E merkure, 30.04.2025, 05:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Idrizi: Poezi shtresore deri në pafundësi

E shtune, 09.05.2009, 11:05 AM


Agim Vinca
Agim Vinca
Sabit IDRIZI

Vështrim

POEZI SHTRESORE DERI NË PAFUNDËSI

(Me rastin e botimit të poezisë së përzgjedhur të Agim Vincës)

Një ndër parakushtet për t’u çmendur është që të kesh mend. E kam fjalën për “çmendjen e bukur poetike”, e cila, për ata që dinë ta shfrytëzojnë si terapi, është ilaçi më i mirë kundër çmendjes nga paudhësitë dhe çoroditjet e shumta që i pjell përditshmëria me pangopësinë e vet të përhershme për diçka krejt banale dhe aspak domethënëse për kuptimësimin e jetës.

Një ditë, pas një përballje të tmerrshme me teket e saja, hetova se kisha nevojë për një terapi të fortë. Mendova – çmendova dhe, më në fund, vendosa për Agim Vincën. Nga rafti i librave nxora përmbledhjet e tij me poezi “Kohë e keqe për lirikën” dhe “Psalmet e rrënjës” dhe i lexova e i rilexova me një frymë. I kuruar krejtësisht nga terapia që mora, në adresën elektronike të Agim Vincës drejtova këto fjalë falënderimi:

Shumë i nderuari dhe i dashuri profesor Agim,

Posa e rilexova, për të satën herë me radhë, përmbledhjen tuaj me poezi “Kohë e keqe për lirikën” dhe e lexova dhe e rilexova, me shumë kënaqësi, këtë të fundit (deri më tani) “Psalmet e rrënjës”. Të përgëzoj, mik i dashur, dhe të falënderoj nga zemra për kënaqësinë që ma ofrove përmes poezisë tënde të mrekullueshme, e cila, në kontaktin e parë, të krijon përshtypjen e një përciptësie, po që pastaj të gllabëron fuqishëm dhe të bart pahetueshëm drejt thellësive të pafundme magjike. Kjo është fuqia e artit.

Jetë të gjatë dhe gjithë të mirat!

E fillove kështu këtë vështrim timin për ta vulosur edhe një herë bindjen time kaherë të krijuar dhe përherë e më shumë të përforcuar për nivelin intelektual të Agim Vincës.

Punëtor shumëvjeçar në edukimin dhe arsimimin e brezave, historian i letërsisë, kritik letrar, poet, eseist, analist, përkthyes, antologjist, përcjellës i pakrahasueshëm i rrjedhave të letërsisë, jo vetëm shqiptare, sidomos i poezisë... dhe, mbi të gjitha, njohës dhe respektues, deri në fanatizëm, i gjuhës – Agim Vinca, për mendimin tim, është intelektuali më i kompletuar shqiptar i ditëve tona. Kontributi i tij, në të gjitha fushat që i përmendëm, është jashtëzakonisht i madh.

Nga një hulumtim i të përditshmes prishtinase “Kosova Sot”, publikuar më 28 dhjetor 2008, në faqen 14 të kësaj gazete, dilte se në mesin e pesë librave më të shitur gjatë asaj jave, që do të thotë më të lexuar në Kosovë, ishin edhe dy libra të autorëve shqiptarë: “Darka e gabuar” i Ismail Kadaresë dhe “Letër Zotit” i Agim Vincës. Kjo dëshmon se përcaktimi i SHB “Toena” dhe angazhimi i akademikut tonë të madh, Rexhep Qosja, për përzgjedhjen dhe botimin e një përmbledhjeje reprezentative të këtij autori ishte një hap sa i qëlluar po aq edhe i domosdoshëm.

Pa as më të voglin pretendim që t’i qasem shterueshëm poezisë së kujtdoqoftë, aq më pak të një poeti si Agim Vinca, dëshiroj t’i shpreh këtu disa mendime nga arsenali i përshtypjeve të mia pas leximit dhe rileximit të përmbledhjes me poezi të zgjedhura të Agim Vincës “Letër Zotit”.

Agim Vinca është poet i këtushëm dhe i gjithkundshëm, i tashëm dhe i gjithmonshëm, ngase të kaluarat dhe të tashmet e tij, të tashmet dhe të ardhmet e tij, të ndërtuara ëndërrtë mbi tabanin e të njerëzishmes, u përkasin të gjitha kohëve dhe të gjitha hapësirave, kudo që ka frymuar, frymon dhe do të frymojë jeta. Poezia e tij është shumështresore, çka do të thotë se është e kapshme dhe e perceptueshme nga çdo kategori lexuesish. Depërtimi në thellësitë e saj magjike, natyrisht që kërkon mjeshtri leximi, por edhe dhunti për të parë të padukshmen, për të dëgjuar të padëgjueshmen...

Poezia e Agim Vincës është kryesisht poezi atdhetare. Mirëpo atdheu i Agim Vincës, të cilit ai ia shpërfaq dashurinë deri në vetëflijim, duke u bërë njësh me dhembjet e tij, nuk është vetëm atdhe në kuptimin e ngushtë të fjalës, ngase poeti nuk e do diellin vetëm për vete dhe vetëm për bashkëkombësit e tij. Atdheu i Agim Vincës është Veleshta, është Kosova, është Shqipëria, është Ballkani, është Evropa, është Bota, është Universi...

Poezia e Agim Vincës është edhe poezi malli. Një mall baladesk, që djeg shkrumbueshëm gjithandej nëpër kohë dhe hapësira, vjen e kompozohet dhembshëm vargjeve të tij.

Poezia e Agim Vincës është edhe poezi dhembjeje. Një dhembje prometheike, që sqepton pamëshirshëm gjithandej nëpër mëlçitë e kohëve dhe hapësirave, vjen e kompozohet protestueshëm vargjeve të tij.

Poezia e Agim Vincës është edhe poezi përtejsie. Një verbëri homerike, që sheh me sytë e shpirtit gjithandej nëpër kohë dhe hapësira, vjen e kompozohet dritësisht vargjeve të tij.

Poezia e Agim Vincës është edhe poezi shqetësimi. Një përditshmëri drithëruese, që mbarset bastardisht gjithandej nëpër kohë dhe hapësira, vjen e kompozohet mbarësisht vargjeve të tij.

Poezia e Agim Vincës është edhe poezi krenarie. Një krenari vinciane, që ngre krye gjithandej nëpër kohë dhe hapësira, vjen e kompozohet vincianisht vargjeve të tij.

Në poezinë e Agim Vincës ka dashuri, ka urrejtje... Dashuri ndaj çdo gjëje që meriton të dashurohet, urrejtje ndaj çdo gjëje që meriton të urrehet.

Në poezinë e Agim Vincës ka universalitet...

Ja përse poezia e tij është e lexueshme dhe e dashur nga adhuruesit e artit poetik.

Nëse pajtohemi që mendimi është skeleti, kurse ndjenja mishi i poezisë, atëherë edhe në këtë rrafsh poeti Agim Vinca bashkëdyzon mjeshtërisht.

Çdo gjë të ngjizur nëpër thellësitë më fatale ndjenjore, për të mos rrëshqitur në lojë fjalësh dhe glorifikime, që e mbysin artin, Agim Vinca e depërton nëpër filtrat më të thellë të trurit.

Çdo gjë të ngjizur nëpër thellësitë më fatale mendore, për të mos rrëshqitur në filozofime të thata e shterpe, që e mbysin artin, Agim Vinca e mëlmeson me nektar shpirti.

Thënë ndryshe, Agim Vinca është një alkimist në xhunglën e pafund të fjalëve, synim ky që duhet ta ketë çdo poet lirik.

Ajo që e veçon poetin Agim Vinca është edhe guximi intelektual e qytetar, i shprehur në çdo kohë dhe në çdo rrethanë.

Që nga poezia paraprijëse e këtij vëllimi “Të jesh poet”, faqe 27, e shkruar në vitin tashmë të largët 1978, në të cilën poeti harton “kushtetutën” e misionit të vet aspak të lehtë, e deri tek poezia trevargëshe “Paradoks”, që është një perlë e vërtetë, e që zë vend në kopertinën e fundit të këtij libri, ka me qindra poezi, të shkruara në kohë e rrethana të ndryshme. Pra, poeti foli kur duhej të fliste dhe heshti kur duhej të heshtte, pavarësisht prej kërcënimeve të përhershme,

Kur fola, më thanë: hesht!
Kur heshta, më thanë: fol!
Folehesht, heshtefol – jeta ime.

duke e respektuar kështu, nen për nen, “kushtetutën” e tij, madje duke u shndërruar edhe në rrufepritës.

E falënderojmë Agim Vincën për gjithë atë që na dha deri më tani, duke i dëshiruar jetë të gjatë fizike e krijuese dhe gjithë të mirat në jetë.



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx