngase rreth kësaj çështjeje ka këtë mendim: “Pronari i përjetimeve të tilla, domethënë vetja e autorit, duke rrëfyer i ndihmon prehjes, shfrimit shpirtëror, dhe sa më shumë u mbështetet detajeve, aq më tepër i duket se e ka arritur përqafimin e kohës në mënyrën më kuptimplote, gjithnjë duke ecur lirshëm, që nga hapat e vegjël e të hershëm fëmijëror e deri te hapat e vonshëm të lodhjes pleqësor. Meqë çdo gjë e do fillimin nga e para, mbase edhe këtu zë pritën periudha e hershme kohore, ajo e udhëkryqeve, pa gjatësi rrugësh.. Në atë periudhë të gjitha frymëmarrjet ngatërrohen në pengesa, kurse rrugët janë të pa trasuar, me gurë të thepisur që gërvishtin lëkurën e këmbëve gjer në gjakosje”. (7)

Mt: Varfëria e Vajhallit dhe “zoti i ri”

Autori i romanit “Në Vajhall”, Ibrahim Kadriu, do të jetë konsekuent në paralajmërimet e tij. Ai do t’ia fillojë kujtimeve të tij nëpërmjet djaloshit me ofiqin Balo Barku, një fëmije të varfër (vetë autori), stomaku i të cilit ishte rritur së tepërmi sa nga uji i tepërt, që pihej në vend ushqimeve të tjera, aq edhe të infektuar. Është kjo një simbolikë shumë e qëlluar e gjendjes tepër të rëndë të ekonomike, që paraqitet me një semasiologji, semantikë e stil të llojit të vet. Jo vetëm kaq. Ndryshimet ekonomike dhe shoqërore-politike do të ndikojnë edhe në mentalitet dhe traditë. Të thuash brenda nate do të hidhen plisat e do lëshohen e lyhen flokët me livande, apo shprehur me gjuhën e autorit “.... i kisha parasysh fytyrat që dje ishin ndryshe, sot ndryshe, që kishin ndërruar tërësisht, që kishin krijuar një zot të ri dhe që merreshin me do punë me të cilat i jepnin krah autoritetit”. Me kalimin e kohës “Në Vajhall” rrethanat do të ndërlikohen edhe më shumë.. Fytyrat bartëse të “zotit të ri”, përkatësisht të të ashtuquajturit revolucion, do të duan kështu dhe në këtë frymë do të përpiqen, ani pse nocionin revolucionin në fakt nuk e kuptonte asnjëri prej tyre. Në këtë mënyrë filloi mbizotërimi i rrethanave sa që vjedhja e millit nuk mund të vlerësohej si e tillë, ndërsa dalja në rrugë e grave me çarçaf ishte dukuri e natyrshme. Kjo ishte e natyrshme, sepse mbledhja e “tepricave” ishte vjedhje më e madhe, ndërsa marrja e një thes mielli konsiderohej hakmarrje ndaj veprimit të grumbullimit të tepricave. Po kështu do të ndodh edhe me ngjarjet e mëdha, siç ishin çështja e Triestes apo festa e punëtorëve – 1 Maji, për të cilat vajhallasit sapo për to dëgjonin edhe i harronin... Që ironia të shtohej edhe më shumë në këtë varfëri të skajshme ishte ndaluar mbajtja e dhive. Thuhej se ato në të kaluarën, duke ngrënë dushk kishin zbuluar një luftëtar, apo se ato e hanin malin në të cilin më herët ishin fshehur luftëtarët e dikurshëm e në këtë kohë pushtetarë!  Varfërinë e Vajhallit e vërtetonin edhe strehimi i tyre (termi kasolle është i shpeshtë në këtë roman), mënyra e ushqimit dhe e ndriçimit etj.

Mt: Shtypja kombëtare dhe kundërvënia

Varfëria e madhe e shqiptarëve, sllavët nuk bënin pjesë këtu, “Në Vajhallin” e Ibrahim Kadriut, shoqërohej edhe me padrejtësitë shoqërore dhe politike. Kjo bëhej në emër të vëllazërim-bashkimit, si dhe të vendosjes të një sistemi të ri të drejtë.. Ndaj këtij “sistemi dhe drejtësie”, sa shihet edhe nga ky roman, pakënaqësitë ishin të shumanshme dhe të formave dhe të mënyrave të ndryshme. Krahas kësaj në këtë kohë shquheshin organizimet e fshehta shtetërore, vrasjet e porositura të serbëve, aksioni i armëve etj. Aktorë të këtyre veprimeve ishin fytyrat e njohura e të panjohura, përmasash të mëdha, me e pa histori (Ballori i Hallës Zylë, Gojko, Stana, Aca pijaneci, Ajet Zadaku, Daut Çeli, Isuf Pidiqi, Daut Ibrahim Lipovica, Shqerd(b)ini, Sejdi Muhaxhiri etj.), historia e të cilëve kuptohej në versione të ndryshme, varësisht prej kujt bëhej kjo, duke filluar nga Vajhalli e duke përfunduar larg prej tij (Mitrovicë, Rusi) .

Fytyrë e dëshmuar historike në romanin e Ibrahim Kadriut “Në Vajhall” është edhe Hasan Aliu, i njohur si Hasan Remniku, që ishte nacionalist i njohur jo vetëm i kësaj ane por i gjithë shqiptarëve. Emri dhe fama e tij u përhap aq shumë sa çdo veprim kundër pushtues lidhej me të dhe ai në këtë mënyrë ishte bërë frikë e merr për pushtuesi. Që sadopak të zbusnin këtë frikë, por edhe që të arsyetonin pushtimin dhe sistemin e tyre, sllavët deklaroheshin se nuk u interesonte e “kaluara e largët, por e sotmja” . Realiteti dëshmonte të kundërtën: “E kaluara e Sejdes (e shqiptarëve – I. H. ) definohej me Ibrahim Lipovicën, vrasësin e konsullit rus, kurse e kaluara e Hasan Remnikut ishte ajo që te çdo familje serbe qëndronte si oreol, si frikë e pa shëruar, frikë nga aksionet e tij në ato anë”. Si pasojë qëndrimet dhe orientimet e sllavëve dhe të shqiptarëve ishin plotësisht të kundërta, sepse “përkufizimi i nacionalçlirimtare nuk kishte të bënte me shqiptarët, veç me sllavët”. Kështu nuk ndodhi vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe në Luftën e Parë Botërore, kur serbët iu bashkëngjitën pushtuesve bullgarë.

Është rast i pakapërcyeshëm të veçohet fakti se nga pjesët (çështjet) e historisë dhe të përditshmërisë, që trajtohen shkarazi apo vetëm përmenden “Në Vajhall”, mund të nxirren punime e vepra të tëra. Pra, ky roman mund të merret edhe si nxitës i qasjeve dhe i trajtimeve të ardhshme sa letrare, aq edhe historike (p. sh. vrasja e 16 serbëve dhe e kryetarit të komunës, Sërgjan Stoilkoviq, nga Hasan Remniku, por edhe e Hasanit me mësuesin Mustafë dhe të shoqen, Hyrën, nga ana e pushtetarëve; propaganda dhe realiteti mbizotërues në kohën e pushtimit; përmasat dhe format e mënyrat e spiunllëkut dhe urrejtjes serbe kundër shqiptarëve; përpilimi dhe roli i dosjeve kundër shqiptarëve; synimet dhe historia e toponimeve; keqpërdorimet e dokumenteve zyrtare nga ana e pushtetarëve; liria e lëvizjes dhe të shprehurit; elemente të traditës dhe mentalitetit shqiptar, veçanërisht atij fshatar; dallimi i pushtetit pushtues dhe masave; shkrirja e gjakut si pasojë e hapësirës /serbi çehre turku/; format dhe mënyrat e mbijetesës në kohë shtypjeje; konvencat shoqërore të kohës; shpotia dhe përdhosja e komunistëve; mençuria /natyrore/ e popullit shqiptar; kronologjia dhe rëndësia e saj /braktisja e saj në momentet e duhura/; dashuriçkat në mes kombesh të ndryshme; të ashtuquajturat biseda informative; pasuritë nëntokësore dhe të relikteve e monumenteve historike etj.). Ka raste që disa prej këtyre çështjeve autori i kushton faqe të tëra, ndërsa historiani do t’i sublimonte në disa rreshta, por mu këtu qëndron dallimi nga shkrimi (ligjërimi) shkencor dhe letrar. Kjo shihet edhe në këtë roman. Ani pse asnjë nga të dhënat e tij nuk mund të llogaritet e fantazuar, ato paraqiten në aspektin letrar dhe kjo vepër merr karakterin e romanit historik. Si do që të jetë autori nuk është rob i kronologjisë dhe sa përshkruan kohën pas Luftës së Dytë Botërore, sa atë gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore . Një qasjeje të tillë i shtohet edhe më shumë vlera kur autori heton mjaft mirë të dhënën se e përgjithshmja përfshin si të mirën, ashtu edhe të keqen (atdhetarin dhe tradhtarin), sepse përndryshe nuk do të kishte të përgjithshme dhe “Nga Skënderi nuk do të dilte beteri dhe anasjelltas”.

Mt:Roli i individit dhe kolektivit

Pas pushkatimit pa gjyq të Hasan Remnikut, pohon autori “Në Vajhall” gjendja e shqiptarëve u përkeqësua edhe më shumë pasi pushtuesve u mungonte frika e drejtpërdrejtë. Mirëpo për një të ardhshme në interes të përhershëm të tyre frika proklamohej si e pranishme dhe e rritur. Me këtë arsyetim pushtuesi ndërmori masa të llojllojshme, në kuadrin e të cilave ishte edhe shpërngulja e organizuar në Anadoll. Megjithatë, rezultatet nuk ishin të kënaqshme dhe “të gjithë shqiptarët janë me një kokë, por ajo kokë do t’iu prehet, nëse vazhdojnë ta mbajnë përtej Bjeshkëve të Nemuna dhe në histori”. Koka do t’u prehej para së gjithash atyre që nuk e donin vëllazërim-bashkimin dhe vlerat e Partisë. “Diversionet” kundër fitoreve të revolucionit antifashist, që nga shumica absolute nuk dihej se çka ishte fashiste e antifashiste, në mënyrë e forma të ndryshme mbijetonin edhe në ditët e shënuara të festave dhe të stafetave . Natyrisht, këtë kryeneçësi e shoqëronin torturimet dhe burgimet sa jo rrallë kishte njerëz që këtyre masave u gjunjëzoheshin (Zymber berberi p. sh.) ose duhej të iknin nga fshati . Në këtë mënyrë deshe apo nuk deshe Tito-ja duhej të bëhej më i dashur se prindërit ose pranvera, ndërsa në këtë frymë duhej edukuar edhe brezin e ri. Por edhe në këto rrethana mbizotëronte lufta e patriotizmit proletar dhe e nacionalizmit, ndërsa Sigurimi Shtetëror bënte çmos që në bashkëpunim me tradhtarët shqiptarë t’ua nxinin sa më shumë jetën jo sllavëve që jetonin në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare të pushtuara. Sigurimi Shtetëror, madje, veprimtarinë e vet të ndjekjes së shqiptarëve e organizoi edhe në ushtri, ku ushtarët shqiptarë i detyronin të “vetëvriteshin” apo edhe të iknin nga këto radhë, ndërsa si pasojë torturoheshin familjarët dhe farefisi i tyre.

Edhe përvjetorët kombëtarë u bënë shkase të ndjekjeve të shqiptarëve. Kështu ndodhi edhe në fund të viteve të ’60-ta në prag, gjatë dhe pas 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kur kujtesa historike për këtë personalitet, përkundër pasojave, u ringjall. Në këtë kohë u ndoq edhe vetë autorit për skulpturën e Skënderbeut, të cilën e punoi duke shikuar një foto të këtij personaliteti në një libër nga koha e mbretit Zog. Për këtë skulpturë u ndoq edhe të arsimtari i artit, si dhe të gjithë arsimtarët e shkollës së tij. Mirëpo kjo ndjekje nuk gjunjëzoi as autorin dhe as arsimtarin e artit: “Më vonë, në kujtesë m'u ngjall momenti kur, në orën e mësimit, arsimtar Bekimi na fliste për institucionin e familjes; për traditën e institucionit të familjes te shqiptarët. Sipas tij familja ishte ajo që e kishte ruajtur dinjitetin kombëtar, familja dhe odat në shtëpitë tona. Asokohe na pat thënë se, shqiptarët e pa shkolluar, sepse asnjë pushtet nuk ua kishte mundësuar shkollimin, filozofinë e jetës e kishin mësuar nga familja, nga këshillat e prindërve dhe se, m'u kujtua, këshillat e prindërve gjithmonë janë ilaç për shpirt”. Mirëpo, ilaçi (shqiptar) për shpirt binte ndesh me organizimet e imponuara kolektive të kohës, siç ishte kolektivizmi, i cili, veç tjerash, synonte ndërrimin me dhunë të mënyrës së jetës dhe denacionalizimin e popujve jo sllav. Por, për fat si kolektivizmit, ashtu edhe aksioneve vullnetare së shpejti u doli boja.

Mt: Irredenta dhe kolonët

Histori të ngjashme me kolektivizimin do të kanë edhe raportet e shqiptarëve dhe të shumicës së kolonëve sllavë, që trajtohen mjaft mirë nga Ibrahim Kadriu “Në Vajhall”-in e tij. Kolonët që nga viti 1912 nuk ndryshuan qëndrimin racist ndaj shqiptarëve dhe këtë qëndrim do ta ruajnë dhe kultivojnë edhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke urryer e madje duke vrarë ata vetëm nëse natën kalonin fshatrave kolon, siç ndodh p.sh. në Tankosiq. Duhet theksuar se kjo e dhënë nuk mund të gjendet në historiografinë e deritashme dhe historianëve u mbetet detyrë që të mos harrojnë këtë dukuri gjatë shkrimit të historisë së ardhshme të Kosovës. Po kështu autorit nuk i ikën nga mendja, që në të ardhshmen as historianët nuk duhet harruar, shumë nga masat që u ndërmorën për suksesin e Reformës Agrare dhe kolonizimit, veçanërisht privilegjet e kolonëve që u kodifikuan  me ligjet në fuqi. Këtë dukuri autori e shpreh në këtë mënyrë: “...pas luftës, të ashtuquajtur luftë kundër fashizmit, ishte arritur një lloj pajtueshmërie mes veti, e cila, me gjithë programet e përpunuara për mirëqenien e çdo individi, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, mbetej ajo e vjetra: përkëdhelja vazhdonte të jetë në anën serbe e malazeze, prandaj sugjerohej të qenit të kujdesshëm përballë tyre” . S’do mend, edhe po që se arrihej kjo, nga nënteksti del se nuk mund të harroheshin masakrat që partizanët-çetnikë (serbë e maqedonas) i bënë mu në Ditën e Bajramit (18. IX 1944). Rrethanat ishin përkeqësuar aq shumë sa pasuesit e patriotëve shqiptarë (si Mal Çelit) kishin përherë “të shtruar rrugën me thera”. Që ta kishin një jetë të rehatshme duhej të bëheshin hafije (spiunë) (si i biri i Malit – Dauti). Një gjendje e tillë nga autori paraqitet sa vijon: “Në Vajhall kishte pasur raste kur, për shkak të teksteve të këngëve, nxënësit ishin nxjerrë nga shkolla, mësuesit ishin dënuar rreptë, kurse barinjtë ishin dënuar duke ua marrë delet si dëmshpërblim për shkak të ‘nxitjes së nacionalizmit’, siç thoshin ata”. Por, as këto masa nuk ndikuan në harrimin e historisë, sepse shqiptarët, si arkeologu i ri (Astrit Paloku), ani pse ishin në zor me përditshmërinë, mendonin për të dikurshmen. Ata ishin të bindur se “e sotmja pa të djeshmen, si shtëpia pa themel; si kulmi i shtëpisë pa trarët” dhe “duke njohur të kaluarën, ecjen e kemi më të sigurt, se nga rrugët e dikurshme më mirë e shohim vazhdimin e të sotmes” . Natyrisht, në atë kohë si shqiptarët, bile edhe më shumë, mendonin pushtuesit, prandaj e kaluara e Kosovës mbahej sekret i thellë mu ashtu sikurse pasuria nëntokësore. Ndiqeshin pamëshirshëm gjithë ata që drejtpërdrejtë apo tërthorazi zbulonin këto sekrete, ndërsa ndër të parët ishin të shkolluarit . Veçanërisht ndiqeshin shumë shqiptarët me orientime e qëndrime irredentiste, orientime këto të cilat as që guxohej të elaboroheshin haptazi . Shpëtimi i vetëm nga këto ndjekje, fatkeqësisht, lipsej në logjikën “sa më larg njerëzve sa më pak i ndjekur” (331). Mirëpo, edhe ky “shpëtim” kishte fundin e vet. Fundi i tyre paraqitej atëherë kur paralajmëroheshin vranësirat (pas dënimit si irredentist të Astrit Palokut) dhe kur “të tjerët kanë obligim të dinë se si ti merr frymë, se sa ti të dish për veten”, si dhe kur një rrjedhë që duket normale (edhe ndoshta komike), përfundon me tragjedi .

Mt: Nga fundi në fillim

Ibrahim Kadriu pjesën e parë të romanit të tij autobiografik “Në Vajhall”, e përfundon duke e lidh hyrjen me përfundimin: “Gjykimi i paramenduar, ndodhi si hyrje në një mot që do të pasojë me vranësira dhe erëra, kur njerëzve iu bë e ditur se duhet të qëndrojnë gatitu edhe para Daut Çelit, bie fjala; kur për uri nuk do të kishte nevojë kërkim buke, as libra shqip për njohuri, as këngë e gëzim në dasma, as etje flamuri, as shfletim historie”. Atëherë, do të konstatojë autori, “shkrimtari ka mundësinë më të mirë të flas me letër, përmes formave të shkrimit... kur forca e realitetit duhet të ketë aleancë me artin (nënvizimi im – I. H.)” (346).



(Vota: 3 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora