E shtune, 27.04.2024, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Profumi i vdekjes

E shtune, 16.05.2009, 01:35 PM


Suzana Kuqi

Profumi i vdekjes

E zënë në befasi, nxorra paketën nga çanta dhe i zgjata një cigare. Edhe çakmakun, por ai vuri njërën dorë në zemër duke u përkulur pak, ndërsa me tjetrën peshkoi në xhepin e pantallonave çakmakun e tij. Thitha cigaren time duke i hedhur sytë tej, prania e tij më bezdiste. Ishte hera e parë që një barbon, kështu i quajnë këtej, vinte e më shqetësonte. Mendimi se mund të ulej pranë meje... por nuk e bëri, më falenderoi edhe një herë me atë mënyrën e tij dhe u largua. E ndoqa me sy tek mundohesha të gjeja në mendjen time fjalët për ta përshkruar. Atë shikim të ngeshëm që të thotë se asgjë nuk i bën më përshtypje e habi në këtë botë, atë hap të panxituar, e fundja përse... Flladi i lehtë më solli një aromë aspak të këndëshme nga ana e tij, e cila ma hoqi dëshirën për të vazhduar përshkrimin..

- C'përshtypje ju bëri?- zëri ishte i një burri që qëndronte më këmbë pas meje.

- Kush?- ja prita ftohtë.

Burri bëri shenjë nga barboni. Atë çast, ajo figurë endacaku në ikje seç kishte diçka mes reales dhe joreales në pejsazhin që shtrihej para syve të mij, të cilit, prania e tij nuk i shtonte dhe nuk i hiqte gjë. Pisha, det, diell, dy tri kalimtarë që i kalonin përbri. Dukej sikur edhe ata e shikonin dhe nuk e vinin re njëkohësisht.

- Një barbon i zakonshëm,- u përgjigja duke mbledhur pak supet, mendova se me atë të “zakonshëm” duhej ta kisha mbyllur atë muhabet. Burri u ul në stol bri meje. Jo, kjo nuk shkon dreqi ta hajë...

- E kam fjalën për profumin, aromën, - vuri buzën në gaz ai.

- Si të them, djersë, pisllëk dhe...

- Dhe...? - zëri ishte ngulmues. C'kërkonte ky i panjohur perfekt nga unë..?

- ... pak si aromë tymi...

- Mundet, shpesh ndezin zjarr natën. Nuk e ndjeva këtë të fundit, por mënyra se si po e shikonit, më bëri kurioz.

- Asgjë tjetër, - them dhe u ngrita më këmbë. Ato pak minuta kishin qenë të mjaftueshme të më shkaktonin bezdi dhe ndjesinë se nuk kish për të qenë muhabet simpatik.

- Profumin e vdekjes,- foli ai ngadalë duke parë tej, indiferent.

U ula sërish e nxorra një cigare tjetër, ja kish arritur qëllimit të më gozhdonte aty.

I panjohuri buzëqeshi me qesëndi.

- Temë interesante apo jo? Mund të më jepni një cigare? Kisha vendosur ta lija...

Padashur vura buzën në gaz edhe unë teksa i zgjata cigaren dhe ja ndeza. Ndeza dhe timen duke tretur shikimin larg në det. Flladi i freskët përziente ajrin e detit me atë të pishave, të luleve, të tokës e tymin e makinave. Mund ti dalloja secilën veç e veç tek i ndjeja të përziera bashkë. Edhe aromën jo të këndëshme të atij endacaku e kisha ndjerë, dhe erën e tymit përzier me erën karakteristike të mishit të djegur. Kushedi se ç'kish pjekur mbrëmjen e kaluar...

- Shoh se nuk ju befasoi ky term i...- zëri i tij erdhi si jehonë e largët.

- & -

Po bëja xhiron e kontrollit. Ulur mbi karrigen me rrota, kish kthyer kokën nga dritarja.

- Franko!

Nuk u përgjigj. I vura dorën mbi sup dhe e tunda lehtë.

- Jemi miq apo jo?

Ktheu ngadalë kokën nga unë ndërsa vështrimi i zbrazej nga ana tjetër.

- Kuptoj, je i trishtuar.

Nuk mora përgjigje.

- Sot do të vijë Klara, - shtova, duke pritur buzëqeshjen që shkaktonte emri i së bijës.

Drejtoi sytë nga unë e papritmas e ndjeva. Në fillim mendova se do të kish urinuar apo ish ndotur. Kapa karrocën për ta shtyrë e për ta ngjitur lart në repart që ta ndërronin. Pas disa hapash u binda se nuk ishte ajo. E lashë aty dhe u largova ndërsa mundohesha të kuptoja se ç'aromë ishte. E rëndë dhe... karakteristike. Mbajta hapin. Ishte...

- Ju ka rastisur ta ndjeni?

Më kish rastisur të dëgjoja të thonin vjen erë vdekje, nga koleget e mia kur hynim në dhomat me të sëmurë terminalë. Në fillim nuk e ndjeja . Kur fillova të ndjeja diçka më të rrallë, trupa që fillojnë të treten nga pak mbi dhe... është dekompozimi, mendova. Aromë e rëndë, përzierje aromash mbuluar me... asgjë që të bën të mendosh vdekjen... aroma mbuluar me vel lashtësie...

- Nuk e di, nuk jam e sigurt...

Atë ditë të largët, kisha qenë e sigurtë, ishte pa dyshim ajo. Franko nuk ishte i sëmurë, nuk ishte dhe as shumë i vjetër. Alzheimer, pothuaj nuk fliste më. Solla ndërmend Frankon që para një viti më recitonte Danten. Ishim bërë miq. Kërkova me sy tryezën e tij në kohën e drekës dhe pashë se e bija nuk i kish ardhur. Sa keq, mendova, tani nuk do të më besojë kur ti them se do të vijë. E sot është kaq i trishtuar...

Ndjeva filtrin e cigares të më digjte gishtat dhe e hodha tej. I panjohuri vazhdonte të rrinte ulur bri meje, e edhe se nuk ja hidhnim sytë njëri tjetrit ndjeja profilin e tij ngulmues.

- Nganjëherë...- fillova dhe befas e ndërpreva, nuk mund të flisja për...

- Nganjëherë?- insistoi ai.

Fiksova degët e gjelbërta të pishave. Isha ndjerë aq mirë në mëngjes, sa e kisha ndarë mendjen t'ju bëja naftën punëve të shtëpisë e të dilja. Ta kisha ditur... C'dreqin kish që insistonte e më bënte pyetje të cilave as në vetminë time nuk kërkoja e nuk guxoja t'u jepja përgigje? Ishte ndjesi dhe aq, e tillë, që një njeri me pak mend në kokë e largon shpejt. Më mirë ta lija këtë muhabet e të ikja...

- Sepse... nuk më duket aspak e drejtë që njeriu duhet të fillojë të dekompozohet aty, mbi dhe, e ajo e shkretë zemër vazhdon të rrahë... Sepse atëherë më duket se gjithshka mbaron këtu, këtu... kur shoh... kur kam parë ... është e tmerrshme kur tërheq çarçafin e një gruaje në koma dhe sheh krimba të vegjël të bardhë që dalin nga këmba e saj që kalbet e lëvizin mbi çarçafë... ndërsa zemra vazhdon ti rrahë...Kështu është që mbaron? Këtu dhe kështu duhet të mbarojë? Kisha menduar se ishin krimbat e tokës që hanin trupat pas vdekjes...

- Vërtet e trishtueshme, por nuk ju përgjigje pyetjes sime.

- Dekompozim. Do të më pëlqente ta ndjeja, edhe se nuk është aspak e këndëshme... Të paktën do të më krijonte idenë se ka diçka përtej, idenë e misterit. Misteri, gjithsesi, është shumë më mirë se sa ideja e asgjësë, apo jo?

- Unë e ndjej shpesh. Jam mjek kirurg. E më besoni, nuk ngatërrohet me dekompozimin. Sot e ndjeva tek ai,- drejtoi shikimin andej nga ishte larguar endacaku.

- Meqë e thoni ju,- u ngrita.- Shpresoj të gaboheni.

- Shpresoj dhe unë,- foli ai pa ja ndarë sytë peisazhit.

U largova pa e përshëndetur. Një tufë mbresash të pakëndëshme më ishin mbledhur e më merrnin frymën. Si të nesërmen e asaj dite, kur lajmi i parë që mora sapo hyra në punë, ishte se Franko kish vdekur mbrëmjen e shkuar. Isha tronditur dhe tmerruar kur isha kujtuar ç'kisha ndjerë pranë tij një ditë më parë. Isha ndier aq keq... sa e kisha larguar me përdhunë nga truri. Këtë koncept e kisha lexuar kur isha mjaft e re në një libër me tregime, më kish lënë përshtypje të keqe.

Lajmi që bëri bujë të nesërmen që me mëngjes, e që ishte shkruar edhe në gazetë... kishin gjetur një barbon endacak të djegur mbi një stol në një park të veçuar të qytetit. Flitej për një trup të karbonizuar, ndërsa para syve të mi shfaqej ai shikim që thosh se asgjë nuk i bënte më habi në këtë botë, teksa ndjeja një aromë aspak të mirë që flladi i lehtë e shkëpuste nga trupi i tij në ecje me atë hap të panxituar... e fundja përse...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora