Kulturë
Ilir Muharremi: “Heshtja e Lornës” në Prishtinë
E enjte, 07.05.2009, 07:04 PM
“Heshtja e Lornës” në Prishtinë
Nga Ilir Muharremi
Filmi i shumë pritur i zhanrit dramë, “Heshtja e Lornës”, i punuar nga dy vëllezër Jean Pierre dhe Luc Dardenne, e që protagonist kryesor është aktorja nga Kosova Arta Dobroshi, u shfaq premierë të mërkurën mbrëma në kinemanë “ABC” në Prishtinë. Filmi u dëshmua tejet magjik dhe i fuqishëm, si në aspektin e skenarit dhe aktrimit në disa raste, çdo gjë ishte ngjitur në kulm. E veshur vazhdimisht me pantallona të kuqe dhe me flok të shkurtra, karakteri i aktores Dobroshi pasqyron shkëlqyeshëm dilemën me të cilën ajo ballafaqohet. Gjatë gjithë filmit ajo bënte aktrim të brendshëm, tipik të Brehtit, dhe çdo fjali që thoshte, buronte nga thellësia dhe reflektonte për mrekulli, në asnjë moment nuk tepronte me lëvizjet e jashtme. Por, nganjëherë aktrimi i saj bëhej edhe teatral, pa ndonjë pengesë apo devijim të personazhit.
Fati i saj në film na paraqitet mes një zënke, asaj të dashurisë, dhe ligjeve të pista të nëntokës. Lorna (Arta Dobroshi) një femër e re nga Shqipëria, jeton në Belgjikë, lidh një bashkëpunim me një person me emrin Fabio, i cili është i prekur nga ligjet e pista dhe me planë tejet djallëzore. Disi mjeshtërisht Fabio, i’a kishte përgatitur një martesë me një drogaxhi me emrin Klodi, me qëllim që Lorna të fiton nënshtetësi Belge dhe pastaj të ketë një martesë me një rus i cili është bos i një mafie, e të paguaj para të majme për tu bërë Belg. Tregimi i kësaj drame është ndërtuar mjaftë mjeshtërisht dhe thelluar tejet në probleme, por, në vazhdimësi na del se paraja është çdo gjë dhe ende ruhet nga antika thënia e vjetër të cilën e thoshin poetët e asaj kohe: “Gjënë më të keqe që shpifi njeriu, është paraja, ngase të detyron të bësh punë të liga”, dhe pikërisht në këtë film na del në pah kjo teori antike. Në momentin, kur Lora, e shfrytëzon dashurinë e saj trupore me Klodin, e këtë gjë e bënë që ai ti shmanget drogës, të mos e vazhdon më, ajo ngel shtatëzën, dhe shtatëzania e saj, bëhet pengesë e planit të zezë të Fabios. Fabio kërkon nga Lora ta abortoj vogëlushin, por Lora, duke mbetur besnike e ndjenjave të saja të sinqerta dhe dashurisë së flaktë ndaj fëmijës, refuzon një gjë të tillë, dhe ajo në një vallëzim i pohon mafiozit rus që është shtatëzënë, atëherë planet i rrënohen Fabios dhe ai në mënyrë dinake dëshiron ta vrasë protagonisten, gjë që nuk ia arrin, ngase Lorna i del zot çdo sfide dhe arrin në mënyrë profesionale të përballet me një fitore të madhe, ku përfundon në një kasolle të vjetër e vetmuar me fëmijën e saj të pa lindur. Aktorja Dobroshi mjaftë mjeshtërisht i kundërpërgjigjet dialogëve me të gjithë personazhet, por do veçoja dialogët dhe situata tejet prekëse me burrin e saj Klodin. Klodi në fillim të filmit paraqitet si një drogaxhi extrem, që tërë dashurinë e gjen në pluhurin e bardh, dhe mjaftë bindshëm arrin të na pushtoj ndjenjat, dhe nganjëherë duke e vështruar thellësisht, prapa syve të tij, fshihen ndjenjat më të sinqerta, edhe pse ka një jetë dështaku dhe të braktisur nga familja. Lorna, mundohet ta urren, por në disa situate i ndihmon dhe futet në lojërat e tij të sinqerta pa kurrfarë qëllimi të keq. Shumica e aktorëve, bëjnë lojë të mrekullueshme natyraliste, ku indikacionet e regjisorit nuk vërehen fare dhe nuk guxojnë të vërehen, por të jetojnë me vijën dramaturgjike.
Ndërkaq, Sokoli (Alban Ukaj), i dashuri i Lornës, i cili e dashuron Lornën, na vije një personazh me pak buzëqeshje, edhe pse në disa situata, sidomos ne situatën në fillim të filmit, në takimin e Lornës, i mungon ajo dashuri përkëdhelëse ndaj Lornës, por në momente të caktuara, në vazhdimësi arrin të ballafaqohet mjaftë bukur. Loja mes Dobroshit dhe Ukaj, është e zhvilluar mirë, por shpeshherë u mungon ajo ngrohtësia e dy çifteve të dashuruar.