Kulturë
Dy tregime nga Luan Çipi
E enjte, 14.05.2009, 06:18 PM
1)KICUA ME RUMON
Kiço Dhanon e caktuan Drejtor në Ndërmarrjen e Përpunim Drurit në Vlorë, kur atje Ilia, që më parë kishte qenë pilot reaktivi, ishte shef llogarie. Shefi, sa u njoh me të dhe mori vesh gjendjen e vështirë ekonomike të drejtorit, u vu shpejt në dispozicion, sa dhe si të mundte, por gjithnjë brenda rregullave ligjore. Kështu, herë pas here, i dërgonte në shtëpi drejtorit ndonjë karro me mbeturina druri, nga ato që shiteshin me çmim të ulët, i jepte paradhënie për llogari të pagave të ardhshme, i rekomandonte shërbime me dieta… Por drejtor Koçua, qejfli në të pirë raki dhe me shumë fëmijë, asnjëherë nuk dilte nga fukarallëku dhe s’kishte të ngopur nga të tilla ndihma. Shërbimet jashtë qytetit, shpeshherë, i organizonin bashkërisht me shefin human.
Një herë Kiçua dhe Ilia u nisën me shërbim drejt fshatit Kuç, për të kontrolluar magazinat e druve të zjarrit. Në fillim ndalën në fshatin Vranisht, ku kishin magazinën kryesore. Atje vunë re se drutë e zjarrit i kishin stivosur me kujdes anës rrugës automobilistike, siç ishte porosia. Në një kolibe, pak më tej, rrinte magazinieri që po punonte, duke bërë azhurnimin e kartelave. Ai e dëgjoi nga larg zhurmën e makinës së drejtorit të vet, një gaz 67 rus i paraluftës, që ulërinte me atë zërin karakteristik, të njohur për të. Doli para t’i priste.
- Urdhëroni, shoku drejtor! Shyqyr që erdhët!
- Ç’më del para syve e më pret, more dembel, i pa kujdesshëm! - fillon e i kanoset Kiçua, sipas një programi të paramenduar. Ti punën tënde e ke për ibret. Ne duhet të bëjmë kontroll e inventar të stivave, për të përcaktuar gjendjen reale të druve, ndërsa ti, shoku Rumo, drutë i ke në stiva të shtrembra, si muri kinez. Ato duhet të ishin në kube me brinjë të drejta. E ke bërë me qëllim, që të vjedhësh. Je i pushuar nga puna, menjëherë!
- Aman, shoku drejtor! Më merr në qafë. Kam 7 fëmijë në ngarkim, pa asnjë të ardhur tjetër. Të kam thënë që kam dhe ato pesë kërthinj që sheh aty e që i marr me vete për t’i kullotur, po ato s’të nxjerrin nga fukarallëku.
Kiçua kthen kokën dhe përtej sheh tri dele dhe dy shelegë, po kjo s’qe fare e nevojshme, se ai ishte informuar për inventarin e pasurisë së Rumos dhe pikërisht këtu synonte loja e kurdisur.
- Je i pushuar, - të thashë. Nuk bëj shaka me punën e shtetit unë! Koçua largohet drejt autoveturës dhe prej andej i thërret shefit, që ndërkohë, sipas skenarit, i ishte afruar ish-magazinierit. Hajde, Ilia, të nisemi për Kuç. Aty do të bisedojmë me Kryetarin e Kooperativës për të caktuar një magazinier të ri, nga ata që kanë mbaruar shkollën e mesme. Ka plot të papunë atje dhe me shkollë, jo si ky, Rumua, gjysmë analfabet.
- O, shoku shef! Të lutem më ndihmo, se mua nuk më ngelet gjë tjetër, veç të vras veten. Thuaji, se ty të dëgjon ai. Ti e sheh që unë s’kam asnjë faj. Drutë aty janë dhe të stivosura për mrekulli. Atë stivën e prishur pak nga era do ta risistemoj qysh sonte.
- Kiçua, po vendosi, nuk e kthen. Po ti, meqë më preke shumë, për ata kalamajtë e tu, unë do t’i lutem njëherë. Që ta bindim më lehtë, lëviz një çikë edhe ti. Këputja kokën atij larushit aty dhe shkoje shpejt në hell. Sa të kthehemi ne nga Kuçi, sofra të jetë gati. Vër një njeri që të sistemojë edhe stivën e prishur të druve! Se, për punë e për rregull, drejtor Kiçua nuk të fal. Dëgjo dhe diçka tjetër: kur të kthehemi ne nga Kuçi, mos të gjejmë këmbë njeriu këtu, se na futen lapangjozët në pjesën tonë dhe s’ngelet gjë për ne.
- Peqe, shef! Çdo gjë do të zbatohet në kohë, siç thoni ju, ushtarakët.
Pas katër orësh drejtor Kiçua me shef Ilian ia behën sërish në Horë të Vranishtit.
- Urdhëroni, urdhëroni! Edhe stiva u rreshtua, edhe sofra gati, u shtrua. Qengji larush u gatua, sa e hoqa nga zjarri. Kollofacet dhe kukureci me zorrë, gjëndra e mëlçi të bardhë lëshon avull dhe vjen era rigon mali e trëndelinë Bogonice. Rakinë e kam të bollshme dhe ballë kazani: mare, e zier dy herë. Shyqyr që më bëtë dhe mua mukajet, se humbëm në monotoninë e përditshme në këto zgëqe.
- Gjithë rrugës shef Ilia për ty më foli e më qau hallet. Qenke vërtet burrë i mirë, po dhe i pikur, më keq se unë. Ajo, që është më kryesorja, për mos të ngatërruar simpatinë dhe miqësinë me punën e shtetit, edhe stivën e druve e paske rregulluar për mrekulli. Po nuk kuptova seç zure në gojë: kukurec, raki. Për kë më merr ti mua?
- Jo, jo, - ndërhyn shefi, - është një keqkuptim. Për therjen e qengjit, sa e mori vesh, shoku Koço e kundërshtoi, nuk ishte dakord. Për më tepër, ne nuk rrimë dot, se drejtori ka mbledhjen e Partisë sonte në mbrëmje dhe jemi vonë.
- Si, more burra! Unë bëra gjithë këtë harxh e këtë mundim për juve. Po qengji, kukureci, rakia?
Bisedën e vazhdoi shef Ilia, se e pa që punët po shkonin sipas programit të parashikuar nga ai vetë.
- Dale, more burrë i dheut! Ç’ke që bërtet e mërzite, se na dëgjon edhe drejtori. Nuk do të venë dëm harxhet! I marrim me vete. Ashtu! U kënaqe tani? Vuri me gjithë tavë në portobagazh! Hajde, shofer Vangjeli, luaj këmbët, se u bë vonë, na zuri nata. Kujdes lëngun, se aty është lezeti. Hidhe më parë nga tava në një kusi, që mos të na derdhet e na bën pis edhe makinën.
- O, sa mirë të ka rënë në mend! I hani me shokët, pas mbledhjes.
- Ç’thua, more i fantaksur, pse ç’i bëre ti komunistët, sahanlëpirës? Pastaj ata janë shumë. Nuk i kënaq dot të gjithë me një palo qengj. Ngarkesën do ta shkarkoj te shtëpia e drejtorit. Të paktën të gëzojë ai vetë me gruan dhe kalamajtë. Mos harro rakinë! Të dyja shishet, se një do ta marr për vete.
2)BULLGARKA
Kjo ngjarje vërtet ka të njëjtin protagonist, Kiçon, por si kohë është më e hershme.
Kiço Dhanua, i ardhur nga një fshati i Tepelenës, pasi kishte kryer shkollën shtatëvjeçare dhe një kurs partie, kishte punuar ca kohë si instruktor në Bashkimet Profesionale. Më pas ishte zgjedhur ndër militantët për të dhënë më shumë ndihmesë për të mirë të Partisë dhe të popullit dhe ishte caktuar instruktor në sektorin ekonomik të Komitetit të Partisë të rrethit Vlorë. Ai vinte shpesh edhe te ne, për të kontrolluar e ndihmuar punonjësit e ndërmarrjes, për të mbajtur të pastër vijën ideologjike marksiste-leniniste në çdo qelizë të ekonomisë socialiste. Nuk duhet harruar se në ndërmarrjen tonë të përzier në shumë aktivitete, aty, afër Drejtorisë, kishim dhe repartin e sallamit dhe atë të ëmbëlsirave. Kiçua i kishte merak këto prodhime delikate dhe herë pas here i degustonte, duket edhe për të ruajtur popullin nga ndonjë helmim i mundshëm, qoftë dhe nga dizenteria. Për popullin duhet
sakrifikuar deri vetja.
Në të njëjtën kohë me praninë, thjeshtësinë dhe shembullin e vet, ai kryente edhe detyrën e caktuar nga Partia për edukimin moralo-politik të punonjësve.
Në zyrën e planit të ndërmarrjes, bashkë me mua, punonte si ekonomiste e kosto-statistikës dhe një grua bullgare, Millka, gruaja e një dentistit të njohur, nga fshati Iljaz i bregdetit. Në një mëngjes dimri, Millka, që e ndiente shumë të ftohtit, në zyrën tonë pa ngrohje, kishte dalë me pallton e madhe gri hedhur krahëve dhe po pushonte pak çaste, për t’u ngrohur në atë shtrojerë, nën rrezet e ngrohta të diellit, siç thonë, baba të fukarasë. Pikërisht, në atë çast fatkeq ia behu si me vrap Kiçua, siç ecte ai gjithnjë, falë temperamentit të tij sanguin. E sheh Millkën drejt e në sy. Ajo, si e zënë në faj, ul kokën e bukur dhe bëhet të kthejë shpejt në zyrë.
- Po, ti, bullgarkë, ç’po bën aty? Po shullëhe?
Millka e pafajshme, që as e dinte kuptimin në shqip të kësaj fjale, se e dëgjoi për herë të parë, e fyer, e trembur, po gjithë respekt, siç ishte ajo, iu përgjigj:
- Jo, jo, shoku Kiço. Nuk po bëj gjë të keqe, siç duket se më the, po jam ca si e sëmurë dhe dola pesë minuta në diell, se kam të dridhura dhe brenda, pa ngrohje, është më ftohtë.
- Po pse, për të punuar apo për t’u shullëhur ke ardhur ti sot? Oj, na paska ftohtë, zonja! Po mijëra punëtorë e kooperativistë të nderuar ç’duhet të bëjnë, sipas zotërisë tënde, të shullëhen apo të punojnë? Po, s’ke faj ti, se të toleron Luani, kapso shefi. Më jeni bërë kapitalistë dhe revizionistë bashkë ju e po bëni pallë ariu, ndërsa ne dhe të gjithë proletarët e botës duhet vetëm të punojmë, të na bjerë bretku në punë. Hë, pa do ta shihni edhe ju!
Millka futet kokulur në zyrë dhe e ngashëryer ma shpjegon hollësisht ngjarjen.
- Mirë që bërtet sa ka në kokë, po pse më shan, madje, dhe më thotë me një fjalë të keqe e të vështirë: “shullëhe”. Unë nuk jam e atillë. Le që s’jam e atillë, por unë as që e kuptoj këtë lloj sharjeje në shqip, s’e kisha dëgjuar kurrë as nga gratë e lagjes, kur zihen me njëra-tjetrën dhe thonë deri fjalën e fundit. Nuk më thua, çdo të thotë në shqip kjo fjalë? Më thuaj ndonjë sinonim.
- Kuptimin ia di, - i them unë, - po tamam, tamam, të shoh fjalorin. Sharje nuk është, po dhe lavderim nuk është, prandaj qetësohu dhe fillo punën, ngaqë jemi pas dhe do të rrimë jashtë orarit edhe sot. Kiço ziu atë punë ka, t’ia bëjë gam-gam, të mbllaçitë ca sallam cilësor e të ëmbëlsohet më pas me tahin, hallvë e biskota. Do të kthehet në Komitetin e Partisë pa i raportuar njeriu. Ai kënaqet me veten e tij, se e zhvilloi parimisht luftën e klasave dhe u ngop e u ëmbëlsua sa desh. Ti mos u mërzit fare, se Kiço Dhanua dhe ca si ai, atë punë kanë: të hanë dhe të lehin. Po, përgjithësisht, ai nuk i bën dëm njeriu, se është fukara dhe me një tufë kalamaj
x
Në një tjetër ditë Kiço Dhanua, instruktori ekonomiko politik i Komitetit të Partisë në Vlorë, pasi kishte qenë për “kontroll e ndihmë” në Kantinën e verë-rakisë dhe kishte pirë sa donte, po pa meze, ashtu gjysmë i dehur, hap derën e zyrës sonë, fut kokën vrullshëm dhe për t’i ruajtur, për mos ti përplasur sytë me të mitë, i ngre instinktivisht lart nga tavani. Aty, në një qoshe, dallon një shtrat merimange, pikërisht mbi tavolinën e Millkës.
- Shoqja Millka! Ç’është ai pisllëk aty në qoshkun e tavanit?
Millka, që priste ndonjë përshëndetje mirësjellje nga i porsaardhuri, ngrihet menjëherë në këmbë me sytë lart, në drejtim të gishtit tregues të shokut Kiço. Shikon te qoshku i tavanit një rrjetë merimangash dhe brenda tij një insekt të madh, të zi e të frikshëm. I duket vetja si e zënë në faj, se duhet ta kishte vënë re dhe të njoftonte, të paktën, atë pastruese të pakujdesshme. Hutohet dhe i priten mendimet. Si t’i përgjigjej instruktorit? Po ajo as që e dinte si i thoshin në shqip. Pa e menduar shumë, nisi t’i thotë të vërtetën:
- Të më falni, po nuk e di në shqip. Në bullgarisht i thonë...
- Po, e mora me mend që nuk e dije. E kuptova nga vonesa e përgjigjes. Domosdo, ty shqipja nuk të intereson. As shqipja, as Shqipëria jonë e dashur. Këtë unë e kam të qartë. Po, unë një gjë nuk po arrij të kuptoj. Nuk kuptoj se si të mbajnë ende në punë si nëpunëse të shtetit shqiptar, se t’i ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit. Unë nuk po kuptoj se kujt i shërben ti, shoqja bullgarkë?
- O shoku Kiço, - ndërhyra unë fortë i shqetësuar, ndërkaq, që Millka shpërtheu në të qara me dënesë, - po, ç’ke me shoqen Millka ti, që i je qepur me bukë në trastë. Dhe kur m’u afrua dhe e ndjeva që qelbej era raki, e ngrita më shumë zërin, edhe për të qetësuar Millkën. Ajo, - i thashë, - është nëpunëse model, punon shumë mirë dhe ka njohuri të thella. Pastaj burri i saj është drejtor dhe specialist në zë dhe komunist edhe më i vjetër nga ç’je ti. Ajo nuk ka për detyrë të merret me pezhishkat e mureve dhe me merimangat e vrimave, punë që i takojnë një pastrueseje. Unë nuk po të kuptoj dot ty sot, kur po na flet si i dehur dhe bile kalon në ekstrem me iluzione spiunazhi. Të lutem, na lër rehat, se unë marr menjëherë prej këtu në telefon Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë dhe mjerë ti dhe kalamajtë e tu pastaj.
Kiçua uli zërin dhe u ul në një karrige, megjithatë, s’e komandonte dot veten nga rakia:
- Me gjithë respektin që kam, edhe për ty mund t’i them ca fjalë dhe atë që e ke vëllain në burg. Rri, mos e zbut luftën e klasave dhe mos më fol mua për merimangat e mureve, po hap sytë dhe shih këtu e kupto me ç’merimangë punon. Me një merimangë bullgare, që çdo ditë thur rrjeta, për të të përfshirë në to edhe ty, që je kontingjent i gatshëm. I dimë ne këto, jemi vigjilentë, siç na mëson Partia dhe t’i themi hapur, pa e pirë mendjen. Prandaj ulni kokën, punoni, se po luajtët bishtin, ne ju presim kokën. Qartë? Ta mbyllim me kaq këtë punë?
- Po, në këtë rast, - i them unë, duke e kthyer në shaka, siç duhej bërë me një të dehur, - ne këtë gabim kemi bërë, e kemi mbajtur kokën poshtë, se po ta mbanim lart, do t’i kishim parë ato pezhishkat e tua dhe me vigjilencë revolucionare do të kishim informuar pastruesen që, siç e di, për fat edhe ajo ka për të ushqyer jo pak, por pesë fëmijë, aq se keni dhe ju, shoku Kiço. Tani besoj se e more vesh që fajin kryesor për këtë gjëmë të madhe e ka ajo, po dhe ne pa faj nuk jemi.
Kiçua nuk kishte më fuqi ta zgjaste bisedën, por edhe ashtu, i dehur siç qe, nuk shkonte dot më në zyrë dhe kur e pa që ne nuk ia varnim më, se kishim punë, filloi të dremiste i kënaqur në karrige, me kokën në tavolinë, midis të dy duarve si jastëk. Shpejt filloi dhe të gërhinte. Unë e zgjova me kujdes, e kapa nga krahët dhe e shtriva në kanapenë e Këndit të Kuq, aty pranë, ku, me derë mbyllur nga jashtë, fjeti deri në mbarimin e orarit zyrtar.