E diele, 28.04.2024, 11:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Nowlle Roger, zvicerania që mbronte Shqipërinë tek Fuqitë e Mëdha

E merkure, 06.05.2009, 07:44 PM


Libri « Nëpër udhët e Shqipërisë » u paraqit me sukses në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe të Shtypit, në Palekspo të Gjenevës

Nga Fatmira Nikolli

Në korin e zhurmshëm të shtypi t të kohës, shkrimet e Nowlle Roger përbënin një nga zërat e paktë që fliste për Shqipërinë e shqiptarët me aq vërtetësi dashamirëse, me dashuri deri në dhimbje, me sinqeritet e objektivitet, si edhe me një mjeshtëri profesionale të admirueshme. Fjala e saj nuk kishte se si të mos zgjonte jehonë në rrethet e lexuesve dhe të mos dëgjohej në qarqet politike e diplomatike të Europës. "Nowlle Roger erdhi në Shqipëri në një kohë tepër të vështirë, të mbushur me rreziqe. Në atë kohë, Shqipëria sapo kishte dalë nga robëria otomane dhe po përpiqej të ngrihej në këmbë e të fitonte emrin e një shteti të pavarur në kontinentin europian. Tërthorazi, Roger bëhet dëshmitare e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, e kryengritjeve fshatare, e Luftës së Parë Botërore, e pushtimit dhe shkatërrimit të vendit tonë e po ashtu, edhe e Konferencës së Paqes në Paris, ku varej e ardhmja e Shqipërisë", -shkruan Nasho Jorgaqi në hyrjen e librit "Nëpër udhët e Shqipërisë", që është përgatitur për botim nga Ilda Poda. Në këtë libër jepen udhëtimet, shkrimet dhe kujtimet e zviceranes, që në vitet 1912-1924 vizitoi Shqipërinë. Ajo ndoqi nga afër lojërat politike të Fuqive të Mëdha dhe intrigat e shteteve fqinje. Të gjitha këto përbëjnë në shkrimet e saj sfondin historik, një sfond i zymtë e tronditës, që ajo e njohu mirë e që na e jep me vërtetësi, mjeshtri dhe me mendime fisnike.

Në Shqipëri

"Ajo çka përbën spektrin e pasur e të gjerë të publicistikës së zviceranes, është jeta shqiptare ku ajo njohu gjendjen dhe botën tonë, psikologjinë dhe zakonet. Pas varfërisë së tejskajshme dhe prapambetjes së llahtarshme, zemra bujare do të përjetojë dhe do të njohë edhe vlerat e rralla të shqiptarëve, virtytet, karakterin e fortë, bukurinë dhe forcën shpirtërore, dinjitetin, mikpritjen e bujarinë, besën dhe kurajën. Udhëtimet e saj nëpër Shqipërinë e prapambetur, me infrastrukturë të varfër e rreziqe, do të përbënin një kalvar të vërtetë, të cilat do t'i përballonte falë dashurisë e përkushtimit për popullin shqiptar. Ajo nuk udhëtoi vetëm nëpër qytete si Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça apo Gjirokastra, por shkoi deri në zona të thella si Dukagjini, Mirëdita, Prespa, e duke u ngjitur deri në majën e Tomorrit. Vëmendja e sa u përqendrua tek njerëzit, duke takuar të gjitha shtresat e popullsisë si liderë, politikanë, intelektualë, fshatarë e malësorë, qytetarë të ndryshëm, klerikë me të cilët komunikonte lirshëm", -shkruan prof. Jorgaqi. Në shkrimet e Nowlle Roger jepen tablo të realitetit politik, ekonomik e social të shoqërisë shqiptare. Para lexuesit vijnë skena e prapaskena të luftës politike që të kujtojnë kohën e sotme. Në shkrimet e saj ajo tregon vështirësitë e ngritjes së institucioneve, për rolin dhe ndihmën e misioneve ndërkombëtare, për shtypjet e padrejtësitë që bëheshin në kurriz të popullit. Ajo kishte arritur në konkluzionin se shqiptarët mendonin se Europa i gënjente dhe i kishte braktisur. Libri i Nowlle Roger që ka lexuesi shqiptar në dorë u bë i mundur falë punës së zellshme e të lavdërueshme të përgatitur nga Ilda Poda. Ajo ka hulumtuar nëpër arkivat dhe bibliotekat e Zvicrës, duke ia dalë mbanë kësaj detyre fisnike. "Për vepra me të tilla me vlera të rralla dokumentare kanë nevojë, në radhë të parë fushat tona studimore, por edhe rrethi i gjerë i lexuesve. Shkrimet e këtij libri janë një zbulim i vërtetë. Zbulim është për opinionin publik shqiptar dhe Nowlle Roger, është Edith Durham zvicerane.

Botimi

Nowlle Roger ishte pseudonimi i Helene Pitard-Dufour, shkrimtare, gazetare e publiciste zvicerane, që ka lindur në vitin 1874 dhe vdiq në vitin 1953. "Deri më sot, shkrimet e saj nuk janë përfshirë në ndonjë studim apo botim të veçantë. Ato janë botuar në shtypin e ditë së Zvicrës, në vitet 1912-1924. Helen Pitard, njihet në Zvicër si autore e një sërë romanesh e librash nga viti 1899 deri në vitin 1940. Bëri emër si publiciste duke përshkruar udhëtimet e bëra në Ballkan, ku ka përshkruar jo vetëm emocionet e tjera në këto rrugë, por edhe ngjarjet që do të ndikonin në të ardhmen e tyre", -shprehet Ilda Poda, personi që falë punës dhe këmbënguljes së madhe solli në shqip për herë të parë këtë libër. Esetë, skicat dhe shënimet e udhëtimeve të saj ajo do t'i botonte në gazeta si "Revue des Deux Mondes", "Journal de Geneve", "La Suisse", "La Semaine litteriare" etj. Vepra e saj është e lidhur ngushtë edhe me punën e bashkëshortit të saj, Eugene Pitard. Ai ishte profesor dhe antropolog i njohur në Universitetin e Gjenevës. Ai ka meritën historike, sepse vendosi disa piketa vendimtare në fushën e arkeologjisë parahistorike dhe antropologjisë fizike. Sipas tij, shqiptarët i përkasin, në pjesën më të madhe, një grupi njerëzor, karakteristika kafkore e të cilëve është brakicefalia. Sipas tij, kjo është një karakteristikë që shqiptarët e kanë ruajtur të paprekur nga tipi i ilirëve të mëdhenj, që kanë qenë një prej racave më të bukura të Europës. Ai ka zhvilluar disa gërmime arkeologjike në Shqipëri dhe në liqenin e Prespës ka zbuluar disa shtresa të neolitit. Më 24 janar 1921 ai është emëruar si Konsull Nderi i Shqipërisë në Zvicër. Në libër paraqitet edhe fjalimi i tij, ku ai është shprehur: "Unë do ta kryej me detyrën që ma ngarkoni me ndërgjegje e me therori tyke ruajtun ligjet e shtetit shqiptar e do jemë gjithnji besatar përpara Këshillit të Naltë e Kabinetit shqiptar, mbrojtës i Indipendencës të Shqipnis dhe e i flamurit tonë".

Udhëtimet

Vlera e shkrimeve të Nowlle Roger si publiciste shprehet edhe me analizën e shkaqeve të prapambetjes shqiptare, ku sipas saj një faj të madh kanë edhe qëndrimet e padrejta të Fuqive të Mëdha. "E gjithë Shqipëria, - shkruan ajo, - të jep përshtypjen e një toke të harruar në errësirën e Perandorisë Osmane. Këtë e shikojmë qartë edhe në Shkodër, që është i një nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë, i vetmi me prirje europiane". Ajo mban qëndrim dhe bën përgjegjës Fuqitë e Mëdha dhe vendimet e tyre të padrejta të viteve 1913 dhe 1919-1920, të cilat kanë ndikuar në rrënimin e jetës së shqiptarëve si edhe kanë cenuar rëndë integritetin dhe të ardhmen e tyre. "Ky popull, - shkruan autorja, - nuk ka kërkuar asgjë tjetër veçse paqe, me qëllim që të ndreqë rrënojat e shkaktuara nga luftërat e vazhdueshme dhe të shijojë lirinë e sapofituar". Duke u ndalur në copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913, ajo e quan këtë copëtim "ironi mizore", sepse jeta e shqiptarëve në ato vite ishte tragjike. Ajo i përshkruan me dhimbje viset e copëtuara të Shqipërisë, duke treguar edhe lidhjet me trungun amë. Populli shqiptar sipas saj, dallohet për miqësinë e bashkëpunimin me fqinjët sllavë, grekë, etj, duke dëshmuar qytetarinë e vet dhe duke dhënë një shembull për kapërcimin e vështirësive dhe problemeve jo të pakta që rridhnin nga aneksimi i territoreve të tyre. Ajo e vlerëson si një mrekulli, bashkëjetesën dhe tolerancën e admirueshme ndërfetare. Një vend të veçantë në shkrimet e saj do të zënë gratë shqiptare dhe bota e tyre, bukuria e pasuria shpirtërore që fshihet nën varfërinë dhe fanatizmin. Nowlle Roger dëshpërohet nga drama e grave shqiptare, që para syve të një europianeje, i kapërcen kufijtë e fantazisë.

Shkrimet

Në gazetën "La semaine Litteraire", në datën 2 shkurt 1911, ajo do të botonte artikullin "Shkodra e Shqipërisë". Ajo e përshkruan në këtë mënyrë liqenin e Shkodrës: "Po, atje tej shndrit uji, aty shfaqet skaji i ngushtë i Liqenit të Shkodrës, i cili herë i afrohet e herë largohet, ai liqen tërheqës, i rrethuar në mënyrë misterioze prej malesh të egra, ku fise gjithnjë në kryengritje bëjnë një jetë legjendare në skaj të çdo qytetërimi". Mbasi përshkruan udhën përmes së cilës po kalon, ajo përshkruan edhe avulloren. Pjesa e përparme e anijes është zënë nga një princeshë shqiptare e krishterë, e veshur si perëndimore, elegante dhe e shoqëruar nga hyzmeqarët e saj", përshkruan ajo.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora