E enjte, 17.06.2021, 11:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zëri i Kosovës

E diele, 03.05.2009, 06:19 PM


Zëri i Kosovës

Nga Baki Ymeri

Koha e poezisë është një etje permanente, ndërsa “Zëri i Kosovës” është libri më i ri i Remzi Bashës, poet kosovar me banim në Suedi. Një vepër e bukur të cilës i paraprin një parathënie briliante, lënda poetike dhe mendimet e Namik Selmanit i cili uron që sa më shumë të shkëmbejmë mes vedi, si shkrimtarë, si poetë, si patriotë, si mesazhierë të së nesërmes, me më shumë fjalë, me më shumë  poezi, me më shumë mençuri. Remzi Basha na e thotë kaq mirë këtë mësim në librin e tij. Derisa botimet e deritanishme kanë dalë në gjuhën rumune apo në të dy gjuhët, “Zëri i Kosovës” është libri i parë i një autori kosovar që e sheh dritën e botimit në gjuhën shqipe në Bukuresht, duke vazhduar kështusoj traditën e rilindësve tanë që i botonin këtu veprat e tyre në gjuhën amtare.  Librit i paraprin medalioni i autorit mbi “Nuset tona dhe zemrat shqiptare”:  “Nuset tona janë përherë nuse. Ato nuk plaken kurrë dhe gjithmonë rrinë në pritje: me pajën flamur, me zjarrin në gji, të egra, të buta dhe ziliqare. Vetë Penelopa duket të ketë qenë shqiptare. Dasma shqiptare nuk i ngjiste pranverës së parë. Ajo solli shumë zogj, shumë këngë, shumë lumenj. Zogjtë ishin më të bardhë, këngët me daulle, lumenjtë me valë, e dielli me zjarr. Edhe dashuria shfaqet në formë zogu, bie në krahëror si një degë lisi, ikën prapë bashkë me gjethet pas vete, lë një rrugë të zbrazur, plot shi, dashuria ime për ty.”             

Zëri i Kosovës është strukturuar në tre cikle: “Dardania e bekuar nga Perëndia”, “Amaneti im”  dhe “Atyre që e duan  Atdheun e quajtur Kosovë”. Sipas Riza Lahit (poet, piilot dhe patriot), “Remzi Basha, shkruan për vendlindjen  e tij si një adoleshent që ka rënë në dashuri. Ai bën pjesë në atë grup kosovarësh që synon që të bashkojë shqiptarët me njëri/tjetrin, nën palët e flamurit kombëtar. Ky njeri me pamjen prej lufëtari, ka një zemër kaq të madhe sa të pranojë në zemrën  e tij të gjithë shqiptarët. Unë tund kokën i menduar kur lexoj poezinë  Remzi Bashës.” 

Një libër i shkruar me shpirt

Sipas Drita Brahos, autore e parathënies, edhepse lexuesi mbetet vlerësuesi më i mirë dhe mbështetesi kryesor i poetit, Zëri i Kosovës është një libër i shkruar me shpirt. Janë poezitë më të bukura të këtij kosovari të frymëzuar, të përmbledhura në një vëllim antologjik që e sheh dritën e botimit aty ku u hodhën bazat e para të shtypit shqiptar dhe të librit shqip. Imagjinata, atdhedashuria dhe shpirti i autorit shkëlqen në tri vëllimet poetike (Ringjallja e Atdheut, Merrmë me vete, (Di)Ademat) që paraprakisht e kanë parë dritën e botimit brenda një viti në Prishtinë (2005). Sali Bashota qëndis portret për babain e vet, sipas të cilit “Vdiq duke këlthitur/ Kemi me fitue/ Ai kishte plis të bardhë/ Mustaqe të kuqërreme/ Trup mesatar por të lidhur/ Nuk kishte frikë/ Ai kishte shpresë/ Dhe besë”. Po kështu vepron edhe Remzi Basha te portreti i gjyshit të tij: “Në ballë një hartë e çarë/ Dhe lumenj që ikin gjithandej/ Në gjoks një shkëmb/ Dhe lima në mes/ Trupit plagët shëtisin/ Nga koka deri te këmbët/ Nga lindja në vdekje/ E përcollën plagët/ Dhe këngët”.

Në këtë përmbledhje simpatike autori vjen para Jush edhe me një tufë poezishë të pabotuara deri mës sot. Nëna  e poetit sipas tij është qetësi e shpirtit dhe shërim i plagës, balli i saj është mallëngjim i shenjtërisë, fjala e saj burim i urtësisë dhe ilaç i vetmisë. Nëna shqiptare për poetin është Engjëll i Perëndisë. Autori defilon me shpirtin e tij poetik, që nga Shqipëria e deri në diasporë, duke e shpaluar dukshëm pasionin e tij për krijimtari artistike ku spikat patriotizmi që reflekton dashurinë ndaj kombit dhe Atdheut. Remzi Basha jep kontribut të çmuar për çështjen shqiptare në botë. Vlerat e tij krijuese kanë ndikuar që të vlerësohet edhe tejmatanë kufinjve të Atdheut, duke u bërë anëtar i Akademisë së Shkrimtarëve të Suedisë, si dhe një mësimdhënës i shkëlqyer për fëmijët tanë në diasporë. Sipas studiuesve, analistëve dhe historianëve për çështjen kombëtare, Remziu në veprat e tij shquhet si qëmtues i zakoneve dhe traditës shqiptare.

Burri i Kosovës, edhe pse larg nga vendlindja, shkruan për tokën amë. Portat e krijimtarisë janë të hapura. Kosova e Çamëria zgjojnë tek ai pasionin për të shkuar më tej. Jo drejt një të panjohure, por drejt një të  njohure që kërkon zgjidhje, ndaj ai gërmon data, fakte për fatet e kombit të tij. Pena e Remziut shkruan për dhimbjen, dashurinë dhe shpresën e popullit të tij. Tani Kosova përjeton rilindjen e saj dhe kjo e bën poetin të rilindë në vargjet e tij, duke e ndjerë zërin dhe duke prekur me elegancë dhembjet e vendit që ka përjetuar traumat e historisë. Zëri i Kosovës sjell pranë nesh zërat e trimave të patrembur, vajin e nënave që lindin heronj, afshin e vashave të etshme për dashuri, klithjen e fëmijëvë të lindur nën tingujt e një kënge. Krijimtaria  e poetit vjen gjithmonë duke u përsosur. Remzi Basha është shqiptari që ua mëson gjeografinë e atdheut dhe alfabetin e atdhedashurisë nxënësve të tij në një shtet që ka mbështetur fuqishëm Kosovën, siç është Suedia. Fjala e poetit lind nga një ëndërr ku shfaqet shpata e Skënderbeut që bie në duart e heronjve të Dardanisë ku mallet prekin qiellin, zogjtë hedhin valle, ndërsa bimët mbijnë si një përrallë me vasha shamizeza që tokës ia shërojnë plagët.

Bibliografi e shkurtër

Remzi Basha u lind më 1 shtator 1960 në Sllapuzhan të Therandës. Shkollimin fillestar dhe gjimnazin i kreu në vndlidje, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në Universitetin e Kosovës (Fakulteti i Historisë dhe Gjeografisë). Që në rini të hershme merret me veprimtari atdhetare, duke qenë më vonë në ballë të demonstratave kosovare për liri dhe pavarësi, si pasojë e së cilës do të ndiqet, arrestohet dhe dënohet disa herë. Ishte kreator dhe udhëheqës i grevës së punëtorëve të “Ballkanit” në ish/Suharekë. Si pasojë e përndjekjes, pas shpërthimit të revolucionit antikomunsit do të shpërngulet së bashku me familjen në Suedi, për të vazhduar edhe atje veprimtarinë intenzive në favor të kauzës kulturore dhe kombëtare shqiptare, duke dhënë kontribut të pashoq në fushën e arsimit, si mësimdhënës i mësimit plotësues në shkollat shqiptare të Suedisë. Në ndërkohë (1991/1995) ka qenë kryetar i degës së LDK-së për Katrinaholm, duke dhënë kontribut për Qeverinë e Kosovës edhe në rrethin e Malmos. Që nga viti 1995 deri më 2000 punoi në kryesinë e Shoqatës Kosova, duke qenë në ndërkohë revizor i kësaj shoqate. Së bashku me Vitore Stefa Lekën dhe njerëzit e saj ishte iniciator për themelimin e degës së Lidhjes Shqiptare në Skandinavi, ku është sekretar i kësaj dege, duke qenë njëherit organizator i grevës së urisë që u mbajt në Malmo për të sensibilizuar opinionin suedez lidhur me diskriminimin e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb. Merret me krijimtari letrare në mënyrë aktive, duke botuar disa vëllime poetike, si dhe një roman që është duke e pregaditur  për botim.



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora