E merkure, 30.04.2025, 01:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Vangjush Ziko

E hene, 18.05.2009, 05:45 PM


Vangjush Thoma Ziko
Vangjush Thoma Ziko
VANGJUSH THOMA ZIKO ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1931,ku kreu dhe arsimin e tij të mesëm.Arsimin e lartë për letërsi e bëri pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë.Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë.
Shkruan poezi,dramë dhe perkthen nga gjuha ruse.
Vëllimin e parë me poezi dhe dramën e parë i botoi në vitin 1959.
Është kryesisht një poet lirik.Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike.Drama e tij ka natyrë psikologjike.
Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse.Ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të A.S. Pushkinit,S. Eseninit,E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse(katër vellime), ku ka përfshirë rreth peseqind poezi të  më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë.
Është autor i një sërë studimesh,esesh dhe skicash letrare si dhe bashkautor tekstesh të letërsisë.
Ka marrë pjesë aktive në jetën kulturore dhe letrare të rrethit të Korçës dhe në ndihmë të talenteve të reja dhe ka qënë aktivizuar në botimin e disa revistave periodike kulturore.
I është dhënë Urdhëri "Naim Frasheri"i klasit të parë dhe "Kurora e Krijimtarisë 2006"nga Klubi Letrar "Bota e Re"për krijimtarine e tij letrare.
Që prej shtatorit të vitit 2004 jeton në Kanada pranë femijëve të tij.

NJERIU,NJË LEGJENDË
(Poezi)

 
ÇUDI!

Çudi!
Përse çuditesh,o njeri!
T'i s'e kupton atë që di.
Atë që di,nuk e njeh ti.
Nga nata lind dita e ndritshme,
Nga dit'e ndritur,nata pisë.
A ka në botë më të mahnitshme
Se sa e fsheht'e fshehtësisë!?
 
PSE SYTË RRJEDHIN LOTË

Pse sytë rrjedhin lotë kur dhemb shpirti?
Pse sytë rrjedhin lotë kur qesh zemra?
Dhe gazi edhe dhimbja, që i cfiliti,
Bashkohen që të dyja në një emër,
Bashkohen që të dyja në një fill
Si drita edhe terri në agim.
 
DIALEKTIKË

Ti urren.
Patjetër,ke dashuruar.
Pa dashuri,urrejtje s'ka.
Zemra mban më një anë gjakun e kulluar,
Gjysma tjetër të ndoturin shpëlan.
 
BRENGA

Çdo gjë shuhet e zhuket përfare.
Vetëm brenga nuk humbet asnjëherë.
Porsi gjëmbi i tharë mes arës
Që gërvisht edhe vellon e erës.
 
FJALËT E PATHËNA

Sa fjalë të pathëna vdesin pa u thënë.
Fjalë që në zemër çelin trëndafilë.
Fjalë që tërë jetën plagë mund të lenë...
 
Fjalë që në jetë më nuk vijnë.
 
VETMIA

Vetmia s'qenka vetëm heshtje.
Vetmia s'qenka zbrazësirë,
Por një tufan ku ti përleshesh
Me veten tënde dhe hapësirën.
Ku vetëtimat e kujtimeve
Ty syt'e shpirtit t'i verbojnë,
Ku bubullimat e rënkimeve
E bëjnë zemrën të sëmbojë.
Ku ti dhe çmendesh dhe urtohesh.
Ku ti humbet e kthehesh prapë.
Ku ti përmendesh dhe harrohesh.
Ku ti dhe vdes dhe je i gjallë.
 
PROTAGONISTI

Njeriu bëhet protagonist në jetë
Kur lind e klith që ta dëgjojnë.
Pastaj me saze,klarinetë
Kur fton në dasmë ta urojnë.
Dhe kur...kur roli arrin kulmin,
Mbi varr të gjithë i përulen.
 
DËSHIRË

Ka këmbësorë.
Ka rrëshqanorë.
Ka kozmonautë.
Flitet se ka dhe ufo.
E,mbi të gjithë,një Zot.
 
Ti,
Ku do deshe të futesh?
 
Do desha t'isha veç zog.
Të çukisja mbi dhe'.
Të këndoja në qiell.
Të tretesha në Tokë.
 
Në këtë tonin mauzole.
 
PAVDEKËSI

E ç'duhet mbi dhe' pavdekësia!
 
Mikrobi me shekuj rri
Ndrydhur në dherat e ngrira.
Jetoje jetën që ke,
Mos ler'asnjë çast të vdekur.
Pa ç'ka,përmendore në s'ngre,
Me sup mbaj dhe ti këtë shekull.
 
RRUGA E SË VËRTETËS

Ja,më në fund,ajo që kërkoja!
Ku është gëzimi i madh!?
Sa vjete me rradh'e ëndërroja
Të zbriste në zemër ky gaz.
 
Njeriun s'e lodhin sëmundjet dhe jeta.
As lufta që iku,as kjo që vjen pas.
Të lodhka më shum'e vërteta,
Rruga e gjatë e saj.
 
ROSINANTI

Qyshmot.
Gjer sot.
Po kullot
Mbi varr'e tët zot
I lidhur pas ushte t'rrëxhosur...
 
Sa Don Kishotë
Ke varrosur?
 
DUSHKU

Dushku thinjet,por s'e humb hijen.
I zverdhen gjethet,por nuk i bien.
E pret dëborën.
Duron stuhinë.
Dhe pret pranverën prapë t'i vijë.
E rrëzon ndryshkun e vet të vjetër
Kur gjth'e re e rinis jetën.
 
Dudhk e Njeri,një legjendë.
 
EVERESTI

Çdo dhomë e ka një tavan.
Qielli ka kuben'e tij.
Njeriu lind,bëhet i madh.
Çdo pemë ka një lartësi.
 
Veç lartësinë fara s'e di.
Fëmija shtatin dot s'e mat.
Qielli tretet në kaltërsi.
Çatia ngrihet përmbi tavan.
 
Mjerë,kush thotë:gjer këtu!
Mjerë kush kokën e përkul.
Dhe Everesti do ishte xhuxh
Po mos e ngrinte qiellin me sup.
 

LIRIKA RUSE
Nga libri TREQIND VJET DASHURI
Perzgjedhur dhe perkthyer nga Vangjush Ziko

PERËNDIA E DASHURISË     J.A.Neledinski-Melecki

Ajo armike e perëndi për mua mbetet,
Unë e urrej edhe i shërbej asaj,
Veten keqbërës shoh të shkrirë brenda saj,
Por perëndi, për mua,bëhet përmes teje.

1796
 
A.P.KERN   A.S. Pushkin

Nuk e harroj çastin magjik.
Përpara sysh m'u shfaqe ti
Si një vegim që shkrep e ik,
Si bukuri që vetëtit.
 
Nga pikëllimi i kapitur,
Nga zhurm'e kotë i shurdhuar,
Profili yt veç me ka ndritur
Dhe zëri yt më ka mikluar.
 
Kaluan vitet e stuhishme
Dhe ëndrr'e parë seç m'u tremb,
Harrova zërin e magjishëm
Dhe ëngjëllorin nurin tënd.
 
Në humbëtir'e errësirë
Ditët e mia u zvarrisën,
Pa frymëzim,pa një dëshië,
Pa lot'e gaz të dashurisë.
 
Por ja,u zgjova përsëri.
Përpara sysh m'u shfaqe ti
Si një vegim plot me magji,
Si bukuri që vetëtit.
 
Dhe zemra rreh nga mallëngjimi
Dhe u ringjallë përsëri
Dhe frymëzim e adhurimi
Dhe lot'e gaz e dashuri.

1825
 
DAL NË RRUGË VETË,I VETMUAR    M.J.Lermontov

Dal në rrugë vetë,i vetmuar,
Nëpër mjegull rrug'e shtruar hesht,
Flet me Zotin heshtja e harruar
Edhe ylli yllit po i flet.
 
Lart në qiej shpalosur mrekullia!
Dheu fle mbështjell'me kaltërsi...
Pse më vret kështu në gjoks vetmia?
Çfarë pres a qaj unë njeri?
 
Nuk po pres asgjë fare nga jeta,
S'më vjen keq ç'jetova e ç'do le,
Dua veç i lirë dhe i qetë
Të harrohem fare dhe të fle.
 
Jo një gjumë akull erë vdekje
Syt'e mi s'do desha të m'i mbyllë,
Por në gjoks të flinin hove jete,
Gjoksi im të merrte thellë frymë.
 
Tërë natën veshin të ma dhelte
Zër'i ëmbël,zër'i dashurisë,
Lis'i madh i mbushur plot me gjethe
Përmbi mua veç të shushurisë.

1841
 
DASHURIA E FUNDIT F.I.Tjutçev

Kur thyhet mosha,aq më shumë
Na zbutet zemra e trishton...
Ndriço,o drita jon'e lumur
E dashurisë që perëndon.
 
Po erret qielli ca nga ca,
Veç perëndimi feks aq thekshëm.
Ndriço,o diell,ndriço dhe ca,
Magji e mbrëmjes e pavdekshme.
 
Në rrëmbat gjaku zë e ngrin,
Por zemra zjarrin s'e ka shuar...
O ti e fundit dashuri
Dhe e uruar dhe e trishtuar.

1853

TI U LARGOVE.MBETA VETËM  A.A. Bllok

Ti u largove.Mbeta vetëm
Mes shkretëtirës përvëlonjëse,
Fjalët krenare në gojë mbetën,
Gjuha nuk mundi t'i shqiptonte.
 
S'më erdhi keq që u largove,
E ndjeva tënden madhështi.
Unë jam Krishti yt i gjorë
Dhe Galilea ime ti.
 
Të përkëdhel sot ty një tjetër,
Thashethemnaja përsërit.
Ku ta mbështetë ball'e shkretë
Njeriu i shkretë nuk e di.

1907
 
NJË HERË ÇEL,VETËM NJË HERË   Kerubina De Gabriak

Një herë çel,vetëm një herë
Me zjarr'e dalldisur të pranverës...
Eja në pyll,atje ku kam limerë,
Më shkul me rrënjën bashkë përngaherë.
 
Më duaj.Jam e jotja me gjithçka.
Ti mos më lerë lulen që ta thaj.
E hidhur si bajamja vetë jam,
As vdekja këtë joshje nuk e ka.

1909
 
DASHURIA    Ana Ahmatova

Nepërkë e mbledhur kular,
Në zemër farmak të lëshon,
Të bëhët bilbili gjyzar,
Në prag të dritares këndon.
 
Si brym'e argjendtë shkëlqen,
Si ëndërr shelboje të shfaqet...
Por fshehtas e ngults të heq
Larg gazit të shpirtit e paqes.
 
Me lotë të ëmbël të josh,
Me zë violine të trishtë,
Ke frikë atë ta zbulosh
Me një buzëqeshje të brishtë.

1911
 
SA MË PËLQEN QË TI S'VUAN PËR MUA  Marina Cvetajeva

Sa më pëlqen që ti s'vuan për mua,
Sa më pëlqen që nuk vuaj për ty,
Që globi rrotullohet pa pushuar
Dhe ne më këmbë mbahemi të dy.
Sa më pëlqen që veten e përmbaj,
Nuk bëhem qesharake dhe e belbët,
Nuk skuqem e nuk zë të qaj
Kur prek kalimthi mëngën e xhaketës.
 
Dhe më pëlqen kur ti në syt'e mi
Një tjetër përqafon fare i qetë,
Mallkimin e skëterrës mos ma ndill
Që ty unë s'të puth siç dua vetë.
Që emrin tim as ditën e as natën
Kjo buza jote s'di ta përkëdhelë,
Që kurrë s'do ta marrim tok uratën,
Kurorë ne në kishë s'do të vemë.
 
Me gjithë zemër ju falenderoj
Që ju më dashuroni pa e ditur,
Për netët që e qetë i kaloj,
Shëtitjet që ne s'i kemi shëtitur,
Takimet që takime ju s'i quani,
Që dielli s'na ka parë tok të dy,
Për të,që ju për mua,ah,nuk vuani,
Që unë s'vuaj,ah,fare për ju.

1915
 
PUTHMË E DASHUR,PUTHMË FORT   Sergej Esenin

Puthmë e dashur,puthmë fort
Të më dhembë,me tërbim!
Gjaku im më përvëlon,
Kurse shpirti akull ngrin.
 
Kup'e derdhur,e përmbysur
Mes gëzimit nuk na shkon.
E kupton, moj  mike e ngrysur,
Veç një jet'njeriu rron.
 
Shiko rrotull qetë-qetë
Hapësirën qull të lagur,
Hëna si një korb i verdhë
Sillet rrotull prej së largu.
 
Puthmë,po të them,më puth!
Fundin psallmi tim ma tha,
Hën'e verdhë si kukudh
Vdekjen time po nuhat.
 
Afshi im fle i nemitur.
Vdekja erdh,mirë se vjen!
Buzë më buzë të puthitur
Fundi im,mbase,më gjen.
 
Nëpër ëndrra që nuk prishen,
Pa lektisje e pa drojtje,
Nën kurorën e një vishnje
Të më thuash:"Jam e jotja".
 
Që me shkumbën e një kupe
Mos na ikë drit'e shenjtë,
Më këndo,o mike,puthmë,
S'kemi tjetër,veç një jetë.

1925
 
NË UDHËTIM E PATA HAJMALI TË VYER  S.P.Shipaçov

Në udhëtim e pata hajmali të vyer
Dhe jam i lumtur q'e kam gjatë dashurinë.
Duar të huaja hajdute s'ma rrëmbyen,
Buzë të huaja atë dot s'ma pinë.

1944
 
MË DUAJ MUA.UNË JAM FERRI   Maria Petrovih

Më duaj mua.Unë jam ferri.
E verbër jam dhe mëkatare.
Kush do më deshte,përveç teje?
U poqën fatet udhëtare.
Shikoi yjet se si ndizen
Në terr'e qiellit.Është kot.
Ti jetën tënde me timen lidhe
Siç lidhet nata me ditën tok.
Ti zgjedhje tjetër më kot prite:
Unë jam terri e ti je drita.

1960
 
TË DUA MË FORT SE NATYRËN   Eugjen Eftushenko

Ty të dua më fort se natyrën,
Se natyra e gjallë je vetë,
E lirisë ti je shëmbëlltyrë,
Por pa ty dhe liria më vret.
 
Ty të dua aq fort i shkujdesur,
Sa rrëpira më duket si shteg.
Të pamundurën askush s'e ka prekur,
Dashuria ime e prek.
 
Ty të dua,të dal'ku të dalë,
Dhe kur pi dhe kur bëhem brutal,
Ty të dua dhe as bëhet fjalë,
Përmbi egon e shenjtë do dal.
 
Ty të dua më fort se Shekspirin,
Se të dheut këtë bukuri,
Se muzikën pa fund të efirit,
Se muzikë e libër je ti.
 
Ty të dua më fort se lavdinë
Që kaloi e atë që po vjen,
Se të ndryshkurën perandorinë,
Mëmëdhe s'ësht'ajo,por ti je.
 
Je fatkeqe?S'pranon ti mëshirë?
Lodhe Zotin me lutjet e tua.
Ty të dua përmbi lumturinë,
Më fort se dashurinë të dua.

1995 
 
NUK MË PRISJE,POR TË ERDHA   Ekaterina Gorbovska

Nuk më prisje,por të erdha.
Tungjatjeta!Futmë brenda.
Ke ndryshuar shumë ti,
Si e hodhe këtë vit?
Iku viti me nxitim,
Iku,o i dashuri im...
U mërzita sa u çmenda...
Prezantoma gruan tënde.
 
NGA ASGJËKUNDI   J.A.Brodcki

Nga sgjëkundi në një datë pa datë e nderuara
dhe e shtrenjta e imja e dashur,me dashuri,
rëndësi s'ka se nga kush e prej kujt është dërguar,
ju përshëndes që prej njërit kontinent të kësaj bote,
kontinent që mbahet mbi supet e kaubojve,
të kam dashur më shumë se ëngjëjt dhe veten,
prandaj jam tani më larg prej tyre e prej teje;
natën vonë në luginën e përgjumur,në fund të saj,
në qytezën me dyert e zëna nga bora,
përpëlitem e sillem rrotull nëpër çarçaf,
si më poshtë ky varg do të ta tregojë,
e shkriftoj unë jastëkun me rënkimin tim
prej detesh,oqeanesh,që fund e mbarim s'kanë,
me trupin tim skicoj format që ke ti
si pasqyrë e menduar,që nuk gjen dot derman.

NIAGARA E MËRGIMIT
(Esse)

 
Niagara Falls,Niagara-katarakt,Niagara-ujvarë.Këto tre emra nga gjuhë të ndryshme di unë për fenomenin Niagara.I pari,rënie,i dyti,rrokullisje,i treti,ujë që varet teposhtë.Të tria emërtimet kanë nga një ngjyrim të hollë të vetin,sipas gjuhës dhe mendjes që i ka perceptuar.Dhe është e natyrshme.
Në Niagara Falls vijnë çdo ditë me mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës.Secili vjen me bagazhin e vet pamor dhe atë ndjesor.Secili e përjeton pamjen e saj në mënyrën e vet.Ata bashkohen vetëm në një gjë.Të gjithë e quajnë të madhërishme.Rrinë përballë saj,mbështetur në parmakët e hekurt të bregut kundruall mbi pellgun ku lumi gremiset dhe e kundrojnë me sy apo me dylbi.Era u sjell stërkalat e ujit të thërrmuar.Në veshët nuk u rresht buçitja e ujit që bie nga lartësia disa dhjetrametroshe në atë pellg gjigant.Buçitja dhe shkumba e bardhë nuk pushojnë as në dimër kur faqet e atij pragu vishen me parzmoret e akullit.Kjo buçimë është ulërima e lumit Niagarë të plotujshëm,që rridhte deri në ai prag i qetë në shtratin e vet dhe,papritur,rrokulliset dhe bie tatëpjetë në humnerë,thërrmohet e shkumbëzon dhe nuk e di se ç'do të bëhet më tej me të.A do t'i mbledhë dot fuqitë për të rrjedhur më tej,apo këtu merr fund udhëtimi i tij ujor!?
Papritur më vjen ndërmend saltoja e jetës sime!
Edhe në jetën e një lumi paska të papritura tronditëse,si në jetën e njeriut!Si lumi rrjedh dhe jeta jonë në shtratin e kohës.Dhe,papritur,rrjedha e saj bën një kërcim,humb qetësinë,drejtpeshën e mëparshme,rrëshqet me vrull marramendës.Mendimet,ndjenjat,kujtimet e saj shkumbëzohen dhe mbështillen me  mjegullën e së panjohurës.Është kërcim vdekjeje,shpërbërjeje apo përpjekje për të fituar një qetësi dhe një shtrat të ri?!...
Aparatet fotografike shkrepin pa pushim.Kamerat filmojnë ujvarën e shkumbëzuar.Në sfondin e kësaj stihije të rrallë,buzë kësaj humnere të potershmë pozojnë çifte dhe grupe turistësh.Fiksojnë në celulioid  hutimin dhe
habinë e tyre.
-Mama,kam frikë!-thotë një vajzë e vogël e strukur pas xhinseve të së ëmës.
-Pse ke frikë,shpirt?
-Po thërmohet lumi!
-Lumi po bën dush,-e ngacmon i vëllai i rritur.
Më tej një çift.E shoqja ose mikja entusiazmohet.
-Madhështore!Edhe në shpërbërjen paska madhështi!
-Vdekja ka më shumë madhështi se sa jeta,-pohon përbri tyre një kinez me një mjekër të rrallë e te thinjur si të Konfucit.
Unë dua t'u përgjigjem e t'u them se kjo nuk është as shpërbërje dhe as vdekje.Kjo është alegoria e triumfit të guximit njerëzor.
Mbi shkumbën e ujvarës mbi stërkalat e saj shpaloset papritur ylberi,brezi i Perëndisë,lajmëtari i pajtimit dhe i shpresës.Shkumba,stërkalat dhe mjegullimi i bardhë kthehen dalngadale në ujë të kaltër atje poshtë në pellgun që i ngjan,tashmë,një liqeni.
Më kureshtarët dhe më dyshuesit,të veshur me pelerina plastmasi ngjyrë të kaltër,lundrojnë me anijen e vogël turistike drejt e në rropamën e shkumbëzuar të Niagarës,që brohoret me stërkalat e saj e hutuar dhe e gëzuar.
Lumi e mblodhi veten dhe po vazhdon më tej lundrimin e tij të ndërprerë...
Largohem nga Niagara Falls me mbresën e kënaqësisë që isha dëshmitar i një dukurie të rrallë natyrore,befasuese dhe të çuditshme e cila e mbushi shpirtin tim me një ndjenjë të bukur dhe heroike,ma zgjeroi kraharorin dhe më joshi shpresën dhe besimin se kapërcehet çdo prag për të nisur një jetë të re.Mjafton të guxosh.
Edhe pragu i mërgimit.
 
Niagara Falls,2009
Vangjush Ziko



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx